DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI
Pas 13 vitesh në pushtet, Edi Rama po përpiqet të paraqitet si zgjidhja e një problemi që vetë ai e ka krijuar dhe e ka neglizhuar për kaq gjatë: sigurinë ushqimore.
Nuk është thjesht vonesë: Është dështim me qëllim.
Për më shumë se një dekadë, tregu ushqimor në Shqipëri është lënë të dalë jashtë kontrollit. Prodhimet kanë hyrë pa standarde, pa gjurmueshmëri dhe pa mbikëqyrje serioze. Institucionet që duhet të garantonin sigurinë janë përdorur për qoka elektorale; ato janë kthyer në struktura formale, të përdorura për presion selektiv dhe për qëllime korruptive, dhe jo për mbrojtje të qytetarëve. Në vend që të ndërtohej një sistem funksional, është toleruar një realitet ku rregulli zëvendësohet nga lidhjet, dhe standardi nga favori politik ose korruptiv.
Shqetësime që janë shprehur per vite me radhe nga shoqëria, media dhe opozita. Pra, jo një temë e re apo problem qe lindi papritur.
Sot, pasi dëmi është bërë dhe pasojat janë të dukshme në shëndetin publik, Kryeministri del dhe fajëson fermerët dhe prodhuesit. Kjo është jo vetëm shmangie përgjegjësie, por një përmbysje e realitetit.
Kjo është kryekeput një tallje me qytetarët.
Sepse fermerët nuk kanë qenë kurrë problemi. Problemi ka qenë mungesa e politikave, mungesa e kontrollit dhe mungesa e vullnetit për të ndërtuar standarde.
Pyetja nuk është pse nuk janë gati fermerët. Pyetja është: kush i la pa mbështetje për 13 vite?
Në vend që të kishte investuar në laboratorë, në kontroll të zinxhirit ushqimor, në edukim dhe standardizim të prodhimit, qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë: propagandën. Sot, siguria ushqimore përdoret si justifikim për negociatat me BE-në dhe si material për konsum elektoral, jo si një prioritet real për jetën e qytetarëve.
Dhe më shqetësuese është se, edhe tani, nuk ka asnjë plan konkret.
Nuk ka një strategji të detajuar për kontrollin dhe standardizimin,
Nuk ka një model funksional mbështetjeje për fermerët,
Nuk ka transparencë mbi mekanizmat e zbatimit,
Nuk ka masa të detajuara, nuk ka përgjegjësi të qarta, nuk ka objektiva të matshëm. Vetëm deklarata apo të ashtquajtura marreveshje bashkepunimi per zbatimin e ligjit dhe tentativa për të zhvendosur fajin.
E vërteta është e thjeshtë: siguria ushqimore në Shqipëri nuk është problem i ri. Është një plagë e hapur prej vitesh. Dhe përgjegjësia për këtë situatë ka një adresë të qartë politike.
Çdo përpjekje për t’u paraqitur sot si “flamurtar” i kësaj kauze, pas 13 vitesh mosveprimi, nuk është asgjë më shumë se një tjetër akt propagande. Dhe propaganda, në këtë rast, nuk është thjesht mashtruese, është nje tjetër lëndë helmuese, nje tjetër ushqim i dëmshëm për Shqiptarët.


