Kopliku: Po shkatërrohet një aset strategjik 2000-vjeçar, Porti i Durrësit po kthehet në rezidencë luksi

Fjala e mbajtur në takimin ‘Si të shpëtojmë Portin e Durrësit’

Nga Tedi Kopliku

I nderuar Kryetari i Partisë Demokratike, të nderuar pjesëmarrës ,

Ju falenderoj për prezencën tuaj në këtë takim, vazhdim i takimit të dy javëve më përpara në Durrës, në lidhje me një nga problematikat shumë të rëndësishme si ai i Portit të Durrësit. Vendimi i qeverisë shqiptare për të shkatërruar një nga asetet më të rëndësishme të kombit shqiptar, siç është Porti i Durrësit, me vlera shumë të rëndësishme ekonomike, strategjike historike dhe i një rëndësie të veçantë përsa i përket sigurisë kombëtare. Porti 2000 vjeçar synon të kthehet në një rezidencë luksi për pastrimin e parave të krimit të organizuar, duke e zhvendosur në një tjetër port pa asnjë studim fizibiliteti dhe si çdo vendimarrje e kësaj qeverie, pa asnjë lloj transparence.

Një investim i tillë, jo vetëm është një dëm i madh për ekonominë shqiptare, duke sabotuar koridorin e VIII, por ngre alarmin edhe për çështjet e sigurisë kombëtare, tashmë shqetësim edhe i NATO-s

Departamenti Brain Gain ka publikuar një raport në lidhje me rreziqet që paraqiten nga transferimi i Portit të Durrësit në Porto Romano, si dhe ka sugjeruar disa zgjidhje konkrete në shërbim të një strategjie zhvillimi ekonomik dhe jo në shërbim të interesave klienteliste.

1) Transformimi i Portit të Durrësit në marinë turistike pa siguruar operacionalitetin e atij të Porto Romanos. Problem i madh kur flitet për portin më të madh tregtar të vendit.

2) Mungesa e transparencës totale që pasqyrohet nga skualifikimi artificial i kompanive serioze, tërheqja ose mos-përgjigja e kompanive europiane (gjithsej 45 kompani europiane) dhe përzgjedhja klienteliste e një kompanie off-shore, asaj qipriote, por mbi të gjitha me lidhje të dyshimta me kompani të sanksionuara nga BE dhe SHBA.

3) Kompromentim i sigurisë kombëtare dhe atë të NATO, si dhe rrezik pë dëme ekonomike nga arbitrazhi dhe ulja e kapaciteteve të portit kryesorë.

Dëmi ekonomik me uljen e kapaciteteve të portit, largimin nga korridori strategjik, rreziku i dëmeve nga arbitrazhi apo reputacioni i investimeve i dëmtuar nuk janë i vetmi shqetësim që ngren zhvendosja e portit dhe transformimi i atij aktual.

Porti i Durrësit nuk është pronë e Edi Ramës. Nuk është pronë e asnjë qeverie. Nuk është tokë për t’u ndarë me klientë. Është aset i kombit shqiptar.

Humbja e kontrollit mbi portën e tij kryesore detare, nuk sjell vetëm humbje në të ardhura. Humbet kontroll mbi sigurinë. Humbet kontroll mbi tregtinë. Humbet kontroll mbi atë që hyn dhe del nga territori i tij. Humbet një pjesë të sovranitetit të vet. Sa ton kokainë kalon aty sot dhe sa kapet? Vetëm për të kuptuar se si humbet sovraneti dhe në këtë mënyrë.

Kjo është arsyeja pse çështja e Portit të Durrësit lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.

Portet janë kufij, janë pika kontrolli, janë nyje të tregtisë, por edhe pika ku mund të depërtojë krimi i organizuar, kontrabanda, pastrimi i parave, ndikimet e huaja dhe interesa që nuk kanë asnjë lidhje me interesin kombëtar shqiptar. Një shtet serioz nuk e trajton portin kryesor të vendit si parcelë ndërtimi. Një shtet serioz e trajton si infrastrukturë kritike kombëtare.

Për më tepër, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Kjo do të thotë se portet tona nuk kanë vetëm vlerë kombëtare, por edhe rëndësi përtej nesh. Ato lidhen me sigurinë e Adriatikut, me lëvizjen e mallrave, me mobilitetin ushtarak, me gatishmërinë strategjike dhe me rolin që Shqipëria mund dhe duhet të luajë në krahun juglindor të Aleancës.

