FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT JASHTË PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të Kushtetutës dhe shmangie të qëllimshme të interpelancave parlamentare, ndërsa komentoi edhe çështjen e zhvillimeve në Zvërnec dhe protestat qytetare. Gjatë një prononcimi për gazetarët jashtë Parlamentit, Berisha tha se Rama refuzon të paraqitet në interpelanca për shkak të skandaleve që, sipas tij, përfshijnë qeverinë. ‘Parlamenti që nuk mund të thërrasë në interpelancë kryeministrin nuk është më parlament. Transparenca është një detyrim absolut i qeverisë ndaj qytetarëve’, deklaroi kreu i PD-së.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha dënoi gjithashtu organizimin e takimit nga mazhoranca në Vlorë, që sipas tij është një ‘antimiting’ ndaj protestave qytetare në Tiranë. Sipas tij, një veprim i tillë përbën presion ndaj protestuesve dhe ngjan me praktika të periudhës komuniste. ‘U bëj thirrje qytetarëve të Vlorës ta refuzojnë me përçmim këtë antimiting. Nëse Rama vazhdon me këtë plan, do të përballet me reagimin e qytetarëve’, tha Berisha.
I pyetur për thirrjet e disa protestuesve pranë selisë së PD-së, të cilët akuzuan opozitën si të ‘shitur’, kreu i PD-së Berisha tha se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. ‘Çdo protestues ka të drejtë të thotë ç’të dojë. Por tipat e stisur si opozitë e opozitës janë mjerimi i politikës’, u shpreh ai.
Duke komentuar kundërshtimet ndaj projekteve të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha se dallimi mes opozitës dhe qeverisë qëndron te respektimi i standardeve dhe transparencës. Ai deklaroi se çdo zhvillim duhet të realizohet vetëm në përputhje me direktivat mjedisore të Bashkimi Evropian dhe me rregullat e programit Natura 2000.
‘Transparenca është zero. Nëse zhvillimi lejohet nga vlerësimet mjedisore sipas direktivave europiane, atëherë mund të vazhdohet. Nëse treguesit nuk e lejojnë, projekti nuk duhet të realizohet’, tha Berisha. Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për mungesë informacioni publik mbi projektin dhe theksoi se procesi duhet të jetë plotësisht transparent dhe në përputhje me standardet europiane.
FJALA E PLOTE:
Njëlloj si djalli nga temjani, nuk pranon në mënyrë absolute të paraqitet në asnjë interpelancë sepse është i zhytur kokë e këmbë në çdo aferë, në çdo çështje dhe qëndron mbi Kushtetutën në kundërshtimin më të hapur të Kushtetutës.
Neni 80 i librit themelor të shtetit parashikon, detyron kryeministrin dhe ministrat që kur të thirren në interpelancë në parlament të përgjigjen brenda 3 javëve.
Neni 80 i Kushtetutës nuk jep asnjë mundësi zëvendësimi apo delegimi të interpelancës.
Mirëpo siç e dini ju, kjo është një kohë jashtëzakonisht e ngarkuar ku skandalet rrokullisin njëri-tjetrin dhe ai nuk ia mban, që kur është gjetur në vorbullën e dosjes Balluku, ai nuk ka shkelur më në parlament përveç ditës kur votoi për mbrojtjen e Ballukut me imunitetit.
Dhe kjo e çon parlamentin drejt një finishi të turpshëm.
Parlamenti që nuk mund të thërrasë në interpelancë kryeministrin nuk është më parlament.
Ndaj e dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim, ku sot ai duhej të ishte duke dhënë shpjegime atyre dhjetëra mijëra qytetarëve të cilët bashkohen në një emërues të përbashkët, në kërkesën për transparencë.
Transparenca është një detyrim absolut i qeverisë ndaj qytetarëve, dhe jo vetëm i qeverisë, por i çdo individi, i çdo institucioni.
Dhe ky mendon se duke u fshehur, duke u larguar, duke ikur do i kapërcejë problemet.
Dhe siç e denoncova në parlament, unë i bëra një denoncim të fuqishëm thirrjes nga ana e tij të antimitingut në Vlorë si një formë presioni ndaj mitingjeve paqësore të qytetarëve të Tiranës, gjë e cila bën një akt të mirëfilltë stalinist, akt të mirëfilltë diktatorial, antidemokratik dhe kërkoj me urgjencë anulimin.
Nuk është e vërtetë se është festimi, sepse dekoratat e turpit i ndanë pardje.
Ju e patë se si të gjithë bosët e krimit të PS në Vlorë u dekoruan. Njëri pas tjetri dolën në skenë se po merrnin dekoratën e partisë.
Ky antimiting që është thirrur me punonjës nga Lushnja në Sarandë ka vetëm e vetëm si një goditje tërthor, siç bënte dikur Ramiz Alia që kërkonte të krijonte republikën e Vlorës dhe marrëzira të tjera.
U bëj thirrje qytetarëve të Vlorës të refuzojnë me përçmim dhe natyrisht PD dhe opozita e bashkuar do ketë qëndrimet e veta publike për antimitingjet e Edi Ramës.
Pyetje: Zoti Berisha, ditën e ndjeshme në fund të protestës qytetare për më shumë se 3 orë në kryeministri, protestuesit u ndalën edhe pranë selisë së Partisë Demokratike me thirrjet opozitë e shitur. Keni ju një përgjigje për ta apo një koment?
Sali Berisha: Absolutisht çdo protestues ka të drejtë të thotë ç’të dojë dhe askush nuk i ndërhyn.
Natyrisht nga protestuesi, qytetari i lirë dhe opozitarët e opozitës, këta të fundit janë shërbëtorë të qeverisë dhe kjo është tjetër.
Pra, çdo qytetar i lirë në opozitë ka të drejtë të hedhë sloganin që do, çfarë mendon, çfarë thotë.
Kurse tipat e stisur si opozitë e opozitës, ata janë mjerimi i politikës.
Pyetje: Zoti Berisha, kam edhe një pyetje që është më shumë e filozofisë politike sesa e debatit të ditës. Qeveria është pro ndërtimit në Zvërnec, opozita është pro ndërtimit në Zvërnec, ndërkohë që mijëra qytetarë janë kundër. Pse duhet që një qytetar të sjellë opozitën në pushtet kur për çështje madhore që ndajnë qytetarët, opozita ka të njëjta ide me qeverinë?
Sali Berisha: Jo… krejt gabim. Unë do flas në parlament kur të më vijë radha pas disa orësh…
Dallimi është absolutisht në këtë rast si dallimi që ekziston midis natës dhe ditës, midis territ dhe dritës, midis transparencës dhe errësirës.
Në qoftë se ne mbrojmë tezën se ne nuk bëjmë hipokrizi, mbrojmë tezën që në përputhje me direktivën europiane Natura 2000, dhe që unë kam besim të plotë se kjo direktivë është direktivë që plotëson të gjitha kërkesat e mjedisit… në qoftë se hapat bëhen në përputhje me direktivën europiane, unë mendoj se ato janë hapat e drejta.
Dhe unë nuk besoj se Shqipëria ka direktiva më të veçanta apo më rigoroze sesa direktiva europiane. Por dhe një gjë e saktë, duhet të dish, është shumë interesante. Direktivat për mjedisin të Bashkimit Europian janë të detyrueshme, në qoftë se lexoni, janë të detyrueshme si për vendet anëtare, ashtu dhe për vendet që ecin drejt anëtarësimit. Pra, janë njësoj sikur të ishte vend anëtar.
Tani, në qoftë se ka një gjë këtu, transparenca është zero… kur është për mua, imagjinoni se sa është për qytetarin. Sepse më është dashur të bëj shumë, shumë punë për të arritur të sqaroj një seri problemesh, dhe ato çka kam thënë, i kam thënë bazuar në parimet e përgjithshme.
Por tani vijmë tek pse është diferencë e madhe. Diferenca është e madhe sepse të ndërtosh në përputhje me kushtet ekologjike, me kushtet ekologjike, ndërton në zbatim të direktivës së Komisionit Europian.
Por tani për ta ditur, në rastin e peizazheve në natyrë që është kategoria e pestë e mbrojtur, direktiva europiane thotë: në qoftë se vendos ta zhvillosh, do të respektosh këto katër etapa, këto katër momente. Një nga momentet është Appropriate Assessment, vlerësimi i përshtatshëm. Pra, vlerësimi i përshtatshëm të përcakton një seri treguesish, të cilat ti do t’i vësh në tavolinë edhe t’i kontrollosh.
Në qoftë se këto tregues lejojnë zhvillimin në kushtet ekologjike, atëherë ti vazhdon. Në qoftë se këto tregues nuk e lejojnë, të thonë jo, nuk mund të bëhet pavarësisht se është peizazh, ti nuk mund ta bësh.
Ndaj dhe unë i qëndroj asaj. Nuk më duhen ato shembujt fare mua aty. Mua më duhet që në qoftë se kjo mund të zhvillohet në përputhje me direktivën, të zhvillohet në kushtet e respektimit të plotë të mjedisit.
Pra, krejt ndryshe nga qeveria.
A e patë ju? Merrni, shpërndajeni se si u zu ai aty me gazetaren e CNN. Një njeri i shfazuar, i kishte marrë ca viza aty dhe i thoshte… jo nuk bëhet fjalë… po për çfarë bëhet fjalë aty… si mund të thuash ti një zonë e rrethuar dhe ajo ia nxirrte edhe buldozerin, edhe gjembat, edhe të gjitha gjërat. ‘Jo, jo, jo nuk është duke u bërë fjalë për projekt’. Ky i çmendur, më fal, ky është i luajtur mendsh, i pamjekuar.
Pyetje: Si ka mundësi zoti Berisha që një opozitë nuk mbështet një protestë qytetare…
Sali Berisha: Jo, jo, mos ngatërro. Jo, mos ngatërro një gjë! Jo, mos ngatërroni një gjë! Atëherë ne e kemi shprehur, respektojmë të drejtën e çdo qytetari për protestë. E kam theksuar…
Pyetjet: E keni mbështetur këtë protestë ju, se qytetarët…
Sali Berisha: Për çdo protestë! Për çdo protestë, pikë! Mos e diskuto. Por nuk jemi ata ne që të marrim protestën e tjetrit. Atë s’e bëjmë kurrë! Ka një moral. Ka një moral, apo jo?
Edhe ne në çdo rast, ti nuk na ke parë ndonjëherë të dalim, absolutisht mbështesim çdo protestë të çdo qytetari, por ne autorësi nuk i marrim kujt. Se kjo është amorale. Kjo është amorale. Po e ndjekim, në qoftë se ky shkon e i bën anti-miting në Vlorë, ai do përballet me ne atje.
Se kjo është vija e kuqe. Kalon çdo vijë pastaj aty. Dhe të zgjedhë ky një qytet se ‘ai është kryeqyteti…’.
A e dëgjoje çfarë i thoshte asaj aventurierja aty? ‘Është kryeqyteti i Partisë Socialiste, Vlora’, thoshte ai atje.
Pyetje: Me çfarë do përballet në Vlorë?
Sali Berisha: Qytetarët do t’i tregojnë në Vlorë se si do përballet! Unë të them të mos lëvizë se kjo është e turpshme. Nuk lëvizet me miting, anti-miting.
Këtë e bënte Ramiz Alia, e bëri kur rrëzuam shtatoren e Enver Hoxhës, dolën vullnetarët e Enverit dhe rrëmbyen armët dhe thanë do shpallim Vlorën republikë. Lexoni, Republika e jugut me kryeqytet Vlorën. Dolën vlonjatët, ia bllokuan urën e Mifolit, edhe i lanë të rraskapitur mezi hynë në Vlorë. Kjo do t’i ndodhë edhe Edi Ramës.
Pyetje: Pra i keni rënë pishmanit për anti-mitingjet e ’97-ës?
Sali Berisha: Asnjë anti-miting s’kam organizuar në ’97-ën, absolutisht. Kam bërë fushatë elektorale në mes të plumbave. Jo anti-miting, më vjen keq. Shko e shihi, banditët gjuanin me kallashnikov, unë vazhdoja fjalimin.


