Berisha: Mafia e fjalës së lirë censuroi dhe manipuloi raportin e IBAR të 21 majit! Ky raport pasqyron me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Ramës. BE godet për herë të parë terroristët patronazhistë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mediat pranë qeverisë se kanë censuruar dhe manipuluar raportin e 21 majit të IBAR-it, duke deklaruar se dokumenti i miratuar nga COELA pasqyron ‘me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës’ dhe shënon një qasje më të ashpër të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë.

Gjatë konferencës për mediat, Berisha theksoi se, se raporti i miratuar më 21 maj ka pësuar 32 ndërhyrje të rëndësishme krahasuar me draftin e shkurtit, ku sipas tij 14 prej tyre janë shtesa të reja që vendosin standarde më të forta për demokracinë, drejtësinë, zgjedhjet dhe luftën kundër korrupsionit.

Sipas kreut të PD-së, Sali Berisha ndryshimi i parë madhor lidhet me heqjen e seksioneve të përgjithshme pozitive mbi progresin e Shqipërisë në draftin e shkurtit. ‘Tre faqe me narrativë progresi janë hequr dhe dokumenti nis direkt me kërkesat ndaj standardeve. Është eliminuar narrativa e progresit të Shqipërisë’, deklaroi ai. Ai e interpretoi këtë si një sinjal politik dhe diplomatik nga BE-ja se qeveria shqiptare nuk gëzon më të njëjtin besim në procesin e integrimit.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, një nga ndryshimet më të forta, është përfshirja në raport e kërkesës për ‘garë të barabartë zgjedhore’ dhe masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore. Ai theksoi se raporti përmend për herë të parë ndikimin e rrjeteve të patronazhimit në proceset zgjedhore. ‘BE godet për herë të parë rrjetet e patronazhimit. Është kritikë direkte ndaj qeverisë dhe patronazhistëve elektoralë’, u shpreh Berisha.

Për liderin e opozitës, Sali Berisha, raporti i IBAR i miratuar në Maj ka ashpërsuar gjuhën ndaj ndërhyrjeve politike në drejtësi, duke përmendur në mënyrë eksplicite edhe SPAK-un. Ai tha se, ndryshe nga drafti i shkurtit, dokumenti i miratuar shpreh ‘keqardhje’ për përpjekjet e zyrtarëve të lartë për të ndikuar mbi drejtësinë dhe kërkon mbrojtje më të fortë të punës së SPAK-ut. Berisha shtoi se raporti mirëpret rezultatet e deritanishme të SPAK-ut, përfshirë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Një tjetër element që kryetari i PD-së Sali Berisha e cilësoi si të paprecedent ishte ndryshimi i formulimit për korrupsionin në Shqipëri. ‘Nuk flitet më për shqetësim serioz, por për shqetësim vendimtar, themelor. Është hera e parë që përdoret një term i tillë’, tha ai, duke u shprehur se, ky është një sinjal alarmi nga Brukseli. Ai tha se raporti i Majit shton kritika të drejtpërdrejta për çështjen e pronave, kompensimin e shpronësimeve, autonominë vendore dhe të drejtat e pakicave kombëtare. Berisha veçoi faktin se dokumenti kërkon kompensim të drejtë për pronarët, respektim të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe garantim të arsimit në gjuhët e pakicave. Gjithashtu, sipas tij, raporti trajton për herë të parë sektorin e pasurive të paluajtshme dhe industrinë e ndërtimit si fusha të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Në përgjigje të interesit të gazetarëve për një hetim parlamentar mbi çështjen e hakerimeve dhe të dhënave të qytetarëve, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se PD do të kërkojë komision hetimor për abuzimet me sistemet e AKSHI-t, duke shtuar se opozita është në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore të bllokuara më herët. ‘Nuk do të pajtohemi me bllokimin e komisioneve hetimore. Do të qëndrojmë mbi çdo abuzim me të dhënat e qytetarëve’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita.

Së pari dua të denoncoj me forcën më të madhe mashtrimin, censurën dhe manipulimin që mafia e fjalës së lirë, e kontrolluar nga qeveria totalisht, i bëri raportit më të rëndësishëm të BE për Shqipërinë.

Mafia e fjalës së lirë, në përputhje me direktivat që mori nga zyra e kryeministrit, nxiu me dhjetëra e dhjetëra faqe në portale, në gazeta, konsumoi orë të tëra në studio për të mashtruar qytetarët për raportin IBAR.

Ajo kreu këtë akt të shëmtuar pasi censuroi totalisht raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian.

Është pikërisht ky qëndrim që tejkalon çdo lloj kufiri, ai që më detyron sot në emër të transparencës t’u paraqes shqiptarëve të vërtetat e raportit IBAR 21 maj.

Ashtu siç janë miratuar.

Dhe të shpreh falënderim për të gjithë ata të cilët, siç do ta shihni, e amenduan me 32 amendamente më kryesore për të mos llogaritur dhjetëra e dhjetëra të tjerë.

Të falënderoj COELA-n për punën e madhe serioze për të pasqyruar në raportin e tyre realitetin shqiptar ashtu siç është dhe jo realitetin e sheqerosur me lobime korruptive.

Unë mund të them se raporti i parë, i paraqitur me 2 shkurt dhe i rishqyrtuar shumë e shumë herë, i karakterizuar gjithashtu nga anulimi i konferencës ndërqeveritare, në pozicionet e përbashkëta që paraqet me 21 maj, ka pasqyruar me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës.

Dhe se pas këtij raporti, Shqipëria në raport me kriteret, standardet e integrimit në BE, është një vend krejtësisht tjetër.