PËRZGJEDHJA E VENDIT

Problemi i pare është ai i mingesës së studimit për përzgjedhjen e vendit për ndërtimin e portit të ri. Portet e kësaj rëndësie diktohen nga gjeografia dhe karakteristikat natyrore të vendit, çka në rastin e Porto Romanos, përzgjedhja është kundër – intuitive. Port ku s’mund të ndërtohet port. Përveç faktit që nuk ka thellësinë e duhur, është kënetë, ka dhe rreth 32 % të kohës detin me mbi ‘ ballë në drejtimin e hyrjes së portit Veri-Perendim.

Në interperlancën e fundit të Ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës nuk u dha asnjë shpjegim se si ky port do trefishojë kapacitetet e tij në 600 000 kontinierë në vit, cila do jetë kostoja e adaptimit të këtij porti në një port tregtarë të këtyre kapaciteteve dhe sa do zgjasin këto punime.

Edhe sikur kjo të realizohet, kostot do jenë të pajustifikuara kur zgjidhja do ishte përmirësimi i portit aktual. Në pamundësi për të mbajtur premtimet e paqarta në fakt, ky port duke mos arritur standardet që kërkon NATO, aleatët mund të zhvendosin Koridorin e VIII drejt porteve greke, duke e reduktuar Shqipërinë në rolin margjinal të portit turistik.

PORTI I DURRËSIT, ASET I NATO

Nga ana tjetër, futja si Kalë Troje, me mungesë totale të transparencës, kompani me lidhje të dyshimta me kompani të sanksionuara nga aleatët tonë strategjik e bën akoma më të rrezikshme lojën e Ramës me një aset si Porti i Durrësit, jo vetëm i Shqipërisë por edhe i aleancës euro-atlantike.

Sipas investigimit të mediave, opozitës, por edhe akuzave tëi sh-ZV/KM Ahmetaj, Kompania Archirodon Construction jo vetëm është një kompani  e regjistruar off-shore, por nuk zotëron asnjë anije thellimi, ndërkohë që tenderi kërkonte të paktën tre të tilla. Nga ana tjetër, lidhja direkte me kompaninë tjetër qipriote CYMANCO, e cila lidhet me LUKOIL, si dhe dy oligarkët rusë Albert Vdolyan dhe Michel Litvak, të sanksionuar nga BE dhe SHBA.

Porti i Durrësit nga 2009 ka funksion të dyfishtë, jo vetëm tregtar, por edhe logjistik-ushtarak. Ai është pika kryesore e hyrjes për furnizime aleate, evakuime civile dhe vendosje forcash në skenare krize. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë duke i kujtuar KM se janë nga ata vendime që merren një herë në shekull.

Asnjë vendim madhor mbi infrastrukturën portuale nuk mund të merret pa konsultimin me NATO dhe BE. Nuk kemi deri tani asnjë dokument që vërteton konsultimin për këtë vendim me këta dy aktorë. As për planin e zhvendosjes as për pasojat mbi kapacitetet logjistike.

PARALAJMËRIMET E INTELIGJENCËS DHE PASOJAT

Agjencitë e inteligjencës dhe shërbimet aleate kanë kanë vlerësuar se :

– Dhënia e e Porto Romanos një subjekti me interesa ruse përbën rrezik të madh sabotimi për infrastrukturën e NATO-s

– Projekti i Porto Romano nuk është as nga ana teknike, as nga ana strategjike një projekt serioz dhe mbi të gjitha i dyshimtë përsa i përket proçedurave të përzgjedhjes së kompanisë dhe analizave e studimeve të kostovve dhe fizibilitetit.

PROPOZIMET TONA

Kjo është arsyeja pse Departamenti Brain Gain, ashtu siç ka bërë shpesh, synon të kalojë nga denoncimi te propozimi, nga kritika te alternativa, nga alarmi te vizioni. Dhe këtë vizion në PD duam ta ndërtojmë së bashku: me ekspertë, me qytetarë, me sektorin privat, me profesionistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, me aleatët tanë, për t’i dhënë vendit një drejtim të ri.

Ne besojmë fuqimisht te një Shqipëri e fortë, e begatë dhe e sigurt, në një NATO të fortë. Te një Shqipëri që nuk i shet portet, nuk i fshin gjurmët e historisë, nuk i zëvendëson asetet strategjike me beton, por i kthen ato në burim sigurie, zhvillimi dhe dinjiteti kombëtar.

Propozimi ynë qëndron mbi disa garanci të qarta.

Së pari, porti aktual i Durrësit nuk duhet braktisur dhe nuk duhet shkatërruar. Ai duhet ruajtur, modernizuar dhe zgjeruar derisa çdo alternativë tjetër të jetë plotësisht funksionale. Asnjë shtet serioz nuk e mbyll portën e vet kryesore detare pa pasur më parë një port tjetër të gatshëm, të testuar dhe të certifikuar.

Së dyti, Porto Romano duhet ndërtuar, por si projekt serioz strategjik, jo si fasadë propagandistike. Ai duhet të bazohet mbi studime të pavarura hidrodinamike, mbi tenderë të pastër dhe transparentë, mbi standarde NATO dhe mbi garanci teknike se nuk do të përdoret si zëvendësues derisa të jetë 100 për qind operacional.

Së treti, Durrësi duhet të lidhet realisht me hekurudhë me Prishtinën, Shkupin dhe Korridorin VIII. Pa lidhje me brendësinë, asnjë port nuk bëhet qendër rajonale. Pa transport tokësor porti mbetet i izoluar. Me hekurudhë, ai kthehet në nyje strategjike.

Së katërti, Durrësi duhet të ketë zonë të lirë ekonomike dhe qendër doganore rajonale, që porti të mos jetë vetëm vend kalimi mallrash, por vend ku krijohet vlerë, ku tërhiqen investime, ku rriten eksportet dhe ku Shqipëria fiton peshë ekonomike.

Së pesti, duhet një Autoritet i Pavarur Portual, me bord profesional, i shkëputur nga kapja politike, me transparencë të plotë të çdo kontrate koncesionare, me auditim ndërkombëtar të përvitshëm dhe me klauzola të detyrueshme sigurie kombëtare për çdo investitor të huaj.

Ata japin asete strategjike me vendime politike, për përfitime personale. Ne propozojmë institucione të pavarura, që i shërbejnë interesit kombëtar. Ata shohin portin si truall. Ne e shohim si trashëgimi, siguri dhe motor zhvillimi.

Porti i Durrësit është vazhdimësia e Dyrrahut, e rolit tonë në Adriatik, e lidhjes sonë me Perëndimin dhe e pranisë sonë në rrugët e mëdha tregtare të rajonit.

Ta kthesh këtë port në thjesht truall ndërtimi do të thotë të shkëputësh Shqipërinë nga një pjesë e kujtesës dhe rolit të saj historik. Prandaj për ne mbrojtja e Portit të Durrësit nuk është nostalgji. Është siguri, sovranitet dhe shtetformim.

Ky vizion nuk duhet të mbështetet vetëm mbi buxhetin shqiptar. Shqipëria mund dhe duhet të përdorë instrumentet euro-atlantike: fondet e Bashkimit Europian për ndërlidhjen, fondet IPA, bankat europiane të zhvillimit, si EBRD dhe EIB, si dhe komponentët logjistikë të NATO-s aty ku projekti ka funksion të dyfishtë civil dhe ushtarak. Por këto nuk mund t’i bëjë një qeveri e cila është ndëshkuar nga BE për keqpërdorim të fondeve të IPARDit dhe sot po pengon integrimin e vendit në BE. Ndërkohë, PD ka dhënë prova të qarta në të kaluarën për sa i përket investimeve strategjike konkrete si TAP, Kaskada e Devollit, apo ngjarjeve historike si futja në NATO. Kjo eksperiencë bashkohet në mënyrë sinergjike me vizionin që kemi për të ardhmen dhe parimet tona.

Propozimet tona flasin për një projekt që mund të ndërtohet me partnerët tanë natyrorë: Europën, Shtetet e Bashkuara dhe Aleancën Atlantike në tërësi.

Për këtë arsye, propozimi ynë konkret është ngritja e Komisionit Kombëtar të Interportit: një trupë ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë, e pavarur nga qeveria, me mandat të qartë gjashtëmujor për të hartuar masterplanin e plotë të Durrësit si portë strategjike e Shqipërisë.

Në këtë komision duhet të jenë ekspertë portualë, inxhinierë detarë, ekonomistë, ekspertë sigurie NATO, përfaqësues të sektorit privat dhe profesionistë shqiptarë brenda e jashtë vendit.

Kalojmë në këtë mënyrë nga klientelizmi te interesi kombëtar, nga betoni i pastrimit të parave, tek siguria dhe prodhimi, nga improvizimi te planifikimi i dekadave qw vijnë dhe mbi të gjitha nga pazaret e bodrumeve tek shtetformimi.

Shqipëria i ka mundësitë, i ka njerëzit, i ka aleatët dhe i ka asetet për të qenë nyje strategjike e Ballkanit Perëndimor. Ajo që i mungon është qeveria e duhur. Dhe pa dyshim qeveri jemi ne.

Faleminderit

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale