KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët e cilësoi farsë elektorale votimin e 11 majit, duke vënë theksin te manipulimi i votës së diasporës. Ai akuzoi me fakte qeverinë se ka shtetëzuar tërësisht këtë proces, duke e shndërruar në një krim të mirëorganizuar elektoral. Sipas tij, manipulimi është kryer nga zyrtarë të lartë dhe patronazhistë të infiltruar në vendet ku jeton diaspora shqiptare. Ish-kryeministri u shpreh se posedon qindra prova që do publikohen në ditët në vijim.
Berisha prezantoi disa nga rezultatet që tregojnë modelin e manipulimit, ku PD merrte vazhdimisht një numër fiks votash. Në Fier dhe Vlorë, Berisha tha se numrat absurd të përsëritur janë dëshmi e qartë e ndërhyrjes politike. Ai përmendi konkretisht emrat e Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut si përgjegjës të këtij procesi të kontestuar.
Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i demokratëve, Sali Berisha paraqiti sot të tjera fakte dhe prova të manipulimit skandaloz të procesit zgjedhor nga Edi Rama dhe Partia Socialiste. ‘Nuk do i pranojmë kurrë këto zgjedhje! Të mos kujtojë kush kurrë se një kriminel si Edi Rama, një kryehajdut i këtij kombi si Edi Rama, një kryebandit i këtij kombi si Edi Rama, do mund t’u imponojë këto rezultate njerëzve të lirë të Shqipërisë, atyre që i besojnë lirisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
I pyetur nga gazetarët për mesazhin e djeshëm të ambasadës së SHBA në Tiranë, lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se, ai nuk përbën mbështetje për qeverinë. Berisha u shpreh se urimi ishte drejtuar popullit shqiptar dhe jo Edi Ramës, duke theksuar se nuk përmban as pohim dhe as mohim për procesin zgjedhor. Ai u bëri thirrje gazetarëve të lexojnë deklaratat e mëparshme të ambasadës dhe të Sekretarit Rubio për të kuptuar më mirë kontekstin.
Sipas tij, opozita vazhdon të denoncojë me prova dhe fakte manipulimet në zgjedhje. Berisha përmendi se edhe në të kaluarën, urimet ndërkombëtare janë rrëzuar përballë të vërtetave që ka paraqitur opozita. Ai e cilësoi situatën aktuale si një asgjësim politik të Edi Ramës.
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, që ‘të dorëzojë çdo procesverbal dhe të hedhë poshtë qëndrimin e turpshëm prej mercenari të Ilir Rusmalit’.
‘Paralajmëroj Ilirjan Celibashin të dorëzojë çdo dokument që kërkohet në përputhje me ligjin dhe të hedhë poshtë qëndrimin e turpshëm prej mercenari të Ilir Rusmalit, një figurë e zhveshur nga çdo lloj norme dhe standardi njerëzor, nj shërbëtor pa asnjë parim që ka votuar dje të mos u japin procesverbalet e qendrave të votimit kandidatëve apo PD-së për Kukësin, ku kemi fituar’, theksoi Berisha në përgjigjen e tij, pas interesimit të medias.
Gjatë konferencës për mediat, lideri i demokratëve, Sali Berisha, deklaroi se PD ka në dorë laptopin e patronazhistëve, në të cilin, sipas tij, zbulohet veprimtaria e tyre kriminale. Ai theksoi se përgjegjësinë ligjore për këtë situatë e mban Ilirjan Celibashi, të cilin PD do ta padisë, pasi ka autorizuar përdorimin e nënkontraktorëve në kundërshtim me kontratën. Berisha pretendoi se disponojnë dokumente që tregojnë komunikimin mes drejtuesve të PS dhe nënkontraktorëve. Sipas tij, përmbajtja e laptopit do të nxjerrë në pah manipulime dhe shkelje të rënda ligjore.
‘Laptopi është mjet krimi për ta’, u shpreh Berisha. Berisha ka denoncuar gjatë konferencës një tjetër skandal të madh. ‘Nga votat e diasporës mungojnë 60 mijë vota’. ‘Ku janë?’, bëri pyetjen kreu demokrat. ‘Fletët janë përdorur brenda vendit’, shtoi me poshtë lideri i opozitës.
Në vijim të akuzave për Partinë Socialiste, për manipulimin e votave të diasporës në zgjedhjet e fundit, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se Rama ka marrë aq vota sa kanë mbushur patronazhistët, ndërsa theksoi se PD respekton sekretin e votës. Berisha vuri theksin sërish tek vota e diasporës, pasi sipas tij, kontrata me DHL ishte shkelur duke përfshirë në mënyrë të paligjshme duke vendosur nënkontraktorë, përfshirë edhe postën shqiptare.
Sipas tij, ekzistojnë dokumente që tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta në shpërndarjen e fletëve të votimit. Ai ngriti shqetësimin për fatin e 40 mijë fletëve që mungojnë dhe pretendohet se nuk janë dërguar jashtë vendit. Berisha u shpreh i bindur se diaspora do të reagojë fort ndaj kësaj shkeljeje të rëndë të procesit zgjedhor. ‘Asgjësimi politik i kryeministrit Edi Rama bëhet vetëm nga shqiptarët me vendosmërinë e tyre’, deklaroi gjatë konferencës me mediat, lideri i opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët, ka vazhduar akuzat ndaj Edi Ramës për lidhje me eksponentë të botës së krimit, duke e akuzuar se i ka ‘dorëzuar’ dhe qytetin e Korçës Suel Çelës. Sipas Berishës, kandidatura e Besa Spahos në këtë qytet është rezultat i një marrëveshjeje mes Ramës dhe Çelës. ‘A nuk është luftë kjo që po bëjmë ne sot? Luftat nuk janë vetëm me kallashnikov dhe bazuka. Janë edhe këto beteja që po bëjmë ne,’ u shpreh Berisha, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të ndaluar kapjen e zgjedhjeve nga kartelët e drogës. Berisha deklaroi se beteja e opozitës është për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ai u zotua se nuk do të pranojnë kurrë kandidatë të diktuar nga krimi i organizuar.
‘Rama i ka dorëzuar dhe Korçën atij (Suel Çelës), me kusht që të mbështetej Besa Spaho,’ deklaroi Berisha, duke shtuar se Çela dominon tregun e lojërave dhe të kokainës në qytet. Ai përmendi edhe emra të tjerë kandidatësh të lidhur, sipas tij, me eksponentë të botës së krimit si Altin Hajri, karteli i Troplinëve dhe Bajrët, duke u shprehur se opozita nuk do t’i pranojë. Kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi këtë një betejë të vështirë, por të domosdoshme dhe të suksesshme, për të cilën PD është e vendosur ta fitojë.

FJALA E PLOTE:
Farsa elektorale 11 maj 2025 ka një nga kapitujt më të zi të saj, votën e diasporës.
Vota e diasporës, e cila përbënte një arritje kushtetuese historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor, me parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira, në kundërshtim flagrant me kontratën e përcaktuar me marrëveshje dhe konsensus, procesi u shtetëzua plotësisht nga narkoshteti.
Pas shtetëzimit të këtij procesi, narkoshteti nuk tregoi as kujdesin më të vogël për të fshehur duart e tij të zeza të manipulimit.
Të manipulimit të gjithanshëm të këtij procesi, i tëri në duart e Taulant Ballës, Lubi Ballukut dhe personave kriminelë elektoralë, patronazhistë, të ngarkuar në Greqi, Itali dhe ndonjë vend tjetër, punonjës ambasadash apo ish-punonjës ambasadash, për t’u marrë me manipulimin e gjerë të votës së diasporës, për ta shndërruar atë në një krim madhor elektoral.
Këtu do paraqesim sot provat e para, dëshmitë të para të këtij krimi.
Por garantoj qytetarët se ne disponojmë me qindra dhe mijëra prova për të gjitha aspektet kriminale, manipulimet e votës së qytetarëve shqiptarë, të cilat ne do i bëjmë publike çdo ditë.
Asnjë njeri të mos mendojë se akuzat tona nuk kanë mbështetje në dokumente dhe prova materiale të pakundërshtueshme.
Sot ne fillojmë për t’u paraqitur ju disa rezultate që flasin vetë.
Në Fier, siç e shihni, PD dhe koalicioni në këtë kuti merr 21 vota kundrejt 341 votave të PS. Pra, 15 herë diferenca.
Por nuk është kjo arsyeja.
Përsëri këtu, PD merr fiks 21 vota kundrejt 206 votave të PS.
E treta, përsëri zbatohet urdhri, 21 vota kundrejt 284 votave.
Përsëri, PD dhe koalicioni merr 21 vota kundrejt 302 votave.
Vazhdojmë po në Fier. PD merr përsëri 21 vota, 346 vota Lubia dhe Edi Rama.
Këto janë…
Vlora, këtu kanë qenë më dorëlëshuar. 26 vota PD kundrejt 210 vota PS.
26 vota PD dhe aleanca, 246 vota Lubi Balluku dhe Bledar Droga.
Tjetra. 26 vota PD, 249 vota për PS-në.
Tjetra. 26 vota PD, 2019 vota për PS-në.
20 vota për PD, 40 vota për PS-në.
20 vota për PD, 253 vota për PS-në.
Vazhdojmë….
20 vota për PD-në, 175 vota për PS-në.
20 vota për PD-në, 214 vota për PS-në.
Këto janë vetëm një pjesë.
Çdo ditë ne do u paraqesim shqiptarë me betimin solemn se kurrë këto zgjedhje nuk do pranohen.
Me besimin e plotë se sot ka shqiptarë të dëshpëruar.
Sot ka shqiptarë të zemëruar.
Sot ka shqiptarë të zhgënjyer.
Por sot përsëri ka dhjetëra mijëra shqiptarë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë.
Dhe kjo luftë do fillojë.
Të mos kujtojë kush kurrë se një kriminel si Edi Rama, një kryehajdut i këtij kombi si Edi Rama, një kryebandit i këtij kombi si Edi Rama, do mund t’u imponojë këto rezultate njerëzve të lirë të Shqipërisë, atyre që i besojnë lirisë.
Dhe këto janë fillimi.
Edhe njëherë u them shqiptarëve, durim se ne kemi dokumentet.
Ne kemi bërë gjithçka për të mbikëqyrur votën tuaj.
Ne natyrisht me kallashnikov votë nuk mbrojmë.
Por, tani lufta fillon.
Ne nuk pranojmë kurrë zgjedhje të tilla.
Ne nuk pranojmë kurrë një rezultat të tillë.
Çdo ditë këtu do njiheni.
Ka farsë më të turpshme se kjo?
Do sjell prapë. Shqiptarët do mësojnë, diaspora do mësojnë se çfarë kanë bërë horrat e narkoshtetit me votimin e tyre.
Dhe natyrisht duhet të krijohet një front i përbashkët në Shqipëri dhe diasporë.
Ky regjim duhet të luftohet në çdo skaj të këtij vendi dhe në çdo skaj të botës.
Ky regjim poshtëron shqiptarët si një pushtues i egër.
Ata që mendojnë se mund të imponojnë një farsë të tillë shqiptarëve, gabohen rëndë.
Ne jemi këtu për ta dokumentuar atë, por ne do qëndrojmë me çdo çmim për të vërtetën dhe mbrojtjen e saj.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Daniela Maloku, ReportTV: Si e lexon Sali Berisha reagimin e djeshëm të Ambasadës Amerikane për zgjedhjet e 11 majit, ku tha se përgëzon procesin e zgjedhjeve parlamentare si dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë.
Sali Berisha: Ajo nuk ishte ashtu siç thatë, citoje pak siç e tha dhe pastaj ju bëj koment. Përgëzoj popullin shqiptar. Tani çfarë sugjerimi kam unë këtu për ju.
Merr e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Kjo është përgjigja ime.
Lexoni ato të vitit 2021, si kanë qenë. Lexoni vitin 2021.
Lexoni pak disa nga deklarata e sekretarit Rubio për zgjedhjet në vende të ndryshme të botës. Direkt të sekretarit, dhe do kuptoni mirë se çpërfaqëson ajo që ju e quani urim për Edi Ramë, dmth jo zgjedhjet, uron shqiptarët, kaq. Aty urohen shqiptarët.
Urohen shqiptarët. As nuk mohohet as nuk pohohet farsa. Këtu ka një gjë. Ne që denoncojmë çdo ditë njihemi me prova e fakte të reja, ne vetë, sepse nuk mund ti analizosh të gjitha në një kohë.
Po i marrim dhe po ua paraqesim. Kështu që është shumë normale. Ata të cilët nuk duan të paragjykojnë pritet raporti përfundimtar. Ky është rregulli. Por ne kemi ndryshuar, kemi ndryshuar dhe raporte ndërkombëtare.
Ne jemi ata, ja kemi dalë. Ne bëjmë të pamundurën të mundur.
Në vitin 2001 erdhën urimet më të përzemërta nga e gjithë bota, por ata ranë përtokë përpara fakteve dhe të vërtetave që paraqitëm ne, sepse sigurisht institucionet ndërkombëtare janë të interesuara për zgjedhje të lira dhe jo farsa.
Jo. Sepse ato pastaj shkojnë në vetëshkatërrim dhe nuk e pranojnë kurrë.
Pse nuk e përshëndeti Edi Rama atë urim. Më thuaj pak. Ai po e priste si diçka hyjnore atë urim. Pse nuk e përshëndeti.
Pra faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ditën e sotme prokuroria e Tiranës ka refuzuar të fillojë një hetim në lidhje me bazën e patronazhistëve të PS-së në Athinë të denoncuar nga Piranjat, ku zyrtarë të lartë të PS-së përdornin resurset shtetërore për të regjistruare qytetarë shqiptarë që jetojnë në emigrim duke u prezantuar edhe si të deleguar të KQZ-së.
Si do të konfirmoji ju këto denoncime, kur organi i akuzës refuzon ti hetojë këto.
Sali Berisha: Ne kemi të gjithë dokumentet. Organi i akuzës fakton se është seksion i PS. Por ne kemi aq dokumente për këta patronazhistët, të nxjerra edhe nga vetë kompjuterët e tyre.
Po, nga laptopet. Se këto laptopet janë bërë problem.
Dhe në qoftë se njerëz të papërgjegjshëm në Prokurorinë e Tiranës mbyllin sytë, bota nuk mbyll sytë, shqiptarët nuk mbyllin sytë, luftëtarët e votës së lirë nuk mbyllin sytë.
I kemi dhe i kemi nga laptopet.
Laptopi humbet ndonjëherë, laptopi i humbur ka bërë problem historik.
Prisni, mos u ngusni.
Ne jemi këtu për të paraqitur dokumente, për të faktuar me vendosmërinë më të madhe, seriozitetin më të madh, farsën e 11 Majit.
Dhe me këtë rast paralajmëroj Ilirjan Celibashin të dorëzojë çdo dokument që kërkohet në përputhje me ligjin dhe të hedhë poshtë qëndrimin e turpshëm prej mercenari të Ilir Rusmalit, një figurë e zhveshur nga çdo lloj norme dhe standardi njerëzor, nj shërbëtor pa asnjë parim që ka votuar dje të mos u japin procesverbalet e qendrave të votimit kandidatëve apo PD-së për Kukësin, ku kemi fituar.
Edi Rama që nuk kërkoi dot një procesverbal në vitin 2009, u kërkua 4 muaj pas zgjedhjeve të hapë kutitë.
Këta nuk hapën procesverbalet dje.
Një sfacato, një mercenar pa asnjë lloj norme morale, njerëzore, bllokon procesverbalet e kërkuara nga mercenarët.
Dhe kjo nuk është detyrë e tij, është detyrë e Ilirjan Celibashit. Ato i jep ligji.
E morët ju vesh? Në qarkun ku ne kemi fituar, nuk u dhanë procesverbalet. E verifikova njëherë se thashë është e pamundur.
Por Edi Rama i çon tek një njeri që zbaton çdo lloj urdhri, një turp njerëzor dhe vendos se nuk mund të merrni procesverbalet se i kanë komisionerët.
Por zyrtare janë ato që janë dorëzuar aty.
Edi Rama nga një anë urdhëron kandidatët e tij të mos kërkojnë në asnjë mënyrë hapje kutish, nga ana tjetër urdhëron një çfarë mund t’i thuash, çdo epitet mund t’i vësh Rusmalit, që të mos japë procesverbalet.
I kërkoj Ilirjan Celibashit që me urgjencë të dorëzojë procesverbalet kur kërkohen në një proces ankimor.
A mund të imagjinoni ju një narkoshtet të mobilizuar se si të fshehë farsën elektorale?
Këta kanë frikë nga dokumentet edhe aty ku kemi fituar ne.
Dhe ato në Kukës i ka kërkuar një kandidat i mbështetur nga ne, se ne jemi për transparencë, pavarësisht se çfarë mendon Sali Berisha apo PD, do prevalojë e drejta e tij për të kërkuar transparencë.
Por ai ka votuar për të mos dhënë procesverbalet e qëndrave të votimit. E kuptoni se nuk dua të lëshoj gojën për t’i dhënë ata që ai meriton.
Këta janë, urdhëroni.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denoncuat faktin se kompania DHL në shtetin grek, ka përdorur kontraktorë për shpërndarjen e materialeve zgjedhore dhe për ti dërguar më pas zarfat në Shqipëri. Tani kush e ka përgjegjësinë ligjore dhe a do bëjë PD një padi, ndaj Celibashit…
Sali Berisha: Padi ndaj Celibashit, ai që e ka autorizuar këtë. Përgjegjësinë ligjore e ka ai që ka autorizuar këtë. Kërkesa jonë ka qenë e prerë që nuk mund të ketë nënkontraktorë. Dhe është e shkruar në kontratë që nuk mund të ketë nënkontraktorë.
Dhe në fund, ne kemi dokumente, ua paraqesim këtu të komunikimit të drejtuesve të PS me nënkontraktorët.
Po, po, jemi plot dokumente ne. Laptopi flet shumë. Po, po, shkoni në filan vend, merrni në filan vend, fola me spedicierin, i kemi të gjitha, do dalin këto, do shihni çfarë procesi ka qenë.
Dhe ata që përpiqen t’u imponojnë shqiptarëve një proces të tillë, unë mendoj se gabojnë rëndë.
Kjo nuk imponohet më. Jo çdo gjë mund të them unë. Po i sinqertë me ju, ato që do paraqiten para jush, do jenë edhe nga laptopët e tyre. Faji i tyre, jo i joni.
Kanë zhvilluar veprimtari kriminale me laptop.
Laptopi është mjet krimi për ta.
Mariglen Kume, MCN TV: Ju publikuat disa procesverbale ku janë shënuar vota të cilat janë gjetur nga zarfe për diasporën. Këto procesverbale janë firmosur edhe nga numëruesit tuaj në këto komisionet. Dyshimet e juaja janë se, janë blerë edhe komisionerët…
Sali Berisha: Të gjitha këtu i keni çdo faqe me një seri shënimesh dhe kundërshtimesh. Kanë qëndruar në mënyrën më të vendosur. Të gjithë, ato nuk janë pajtuar me këto.
Komisionerët tanë kanë zbatuar porositë tona. Cila ka qenë porosia; të vlerësoni çdo votë mbi bazën e përputhshmërisë ligjore. Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë se vota i është dorëzuar votuesit, se votuesi ka firmosur që e ka marrë, me një fjalë ka një procedurë.
Për fat të mirë për votat e diasporës është një procedurë e miratuar me konsensus dhe ajo quhet votë e ligjshme. Jo, këta kanë qëndruar pas çdo vote, përfaqësuesit tanë.
Nuk po merrem me to se shkon shumë gjatë.
Mariglen Kume, MCN TV: Për ta sqaruar, dyshimi juaj është se janë falsifikuar procesverbalet apo numri i votave?
Sali Berisha: Jo, nuk është ashtu. Janë dërguar nën drejtimin e Taulant Ballës dhe Belinda Ballukut, patronazhistë që kanë mbushur zarfet në vende të caktuara, në Greqi dhe Itali. Të paktën në këto dy vende e kemi të sigurtë. Janë kontraktuar ish-punonjës ambasade, dhe punonjës ambasade, janë kontraktuar ish-zyrtarë të PS-së, zyrat e tyre për të grumbulluar zarfat dhe për ti paraqitur si duhet, për të bërë këtë që kanë bërë, gatimin.
Dhe një gjë tjetër.
Ka këtu shumë. Mos harroni se mungojnë 60 mijë vota. Ku janë? Fletët janë përdorur brenda vendit. Ka shumë gjëra. Ne do e zbërthejmë këtë proces.
Po nuk janë dërguar fare. Ne do e zbërthejmë këtë proces, një më një.
Ky është procesi më i turpshëm, farsa më e turpshme dhe askush nuk mund të kalojë mbi të. Jo.
Elda Menga, TCH: Të ndalemi pak te shifrat e diasporës. PD dhe PS para zgjedhjeve nisën të vinin një objektiv se sa vota të merrnin. Nisën dhe regjistrimet, ju hapët një portal. PS i vuri një objektiv vetes që të kishte 120 mijë kontakte dhe kontaktet e tyre pas zgjedhjeve u verifikuan se janë kthyer në vota. Para zgjedhjeve ju i vendosët një kuotë kandidatëve tuaj për deputet, tek 300 vota. A keni analizuar këto votat që ju kërkuan kandidatëve dhe nuk janë përkthyer në finale dhe po ashtu ku janë votat që u regjistruan në portal dhe nuk janë përkthyer në vota. PS ka në kuti aq sa kishte objektiv, po ju…
Sali Berisha: PS-ja ka në kuti aq vota sa mbushën patronazhistët dhe sollën këto rezultate. Aq vota. PD respekton sekretin e votës. Nëse ju kujtohet, unë i kam bërë thirrje çdo personi, në diasporë dhe në Shqipëri; votën e ke sekret, mos e dekonspiro. Edhe njëherë të lutem.
Për ne vota është sekret. Ne nuk hym se si votoi ky, apo ai. Ne shohim si e manipuloi ky, shohim se, kontrata ishte me DHL-në pa nënktraktorë.
Një, shohim se kontrata u shkel dhe nënkontraktor u bën disa, u përzie dhe posta shqiptare.
Dy, shohim se mes nënktraktorëve, grupeve dhe drejtuesve, kemi dokumente, u vendosën komunikime direkt. Shkoni në filan vend, merrni në filan vend.
Tre, shohim se, me dokumente mungojnë, nuk dihet fati i 40 mijë fletëve, të cilat për ne janë shpërndarë brenda vendit dhe nuk janë dërguar. Këto e rrëzojnë procesin.
Ne nuk merremi, nuk mund të pranojmë një proces që është manipuluar në çdo aspekt. Në asnjë rrethanë.
Mendja njerëzore që të ketë kuti me 97% vota për PS, kjo nuk mund ta pranojnë.
Ne kemi të gjithë dëshmitë e ndërhyrjes brutale në procesin e votimit të diasporës dhe unë jam i bindur se diaspora shqiptare në të 4-anët e botës, do reagojë kundër narkoshtetit me forcën më të madhe. Sepse ka shkelmuar votën e diasporës, njerëz që votonin për herë të parë, njerëz që e bënin me dashamirësinë dhe dashurinë më të madhe për vendin.
Isa Myzyraj, OraNews: Ju personalisht ju jeni angazhuar në një betejë që e quani farsë zgjedhore, duke paraqitur çdo ditë dokumente, fakte që sipas jush vërtetojnë farsën zgjedhore. Por edhe disa eksponentë të lartë të PD, duket se kanë halle të tjera. Drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës ka nja 1 javë që shkruan në rrjetet sociale kundër ambasadorit Gonzato. Zonja Kalaja është hedhur në sulm ndaj SHBA. A ka një qëndrim Sali Berisha …
Sali Berisha: Qëndrimet zyrtare të PD i shpreh kryetari i PD. Kjo është shumë e prerë Për sa i përket mendimeve të individëve të caktuar, ato janë individuale dhe nuk shprehin mendimin e PD-së.
Sigurisht qëndrimi i PD është i qartë si forcë konservatore, po të kthehemi tek familja.
Por orientimi seksual i gjithsecilit është çështje private dhe ne nuk ndërhyjmë në jetën private të ndonjë njeriu.
E kemi parim këtë ne.
Të dyja janë qëndrime të PD.
Pra, ne respektojmë të drejtat e njeriut dhe orientimin, sigurisht që jemi për familjen, burrë dhe grua, nuk lëvizim nga ky koncept, por i kemi të qarta qëndrimet tona.
Qëndrimet individuale janë qëndrime individuale dhe ato nuk përfaqësojnë partinë.
Anisa Kadesha, RTSH: Pse e quani qëndrimin e shprehur dje, një asgjësim politik të kryeministrit Edi Rama, thjeshtë për faktin se mungoi përshëndetja ndaj tij nominalisht…
Sali Berisha: Asgjësimi politik i kryeministrit Edi Rama bëhet vetëm nga shqiptarët me vendosmërinë e tyre, me qëndrimin e tyre ndaj armikut më të egër pas Enver Hoxhës për votën e tyre të lirë.
Ky është qëndrimi.
Por për sa i përket asgjësimit politik, kjo është në detyrimin e qytetarëve shqiptarë të mbrojnë votën e tyre dhe ata do i presin biletën Edi Ramës për aty ku e meriton.
Unë dal këtu çdo ditë me qëllimin më kryesor për t’u dhënë të gjithë provat, faktet, dokumentet atyre qytetarëve që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë.
Motivimin më maksimal për farsën që është realizuar.
Unë e di që ka të tjerë që thonë nuk është gjë kjo punë, punë e madhe, ka të tjerë që thonë ne po ikim tani se nuk kemi më punë këtu, janë të ndryshëm njerëzit.
Por unë flas këtu për ata që e konsiderojnë votën e lirë vlerë themelore të një sistemi demokratik.
Elda Menga, TCH: Ju përditë flisni për luftë. Kur nis lufta e PD sepse nesër kemi se cila do të jetë lufta e tyre nesër…
Sali Berisha: A nuk është luftë kjo që po bëjmë ne sot.
Luftat nuk janë vetëm me kallashnikov dhe bazuka. Jo janë dhe këto. Beteja vazhdon, lufta vazhdon.
Lufta jonë është, qeveri teknike, zgjedhje të lira.
Por kur të pranojmë ne, kandidatët, zgjedhjet e karteleve të drogës, kurrë, kurrë.
Ajo që kam nxjerrë para jush këtu, Sara Milen, apo Besa Spahon e Suel Çelës në Korçë, se edhe atje ai, ai dominon tregun e lojërave dhe kokainës në Korçë. Rama i ka dorëzuar dhe Korçën atij me kusht që të mbështetej Besa Spaho.
Ne po i gjejmë një e nga një ku janë dhe do të ua paraqesim botës, dhe shqiptarëve. Unë mora këta të dy, apo kandidatet e Altin Hajrit. Jo nuk i pranojmë ne. Apo të kartelit të Troplinëve, nuk i pranojmë ne. Apo Bajrëve. Kjo është betejë, është një betejë e vështirë, por e suksesshme dhe betejë për të vërtetën, dhe ne do e fitojmë këtë betejë.