KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediat, dha një pasqyrë të aktiviteteve të fundit të Partisë Demokratike në nivel ndërkombëtar. Ai theksoi pjesëmarrjen aktive të PD në konferencën rajonale të Partisë Popullore Europiane (PPE), e mbajtur në Podgoricë, ku u diskutua për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Berisha denoncoi regjimin aktual në Shqipëri, duke e quajtur atë një narkodiktaturë dhe duke e akuzuar qeverinë për shndërrimin e zgjedhjeve në farsë. Ai theksoi se PPE ishte informuar për situatën e Shqipërisë dhe rrezikun që ky regjim përbën për rajonin dhe Europën. Lideri demokrat bëri të ditur se kishte zhvilluar bisedime me drejtues të PPE dhe përfaqësues të partive të tjera, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë PD. Ai nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve të forcës së tij politike me PPE dhe partitë simotra. Berisha garantoi shqiptarët për përpjekjet e mëtejshme për të sjellë përpara përgjegjësisë ata që transformuan Shqipërinë në një ‘narkoshtet’.
Lideri demokrat, Sali Berisha tha në konferencën me gazetarët se situata ekonomike dhe sociale në Shqipëri ka qenë prej kohësh një shqetësim i madh për qytetarët, të cilët përballen me sfida të shumta, nga pagat e ulëta deri te kostoja e lartë e jetesës. Ndërsa sipas Berishës, premtimi për rikthimin e parave te shqiptarët dhe përmirësimin e kushteve të tyre jetësore është kthyer në një mesazh që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha nuk nguroi të komentojë dhe pritjen entuziaste në Shkodër, ku sipas tij, u prezantua një platformë e cila synon rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e taksave dhe çmimeve të energjisë dhe karburantit, si dhe një menaxhim më të drejtë të fondeve publike.
Në konferencën me gazetarët, Berisha, theksoi angazhimet e tij dhe të partisë për të adresuar disa prej çështjeve më të rëndësishme për Shqipërinë. Ai u shpreh se, si një lider i njohur për përmbushjen e premtimeve, ka dhënë tre angazhime kyçe për të ardhmen e vendit. Ai garantoi një qëndrim të ashpër ndaj krimit të organizuar dhe premtimi për projekte infrastrukturore të rëndësishme që do të fillojnë sapo qeveria e tij të vijë në pushtet. Në fokus të planit të tij ishte edhe zhvillimi i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, duke i dhënë theks zhvillimit të infrastrukturës dhe avancimit të teknologjisë. Këto nisma, sipas tij, do të kontribuonin në krijimin e një Shqipërie më moderne dhe konkurruese në nivel global.
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ndaj ftesës së kryeministrit Edi Rama për deputetin Dashnor Sula, duke e konsideruar këtë një tregues të qartë se lëvizja e tij drejt Lapajt ishte një zgjedhje e gabuar. Sipas liderit të demokratëve, deklaratat e Ramës dëshmojnë se alternativa e re opozitare nuk është gjë tjetër veçse një mbështetje e fshehtë për qeverinë. Ai cilësoi këtë zhvillim si një konfirmim të faktit se Lapaj dhe grupi i tij nuk përfaqësojnë një ndryshim të vërtetë, por janë ‘paterica të Ramës’.
Kryetari i PD ka komentuar pas pyetjes së një gazetari edhe gjestin e Nokës me gisht në seancën e fundit të kuvendit. ‘Flamuri mund të mos e bënte atë gjest’, tha kreu demokrat duke shtuar se, ‘ai e di se ata kuptojnë më mirë se gjithçka tjetër gjuhën afrodiziake’.
Në konferencën për shtyp, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu me entuziazëm besimin se aleanca që ai udhëheq është themeli i një Shqipërie madhështore. Ai e përshkroi këtë aleancë si një program të paprecedentë, që, sipas tij, do të sigurojë një të ardhme të ndritur për vendin. Berisha theksoi se ky program përmban katër shtylla të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin ekonomik, pastrimin nga krimi, ndërtimin e një shteti të fortë dhe avancimin në fushën e teknologjisë.
Ai rikujtoi aktet historike që kanë shënuar kalimin e Shqipërisë nga diktatura në pluralizëm, si dhe anëtarësimin e vendit në NATO, duke i cilësuar ato si momente madhështore. Lideri i PD-së kritikon ashpër aktualitetin politik dhe thekson se pastrimi i vendit nga bandat dhe korrupsioni është një prioritet. Berisha gjithashtu përmendi lidhjet e qeverisë me krimin dhe akuzoi disa ministra të saj për implikim në skandale.
Në konferencën e zhvilluar këtë të mërkurë me gazetarët, lideri i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si ‘gënjeshtarin më të madh’ dhe ka kritikuar qeverisjen e tij për vonesat dhe mashtrimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha theksoi gjithashtu se, ndonëse Rama premtoi hapjen e negociatave në 2017, ato u realizuan vetëm pas tetë vitesh, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh ndaj shqiptarëve. Ai shtoi më tej se për qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, integrimi në BE do të jetë objektivi kryesor, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme, në kundërshtim me premtimet bosh të qeverisë aktuale.
Lideri i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si ‘gënjeshtarin më të madh’ dhe ka kritikuar qeverisjen e tij për vonesat dhe mashtrimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha theksoi gjithashtu se, ndonëse Rama premtoi hapjen e negociatave në 2017, ato u realizuan vetëm pas tetë vitesh, duke e cilësuar këtë si një mashtrim të madh ndaj shqiptarëve. Ai shtoi më tej se për qeverinë e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, integrimi në BE do të jetë objektivi kryesor, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve të nevojshme, në kundërshtim me premtimet bosh të qeverisë aktuale.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar ashpër skandalin e lidhur me ndërtimin e hotelit më luksoz në Durrës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me Edi Ramën dhe familjen e tij. Ai theksoi se Olsi Rama, vëllai i Edi Ramës, ishte aksioneri kryesor i këtij projekti, dhe se ai e kishte denoncuar këtë fakt disa herë në të kaluarën.
Berisha u shpreh se, Erion Veliajn dhe Maznikun, janë të lidhur ngushtësisht me këtë skandal, ndërsa vuri në dukje se Rama ishte personi i drejtpërdrejtë që drejtonte të gjithë procesin. Ai e cilësoi si akt ekstrem kthimin e parave të konfiskuara për kompaninë ‘5D’, duke e konsideruar këtë veprim si dëshmi të lidhjes së Ramës me korrupsionin dhe krimin. Berisha u shpreh se dosja e këtij skandali u dërgua në gjykatë pa akuzuar asnjë prej personave të përfshirë, përfshirë Veliajn, Maznikun dhe Ramën.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët, e cilësoi Ramën si një ‘kufomë politike’, duke e akuzuar për humbje të mbështetjes dhe përpjekje të dështuar për të mbajtur pushtetin. Berisha theksoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në katër muajt e fundit, duke e përshkruar Ramën si një figurë qesharake dhe të paqëndrueshme. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të veprojnë dhe të kërkojnë largimin e Ramës, duke theksuar se fundi i tij politik është i paevitueshëm.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri demokrat shpalosi disa nga masat që ai garanton të realizohen në 100 ditët e para nëse PD rikthehet në pushtet. Sipas tij, do të miratohet një ligj që garanton se ilaçet që shiten në Shqipëri do të jenë të njëjtat që shiten edhe në dy vende anëtare të BE, për të siguruar cilësinë më të lartë për qytetarët shqiptarë. Berisha premtoi gjithashtu se kostot e paketës së rimbursimit do të mbulohen nga qeveria.
Ai i akuzoi Vilma Nushin dhe Tom Doshin për shitjen e ilaçeve nën standard dhe tha se ata do të humbasin çdo licencë dhe do të ndëshkohen. Lideri i PD-së përmendi gjithashtu çështjen e tokave e Nushëve në Vuno dhe Dhërmi, duke paralajmëruar se ndërtimet dhe tokat do të konfiskohen dhe se ka prova për falsifikimet që janë bërë në këtë proces. Ai u angazhua të sjellë dokumentet që dëshmojnë këtë plaçkitje dhe krim.
Kryedemokrati Sali Berisha i ka bërë thirrje Kongresit Amerikan dhe FBI, për një hetim për korrupsionin e mundshëm të ambasadores Yuri Kim. Në konferencën me gazetarët, Berisha shprehu gatishmërinë për të ofruar informacionet që ka në dispozicion lidhur me këtë çështje, duke theksuar se ka akuzuar publikisht ambasadoren si të përfshirë në korrupsion dhe ka kërkuar që të bëhet një hetim i plotë.
I pyetur nga gazetarët, kryetari i opozites Sali Berisha komentoi afrimin mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, duke e cilësuar atë si një ‘dashuri të fshehur’ që tani është bërë publike. Ai tha se kjo marrëdhënie ka kaluar nëpër faza, nga ajo latente deri tek dalja hapur në publik. Sipas tij, nuk ka asgjë të re në këtë zhvillim, pasi ai e kishte paralajmëruar më parë. Me një ton sarkastik, ai uroi që kjo lidhje të forcohet edhe më shumë, duke përfunduar me frazën: ‘Zoti ua shtoftë.’
FJALA E PLOTE:
Në Podgoricë, nën drejtimin e presidentit të Partisë Popullore Europiane, zotit Manfred Ëeber, u zhvillua konferenca rajonale e PPE me një pjesëmarrje të gjerë paneuropiane.
Në këtë konferencë, kushtuar Ballkanit Perëndimor, PD mori pjesë aktive.
Në panelin e hapjes së konferencës, paraqita me të gjithë shëmtinë e saj narkodiktaturën e Shqipërisë si regjimi i parë i instaluar në shekuj në Europë.
Unë informova PPE se njeriu që shëtit me atlete të bardha në samite ndërkombëtare dhe paraqitet si liberal sportist apo piktor, pavarësisht se i dështuar në të dy aspektet, brenda në Shqipëri është një njeri që nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetutë, as vendime të Kushtetutës, asgjë.
Është një narkodiktator i llojit të tij, i cili vazhdon dhe aplikon terrorin politik.
Aplikon shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, pra përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.
Fjala u ndoq me shumë interes, natyrisht theksoj edhe njëherë se Europa në shekuj ka parë të gjitha llojet e diktaturave, përveç narkodiktaturës.
Garantoj shqiptarët se kjo përpjekje e rëndësishme që u bë dje ka filluar të ketë një rezonim të madh dhe të vërtetë dhe do vazhdojë gjer në vendosjen para përgjegjësive ligjore të të gjithë atyre që shndërruan Shqipërinë nga shtet ligjor në narkoshtet.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, u krijua mundësia të bisedoj me presidentin e PPE, Ëeber, me drejtues të tjerë të kësaj partie, me mikpritës lokalë dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.
Unë e shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen presidentit Ëeber për ftesën dhe interesin dhe kujdesin që ai tregon për PD në Shqipëri dhe zhvillimet në Shqipëri.
Ju jeni dëshmitarë, janë tre rezoluta ndërkombëtare, të cilat janë votuar nga PPE, IDU dhe CDI.
Pra, ka një ndryshim, ka një zhvillim dramatik pozitiv në marrëdhëniet e PD me PPE dhe partitë simotra.
Aty takova dhe pata bisedë me zëvendëspresidenten e Forza Italia, Debora Bergamini, një mikeshë e vjetër, që ka qenë asistentja e parë e Silvio Berluskonit.
Pati edhe përfaqësues të partive të tjera me të cilët biseduam për bashkëpunimin mes forcave tona politike.
Pra, mesazhet e Podgoricës janë mesazhe mbështetje të plotë për PD dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Nga Podgorica, siç e patë, u ktheva në një miting, më i zjarrti qëka njohur pallati i sportit i Shkodrës që kur janë hedhur themelet e tij gjer sot.
Kam qenë në atë pallat shumë herë, por entuziazmin, optimizmin dhe energjinë që ndjeva gjatë atij takimi, nuk e kisha parë asnjëherë.
Paraqita deputetë të shkëlqyer para atyre qytetarëve të mrekullueshëm dhe i gjeta të vendosur më shumë se kurrë qytetarët e Shkodrës dhe të qarkut të votojnë PD-në dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë.
Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnë e më shumë.
Minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 përqind, rritja e rrogës minimale me 20 përqind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv.
Çdo ditë unë marr pyetje nga njerëz të braktisur, njerëz në nevojë.
Një nënë më drejtohej: jam me dy fëmijë, a do përfitoj unë për fëmijët jetimë. Do përfitojë 200 euro për fëmijë.
Po, fëmijët jetimë do të përfitojnë 200 euro që të gjithë.
Nuk mund të ketë më shqiptarë të agresuar nga varfëria ekstreme.
Jo!
Kjo merr fund.
Nuk mund të ketë shqiptarë me çerek pensioni, gjysmë pensioni apo dy të tretat pension. Do ketë shqiptarë me 200 euro.
Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë.
Kompensim për TVSH që paguajnë.
Energjia do zbresë në 7 lekë.
Nafta do zbresë në çmimet që ka Kosova.
Pra, kjo paketë që e quajmë paketa e dhembshurisë dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët se atyre u merren taksat dhe ne do ua kthejmë atyre.
Ne nuk do shpenzojmë 130 milionë euro për djegësin që nuk ekziston.
Kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite. Jo, do udhëtojë me linja tregtare.
Nuk do blihen kopshte Edeni 5 milionë euro, një çmenduri e paimagjinueshme, sikur është Sulltani i Surrelit. Jo, do kthehen në pensione.
Nuk do shtrohen darka dhe dreka me shishe vere 33 mijë euro. Jo dhe jo, asnjëherë.
Nuk do ndërtohen rrugë me 10fishin e çmimeve, paratë do u kthehen shqiptarëve, do u jepen rroga, pensione, kompensim i TVSH e me radhë.
Ky është vetëm fillimi.
Ky start nuk ndalet gjersa shqiptarët të dalin në krye të vendit për rrogat dhe pensionet.
Ky është preokupimi ynë, ky është zotimi ynë.
Prandaj ju patë atë takim aq të zjarrtë në pallatin e sportit në Shkodër.
Qytetarëve do u kthejmë paratë.
Do presim me gërshërë dorën që do guxojë të prekë paratë e tyre.
Natyrisht nuk mund të mos them se kishte një rëndësi të veçantë edhe fakti se Sali Berisha është i njohur për mbajtjen e padiskutueshme të premtimeve dhe unë u zotova aty tre gjëra.
-Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Jo vetëm ata që nxorën autokolonën më 13 maj, por edhe Beneti që hipte mbi tanket e tyre të blinduara, ata do dënohen të gjithë sipas ligjit.
-Autostrada Shkodër-Milot dhe bajpasi i Elbasanit do jenë dy veprat e para publike që do ndërtojë qeveria e ardhshme dhe do nisë punimet sapo të vijë në pushtet.
-Zgjerimi i rrugës së Muriqanit dhe investime të tjera, por unë u ndala në këto objekte kryesore.
Prandaj ky është edhe fakti se pse Shkodra dhe shkodranët e kanë pritur me entuziazëm idenë e Shqipërisë Madhështore, e cila fillon me paketën e dhembshurisë dhe pastaj vazhdon me Made in Albania dhe projektet e mëdha, Shqipëria thellësisht high-tech.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Andon Kello, ABCNews: Një thirrjeje tuaj për deputerin Dashnor Sula, ju përgjigj me refuzim për të ju bashkuar listave të PD, madje duke theksuar se edhe partia ku do të shkonte e Lapajt, është një kurth i juaj për të mbledhur vota të djathta që ju nuk i mblidhni dot. Vetëm 2 orë më parë, Rama e ka ftuar publikisht Sulën ti bashkohet PS-së.
Sali Berisha: Së pari, Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD. Eksplorimi, se njeri të pagabueshëm nuk ka, ideja e tij për të gjetur strehë tek Llapaj, e mori përgjigjen sot nga Rama.
Rama i thotë atij, sa shkon tek Llapaj, hajde tek unë se është njëlloj, po unë të paktën jam unë padroni. Pra, në këto deklarata shihet se sa e gabuar ka qenë përzgjedhja që bëri Dashi me Llapajn. Sepse ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës.
Andon Kello, ABCNews: Numri 2 i PD, ironizoi me numrin 5 të PS, duke u treguar gishtin e mesit atyre që do të votojnë për PS. Çfarë kuptimi ka tu tregosh qytetarëve gishtin e mesit për të votuar një parti politike lirisht.
Sali Berisha: Bën një keqinterpretim ti aty, ishte krejtësisht tjetër. Pastaj, Flamuri mund të mos e bënte atë gjest, por Flamuri i njeh ata se gjuha e tyre është gjithnjë afrodiziake.
Ai e di se ata kuptojnë më mirë se gjithçka tjetër gjuhën afrodiziake. Kjo ishte, kështu e interpretova unë atë.
Andon Kello, ABCNews: Sa madhështore është aleanca juaj, pa Selami Jenisherin.
Sali Berisha: Aleanca jonë është madhështore për Shqipërinë madhështore. Është programi për Shqipërinë madhështore që e bën aleancën madhështore. Pra, ai është një program që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë në historinë e saj përpara. Kalimi nga diktatura në pluralizëm, që e realizoi PD dhe Lëvizja Studentore, ishte një akt madhështor.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një akt madhështor. Por këto ishin akte. Shiqpëria duhet të jetë tani tërësisht madhështore. Dhe madhështia e Shqipërisë, siç e kam shpjeguar, bazohet në katër shtylla kryesore. Bazohet në paketën e dhembshurisë.
Bazohet në Made in Albania, që do të thotë ekonomi, ekonomi, ekonomi apo prodhim, prodhim, prodhim. Do të thotë klima më miqësore për biznesin në Europë dhe më gjerë. Prodhim do të thotë punësim. Ne do e bëjmë prodhimin krenari kombëtare. Shtylla tjetër është pastrimi i Shqipërisë. Nuk mund të bëhet Shqipëria madhështore kur ligjin e bëjnë bandat, kur Shkodra përgjaket çdo muaj, kur Elbasanin e dikton Suel Çela, kur Durrësin e dikton Xhevdet Troplini. Nuk bëhet dot Shqipëria me banda madhështore, bandat kanë vetëm një vend, në burg, në burg dhe vetëm në burg. Aty ku e kanë vendin. Imagjino ti një Shqipëri ku qytetarët ndjehen të lirë, ndjehen zotër të pronës së tyre, punës së tyre.
A është kjo e largët? Jo, absolutisht. Se kështu më thonin edhe në vitin 2005, si do ia bësh ti këtyre? E provuan se si ua bëra. E provuan kudo që ishin, nga Ankaraja, në Gjermani, Amerikë erdhën dhe morën dënime përjetë që i liroi Edi Rama. Nuk kanë shans t’i shpëtojnë ligjit. Nuk kam taktikën e Edi Ramës që të hanë kokat e njëri-tjetrit. Do dalin të gjithë para ligjit.
Por jo vetëm ata, padronët e tyre qeveritarë me pushtet njëlloj.
Cili është më kriminel, Bahri Bajri që mbledh vota për Benet Becin me autokolonë të blinduar apo Beneti që merr mandatin e votave të krimit? Ndahen hesapet tani. Pastrimi i Shqipërisë është një kusht. Po të hysh ti vetëm në intrigën e tmerrshme që është bërë me Erion Veliajn, aty është një krim horror. Erion Veliaj i meriton të gjitha, por horronin që i organizojnë aty me Xhevdetin, me Ulsi Manjën. Bëhet ministri kalec, zbaton urdhra me Maznikun.
Sepse njeriu edhe në burg po të jetë, ai gëzon të drejtat e tij. Unë e mora vesh që u tha dje, nuk e di a e tha Skapi apo jo, që kanë marrë autorizimin e gjykatës për përgjimin e tij, në qoftë se e kanë marrë, janë në rregull, por implikimi i ministrave…
Ç’punë ka Mazniku aty? Ç’punë ka Ulsi Manja aty? Pse bëhen këto gjëra? Se janë botë krimi. Se normalisht ata duhet të thonë, të lëmë prokurorinë. Ai vetë është një delinkuent shumë i rrezikshëm. A mund të imagjinoni që ai të japë porosi që të kërcënohet djali i këtij dhe atij? Ai vetëm për këto meriton një dënim suplementar shumë të fortë me udhëzimet që jep nga qelia. Po prapë implikimi i gjysmës së qeverisë në proces është i papajtueshëm me rregullat e një shteti normal. Por ky është narkoshtet.
Pra, do pastrohet shtëpia. Shtylla e katërt është Shqipëria epiqendër e teknologjisë më të lartë. E dataqendrave, e blockchain, e kriptomonedhave, inteligjencës artificiale, e internetit 3, pra e teknologjive më të larta. Dhe Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. Shumëfishim i prodhimit të energjisë nga dielli, era, uji dhe gazi.
A nuk janë këto projekte madhështore? Në qoftë se ato ishin një nga një, këto janë të shumta. Po ta marrësh ashtu, historia e pasluftës së dytë botërore nuk gjen një forcë politike si PD. Ku është ai që sulmoi PD-në, që donte ta vendoste nën kontroll dhe ta shkatërronte? PD është sot këtu ku është, kurse ai është non-grata në vendin e tij. Mos harro.
Është epike, nuk ka gjë më madhështore por unë nuk merrem me këtë tani.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Gjatë javëve të fundit Rama ka deklaruar se PS, është e vetmja forcë politike që mund të fusë Shqipërinë në BE. Nga ana tjetër, Brukseli bën me dije se shtyn pa afat çeljen e dy grup kapitujve duke e lidhur këtë gjë me progres raportin për zgjedhjet parlametare të 11 majit. Si i shikoni këto dy ngjarje?
Sali Berisha: Më i ligu ndër të ligjtë është gënjeshtari. Në klubin e të këqinjve, më i keqi është gënjeshtari dhe nëqoftëse ju merrni Edi Ramën nga 2013 e gjer sot, ju garantoj se në të gjithë globin tokësor nuk do të gjeni një gënjeshtar të dytë si ky.
Së pari, jeni dëshmitar se si zotëria i tij në 2017, hapi shishet e shampanjës, hodhi me qindra fishekzjarre, dekoroi ambasadorë dhe komisionerë, për hapjen e negociatave. A është kështu apo jo. Bëri mashtrimin më groteks, më groteks të shqiptarëve; negociatat u hapën. Negociatat nga 2017 defakto u hapën vetëm para 3-4 muajve.
Pra pas 8 vitesh negociatat nga dita që Edi Rama festoi me fanfare, me tam tame, me dekorata, me shampanjë me fishekzjarre, morën 8 vite për tu hapur.
Tani ca thotë? Pasaportën e prodhuar nga qeveria e mëparshme, e nxjerr thotë pasaporta Europiane në vitin 2030. Shiko ku e ka nashtrimin, ai nuk thotë dot në vitin 2029, se e di që nuk do të ndodhë, sepse e di që nuk do ndodhë, e çon në vitin 2030 përtej mandatit që përpiqet të grabisë vetëm për të mashtruar shqiptarët.
Unë isha në Podgoricë, ajo audiencë u trondit nga ajo që dëgjoi me fakte. Unë i them Edi Ramës se nuk ke parë gjë akoma, është vetëm fillimi. Kur unë kam deklaruar këtu para jush dhe para botës se Shqipëria nuk plotëson asnjë ktriter, veç kriterit gjeostrategjik e kam bërë me përgjegjësinë më të plotë dhe unë do të ja faktoj kujtdo, edhe shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se kjo është një e vërtetë e pamohueshme.
Ndaj Edi Rama e dorëzon në 12 maj dhe i garantoj shqiptarët se për qeverinë tonë të ardhshme, objektivi numër 1 do të jetë integrimi i Shqipërisë ne BE. Interesi kombëtar më madhor do të jetë integrimi i Shqipërisë në BE, me një dallim themelor, i bazuar në meritë dhe në asgjë tjetër.
Procesi i bazuar në meritë i dha Shqipërisë marrëveshjen e stabilizim asociimit, i dha Shqipërisë heqjen e vizave, i dha Shqipërisë rekomandimin nga Komisioni Europian i statusit kandidat, i dha Shqipërisë ftesën në NATO, i dha Shqipërisë anëtarësimin në NATO. Ka vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është të plotësosh standardet dhe kriteret e procesit të anëtarësimit si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Ndaj dhe përshëndes vendimin që kanë marrë, i garantoj se ylli polar, nordi i qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Madhështore, do të jetë integrimi i bazuar në meritë i Shqipërisë në BE.
Me Edi Ramën nuk ka integrim. Me Edi Ramën ka mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Nga një anë kompania ‘5D’ ka marrë së fundi 500 mijë euro nga bashkia e Tiranës edhe pse janë arrestuar drejtorët dhe është nën sekuestro. Nga ana tjetër, referuar një deklarate të koleges tonë gazetare, Veliaj është shprehur se; ministri që ma bëri kështu, nuk e fal për 7 breza, do ta shkrij. Për kë bëhet fjalë dhe si i shikoni këto pagesa që kalojnë te ‘5D’ akoma.
Sali Berisha: Është një vendim i djeshëm ky, aktakuza më e madhe për Edi Ramën, është akti që dëshmon para çdo shqiptari se njeriu prapa ‘5D’ është Edi Rama.
Kthehemi këtu bashkë kur doli çështja. Informata nga personel që merrej me hotelin më luksoz që ndërtohet në Durrës, erdhën se aksioner kryesor në këtë hotel është Olsi Rama, pra është Edi Rama dhe unë ua thashë ju këtu dhe unë e denoncova 2-3 herë këtë fakt.
Tani çfarë ndodh? Erion Veliaj padyshim që ishte përgjegjës dhe ai në ‘5D’ dhe i zhytur thellë. Në fakt ishte Mazniku më shumë. Një fakt duhet ta dini dhe ju. Nëqoftëse midis Veliaj dhe Ramës kishte një marrëdhënie si midis një servili, por dhe rivali të pabesë, njeriu i direkt i Edi Ramës në bashki ishte Mazniku.
Mazniku ka firmën 3-4 herë tek ‘5D’ si autoritet kontraktues, e ka dhe Erioni në 2-3 raste. Tani çfarë ndodhi? A e dini ju çfarë është ai 200 mijë eurosh? Është shumë interesant. Ai 200 mijë euro është një pagesë që përfaqëson një fond të ngurtësuar, të cilat kompanitë janë të detyruar ta ngurtësojnë si punë sigurie, gjersa përfundojnë objektin dhe e marrin mbrapsh kur përfundon objekti. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e kiostudios.
Por ‘5D’ nuk ka përfunduar as gjysmën e punimeve, se është bllokuar dhe Edi Rama dje për të ua mbyllur gojën drejtorëve u dërgoi paratë që janë të konfiskuara dhe ato. Pra Edi Rama kreu një akt ekstrem. U ktheu paratë kompanisë së inkriminuar ‘5D’, duke dëshmuar, Erion Veliaj nga burgu, nuk ua kthente dot paratë, tani kryetar defakto i bashkisë është Rama. Tani del se ‘5D’ është kompani me padrino kryesor Edi Ramën.
Ndaj dhe e dërguan dosjen në gjyq pa asnjë akuzë për Erion Veliajn, pa asnjë akuzë për Maznikun dhe pas asnjë akuzë për Edi Ramën dhe Olsi Ramën.
Ermal Rizaj: Kush është ministri …
Sali Berisha: Është Uluziu. Uluziu shkoi i futi, i tha merre telefonin, ai i dha helmin. Atij mirë ja bënë, po ti besosh Uluziut, që është standarti më …
Osman Stafa, News24: Gjatë mosbindjes civile të PD të udhëhequr nga ju keni deklaruar se, me Ramën kryeministër nuk shkohet në zgjedhje, pra PD nuk shkon në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe për këtë kërkuat edhe qeveri teknike. Sa kohë këto nuk janë realizuar dhe qeveria teknike nuk është pranuar, a do e pranojë PD dhe Sali Berisha zgjedhjet e 11 majit?
Sali Berisha: Tani, që të jem i sinqertë, këto 4 muaj kanë ndodhur ndryshime aq të mëdha, saqë Rama është shndërruar pothuajse në një kufomë politike. Në qoftë se ke parasysh ti se ku ishte PD dhe ku është sot, ndryshimi është si nata me ditën.
Aleanca me ata që kanë 26 përqind të votave të shqiptarëve është goditja e dytë më e madhe që ka marrë Edi Rama. Prerja e kokës së gjarprit Soros, që detyroi Edi Ramën të fshijë të gjitha fotot dhe detyroi Aleksin ta tallë duke i ripublikuar me kërkesë të popullit, thoshte Aleksi.
Përpjekjet e tij, kërcënimet e tij se do e shohësh ti nga Trump e kanë shndërruar Edi Ramën në një figurë qesharake, komike.
Një ditë merret me gjumin e Lulit, një ditë merret me Halit ballistin, thotë ballisti u dashurua me ne, për Halit Valterin. Ditën e tretë kthehet prapë tek Luli, a u zgjove apo nuk u zgjove dhe pastaj shkon e zhytet në kënetë, në xhungël, tek bretkosat, zhabat, hardhucat, gjarpërinjtë.
Pra, a mund t’i thuash këtij kryeministër? Nuk i thua dot kryeministër. Në fakt është i pakallur. Dhe në fakt, do marrë atë që meriton. Edi Rama ka marrë fund. Qytetarët po i presin biletën atij. Po, kanë qenë ato fjalë, por kanë qenë të gjitha para këtyre zhvillimeve. Po Chris LaCivita? E shkatërroi. Kukull e Xhorxh Sorosit. Erdha këtu për të vazhduar punën e Trump.
A shkallmoi ai dy ditë pas kësaj deklarate? Imagjino po të mos i binte me grusht tavolinës, por me kokë, ku do ishte? Imagjino që ajo humbje kontrolli nuk shfryhej me grusht, por me kokë.
Lëre mos e pyet. Shif e shkruaj!
Osman Stafa, News24: Përpara vitit 2013, në Shqipëri nuk hynin medikamente që nuk tregtoheshin në BE. Pas vitit 2013 me ardhjen e qeverisë socialiste, ky vendim ndryshoi ç’ka bëri që nga Shqipëria të largoheshin shumë firma të rëndësishme të medikamenteve dhe duke lënë një treg të lirë për medikamente që vinin nga vende të ndryshme. Nëse ju do të vini në pushtet, a do ta riktheni përsëri këtë situatë siç ishte para 2013, pasi ka shumë qytetarë të cilët ankohen për cilësinë e medikamenteve, madje i marrin jashtë se nuk besojnë tek cilësia.
Sali Berisha: 100 ditët e para, garantoj çdo qytetar shqiptar, se: Një, votohet ligji në parlament në të cilin përcaktohet se në Shqipëri nuk mund të shitet asnjë ilaç që nuk shitet në të paktën dy vende anëtare të BE si garanci që qytetarët shqiptarë do marrin ilaçet me cilësinë më të lartë.
E gjithë kostoja në paketën e rimbursimit do paguhet nga qeveria për këtë lëvizje.
Dy vetë procedohen, Vilma Nushi dhe Tom Doshi humbasin çdo licencë dhe shitja e ilaçeve që kanë bërë ata jashtë standardeve do u rikthehet në masa ndëshkimore shembullore, pasi mali, po t’i bëje dhimbjet njerëzore për shkak të ilaçeve që nuk veprojnë, arrijnë një mal i tërë.
E keni parë ju në Vuno fshatin pa leje të Vilma Nushit? Nushët në të gjithë dokumentet ishin varfanjakë. Edhe stërgjyshi i Ramës, që tani na del pronar, kishte 4 dhi me dokumente. Thomai kishte 4 dhi në vathë.
U vërsulën tek tokat, absolutisht do t’u merren toka e ndërtime e çdo gjë.
Paralajmëroj të gjithë ata që do blejnë në fshatin Rama-Nushi, Nushi-Rama do u konfiskohen vilat.
E kemi thënë, auditi i përgjithshëm ka të dhëna të reja shumë interesante që do ua paraqes unë këtu për plaçkitjen që bëri Rama me Nushët tokave në Dhërmi.
Do ua sjell këto dokumentet.
Të shihni ju se çfarë falsifikimesh janë bërë, do çuditeni.
Anisa Kadesha, RTSH: A keni një koment në lidhje me lajmin e publikuar në media një ditë më parë për shkarkimin e Yuri Kim nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sali Berisha: Nuk kam asnjë lajm të sigurtë, përveç lajmeve që janë botuar, se ajo është shkarkuar ose jo. Ajo çfarë unë them, ajo në deklaratat e mia ka qenë diplomate e korruptuar dhe unë kam ftuar FBI-në, kam ftuar Kongresin të hetojnë për korrupsionin e saj dhe ato informacione që unë disponoj, jam i gatshëm të ua vë në dispozicion.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ditët e fundit kemi parë një dashuri mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ku kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin, ku i bëjnë dedikime ‘ku je ti’, e ‘ku është tjetri’. Si e shikoni këtë dashuri të të dy kundërshtarëve tashmë, pasi dhe Bashën e keni shpallur armik.
Sali Berisha: Tani, atë që e kishin të fshehur e nxorrën hapur. Kaq mund të them. Se dashuritë janë me faza. Kanë fazën latente, e kanë fazën publike etj. Nuk ka gjë të re.
E kishin ata dhe dolën publikisht. Zoti ua shtoftë.