Është fatkeqësi e madhe kur mediat, në vend që të mbajnë anën e qytetarëve, anën e vendit të tyre dhe interesave jetike të vendit të tyre, të qytetarëve të tyre, mbajnë anën e kreut të Meduzës, organizatës së tij kriminale, duke mashtruar qytetarët për këtë raport.

Tani, pikërisht për këtë qëllim, është paraqitur këtu në këtë tabelë, kjo është matrica në të cilën krahasohet paragraf për paragraf, raporti siç u paraqit nga Komisioni në shkurt të vitit 2026, në raportin siç u miratua nga COELA më 21 maj të vitit 2026 dhe që iu dërgua Këshillit të Ambasadorëve.

Një punë jashtëzakonisht serioze.

Siç e shihni, është ndërhyrë direkt në strukturën e dokumentit.

Nga faqja 1 gjer në faqen 5 renditeshin vlerësime të përgjithshme për progresin e Shqipërisë në raportin e shkurtit.

Kryq, vizë, hiqen totalisht. I hequr.

Dokumenti i unifikuar fillon direkt me draft-pozicion.

Seksioni i hyrjeve i lajleve dhe luleve hidhet në kosh.

Çfarë është ky sinjal diplomatik?

Shumë i fuqishëm.

Eliminohet tërësisht narrativa e progresit të Shqipërisë. Tre faqe të mbushura me këtë narrativë dhe kalohet direkt në kërkesat ndaj standardeve.

Pra, ky është një shërbim i madh.

Imagjinoni ju po të ishin ato se ç’do bënin mediat e qeverisë duke manipuluar dhe mashtruar shqiptarët.

Asnjë fjalë.

Dy.

Zgjedhjet bashkiake. Një gjuhë e përgjithshme ekzistonte në shkurt.

Në maj kërkohet zbatim në kohë dhe efektiv në prag të zgjedhjeve të të gjitha kërkesave të OSBE/ODIHR.

Pra, në qoftë se ajo ishte me gjuhë të pambuktë, hiqen dorezat dhe i përplasen të gjitha Edi Ramës.

Bëhet presion kohor i qartë lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

Qeveria nuk besohet më për zgjedhjet.

Tre.

Ndryshimi kapital.

E paimagjinueshme. Nuk ekziston fare në raportin e shkurtit i shkruar me lobingje.

Çfarë thotë raporti IBAR i 21 majit?

Shqipëria duhet të sigurojë garë të barabartë, sepse nuk ka pasur garë të barabartë në zgjedhje, duke marrë masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe institucioneve.

E thotë raporti, nuk kishte një fjalë pra, i është shtuar. Duke marrë masa kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore dhe institucioneve.

Dhe më tej godet në mënyrë fatale rrjetet terroriste të patronazhistëve. Sigurisht aty nuk përdoret fjala terroriste, por ja ku e keni, ndikimin e rrjeteve të patronazhimit.

Çka do të thotë se këto rrjete janë bërë famëzeza në BE, në Evropë dhe në botë.

I keni parasysh ju lavdërimet që i bën Edi Rama terroristëve elektorale?

Ja ku i kanë.

Raporti i shkurtit asnjë fjalë.

COELA erdhi në mision faktmbledhës në Shqipëri. Erdhi, i pa gjërat në vend dhe shtoi masat anti-farsë elektorale.

Kjo është hera e parë që BE emëron rrjetet e patronazhimit. Kritikë e drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij dhe terroristëve elektoralë anëtarë të këtyre rrjeteve.

Koha e konsultimit të procesit legjislativ.

Raporti i shkurtit kërkon konsolidimin e rolit të parlamentit.

Ju e keni parasysh se si këta në një ditë të caktuar miratuan brenda një çerek ore 21 ligje, në turpin më të madh të tyre.

Çfarë thotë raporti i 21 majit?

Përafrimi me acquis kërkon një proces të plotë me kohë të mjaftueshme për konsultime substanciale.

Pra, Niko Peleshi del kryetari më qesharak i parlamentit në Evropë.

Kryetari kukull i një parlamenti në Evropë, që votonte ligjet e kërkuara nga BE pa debat, pa kontroll, pa asgjë.

Rekomandimi pra është forcuar shumë.

Në rrafshin politik, kemi një kritikë të qartë ndaj miratimit të nxituar të ligjeve pa konsultim paraprak.

A e dini ju që këta nuk nxjerrin mend, këta përsëri sollën para tre ditësh amendamente për rregullore ku kërkonin që ligjet për në BE, të miratohen me procedurë të përshpejtuar. Sigurisht që ne e hodhëm poshtë atë dhe nuk pranuam.

Komisioni për reformën territoriale. Asnjë fjalë në raportin e shkurtit. A, tani nuk ka më.

Ka një vend të veçantë në raportin e majit. Është shtuar, çka dëshmon angazhimin dhe interesin e BE, ndërgjegjësimin e këtij institucioni për rëndësinë e reformës territoriale.

A nuk është pra ky një ndryshim si nata me ditën?

Autonomia vendore. Edhe këtu është një fushë ku Edi Rama goditet në mënyrën më të rëndë për fatkeqësinë e tij.

Raporti i shkurtit nuk e përmend fare.

Çfarë thotë raporti i majit? Çfarë paralajmërimi të fortë jep? Të ruhet ndarja e përgjegjësive ndërmjet niveleve qendrore dhe vendore të qeverisjes, përfshi autonominë e qeverisjes vendore.

Këtu, i shtuar, nuk ka ekzistuar.

Këtu BE denoncon dhunimin e Kushtetutës nga Edi Rama, që ka marrë çdo kompetencë të qeverisë vendore, përfshi dhe lejet për ndërtesa dykatëshe apo trekatëshe kudo që ndërtohen, vetëm e vetëm që të marrë gjobën se është i çmendur pas gjobave mbi sipërfaqet e ndërtimit.

Fakti që e shtuan këtë tregon se janë të informuar për hipercentralizimin që bën Edi Rama dhe dhunimin e Kushtetutës.

Me Kushtetutë ka autonomi qeverisja vendore.

Strategjia e drejtësisë 2024-2030.

Raporti i shkurtit nuk e përmend fare.

Raporti i majit kërkon të konsolidohet zbatimi i reformave nëpërmjet strategjisë së rishikuar të drejtësisë. Është shtuar pra.

Dhe në këtë mënyrë dokumenti specifik bëhet referencë kushtëzimi për monitorimin.

Ja pra çfarë i fshehin mediat e qeverisë shqiptarëve.

Tani jemi sërish tek drejtësia. SPAK dhe sulmet politike të nivelit të lartë.

Raporti i shkurtit nxit Shqipërinë të adresojë efektivisht përpjekjet e zyrtarëve apo politikanëve për ushtrim ndikimi të padrejtë.

Pra, edhe në shkurt është paraqitur nga Komisioni në COELA.

COELA është grupi i punës i ngritur nga përfaqësues diplomatë dhe ekspertë të 27 vendeve anëtare dhe që varet nga Këshilli i Ministrave të BE, jo nga Komisioni Evropian.

Kurse në maj, pasi Edi Rama ka rrethuar gjykatën dhe SPAK-un me banditë zyrtarë, pasi ka sulmuar në mënyrën më të egër SPAK dhe gjykatat për Lubi Ballukun dhe të tjerë, shton: BE shpreh keqardhje dhe nxit adresimin e përpjekjeve të shtuara dhe shqetësuese të zyrtarëve apo politikanëve, përfshirë nivele të larta, duke përfshirë SPAK. Pra është forcuar shumë më tepër.

Katër përshkallëzime. Keqardhje, nuk ishte.

Të shtuara dhe shqetësuese, nuk ishte.

Nivele të larta, nuk ishte.

SPAK përmendet në mënyrë eksplicite.

Pra kemi të bëjmë me gjuhën më të ashpër të dokumentit dhe këtë e fsheh media.

Standardet e vetingut, qëndrueshmëria. Thekson hapat drejt vetingut në shkurt. Në maj shtohet: Thekson nevojën për Shqipërinë të ruajë dhe të mbajë standarde të qëndrueshme.

Sepse është konstatuar që po i shkelmojnë, nuk po i respektojnë dhe po dalin shumë gjëra të zeza mbi ujë.

Qëndrueshmëria e rezultate të vetingut bëhet kërkesë eksplicite si përgjigje ndaj shqetësimeve për vetingun.

Imagjinoni ju si mund të bëjë veting Altin Troplini? A e patë ju? A e patë se si kishte mashtruar ai?

Kishte paraqitur në veting deklaratën e firmosur nga noteri, të prindërve të bashkëshortes së tij, se vila trekatëshe ku banon Altin Troplini është ndërtuar në një kohë kur ai nuk ishte fejuar me Alketën, vajzën e tyre, në një kohë kur dokumentet e shtetit faktonin se në atë periudhë që pretendonte familja e Altin Troplinit, ajo ka qenë tokë arë pa asnjë tullë.

Dhe ky tani bëhet kryevetor.

Këtu ka një zhvillim tjetër jashtëzakonisht tër rëndësishëm në rekomandime, të cilin nuk e kam hasur kurrë të kësaj force dhe të kësaj natyre.

11.

Në raportin e shkurtit thuhet: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz.

U garantoj se ky term ekziston edhe në raportet e vitit 2011. Shqetësim serioz.

Por jo, nuk e pranon COELA këta.

Nuk është punë shqetësimi serioz, se shqetësim serioz mbetet kur luftohet, por duhet të luftohet vazhdimisht.

Tani është kaluar në një terminologji krejtësisht tjetër: Korrupsioni shqetësim vendimtar, themelor.

Me një fjalë, Shqipëria pothuaj me karton të kuq.

Krucial. Nuk e kisha hasur kurrë.

Kam hasur terma galopant, pervaziv, por krucial jo.

Ky është vlerësimi dhe cilësimi që i ka bërë COELA pas zbulimit se Edi Rama qëndron prapa dosjeve të Lubi Ballukut dhe Lindave të tij.

Krucial sinjalizon status afër vijës së kuqe në gjuhën diplomatike.

Pra edhe një përshkallëzim jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Shikoni çfarë u fshehin qytetarëve mediat e qeverisë.

Rezultatet e SPAK.

Njohje eksplicite, referencë e përgjithshme ndaj konsolidimit dhe kapaciteteve të SPAK.

Jo, pas sulmeve dhe bllokimit të SPAK nga Edi Rama, BE del hapur në mbrojtje të rezultateve, domethënë të padive të paraqitura ndaj Lubi Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë të AKSHI-t dhe të rrugëve.

Është shtuar: BE mirëpret rezultatet e mira të arritura gjer tani nga SPAK dhe gjykatat e tij përfshi rastet e korrupsionit në nivelet e larta.

Besoj se më shqip nuk mund të fliste.

Imagjinoni ju se si mund të fshihet ky denoncim.

Këtu krijohet një kontrast i qëllimshëm politik midis ndërhyrjeve dhe kritikave të Edi Ramës dhe qëndrimeve të BE.

Është shtuar, nuk ekzistonte.

Parlamenti dhe prezumimi i pafajësisë. Asnjë fjalë në shkurt.

Deklaratat publike të institucioneve shtetërore mbi hetimet ndaj zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm duhet të respektojnë prezumimin e pafajësisë. Është shtuar kjo.

Kjo është kritikë e drejtpërdrejtë ndaj ndërhyrjeve të parlamentit në hetimet e SPAK.

Kjo do të thotë se parlamenti nuk mund të ndërhyjë, as të interpretojë, as të bllokojë hetimet e SPAK dhe kërkesat e tij.

Direktivë anti SLAPP. Përafrim i shpejtë.

Në shkurt kërkohej përafrim i plotë me direktivën, e cila mbron gazetarët nga paditë e pafundme.

A e dini ju?

Sigurisht nuk keni nga ta dini se censura nuk e lejon, por në vitet 2005-2013, administrata shtetërore nuk lejohej të paraqiste asnjë padi ndaj gazetarëve për çfarëdo që të shkruanin ata, me kushtin e vetëm që ata të botonin përgënjeshtrimin e personit apo institucionit.

Ka pasur dy raste kur nuk është respektuar kjo, inatçorë të mëdhenj punonjësit, dhe atyre iu është kërkuar të dorëzojnë detyrën dhe të shkojnë të vazhdojnë padinë me gazetarin.

Asnjë rast tjetër. Ky ishte qëndrimi i PD ndaj gazetarëve. Ndalohej padia ndaj tyre. Ndalohej kërkesa e burimit të informacionit dhe u garantoj se përsëri ajo do jetë në fuqi.

Në maj kërkohet përafrim i plotë dhe i shpejtë me direktivat e BE.

Pra, një qëndrim tjetër ndaj mizogenit, ndaj armikut të vërtetë të medieve që është Edi Rama.

Tani shihini vetë, të gjitha këto të shtuara.

Siguria e gazetarëve, pikat e kontaktit. Thuhet masa të përgjithshme për sigurinë e gazetarëve.

Në maj kërkohen pika kontakti të caktuara brenda policisë dhe prokurorisë për zbatimin e masave të sigurisë.

Këto në mbrojtje të gazetarëve. Imagjinoni, edhe këto që i iteresojnë direkt gazetarëve, mediat e qeverisë i censurojnë.

Policia dhe prokuroria caktohen si organe përgjegjëse ndaj persekutimit apo ndjekjes së gazetarëve.

Ndikim disproporcional- pakicat dhe zonat bregdetare.

Asnjë fjalë këtu për pakicat dhe grabitjen e pronave të tyre.

Në maj, ka ndikim proporcional në zonat ku banon numri i madh i personave të pakicave kombëtare, në zonat me vlerë të lartë ekonomike dhe në zonat bregdetare.

Me një fjalë denoncon një tendencë për plaçkitjen e pronave të minoritarëve sepse ata kanë ikur dhe ikin. Kurse këta kanë bërë mijëra falsifikime me AKSHI-n në regjistrat kadastralë.

Afati. Në shkurt vetëm qëllime të ndërmjetme.

Kurse në maj kërkohet demonstrimi i progresit të prekshëm në rritje deri në tremujorin e vitit 2027 për regjistrimin e parë të pronave. Është shtuar, nuk ka ekzistuar askund.

Afat specifik ndërmjetës midis qëllimeve ekzistuese dhe monitorim i rreptë, premton raporti.

Shpronësimet, kompensim i drejtë.

Nuk përmendet fare në shkurt, nuk ekziston ky qëllim për shkurtin. COELA, në pozicionin e përbashkët që paraqitet në Këshillin e Ministrave, kërkon që shpronësimet në emër të interesit publik të shoqërohen me kompensime të drejta për pronarët e ligjshëm.

Kërkohet klasifikim i qartë i pronave dhe jo arbitraritet siç bën Edi Rama.

Me një fjalë, kanë shprehur një shqetësim të madh me abuzimet me pronat në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare.

Të tjerat.

Arsimi në gjuhën e pakicave. Nuk përmendet fare. Një kusht i domosdoshëm i konventave ndërkombëtare që ka firmosur Shqipëria dhe që i zbatonte.

Ka bërë 13 vizita në Shqipëri ish-ministri i jashtëm i Holandës, komisioner i OSBE për arsimin e pakicave dhe ka konkluduar se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kriteret për arsimin e pakicave.

Kanë bërë regres këta, kanë mbyllur shkollat, nuk kanë mësues.

Qasje në arsimin në gjuhët e pakicave duhet garantuar pa parakushte shtese ose interpretime tepër strikte të pragut të popullsisë.

Shumë e drejtë, se kjo është një mënyrë shpopullimi.

Dhe kjo do të thotë se edhe në reformën që do bëhet dhe të gjitha zhvillimet, Shqipëria duhet të ketë parasysh të drejtat e pakicave.

Konventa që ka firmosur për të drejtat e pakicave…

Integriteti i policisë dhe forma e detajuar…

Tjetër çështje. Në shkurt thuhej, nevojiten përpjekje të mëtejshme për të adresuar çështjet e integritetit në polici. I këshillonte përgjithësisht. Jo, jo, jo, nuk kalon.

Ndërkohë, e para kërkon hapa vendimtarë dhe të qëndrueshëm. Kontrolle të vazhdueshme dhe të plota nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Policisë.

Adresimi i numrit të lartë të rrotacioneve dhe emërimeve meritokratike. Me një fjalë, emërimet në Policinë e Shtetit, nga drejtori i përgjithshëm e poshtë, është bërë tashmë e njohur në Bashkimin Europian dhe në botë, se bëhen nga kartelet e drogës dhe organizatat kriminale.

Urdhëroni pra!

Ndryshimet e ardhshme ligjore, luftën kundër kriminalitetit.

Në shkurt thekson rëndësinë që ndryshimet e ardhshme ligjore të jenë koherente me planet. Jo, Coela thekson: Nxit Shqipërinë të sigurojë ndryshimet e ardhshme ligjore duke avancuar luftën kundër krimit të organizuar. A mund të imagjinoni ju një raport që nuk duhet të kërkonte luftën kundër krimit të organizuar?

Sigurisht që COELA nuk e pranon, nuk e gëlltit këtë. Nuk e kapërcen këtë sepse Shqipëria, kartelët e saj të drogës dhe organizatat kriminale, janë rrezik për sigurinë e rajonit dhe të Europës. Ndaj dhe ndalet. Ndalet.

Nxit Shqipërinë të sigurojë ndryshimet e ardhshme ligjore duke avancuar luftën kundër krimit të organizuar. Zëvendësohet fjala ‘thekson’ e shkurtit me fjalën ‘nxit’.

Një prag i lartë, krejt tjetër. Ndryshimet duhet të avancojnë aktivisht në luftën kundër krimit. Pra, nuk janë ato që duhet.

Zbatimi i kontratave dhe ndërmarrjet shtetërore.

Siguri juridike e dobët dhe informaliteti i lartë ekonomik thuhej në raportin e shkurtit, në faqe 25.

Kurse në raportin IBAR të 21 majit lexohet: Vështirësi në zbatimin e ligjit të kontratave, të të drejtave të pronës, mangësi transparence dhe llogaridhënie e ndërmarrjeve shtetërore.

Imagjinoni ju se sa kuptim të gjerë ka kjo, ky konstatim që duhet quajtur konstatim-akuzë. Akuzë! Po për një moment përfytyroni: Cili është ai investitor i huaj që vjen në një vend ku ka vështirësi në zbatimin e ligjit të kontratave?

Ku ka vështirësi në zbatimin e të drejtave të pronës? Ku ka mangësi transparence dhe llogaridhënien e ndërmarrjeve shtetërore?

Ku Lubi Balluku, një monstër e korrupsionit, edhe pasi krijoi bursën e energjisë, tenderat i bënte në zyrat e saj sepse vidhte me thesin për Edi Ramën dhe veten e saj.

Imagjinoni ju.

Kurse Lindat merrnin pengje në mënyrë që Armand Frangu të fitonte një tender. A mund të imagjinohen këto? Ja ku i keni. Ja ku janë. Ka pra një goditje shumë të rëndë të realitetit ekzistues.

Dhe ka një mirënjohje të madhe për qëndrimin ndaj gjithë këtyre problemeve. Sektori i ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme. Asnjë fjalë në shkurt. Zero. Rrofshin kullat!

Po jo, ja që ka një tjetër IBAR, tjetër COELA. COELA thotë: Shqipëria duhet të trajtojë rregullimet ekzistuese në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe industrisë së ndërtimit si pasojë e korrupsionit, titujve të paplotë të pronësisë, dobësive në kuadrin ligjor, transaksioneve jo financiare (është fjala jo bankare).

E kuptoni ju tani? Pra nga Brukseli nxin figura e Edi Ramës dhe Adelaida Rroko. Dy kryemafiozët e larjes së parave të klaneve më të fuqishme të drogës në Europë dhe në botë, dhe ndër më të fuqishmet në botë. Këto janë. Nuk ka transparencë.

Nuk i ka shpëtuar raportit. Ja këto kullat u thurin dhe lakenjtë, puthadorët e qeverisë, shkruajnë dhe poezi për to.

Dhe ky është paragrafi që nuk ka ekzistuar.

Kërkohet në shkurt tek transparenca dhe monitorimi i standardeve, dialog aktiv me shoqërinë civile. Jo nuk mjafton.

Në Maj kërkohet monitorimi i aksesueshëm nga publiku i udhërrëfyesve. Të fshehura të gjitha ndaj publikut gjer sot.

Dialog i plotë dhe gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesit.

Pra, COELA shton detyrimin për transparencë publike. Zgjeron me shoqërinë civile dhe me të gjitha palët.

I jep një goditje fatale përpjekjes së Edi Ramës për ta pronësuar procesin themelor të integrimit.

Zgjedhjet dhe mbikëqyrja parlamentare.

Në shkurt një gjuhë e përgjithshme. Tani nuk ka më.

Kërkon zgjedhjet plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Me Edi Ramë nuk zgjedhje, ndaj dhe krijimi i qeverisë teknike, këtu nuk thuhet, por e drejta e atyre që luftojnë për zgjedhje plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR është legjitime.

Llogaridhënie dhe efektivitet duke përfshirë mbikëqyrjen dhe funksionet e tjera të parlamentit. Opozita s’ka mbikëqyrje, e ka bllokuar Niko Qeleshi. Vasali i Edi Ramës.

Në fakt e nderova me mbiemrin që i vura se e ka të mirë, boll e ka Peleshi.

Pra, siç e shihni bëhet standard, shtrohet standard nga KE-ja, pajtueshmëria e plotë me OSBE/ODIHR-in dhe funksionet mbikëqyrëse të parlamentit. Asnjë komision hetimor s’kanë lejuar gjë sot këta shakaxhinjtë, dhe prandaj fshihet raporti nga mediat.

Gjykata Kushtetuese dhe imuniteti, se këto janë pozicionet e përbashkëta të të gjitha vendeve.

Përfaqësuesit e ekzekutivit dhe legjislativit të frenohen nga ndërhyrje e padrejtë.

Çfarë do të thotë kjo ndërhyrje e padrejtë?

Asnjë ndërhyrje nuk lejohet në punët e gjyqësorit, në shkurt.

Në maj kërkohet, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ja ku e keni Edi Ramën dhe Niko Peleshin. Nuk zbatojnë në mënyrë absolute. Gjykata Kushtetuese lë në fuqi vendimin për anulimin e Lubi Ballukut.

Ajo vazhdonte çdo ditë shkonte në zyrë dhe pinte kafen me Edi Ramën. Shihni atë filxhanin, hidhni atë filxhanin që të dy. Pra, të frenohen nga ndërhyrje e padrejtë, asnjë ndërhyrje s’mund të ketë në punët e drejtësisë.

Zbatimin e Gjykatës Kushtetuese dhe aplikimin e standardeve europiane, sidomos atyre të Komisionit të Venecias për vendimet mbi imunitetin, që i ka shkelur.

A e keni parasysh ju, një mafioze, s’mund t’i thuash zonjë asaj, që e ka emrin Olta Xhaçka, ministre e Jashtme dhe njëherë ministre e Mbrojtjes, që udhëtonte kudo me 15 mijë euro udhëtimin me helikopter, se nuk mundej me makinë ajo.

Ajo grabiti tokë publike në Dhërmi, 10 mijë metër katrorë dhe ajo është në parlament, e mban Edi Rama.

Në kohë kur Kushtetuta e nxjerr jashtë parlamentit atë, pa mandat.

Kryetari i Bashkisë së Himarës që firmosi mbi dokumentet e falsifikuar nga Olta Xhaçka është në burg. Kurse Olta përfaqëson Shqipërinë në Këshillin e Europës, turpi i dheut.

Ja ku e keni Oltën, ja ku e keni Edi Ramën. Nuk ka ekzistuar shikoni, se kanë tendencën t’i zvogëlojnë.

Jo jo, kanë bërë 32 ndërhyrje kapitale nga të cilat 14 që s’kanë ekzistuar.

Referimi në antikorrupsion te SPAK, çfarë thuhet, bën një standard.

Sigurimi i referimit te prokuroria dhe ndjekja e duhur.

Mund të imagjinoni qeverinë që udhëzonte që mos të shkelin dot në zyrat e qeverisë agjentët e BKH-së, dhe ky është Edi Rama.

Çfarë thuhet në maj?

Sigurimin e regjistrimeve, të qëndrueshme të referimeve proaktive dhe cilësore te prokuroria nga institucionet shtetërore e veçanërisht te SPAK-u.

Detyrohen pra, jo të fshehin, jo të mos i pranojnë, por përkundrazi t’u dorëzojnë çdo dokument.

Dhe normal, SPAK-u shpallet si destinacion kryesor i referimeve në standardin, pra janë detyruar t’i çojnë në SPAK dokumentet, gjërat, të dhënat, për të zbatuar standardin e kërkuar nga KE-ja, nga Bashkimi Europian.

Standard tjetër, zbatimi i vendimeve gjyqësore.

Në shkurt thuhet, zbaton vendimet gjyqësore efektivisht. E kuptoni ju? Zbaton vendimet gjyqësore efektivisht qeveria e Edi Ramës. Absolutisht kurrë e vërtetë.

Çfarë thuhet? Zbatim efektiv dhe i menjëhershëm i vendimeve finale duke njohur të drejtën e pronësisë së pronarit të mëparshëm.

Duke i dhënë fund situatave të gjata të mospërmbajtjes, të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

A e keni parë ju kur Edi Rama rrahte gjoksin dhe thoshte ‘s’e zbatojmë kurrë atë vendim’?

Çfarë banditi.

Nuk njoh ligjin ndërkombëtar, Kushtetuta i jep përparësi ligjit ndërkombëtar, raport me ligjin kombëtar.

Dhe kërkon proces të rregullt shpronësimi. Pra, nga një të themi zbaton vendimet gjyqësore efektivisht apo të zbatojë vendime gjyqësore efektivisht, ka specifikuar një seri çështjesh brenda jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Ku kërkon proces të rregullt shpronësimi, zbatim të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, dhe në fund, moszbatimit, me një fjalë identifikon një dështim të tmerrshëm në këtë fushë.

Standardi tjetër, pakicat kombëtare.

Zbatimi i forcuar i legjislacionit mbi pakicat kombëtare. Thotë në shkurt, çfarë thonë pozicionet e përbashkëta të miratuara nga COELA. Zbatimi i plotë dhe efektiv i ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe të gjithë legjislacionit të tij dytësor.

Pra ka probleme të mëdha. I forcuar, i plotë dhe efektiv, ligj specifik gjuhë shumë e saktë, shumë e rreptë.

Dhe tani e fundit, por jo për nga rëndësia, se është një nga më të rëndësishmet, më kapitalet, është kriteri ekonomik.

Shqipëria plotëson thuhet në shkurt, kriterin e qenies ekonomi tregu funksionale, mashtrim! Mashtrim!

Çfarë shtohet? Kërkon mjedis biznesi të qëndrueshëm me konkurrencë të ndershme. Nuk është, të merr peng.

Po si është konkurrencë e ndershme, kur Lindat e akshit të marrin peng?

Çfarë konkurrencë e ndershme është kjo? Çfarë konkurrencë e ndershme është kur ke përjashtuar nga tenderat çdo ofertues të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, nga tenderat e rëndësishëm.

Kur analiza e tender Europe, tregon se në vitin e fundit asnjë kompani europiane nuk fiton tendera në Shqipëri. Çfarë konkurrence qenka kjo?

Po monopolet? Po prokurimet sekrete, me qindra, nga 18 prokurime që ka patur në 8 vite më parë, që ishin të gjitha shërbimit informativ dhe prokurorisë, janë sot mbi 600 vepër e Lindave të AKSHI-t.

Pra, kërkon konkurrencë të ndershme, transparente, llogaridhënie në ndërmarrjet shtetërore. Ato të marrin peng, ndërmarrjet shtetërore të marrin peng.

Kërkon reduktim të informalitetit dhe kuadër fiskal të parashikueshëm, jo ndëshkues preferencial siç është sot.

Me një fjalë kushtet te ekonomia janë shumë të fuqishme.

Konkurrencë e ndershme, transparencë në tendera, luftë kundër informalitetit dhe transparencë fiskale.

Tani ju lutem qytetarë dhe qytetare, gjykojeni vetë se çfarë përfaqëson censura, censurimi i këtij raporti nga Edi Rama me mafian e tij.

Është një krim madhor shtetëror. Ndaj dhe unë gjykova të bëj transparencën e plotë të një raporti në të cilin realiteti shqiptar paraqitet me realizëm dhe prapë jo pa ndonjë kursim.

Por edhe një herë këtu një mirënjohje të gjitha vendeve anëtare që kontribuuan në përcaktimin e këtyre pozicioneve të përbashkëta që janë interesi më i mirë, më madhor i shqiptarëve dhe i procesit të integrimit të tyre të bazuar në meritë dhe jo lobime korruptive në Bashkimin Europian.

Faleminderit.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha teksa ju lexoni kushtet e shtuara në raportin e IBAR, Edi Rama e lexon këtë raport si një fitore e qeverisë dhe një humbje e opozitës që sipas tij tentoi të nxijë imazhin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Keni një përgjigje për këtë deklaratë?

Sali Berisha: Në fakt ky raport është një fitore për çdo shqiptar që konsideron të ardhmen e tij më të mirë në Bashkimin Europian, por beson se shqiptarët në këtë proces bëhen më të lirë, më të mëkëmbur, më të sigurt, me kusht që ky të jetë një proces i bazuar në meritë.

Cili do, le të marrë dhe të lexojë e të krahasojë raportin e Shkurtit me raportin e Majit dhe në qoftë se ka një njeri i cili futet në rreth të kuq, ai e ka emrin Edi Rama dhe organizata e tij kriminale.

Natyrisht, unë në çdo moment, me të gjitha këto amendime, procesi i integrimit në Shqipëri edhe mund të ndalohej, edhe mund të shpërbëhej.

Por ka një faktor madhor, për të cilin Partia Demokratike është 100% dakord, dhe ky faktor madhor është faktori gjeopolitik, i cili përcakton përkatësinë e këtij vendi të themi në orbitat apo zonat e influencës të Bashkimit Europian, zonën euroatlantike apo hapësirat e tjera.

Por me këto amendime, me këto pozicione, krahasoni pak ato që ishin. Dhe të kuptohet se procesi i integrimit të Shqipërisë, i bazuar në këto benchmark do të jetë ai që duan shqiptarët, dhe jo Edi Rama dhe mafia e tij.

Do të jetë një proces i bazuar në meritën, në përmbushjen e standardeve dhe ju e patë vetë se si COELA (një grup pune jashtëzakonisht i rëndësishëm për dokumentin) ka përcaktuar se çfarë duhet të zbatojë Shqipëria.

Tani ai, domethënë e bazon çdo gjë në mashtrim, çdo gjë në të paqenë. Por tani ka marrë fund. Janë dy raporte: raporti i AFET-it i cili përshkruan Shqipërinë ashtu siç është dhe jo ashtu siç përpiqet ta mashtrojë Edi Rama, dhe raporti i COELA i cili realitetin shqiptar e paraqet ashtu siç është dhe përcakton detyrimet, përcakton benchmark, standardet, objektivat që Shqipëria duhet të arrijë në proces.

Ndaj dhe shqiptarët tani dinë të dallojnë se Edi Ramës, para se t’i dalë fjala, i del gënjeshtra nga goja.

E ka me tapi! Ai e ka gënjeshtrën me tapi. Nuk ia merr dot kush, nuk ia heq dot kush.

Fiorenca Cana, OraNews: Zoti Berisha, mund të na thoni se sa është numri i anëtarësisë të thirrur për referendumin e ditës së nesërme?

Sali Berisha: Së pari e shfrytëzoj këtë rast të përshëndes përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kudo që janë dhe t’i ftoj në një akt përgjegjësie, në një akt vlerësimi për qëndresën e tyre, për qëndrimet e tyre, të votojnë nesër në liri të plotë, sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre, në një proces i cili përfaqëson nivelet më të larta të konfirmimit apo zgjedhjes së kryetarëve të partive.

Procesi i zgjedhjes me një anëtar një votë apo i votëbesimit me një anëtar një votë, është forma më epërore e cila për hir të së vërtetës, në 70-75% të rasteve që përdoret, është me një kandidat.

Jo se ajo nuk është e hapur, ajo është plotësisht e hapur, por sepse të tjerë, personalitete të tjera, ngurojnë një garë ‘një votë një anëtar’ për arsye të pasigurisë që ka ajo në rezultatin e fitores dhe nuk duan të përballen të regjistrojnë një jo-fitore.

Por duhet të jenë krenarë, çdo demokrat dhe demokrate duhet të jetë krenar, se nesër voton në zbatim të një procesi që është aktualisht procesi më modern, në një kohë kur partia e krimit nga 2009 e gjer sot e ka fshirë fjalën votë nga fjalori i vet. Kjo është!

Tani, sa do votojnë? Unë uroj të votojnë çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike.

Mariglen Kume, MCN TV: Duke qenë se raporti i IBAR e përmendte si një mangësi të parlamentit mosmiratimin ose mosngritjen e komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, dhe në një kohë kur ka denoncime të reja në media se pas grupit në Telegram të cilësuar si hakerat iranianë, qëndron biznesmeni, Ermal Beqiri, pjesë e grupit të strukturuar kriminal të AKSHI-t. A do të kërkojë Partia Demokratike komision hetimor në parlament për çështjen e hakerimeve?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë dhe shqetësim shumë i madh. Shumë i ligjshëm. Sepse t’u marrësh qytetarëve të dhënat e identitetit të tyre, ju merr gjënë më të çmuar që ata kanë.

Siç e dini Edi Rama ka bllokuar në mënyrë antikushtetuese komisionet hetimore të opozitës.

Kemi çuar disa, dy prej tyre presin vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të garantoj se kjo gjë nuk do mund të vazhdojë gjatë.

Ne kemi arritur një fitore të rëndësishme, ne dhe qytetarët, një proces themelor siç është integrimi, që mbahej i pronësuar nga kreu i meduzës të disa nëpunësve të tij, që mashtronin dhe trillonin 24 orë mbi 24 orë, 7 ditë të javës komunitetit ndërkombëtar dhe lobonin për të ngritur mashtrimet e tyre, po i vjen fundi.

Të gjitha këto rekomandime që patë ju kërkojnë rol qendror të parlamentit, rol qendror të qytetarëve, rol qendror të shoqërisë civile dhe mediave. Pra, këto e nxjerrin nga kthetrat e Edi Ramës dhe organizatës së tij procesin e integrimit dhe e bëjnë atë një proces transparent gjithëpërfshirës.

Kështu që absolutisht do qëndrojmë me forcën më të madhe mbi çdo lloj abuzimi që është bërë me të dhënat e qytetarëve shqiptarë në AKSHI, që janë nga më të shëmtuarat, janë download-uar, janë eksportuar dhe janë në duart e organizatave kriminale dhe të grupeve terroriste elektorale të partisë socialiste.

Mariglen Kume: Po ndonjë komision të ri a do të kërkoni?

Sali Berisha: Po! Pa diskutim. Por jemi në pritje të thashë të vendimeve të gjykatës kushtetuese sepse ky i ka bllokuar. Ne sigurisht nuk pajtohemi dot asnjë kohë të gjatë me këtë. Ne jemi në betejë! Ne jemi në një kryengritje paqësore të pandërprerë gjer në realizimin e qëllimeve tona.

Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, pas referendumit nesër Partia Demokratike mbledh kuvendin, mbledh kuvendin e saj. A pritet të ketë ndryshime në ekipin drejtues të Partisë Demokratike dhe a do të ketë një ftesë nga ana juaj qoftë edhe për ish-bashkëpunëtorët tuaj që të bëhen pjesë e këtij ekipi?

Sali Berisha: Tani ka një grup që po merret me shqyrtimin e statutit. Organet e partisë do të votohen nga kuvendi. Një nga motot e këtij kuvendi është ripërtëritja e partisë.

Dhe ju siguroj se ripërtëritja e saj, organizimi dhe modernizimi do të jenë drejtimet më themelore të punës së Partisë Demokratike. Detyrat më kryesore që ky Kuvend do të shtrojë për të gjithë Partinë Demokratike, kemi marrë ekspertizat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim.

Po i shqyrtojmë, po i debatojmë dhe do t’i zbatojmë.

Së fundi, një sqarim me rregulloren, të cilën vrapuan Top Tuneli në krye të mediave, por edhe ndonjë tjetër, ta quajnë pakt, ta quajnë kështu dhe ashtu.

Nuk ka asnjë pakt. Çfarë është ajo?

Partia Demokratike paditi në Gjykatë Kushtetuese rregulloren e re të parlamentit. Gjykata Kushtetuese rrëzoi rregulloren, jo për brendinë, por për procedurën me të cilën ajo u miratua, pa u konsultuar fare me opozitën.

Gjykata Kushtetuese përcaktoi një afat 30-ditor, pas të cilit parlamenti duhet të votonte rregulloren në përputhje me vendimin e saj. Rregulloren e re, tani çfarë janë nenet e rregullores?

Nenet e rregullores, në tërësinë e tyre, 90-95% e tyre janë të votuara në dhjetëra herë, ose kushedi sa herë, nga të gjithë ata që janë ulur në bankën e parlamentit.

Ato janë një trashëgimi që nga vitet 2002 dhe me radhë. Pra, ato rregulla aty janë votuar e rivotuar, herë çdo legjislaturë e me radhë.

Kësaj radhe, Gjykata Kushtetuese e anuloi rregulloren. Atëherë, ne për të rritur funksionalitetin në interesin e qytetarëve, shtuam disa amendamente dhe nuk pranuam asnjë amendament që cenonte interesat e qytetarëve.

Në qoftë se kush mendon se parlamenti duhet të rrinte pa rregullore, kjo s’mund të ndodhë.

Në qoftë se ndokush sugjeron që të rivotohej nga shumica rregullorja ekzistuese, atëherë duhet të ketë parasysh se ne bëmë një padi kundër kësaj rregulloreje në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi seriozë. Ne nuk bëmë padi për padi, bëjmë padi për interesat të qytetarëve.

Nuk është shtuar asnjë germë për interesat e një deputeti apo grupi deputetësh. Jo, të qytetarëve.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale