Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: PD është e hapur ndaj të gjitha forcave që e konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe për kandidatë të përbashkët. Ftoj të gjithë shqiptarët me 28 Nëntor, të gjithë në Tiranë, të ngrihemi në lartësinë e flamurit

BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARËT I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike opozitare për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët, ai tha se synimi është krijimi i një fronti të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës, ndërsa bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme pritet të zhvillohen përpjekje më serioze për bashkëpunimin politik.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një qytetari lidhur me mundësinë e kandidaturave të përbashkëta në të gjitha bashkitë, Berisha theksoi se opozita është e hapur për propozime dhe marrëveshje me faktorët e tjerë politikë. ‘Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta, për çfarëdo propozimi të arsyeshëm që të mund të krijojmë një front të përbashkët’, deklaroi Berisha.

Gjatë përgjigjes për qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha sqaroi se deri tani nuk janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por konfirmoi se kontaktet dhe përpjekjet për bashkëpunim do të intensifikohen në ditët në vijim. ‘Për sa u përket negociatave, nuk mund të them se janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por disa përpjekje janë bërë dhe tani në javën që vjen do bëhen përpjekje serioze, të plota në këtë drejtim’, u shpreh kryetari i PD-së. Ai tha se fronti i përbashkët opozitar ka dy objektiva kryesore: vijimin e protestave kundër qeverisë dhe bashkërendimin e qëndrimeve për zgjedhjet e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te protesta e 28 Nëntorit, duke përsëritur thirrjen për pjesëmarrje masive të qytetarëve në Tiranë. Sipas tij, bashkimi i qytetarëve përtej bindjeve politike është i domosdoshëm për të kërkuar rikthimin e votës së lirë. ‘Bashkimi është jetik dhe vendimtar. Unë i siguroj shqiptarët se Partia Demokratike nuk do të ndërpresë kurrë përpjekjen dhe betejën e saj’, deklaroi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokrate Sali Berisha ftoi të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në tubimin e 28 Nëntorit, duke e lidhur këtë datë me thirrjen për bashkim politik dhe kundërshtimin e qeverisë. ‘Unë ftoj të gjithë shqiptarët me 28 Nëntor, të gjithë në Tiranë, të ngrihemi në lartësinë e flamurit. Le t’i tregojmë ne më 28 se s’pajtohemi kurrë, se do t’i japim përgjigjen më të merituar Edi Ramës dhe regjimit të tij’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Mirëdita dhe një ndjesë në vonesën për fillimin e këtij bashkëbisedimi.

Së pari u përshëndes përzemërsisht dhe u falënderoj për vëmendjen, interesin, komentet dhe pyetjet që do të adresoni.

Java ishte një javë tejet e zymtë, javë në të cilën kriza u thellua edhe më shumë.

Javë në të cilën buxheti i narkoqeverisë u provua në parlament si buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë e të gjitha buxheteve të vendit.

10 miliardë euro taksa, mund, djersë dhe përpjekje tuaja, jo vetëm nuk u rikthehen ju, por përkundrazi vidhen dhe shpërdorohen në mënyrën më të papërmbajtur.

Ndërkohë muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shumë se në hapësirën e BE.

Ndërkohë, EUROSTAT informon se të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare janë më të paketat në rajon.

Informon se mbi 30 përqind e shqiptarëve kanë probleme me kafshatën e gojës.

Edi Rama ka përcaktuar në këtë buxhet 930 milionë para xhepi për administratën e tij, për telefona, zyra, vetura, lukse, ahengje, darka dhe dreka.

Me 930 milionë euro, të dashur qytetarë dhe qytetare, mund të rriteshin me 60 përqind rrogat e ulëta, me 40 përqind rrogat e mesme, mund të vendosej minimumi jetik për shqiptarët dhe natyrisht mund të dyfishohej jo rritja e pensioneve, siç thotë Edi Rama, por indeksimi i tyre në përputhje me rritjen e çmimeve.

Duke i dhënë me minimumin jetik dhe një përgjigje përfundimtare pensionit minimal, pensioneve jo të plota, etj.

Pra, ata të cilët po varfërojnë dhe vjedhin shqiptarët në mënyrën më të papërmbajtur, u zotuan se me buxhetin e ri do të dyfishojnë apo shumëfishojnë vjedhjet e tyre ndaj shqiptarëve.

PD ka paraqitur dhe do paraqesë projektin e vet për mbështetjen e qytetarëve.

Natyrisht asgjë prej propozimeve tona nuk pranohet, por janë shqiptarët që e kanë në dorën e tyre të largojnë sa më shpejt këtë narkoshtet dhe narkoqeveri grabitqare në mënyrë që pasuritë publike t’i shndërrojmë më të mira dhe mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET

Edison Breçani: Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal mbi kallëzimet e mbërritura pranë këtij organi ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali. Mësohet se referimi është bërë për një sërë veprash penale që lidhen me deklarimin e rremë, mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe korrupsion. Burimet konfirmuan se procedimi penal është regjistruar pa emër, por me veprat penale. A mendoni se tashmë është përhapur një front i ri lufte brenda Partisë Socialiste, se kush ia fut më shumë njëri-tjetrit?

Sali Berisha: Edison, kjo që thoni ju është plotësisht e vërtetë. Akuzat për Elisa Spiropalin i kam paraqitur unë dy vite më parë në parlament, me fakte dhe dokumente.

Por regjistrimi i veprave penale, i problemeve të saj dhe bashkëshortit të saj, në një kohë kur ajo ka marrë, të themi një rrugë kundërshtie, të paktën me fjalë, të qëndrimeve të Edi Ramës dhe partisë së krimit, dëshmon për përdorimin si armë politike të SPAK-ut të partisë.

Albano Stolaj: Doktor, përshëndetje! Ju keni kritikuar taksat e larta mbi karburantet dhe koston e energjisë. Cilat janë masat e para fiskale që do të ndërmerrte një qeveri e drejtuar nga Partia Demokratike për të ulur koston e jetesës dhe për të mbështetur biznesin?

Sali Berisha: Së pari, meqë e filluam me karburantin, ne kemi një premtim solemn: vendosjen e taksës së karburantit në ato nivele që e kanë dy vendet fqinje, Kosova dhe Maqedonia, dhe asnjë qindarkë më shumë

Nafta në stacionet e saj në Shqipëri nuk do të mund të shitet kurrë me një çmim më të lartë se këto dy vende, çfarë do të thotë të paktën 40% më lirë se sot.

Ky është premtimi ynë.

Ajo që ka bërë Edi Rama me transferimin e taksës së qarkullimit tek makinat është një ndëshkim madhor dhe i pamerituar i një shumice të madhe qytetarësh, të cilët kanë një shpenzim minimal nafte në vit për shkak të përdorimit të kufizuar të makinave.  Ato detyrohen të paguajnë taksë njëlloj si oligarkët, njëlloj si pasunarët e vendit.

Ilir Meçi: Doktor, keni ndonjë strategji se si të fitojmë se u bëmë 14 vjet në opozitë?

A nuk mendoni që ripërtëritja e Partisë Demokratike të fillojë nga maja e piramidës dhe të zbresë poshtë dhe jo nga baza?

Sali Berisha: Të falenderoj Ilir për pyetjen.

Në qoftë se gjen ndonjë vend ku diktatura, apo narkodiktatura, në të cilën regjimi është larguar me vota, mund të ma thoni. Por e vërteta është se nuk ekziston asnjë.

Ju, dhe çdo njeri, çdo qytetar i këtij vendi, për të qenë i ndershëm me veten e tij, por edhe me vendin, duhet të shtrojë një pyetje: a zhvillohen zgjedhje në Shqipëri?

Në qoftë se ju mendoni se zhvillohen zgjedhje në një kohë kur arrestohen dy liderët e partive kryesore në vitin e zgjedhjeve, zhvillohen 4300 aktivitete për të ndikuar zgjedhjet në kundërshtim me ligjin, janë të gjitha këto të raporteve, në rast se ju mendoni se zhvillohen zgjedhje dhe jo farsë, kur jepen dhuratë 100 euro në mes të fushatës elektorale për 760 mijë zgjedhës, kur përdoret e gjithë fuqia motorike, logjistike, financiare e shtetit dhe zhvillohen në kushtet e partisë-shtet, kur të gjitha institucionet ndërkombëtare bien dakord se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet.

Ne që kemi jetuar në diktaturën komuniste, ne e dimë më mirë se të gjithë të tjerët se ç’do të thotë zgjedhje në parti-shtet.  Ndaj edhe unë u ndala vetëm tek këto, pa i theksuar 2 miliardë euro që u falën dy ditë para zgjedhjeve, 29 mijë hektarë kanabis që u licencuan për t’u mbjellë drogë për votë, efektin e kartelave të drogës në Durrës, Elbasan dhe Fier, Lushnje, Vlorë, Shkodër e kudo me radhë.

Atëherë, a mos duhet të zëvendësojmë fjalën zgjedhje me fjalën farsë zgjedhore për të qenë korrekt me veten dhe me të tjerët? Kështu që, pa diskutim që Partia Demokratike po ripërtërihet dhe do të ripërtërihet, pa diskutim që anëtarët e saj do të kenë të drejtën e votëbesimeve në të gjitha rrethanat sepse është e vetmja forcë politike që ka votën si mekanizëm kryesor, por të flasësh për zgjedhje në diktaturë dhe jo për farsë, i bën një mbështetje të vërtetë diktatorit.

Adelina Dragoshi: Doktor, ju keni qenë kundërshtari më i madh politik i kryebashkiakut të Tiranës. Së fundmi, keni bërë një thirrje për bashkëpunim edhe me Erion Veliajn kundër Edi Ramës, madje keni folur edhe për bashkim me Arlind Qorrin. Mos ndoshta këto thirrje po mërzisin anëtarësinë?

Sali Berisha: Të falënderoj për pyetjen dhe shfrytëzoj këtë rast për t’ju shpjeguar juve dhe gjithë anëtarësisë: Vendi është në momente kritike, është në një rrezik ekzistencial.

Statistikat evropiane shprehen se nga Shqipëria janë larguar 54% e shqiptarëve, të tjera 47%.

E vërteta është se vetëm dy javë më parë Fondi Monetar Ndërkombëtar korrigjoi të ardhurat për frymë për shqiptarët duke pjesëtuar prodhimin e brendshëm bruto jo me 2.8 milionë si më parë, por me 2.3 milionë që është statistika.

Pra, për secilin nga ne, për çdo atdhetar, patriot të këtij vendi, çdo qytetar të përgjegjshëm, ne jemi para një rreziku ekzistencial.

Sot lindshmëria e banorëve në Shqipëri është ajo që ishte 100 vite më parë kur ne ishim më pak se 1 milion.

Atëherë, çfarë ndodh? Kush është shkaku?

Prit, se jemi tek demografia. Ky institut statistike ka publikuar një grafik në të cilin tregon se nga viti 2007 në vitin 2014, numri i banorëve në Shqipëri rritej nga viti në vit. 10 vitet e fundit vetëm në Bashkimin Evropian kanë emigruar 1 milion e 99 mijë shqiptarë.

A nuk përbën ky regjim një rrezik madhor për ekzistencën tonë?

A nuk duhet të bashkohemi të gjithë të tjerët për largimin e këtij rreziku madhor pa humbur asnjëri identitetin e tij?

Por secili që do të kontribuojë, që ndihet sadopak shqiptar apo përgjegjës para këtij vendi dhe këtij kombi, është i ftuar të kontribuojë, të largojmë këtë të keqe.

Dhe çfarë të rikthejmë?

Të rikthejmë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre partinë që duan, deputetët që duan, personat që duan dhe jo të diktuar nga krimi, droga, presioni i tmerrshëm qeveritar.

Po, Erion Veliaj nëse do të kontribuojë, le t’u thotë shqiptarëve gjithçka di për Edi Ramën, sepse sado që të ketë bërë vetë, krimet e Edi Ramës janë të pakrahasueshme me të asnjë tjetri dhe unë nuk mund të them se Erion Veliaj sot në qeli është rrezik ekzistencial për Shqipërinë.

Ne kemi protestuar dhe kemi bërë gjithçka që ai të shkojë para drejtësisë.

Ky është qëndrimi im ndaj cilido që do të kontribuojë për të larguar nga pushteti dyshen më famëkeqe Rama-Balluku apo Balluku-Rama.

Gjon Lajthia: Ju ftoni Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin të na bashkohen kundër qeverisjes socialiste, por a ka më të korruptuar sesa këta të dy që ju po ftoni?

Sali Berisha: I dashur Gjon, këta të dy janë të korruptuar, pa asnjë diskutim.

Por ju as nuk mund ta merrni dot me mend miliardat e eurove të korrupsionit të Edi Ramës.

Ju as nuk mund ta merrni dot me mend ndikimin e tmerrshëm të sallave plot me narko-euro kundër shqiptarëve, të cilat i ka të gjithë Edi Rama në kontroll.

Ndaj dhe të ftoj që të ftojmë së bashku secilin që mund të kontribuojë në largimin e kësaj dysheje nga pushteti që po rrënon qenien shqiptare.

Çfarë ka në dorë Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali?

Ata dinë shumë më tepër se të tjerët për korrupsionin e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

Ata duhet të përpiqen të bëjnë sa më shumë njerëz me vete nga ata deputetë.

Është sot betejë për jetë, betejë për ekzistencën e kombit.

Ne po shkojmë duke e zbrazur Shqipërinë.

Diamant Gjyshja: Doktor, ju keni propozuar një fond prej 700 milionë eurosh për pensionet dhe pension minimal prej 200 euro. Nga do të sigurohen konkretisht këto para dhe cilat shpenzime të buxhetit do të reduktoni për ta realizuar këtë premtim?

Sali Berisha: Unë të falënderoj për pyetjen.

Para se të përgjigjem direkt, le të bëjmë bashkë një analizë të shkurtër të investimeve në vitet 2005-2013 me investimet e 14 viteve të Edi Ramës.

Në 2005-2013 u ndërtuan 11,000 kilometra rrugë. Nga Hani i Hotit në Gjirokastër, nga Tirana në Morinë. Tirana u bashkua me Elbasanin me tunelin, nga Levani në Tepelenë, nga Gjirokastra në Tepelenë, nga Levani në Vlorë, nga Orikumi në Ksamil.

U ndërtua mbi 50% e Rrugës së Arbrit, u ndërtua pothuajse gjysma e rrugës Korçë-Kolonjë, u ndërtua rruga Korçë-Qafë Plloçë.

U ndërtua rruga Peshkopi-Kukës, nga Kalaja e Dodës.

U ndërtuan pra mijëra e mijëra kilometra të tjera rrugë.

U ndërtuan 1300 shkolla dhe objekte arsimore, u ndërtuan 700 vepra kanalizimesh dhe ujësjellësa, 400 qendra shëndetësore dhe spitale.

Të garantoj që janë ndërtuar me një të tretën e shumës që këta pretendojnë se kanë investuar në 14 vite.

Më thuaj çfarë kanë ndërtuar në 14 vite? Kanë përfunduar disa rrugë të mbetura në mes, Rrugën e Arbrit, 10 kilometra në rrugën Dragobi-Valbonë, 10-15 kilometra rruga Bogë-Qafë Thore-Theth, disa kilometra rruga Leqet e Hotit-Tamarë-Vermosh.

Pra, janë përfunduar disa rrugë dhe nuk kanë ndërtuar gjer sot, përveç rrugës Limuth-Thumanë, asnjë rrugë tjetër.

Dhe të gjitha rrugët e tyre janë shembur.

Investimet janë shumë e shumë miliardë më shumë sesa tonat, por problemi është se këta i vjedhin, siç thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, i vjedhin 90%.

Këtu do i gjej paratë për të gjitha.

Nuk investoj unë 2.2 miliardë siç thonë këta. Jo. Do investoj 800 milionë dhe do u them shqiptarëve ja ku janë 800 milionë që po investoj.

Çfarë do bëj me të tjerat? Me 1 miliard e 400 milionë unë do t’i kthej në rroga e pensione. Do të bëj që shqiptarët të ndjehen të përfillur, të ndjehen jo të mëkëmbur, nuk them se do pak kohë ajo, por të kenë shpresë se do jenë qytetarë të mëkëmbur.

Më fal një minutë se po më vjen keq tani që po e personalizoj, a nuk u kujtohet ju kur unë ika nga pushteti në ’97-ën, çfarë thoshte populli? Sali bollëku thoshte, nuk e mohon dot kush këtë.

Por çfarë bollëku ishte ai? Sepse të ardhurat për frymë në atë kohë ishin 800 dollarë, por problemi është se ato ishin rritur, dyfishuar çdo vit dhe kishin ngjallë shpresë tek shqiptarët.

Po në vitet 2005-2008 shqiptarët u bënë qytetarët më të paguar në rajon.

Dhe absolutisht prapë do jenë sepse Shqipëria është më e pasur se çdo vend i rajonit.

Ju lutem referojuni Grupit të Bostonit, një grup jashtëzakonisht prestigjioz, i cili studion shndërrimin e rritjes ekonomike në mirëqenie për qytetarët.

Ku qëndronte Shqipëria? Shqipëria renditej e katërta në botë.  Shiheni pak ku renditej Shqipëria në vitin 2020. Shqipëria zbriti e 74-ta në botë.

Ndaj dhe problemi është se nuk është se mungojnë paratë, por problemi është se qytetarët shpërfillen, qytetarët nuk vlerësohen.

Rrogat e larta u rritën, këtu janë më të lartat në Ballkan.

Ndaj zotëri ju garantoj se vitin e parë rritja do jetë së paku 50%.

Mund të thosha edhe më shumë, por nuk them më shumë.

Pse?

Sepse do ulen taksat. Ne jemi parti e taksave të ulëta. Ne nuk pranojmë kurrë të vjelim 10 miliardë euro nga qytetarët më të varfër të Ballkanit.

Jo, ne do përgjysmojmë taksat.

Elton Ruçi: Ju keni kërkuar rritje të pagave 50% për pagat e ulëta dhe 30% për pagat e mesme.

Si do realizohet kjo pa krijuar presion të mëtejshëm mbi inflacionin dhe financat publike?

Sali Berisha: Asnjë presion.

Të garantoj, Elton, faktori kryesor i inflacionit janë narko-eurot, o miku im.

Se çfarë bën Banka e Shtetit? Banka e Shtetit mbush thasët me monedha të prera dhe i hedh në treg për të ruajtur euron, sepse eurot, e morët vesh besoj, se zbritën 90 lekë.

Mirëpo, këto thasë me euro, që hidhen pa prodhim, këto rrisin inflacionin.

Prandaj dhe Shqipëria e ka pesë herë më të lartë rritjen e çmimeve të ushqimit në muajin tetor sesa Bashkimi Evropian. Gërshërë më të forta të ligjit kundër karteleve dhe narko-eurove të tyre.

Dhe rritja, së paku 50% e rrogave të ulëta, së paku 30% e rrogave të mesme, asnjë qindarkë rrogave të larta.

Vendosja e minimumit jetik.

Nuk do të ketë pensionist, pension jo të plotë është fjala, apo të çfarëdolloj, nën 200 euro.

Të garantoj se nuk do të ketë asnjë rritje inflacioni.

Këto janë të gjitha dokrra që i përdorin këta për t’ju justifikuar.

Rënien e euros do ta bllokojmë me bllokimin e futjes së narko-eurove.

Armando Burri: Duke pasur parasysh zgjedhjet vendore të vitit 2027, a do të ketë Partia Demokratike kandidatë të përbashkët me partitë e tjera opozitare në të gjitha bashkitë, edhe në ato ku kandidatët mund të mos jenë eksponentë të PD-së?

Dhe pyetja tjetër: a kanë nisur bisedimet Partia Demokratike me faktorët politikë të lartpërmendur?

Sali Berisha: Pyetja e parë Armando, ne synojmë dhe do synojmë të krijojmë një front të gjerë të të gjithë forcave politike, të të gjithë faktorëve që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe.

Kjo, së pari për të vazhduar protestat e fuqishme kundër tij, së dyti për të bashkërenduar përpjekjet tona në farsën e ardhshme elektorale.

Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta, për çfarëdo propozimi të arsyeshëm që të mund të krijojmë një front të përbashkët.

Për sa u përket negociatave, nuk mund të them se janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por disa përpjekje janë bërë dhe tani në javën që vjen do bëhen përpjekje serioze, të plota në këtë drejtim, për këto dy drejtime.

Sokol Delia: Zoti Berisha, Partitë Popullore Evropiane dhe më gjerë kanë miratuar shtatë rezoluta për manipulimin e zgjedhjeve nga qeveria Rama. Këto parti janë në qeverisje edhe në Evropë edhe në Amerikë.

Si ka mundësi që institucionet qeverisëse flasin me arra në gojë kur flasim për qeverinë e Ramës, si ka mundësi që Rama ka gjithë këtë mbështetje nga qeveritë e djathta, askush nuk flet që Rama ka bllokuar rotacionin politik në Shqipëri?

Sali Berisha: Pyetja dhe shqetësimi juaj ka në fakt të drejtë në sensin që qëndrime publike nga vende partnere ndaj narkoshtetit shqiptar mungojnë, dhe ky është për mendimin tim një qëndrim me pasoja serioze për shqiptarët.

Shqipëria është sot narkoshteti i vetëm dhe më i konsoliduari në Evropë dhe më i konsoliduari në botë në zemër të NATO-s dhe vend që negocion për integrim të plotë me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që të dhënat e Eurostat-it, Instat-it dëshmojnë në mënyrën më të kthjellët se ekonomia shqiptare po shkatërrohet nga droga.

Se leku shqiptar, në raport me euron dhe dollarin, për shkak të narko-eurove dhe narko-dollarëve është sot monedha më e fortë e planetit.

Ndërkohë qytetarët shqiptarë blejnë me lekun e tyre 50% më pak se ç’blinin në vitin 2013. Ne e kemi ngritur dhe e ngremë me partnerët tanë.

Ne besojmë se injorimi i këtij faktori madhor destabilizues për rajonin, por edhe më gjerë, është shumë problematik.

Ne vazhdojmë dhe do vazhdojmë përpjekjen.

Ne si opozitë qëndrojmë kundër narkoshtetit, e denoncojmë çdo ditë, por denoncimi ndërkombëtar i narkoshtetit është i domosdoshëm qoftë dhe për interesat e qytetarëve të vendeve për të cilët ky narkoshtet përbën kërcënim.

Por ka një anë tjetër që ne nuk mund ta injorojmë. Qeveritë e vendeve anëtare, qeveritë e djathta kanë qëndruar fuqishëm për aspektet e tjera.

Dhe e vërteta është që është qëndrimi i tyre bëri që raporti i IBAR-it për Shqipërinë të jetë krejt tjetër.

Bëri që raporti i Komisionit Evropian, i publikuar pak kohë më parë, të jetë më kritiku në tërë historinë e vendit.

Bëri që Aleanca e Atlantikut të Veriut, në një akt të paprecedent, të anulojë takimin për vitin 2027 në Shqipëri, në narkoshtetin shqiptar.

Pra, në këtë drejtim disa qëndrime shumë të forta janë shfaqur dhe po shfaqen.

Natyrisht, ajo që mund të them se është përcaktuese në të gjithë këtë krizë të thellë shqiptare, është bashkimi i të gjithë atyre që e konsiderojnë narko-regjimin, narkoshtetin si rrezik ekzistencial për kombin.

Largimin e këtij pushteti dhe një qeveri për të zhvilluar zgjedhje të lira të ndershme.

Unë nuk pajtohem me qëndrimin e partnerëve, me heshtjen e partnerëve ndaj narkoshtetit shqiptar, por ju them se edhe në rast se ato do ta deklaronin publikisht dhe në mënyrë të përsëritur, nuk janë ato që do vijnë për të na larguar Edi Ramën.

Nuk është Venezuela Shqipëria, harrojeni. Por nga Venezuela duhet të mësojmë një gjë: me vota diktatori nuk largohet.  Atëherë hajde të bashkohemi, t’i shtrëngojmë lakun në fyt çdo muaj e më shumë këtij njeriu që s’ka ligj as moral, përveç pushtetit të tij të krimit dhe vjedhjes ndaj shqiptarëve.  Shikoni çfarë bëri dje, një akt përsëritje, një akt të diktatorit Ramiz Alia, por në mënyrën më të shëmtuar.

Duhet të pranojmë, diktatori Ramiz Alia me datën 11 dhjetor priti në pallatin presidencial përfaqësinë e studentëve.

Por e vërteta është që ai i priti atë përfaqësi që u zgjodh nga studentët.

Priti ata studentë dhe pedagogë që zgjodhën vetë studentët haptas, publikisht para shqiptarëve.

Nuk priti studentë klandestinë siç bën ky shpirt-katran.

Takimin me studentët, dhe ai ishte një moment historik s’mund ta mohoj, e bëri me mediat dhe shqiptarët mësuan çdo fjalë që u tha në atë takim.

Kurse ky imiton në mënyrë të turpshme, por cili është dallimi, të vjen shumë, shumë, shumë keq. Ramiz Alia ishte njeri me duart me gjak, pa diskutim.

Kishte firmën në shumë akte të paimagjinueshme, por prapë në fund kishte kurajë, zgjodhi burgun para skenarit të Çausheskut. Priti në mënyrë transparente studentët, kurse ky i merr fshehtas.

U takon studentëve ta vlerësojnë, gjykojnë, nuk dua të hyj fare në se kush ishte e kush s’ishte, atë do ta gjejnë studentët, por të presësh studentët, që bënë protestat më të fuqishme në historinë e vendit, si grup klandestin, është fyerja më e rëndë që u bën atyre dhe çdo shqiptari.

Ky është Edi Rama.

Eljo Borne: Doktor, sot paske vetëm komente pozitive. Si duket aktivistët paskan marrë pushim për të marrë pjesë në Asamble në PS.

Sali Berisha: Edhe kjo ka mundësi, por e vërteta është që as asambleja dhe asgjë nuk e shpëton dot më Edi Ramën.

Fronti opozitar i bashkuar që do krijohet, dhe unë kam besim, pavarësisht nga kundërshtitë që ekzistojnë, se arsyeja do të dominojë, se në fund të fundit përgjegjësia para vendit, përballë këtij rreziku ekzistencial, do të do të shërbejë si një kushtrim bashkimi për të gjitha forcat, për të gjithë forcat politike dhe jo politike.

Edhe aktivistët, të cilët protestuan pesë muaj rresht, investuan në protestë dhe dhanë kontribut të çmuar, të gjithë duhet të bashkohemi sot, t’i japim shtytjen përfundimtare këtij regjimi dhe të shkojmë drejt votës së lirë.

Shkëlzen Mustafa: Zoti Berisha, përse hoqi dorë Partia Demokratike nga identifikimi elektronik në zgjedhje?

Sali Berisha: Partia Demokratike ka një qëndrim hezitues sepse ai u keqpërdor nga Partia Socialiste nëpër në mënyra nga më të ndryshmet.

Dhe ne po shqyrtojmë me radhë të gjitha akuzat dhe paditë që ekzistojnë.

Për shembull, unë mund t’ju jap këtu me dhjetëra- dhjetëra dëshmi dhe deklarata të qytetarëve, të cilët nuk kanë votuar, të identifikuar nga pajisja.

Të tjerë, i keni parë filmimet, i kemi parë në Elbasan, në vende të tjera se si abuzohet me pajisjen.

Pra nuk është pajisja, ajo është një pajisje, është një mjet që kontrollohet tërësisht nga qeveria.

Sahit Muja: Cili është plani strategjik i Partisë Demokratike me ardhjen në pushtet për të goditur jo vetëm trafikantët, por edhe arkitekturën financiare të narkotrafikut, pasuritë e pajustifikuara, kompanitë fiktive, investimet e dyshimta, pastrimin e parave dhe lidhjet e mundshme mes krimit të organizuar, politikës dhe institucioneve?

Sali Berisha: Një agjenci kombëtare e cila do merret mbi të gjitha me pronat e krimit, pronat e paligjshme të politikanëve dhe të kujtdo tjetër, të trafikantëve, të grupeve kriminale dhe të kujtdo tjetër.

Shndërrimi i këtyre pasurive në të mira publike do të jetë një nga drejtimet kryesore dhe jemi optimist për këtë.

Klevis Meçe: Doktor, po iku Rama, kush do të vijë?

Sali Berisha: Faleminderit. Klevis, po iku Rama, mund t’ju them me bindje të plotë se kushdo që të vijë, cilido që të vijë, nuk do mund të bëjë ndaj këtij vendi ato që bëri Rama.

Pse e them këtë?

Pse e kam këtë bindje?

Klevis, për fatin më të keq të shqiptarëve, Edi Rama e bazoi qeverisjen e tij në doktrinën e krimit të dobishëm.

E kam theksuar dhe në ndonjë rast tjetër, në diktaturën komuniste ligjet ishin të këqija, të ashpra, të rrepta, por kishte xhelatë që ishin edhe më të rreptë se ligjet, edhe më të ashpër se ligjet, që urdhrat e tyre nuk e bazonin në ligje po në thyerjet e ligjeve, që thyenin kocka si ky Hasrama në komisariatin e policisë Eneas, atij djalit që desh i kish nxjerrë syrin.

Që thyenin kafka ndaj armiqve që quheshin atëherë.

Eprorët e tyre e dinin se këta po kryenin krime sepse ligji nuk e lejonte.

Por me gjithë këtë, këta ishin njerëzit më të mbrojtur, këta ishin njerëzit më të respektuar, kafkëthyesit, sepse këta ato kafka, ato gjymtyrë, i thyenin për karrigen e padronëve të tyre. Siç bëri Hasrama, siç bëri snajperi kundër Eva Pangos, kundër Erion Vishkullit, siç bënë kundër qindra protestuesve që u thyen kockat, u thyen brinjët, u thyen kërcinjtë për karrigen e Edi Ramës.

Mund të më pyesni mua, pse bëj paralelizmin?

Po t’ju them të vërtetën, paralelizmi është sepse ju keni parë, nuk ka asnjë polic të ndëshkuar.

Nuk ka asnjë bandit të ndëshkuar për të gjetur se kush e qëlloi Evanthin në lule të ballit.

Asnjë vështirësi nuk ka sepse njësia dihet, dihet se cili ishte snajperi, dhe ai zgjodhi ballin për t’ia dhënë lule ballit asaj. Edhe tjetrit, tjetrit plumb në gojë, Erionit në sy, të gjithë të ndaluara.

A keni dëgjuar ju njëri të dënojë këto akte kriminale nga zyrtarët? Asnjë.

Përkundrazi, kanë vendos aty një Haspapë, si quhet ky i komisariatit numër një, një kriminel të damkosur bashkë me atë Rroki pepa quhet, i cili torturon njëlloj si xhelatët në qelitë e diktaturave.

Po pse prapë e krahasoj unë me Edi Ramën?

Pse them nuk ka më të keq? Dëgjoni.

Çfarë bëri Edi Rama me Toni Gogun?

A nuk riprodhoi në mënyrë identike aktin e Enver Hoxhës që i dërgonte Kadri Hazbiut, Hekuran Isait para pushkatimit: ‘Prano se Mehmeti të ka kërkuar të vrasësh Enverin që të të fal jetën’. Por ai nuk pranoi të thotë atë që s’kishte ndodhur.

Edhe ky: ‘Prano t’ia dorëzosh Arbër Hajdarit bashkinë për të shpëtuar nga 100 vite burg’, në atë transkriptet që ia ka falsifikuar totalisht ai nëpërmjet AKEP-it dhe regjistrimeve.

Ndaj dhe e keqja s’ka fund, por për shqiptarët historia do faktojë se Edi Rama ishte fundi i të keqes.

Gys Angoni: Në media lexuam se Ergys Agasi ka ndërtuar vilë me firmën e Ramës, Kumbaros dhe Sakos në një zonë të sigurisë së lartë, atë të bllokut qeveritar në Durrës, dhe ruhej nga Garda.  Pyetja ime është kjo: me çfarë kriteresh ndërtohet në zona të tilla dhe a duhet të ishin marrë në pyetje nga SPAK këta individë sepse vila është nën sekuestro për më tepër?

Sali Berisha: Tani ajo çfarë di unë për këtë vilë me përgjegjësi të plotë është se për interierin e saj është angazhuar nga alfa te omega vetë Edi Rama.

Gjithnjë kam menduar dhe besuar se vila është e Edi Ramës, t’ju them të vërtetën ju. Mund të jetë, mund të mos jetë, por që Edi Rama është marrë me bojërat, me të gjitha orenditë e brendshme, me të gjithë interierin, është detyruar të shkojë aty brenda, sepse për projektin s’ka dyshim që e ka parë përpara, po e ka parë në zyrë të vetë, kështu që vila mund të quhet pa frikë vila Rama-Agasi.

Çfarë mund të presësh nga Prokuroria që dëshmohet çdo ditë e më shumë seksion apo organizatë e Partisë Socialiste?

Ajo zbaton urdhra.

Dhe ajo vilë që thuhet e Agasit, unë mund t’ju them se ajo është vetëm një aset i tyre, por pasuritë e Agasit dhe Edi Ramës të përbashkëta janë përrallore.

Çdo vjedhje e Agasit është vjedhje e Edi Ramës. Mos ketë kush asnjë dyshim.

Dhe e fundit, më shumë një thirrje, Ndrek Ndreka: ‘Baca po ndjek rrugën e Gjergj Kastriotit. Bashkë të gjithë shqiptarët të largojmë djallin shqiptar’.

Sali Berisha: Në fakt bashkimi është jetik dhe vendimtar.

Unë i siguroj shqiptarët se Partia Demokratike nuk do të ndërpresë kurrë përpjekjen dhe betejën e saj kundër narkodiktaturës së Edi Ramës.

Por sot është më e domosdoshme se kurrë të bashkohemi, siç jemi bashkuar në momente kritike të kombit.

Por për hir të së vërtetës, pa shkuar larg, siç u bashkuam dhe në muajin qershor të këtij viti, ku bulevardi i Tiranës, sheshet dhe rrugët e Tiranës u mbushën me qytetarë të të gjitha bindjeve politike kundër të keqes më të madhe që ishte Edi Rama.

Të dashur miq, kishte prej tyre vërtet specialistë, ekspertë, po dhe qytetarë me një ndërgjegje të lartë mjedisore.

Kishte të tjerë që nuk mund të pranonin kurrë shkeljen e parimeve të pronësisë, por në tërësi ai uragan u ngrit kundër diktaturës, vjedhjeve të tmerrshme të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale qeverisë.

Ai bashkim i madh duhet të jetë frymëzim për çdo shqiptar të bashkohemi në mënyrë që të votojmë të lirë.

Cilido që konsideron votën e lirë si zemrën e demokracisë dhe të lirisë duhet të bashkohemi.

Zgjedhje në diktaturë nuk ka. Zgjedhjet në diktaturë i bën partia shtet dhe ato janë farsë.

Unë ftoj të gjithë shqiptarët me 28 Nëntor, të gjithë në Tiranë, të ngrihemi në lartësinë e flamurit, të nderojmë më shumë se kurrë sepse ka nevojë më të madhe flamuri që sheh kombin e tij të tretet, të largohet, të braktisë vendin.

Le t’i tregojmë ne me 28 se s’pajtohemi kurrë, se do t’i japim përgjigjen më të merituar armikut të egër ekzistencial të shqiptarëve Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale