‘Lakrorit i kanë dalë petët’/ Berisha: Dënoj censurën e urdhëruar nga qeveria për raportin e PE-së! Heshtja mediatike është e papranueshme

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë Rama për censurë mediatike dhe kontroll të institucioneve, gjatë një konferencës me gazetarët ditën e sotme, ku komentoi raportin më të fundit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë.

Berisha e cilësoi raportin si dokumentin më të rëndësishëm të vitit për vendin, duke deklaruar se mediat pranë qeverisë kanë shmangur qëllimisht pasqyrimin e tij. Lideri demokrat theksoi se gjatë seancës parlamentare ku opozita diskutoi raportin, transmetimet televizive u ndërprenë, ndërsa në studiot televizive tema nuk u trajtua pothuajse fare.

Kryetari i opozitës tha se raporti i përgatitur nga eurodeputeti socialist Andreas Schieder evidenton probleme serioze me shtetin ligjor, korrupsionin, procesin zgjedhor dhe lirinë e medias në Shqipëri. Sipas Berishës, dokumenti ngre shqetësime për përdorimin e administratës në zgjedhje, pretendimet për blerje vote dhe presion ndaj votuesve, ndërhyrjet politike në drejtësi, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe koncesionet, si edhe për sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura.

Ai deklaroi se raporti kritikon gjithashtu zgjatjen e ligjit për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke paralajmëruar për pasoja negative në procesin e integrimit europian. Berisha theksoi se raporti e bën të qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të varet nga zbatimi real i reformave dhe jo vetëm nga miratimi formal i ligjeve.

Kryetari i PD tha se një nga problemet kryesore të evidentuara në raport është “shkrirja e kufirit mes shtetit dhe partisë”, ndërsa opozita vijon të përjashtohet nga proceset kryesore politike dhe integruese të vendit.

Në konferencë, Berisha komentoi edhe lirimin nga arresti shtëpiak të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke theksuar se vendimi dëshmon kontrollin politik mbi sistemin e drejtësisë. Ai akuzoi qeverinë për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive dhe tha se drejtësia ndodhet nën ndikimin e kryeministrit.

Berisha paralajmëroi se protestat e opozitës do të vijojnë, duke deklaruar se vala e protestave nuk do të ndalet deri në realizimin e objektivave politike të opozitës. Kryedemokrati tha se, raporti i Parlamentit Europian konfirmon denoncimet e bëra prej opozitës për gjendjen e demokracisë, korrupsionit dhe institucioneve në Shqipëri.

FJALA E PLOTË

Së pari, denoncoj censurën thuajse të plotë, të urdhëruar nga qeveria të raportit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, raporti më i rëndësishëm i vitit për Shqipërinë.

Raport, i cili u miratua pas diskutimeve të gjera bazuar në faktet, dokumentet, informacionet që ky Komision disponon nga burime të shumta, por kësaj radhe bazuar në faktet, dokumentet, opinionet e mbledhura nga misioni faktmbledhës i këtij Komisioni, që vizitoi Shqipërinë dy muaj më parë.

Ky qëndrim, kjo censurë e urdhëruar nga zyra e kryeministrit, vjen në kundërshtim flagrant me interesat e vërteta, themelore dhe kryesore të qytetarëve shqiptarë.

Ky qëndrim do t’u fshehë qytetarëve shqiptarë ato të vërteta që janë jetike, që shqetësojnë sot Parlamentin Europian, shqetësojnë vendet anëtare.

Zhvillimet dhe shkarjet demokratike në Shqipëri.

Tejet e rëndë, gjatë seancës parlamentare ku deputetët e opozitës në të gjitha diskutimet e tyre trajtuan raportin, sinjalet në media u fikën si me një çelës të përbashkët dhe ato diskutime nuk u transmetuan gjerësisht si të tjerat.

Mbrëmë, në studiot televizive, u fol për çdo gjë tjetër por jo për raportin, i cili trajton çështjet më themelore të shtetit ligjor, të demokracisë, të krimit të organizuar, të drogës dhe larjes së parave, të parlamentit të bllokuar, të farsës zgjedhore, të klientelës së investimeve publike, të korrupsionit që rrok qiellin, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj mandatit të Lubi Ballukut, të qëndrimeve të Edi Ramës ndaj parlamentit dhe refuzimit të tij të të gjitha nismave të opozitës në parlament, të bllokimit të kontrollit parlamentar, të pronësimit nga qeveria në kundërshtim me çdo parim dhe ligj të procesit të integrimit, të nismave që minojnë procesin e integrimit në BE si Ballkani i Hapur apo letra Rama-Vuçiç në kuadër të këtij Ballkani apo nismave të tjera.

Raporti është një dokument i jashtëzakonshëm, në të cilin konstatohet me dhimbje të madhe se gjysma e fëmijëve shqiptarë janë në rrezik varfërie dhe se qeveria nuk ka asnjë masë për fëmijët e përjashtuar, për fëmijët në mjerim.

Denoncohet indiferenca në politikat sociale ndaj të rinjve, fondet e ulëta në arsim.

Denoncohet mungesa e një politike të qartë strehimi social për të rinjtë, për studentët, për punësimin e tyre.

Kërkohet revokimi i menjëhershëm i amendamenteve të ligjit famëzi të investimeve strategjike. Kërkohet regjistri i plotë i këtyre investimeve.

Dënohet me forcë diskriminimi i minoritarëve në punësim dhe në qëllime të tjera.

Dënohet me forcën më të madhe ndërhyrjet brutale të Edi Ramës në sistemin e drejtësisë, në sistemin e prokurorisë.

Në çdo rresht të tij ku ka shkelje dhe mospajtime, janë tre emra famëzi, Edi Rama, Lubi Balluku, Niko Peleshi.

Dhe ajo që është më e papranueshme, heshtja mediatike.

Është renditja e medieve të kontrolluara nga qeveria në anën e qeverisë dhe në censurë, manipulim të opinionit publik.

Kjo është një çështje themelore. Lakrorit i kanë dalë petët.

Edi Rama prej 3 muajsh u deklaronte shqiptarëve se janë këta që shkojnë dhe na padisin në Bruksel.

Përpiqej, me mercenarë, të akuzonte opozitën se gjoja pengon integrimin.

Opozita në Tiranë, në Bruksel, në Berlin, në Uashington, në Romë dhe kudo do të thotë të vërtetat dhe vetëm të vërtetat.

Është e detyruar të ruajë raportin e saj me të vërtetën dhe nuk do aplikojë atë formë nacionalizmi që është strofull horrash.

Nacionalizmi i vërtetë është patriotizëm dhe patriotizmi të detyron të mbrosh interesat e qytetarëve të tu kudo dhe jo të mbrosh interesat e horrave të kombit.

Nuk janë shqiptarët që vjedhin, janë qeveritarët shqiptarë që vjedhin qytetarët shqiptarë.

Nuk janë shqiptarët trafikantë, janë klanet e drogës të lidhur me qeverinë që bëjnë trafiqet.

Nuk janë shqiptarët që kontrollojnë drejtësinë, është Edi Rama dhe klanet e drogës që kontrollojnë drejtësinë dhe ushtrojnë kontroll mbi të.

Nuk janë shqiptarët që duan që vota e tyre të plaçkitet, të grabitet, të manipulohet, është Edi Rama dhe qeveritarët shqiptarë ata të cilët shndërrojnë zgjedhjet në farsë elektorale.

Në këtë kuadër, opozita dhe do bëjë e palëkundur detyrën e vet.

Ndjehemi shumë të lehtësuar nga ky raport.

Janë tetë rezoluta nga vjeshta e vitit 2024 gjer sot që denoncojnë gjendjen dramatike në Shqipëri.

Por tani, shumë shumë i ngjashëm me këto rezoluta është një rezolutë e një komisioni parlamentar të përbërë nga të gjitha grupet parlamentare të Parlamentit Europian.

Pra, nuk është një dokument i një organizatë të qendrës së djathtë apo të djathtë, jo, është një dokument i të gjithë spektrit politik, i cili sanksionon një për një ato që ne kemi denoncuar.

Sanksionon përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit.

Përjashtimin e qytetarëve nga procesi i integrimit.

Paralajmëron se ky proces nuk mund të jetë kurrë pronësi e ekzekutivit.

Se parlamenti duhet të jetë forumi qendror i këtij procesi.

Unë shpreh keqardhjen time më të madhe dhe e dënoj këtë qëndrim të papërgjegjshëm të mafies mediatike shqiptare.

U bëj thirrje gazetarëve ta lexojnë, të bëjnë gjithçka për të tejshkuar këtë censurë qeveritare mbi një dokument themelor për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Raporti i Andreas Schieder, është raporteri socialist që ka paraqitur projektin, u amendua nga 9 grupe parlamentare që votuan në këtë seancë.

Janë bërë mbi 300 ndërhyrje, amendime të raportit për të sjellë në aulën, në tempullin e demokracisë evropiane, realitetin e vërtetë shqiptar dhe jo ai që përshkruan qeveria.

Korniza e kushtëzimit thekson që në hyrje: Duke qenë se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, në vend vetëm të miratimit formal të legjislacionit… cilësia e reformave të nevojshme të një vendi përcakton afatin kohor për anëtarësim.

Raporti i jep një goditje të rëndë përpjekjeve të Edi Ramës për të ecur me lobim korruptiv në procesin e integrimit. I bën të qartë se cilat janë kushtet për afatin kohor, cila është korniza që duhet të ndiqet për të pasur një integrim në një kohë sa më të afërt.

Demokracia dhe reforma zgjedhore.

Ky raport dallon nga raportete  tjera për zgjedhjet. Në qoftë se në raportet e tjera mund të keni lexuar se zgjedhjet në Shqipëri ishin kompetitive, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian nuk i pranon si të tillë.

Pranon Komisioni i Jashtëm se kuadri zgjedhor vlerësohet ‘përgjithësisht i përshtatshëm’ nga OSBE/ODIHR — por me dështime të vazhdueshme.

Identifikohet: fushë e pabarabartë loje, pra nuk thotë se zgjedhjet ishin kompetitive, thotë se kuadri ligjor ishte kompetitiv, keqpërdorim i burimeve administrative, financim jo-transparent i partive.

Pretendime për blerje votash dhe presion mbi votuesit,

çështje të pazgjidhura strukturore.

Dhe mbi të gjitha, shuarja e linjës midis institicioneve shtetërore dhe strukturave partiake, përbën problemin themelor.

Opozita duhet të marrë pjesë pastaj në reformën zgjedhore.

Pra, në këtë raport, problem më kryesor del shkrirja, zhdukja e linjës midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake.

Raporti ndalet tek imuniteti, i cili kërkon të hiqet pa asnjë lloj kufizimi, ndërhyrje dhe kushtëzimi në rastet e korrupsionit. Ka këtu parasysh çështjen Balluku.

Paralajmëron tentativa për të penguar dhe gërryer institucionalisht SPAK-un.

Kompetencat hetimore nuk duhet të kufizohen apo të mënjanohen.

Tek lufta kundër korrupsionit, raporti denoncon rrokullisjen e Shqipërisë 11 vende më poshtë dhe trendin negativ ët qartë në rritjen e korrupsionit.

Denoncon prokurimet publike, koncesionet, licencat dhe inspektimet.

Kërkon që të merren masa parandaluese veçanërisht në këto fusha.

Masat parandaluese kërkohen veçanërisht në: prokurimin publik dhe koncesionet, licencimin dhe inspektimet, ndërtimin dhe planifikimin urban.

Konfiskimi i aseteve: kërkohet gjurmim, ngrirje, konfiskim dhe administrim efektiv i aseteve kriminale.

Kërkohet hetime financiare sistematike dhe bashkëpunim i përmirësuar ndërinstitucional e ndërkufitar.

Të Drejtat e Pronës (Pika 9a): ‘progres vendimtar mbi regjistrimin fillestar të pronës dhe kompensimin e drejtë’.

Transparenca e kadastrës shtetërore dhe respektimi i të drejtës për proces të rregullt ligjor në shpronësime.

Pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medias.

Denoncimi moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga qeveria, siç ishte rasti i Ballukut.

Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin e saj, kurse për Edi Ramën ajo vazhdonte punën çdo ditë.

Denoncohet refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për Olta Xhaçkën dhe një seri vendimesh të tjera, të cilat parlamenti nuk i zbaton.

Denoncohet qëndrimi armiqësor kundër gazetarëve profesionistë dhe medieve të pavarura në Shqipëri. Sulmet verbale dhe retorika ndaj medieve nga zyrtarë të nivelit të lartë.

Fushatat e përçmimit dhe ngacmimet mizogjene online, shpesh të drejtuara kundër gazetarëve që raportojnë për sundimin e ligjit, korrupsionin dhe drejtësinë.

Pra, këtu merren në mbrojtje gazetarët dhe jo pronarët.

Pra, ka dy qëndrime diametralisht të kundërta mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Sali Berisha ngre zërin në emër të interesit publik, kundër censurës, kundër manipulimit, kundër gjuhës së korrupsionit të diktuar nga Edi Rama dhe pronarët e lidhur me të për interesa, kurse raporti denoncon për sulmet e tij ndaj gazetarëve, të njohura tashmë publikisht.

Parlamenti Europian shpreh ‘keqardhje të thellë’ për zgjatjen e Ligjit të 2015 për Investimet Strategjike, procedura të përshpejtuara me shqyrtim mjedisor të reduktuar.

Kërkon shfuqizimin e amendamenteve të 2024 të Ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Ndryshimet e 2024 lejojnë infrastrukturë turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura.

Atakon rëndë Këshillin Kombëtar të Territorit të kryesuar nga Edi Rama dhe Adelajda Roko.

Pra, nuk ka një fushë të vetme që nuk e atakon ky raport.

Denoncon vjedhjen e fondeve të BE në Shqipëri, ndaj dhe thotë se OLAF ka identifikuar parregullsi serioze në zbatimin e IPARD, gjë që ka çuar në pezullimin e 130 milionë eurove për fermerët shqiptarë për shkak të vjedhjesë së fondeve të BE në agjencitë e Ministrisë së Bujqësisë dhe moshetimin e tyre me urdhër të Edi Ramës nga Skrapi i partisë.

Shumica e fëmijëve shqiptarë mbeten në rrezik varfërie.

Një nga lajmet më të zeza që vjen nga Brukseli.

Paralajmëron ashpër ndaj Ballkanit të Hapur. Krenarë që opozita mbushi bulevardin kundër tij.

Rrezikon krijimin e strukturave paralele që rrezikojnë Procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur ishte një nismë e mbështetur nga Rama-Vuciç, Sergei Lavrov dhe Aleks Soros.

Edhe letra e përbashkët Rama-Vuçiç interpretohet si vazhdim i Ballkanit të Hapur, ndonëse Ballkani i Hapur me ultimatumin e BE, është arkivuar në koshin e plehrave, por autorët e kësaj nisme duan të kalojnë në një formë tjetër, formën e anëtarësimit pa kriteret e Kopenhagenit, pra pseudo-anëtarësim në BE që të mund të vazhdojnë projektin e tyre të Ballkanit të hapur.

Konkluzione kryesore:

Kushtëzimi i rreptë: cilësia e reformave, jo vetëm miratimi formal i ligjeve.

IBAR mbetet i pamiratuar, kjo pezullon hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit.

Shqetësimet kryesore: korrupsioni, pavarësia gjyqësore, liria e medias, mjedisi.

Çdo reformë duhet të jetë e qëndrueshme, e thellë dhe e pakthyeshme.

Së dyti, jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin më të papërgjegjshëm, dëshminë flagrante të kontrollit të plotë të drejtësisë nga Edi Rama, nxjerrjen nga arrest shtëpie të Mirlinda Karçanaj dje nga ish-ministri i PS, Ilir Panda.

E kam theksuar dhe e theksoj se Mirlinda Karçanaj është Balluku bis dhe shkuar Ballukut.

Dhe Edi Rama pasi mbylli çështjen Balluku, duke përdorur 83 votat e krimit, ia doli nëpërmjet Ilir Pandës, ish-ministrit socialist, të nxjerrë nga arresti shtëpiak një eksponent të grupit të strukturuar kriminal, të vlerësuar nga prokuroria speciale, vetëm e vetëm se ajo në çdo hap, në çdo veprim, në çdo akt ka zbatuar urdhrat, kërkesat e Lindës së Surrelit.

Ka qenë në njëfarë mënyre një kukull në duart e saj dhe ka lejuar që nga ajo agjenci të paktën 600 milionë euro të vidhen, përvetësohen në mënyra të ndryshme nga çifti Rama duke përdorur si agjent në këtë rast Armand Frangun, baxhanakun e Ramës, por jo më pak edhe Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin.

Ky akt i shëmtuar është goditja më e rëndë që i jepet sistemit të drejtësisë, është goditja më e rëndë, është shpërblimi më i tmerrshëm që u bëhet hajdutëve që vjedhin për llogari të Edi Ramës.

Mirlinda Karçanaj, një ditë prej ditësh, u mor në një mbrojtje nga Edi Rama, i cili veçse sa nuk derdhte lot për Mirlindën, këtë njeri kaq të mirë. Për Mirlindën kaq të suksesshme, që jetonte, sipas këtij hajduti gënjeshtar, në një shtëpi me qira dhe nuk kishte as makinë, madje nuk dinte as të ngiste makinën.

Në një kohë kur dosja hetimore me të dhëna paraprake faktoi se Mirlinda kishte vila, jo një, por disa.

Kishte apartamente, jo një, por disa.

Kishte ara dhe ullishte. Kishte makinë luksoze personale.

Dhe këto janë vetëm hetimet paraprake.

Me gjithë këto të dhëna që dolën, Rama urdhëron Ilir Pandën për të nxjerrë Mirlindën pasi emëroi në postin e saj, kopjen e saj, Tafajn.

Tafaj, një hajdut me çizme, i cili duhet të hetohet thellësisht edhe për inkriminimin e mundshëm si haker i sistemeve që ai ishte i autorizuar t’i mbronte.

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z. Berisha, ju mbani sot protestën e tetë kombëtare, një protestë e cila vjen edhe pas zhvillimeve të fundit nga Brukseli. Cili do jetë ndryshimi nga herët e kaluara dhe a do të vazhdojë vala e protestës së opozitës në të njëjtin ritëm?

Sali Berisha: Vala e protestave të opozitës nuk ndalet kurrë gjer në realizimin e qëllimit tonë.

Shpallja jonë se jemi në kilometrin e fundit, shënon gjithashtu detyrimin tonë për ta përshkuar me çdo çmim dhe çdo kusht këtë kilometër gjer në fitore.

Dhe siç e shihni, ky raport që dallon si nata me ditën me raportin e një viti më parë, dëshmon se në Shqipëri, në të vërtet problem kryesor për integrimin është Edi Rama, si kreu i organizatës kriminale, qeveritarët e tij, parlamenti, është Lubi Balluku, që ka marrë të gjithë frenat në dorë.

Janë këta hajdutë, të cilët në mënyrë absolute nuk duan kurrë integrimin, por duan vjedhjen dhe pasurimin e tyre me vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike të shqiptarëve.

Ndaj dhe protestat janë zëri i vetëm më i fuqishëm i shqiptarëve dinjitozë, i shqiptarëve që nuk pajtohen me këtë situatë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale