“Këto janë zgjedhjet e jetës sonë”. Berisha nga Tropoja: Merr fund diskriminimi i Veriut. Do të ndërtojmë autostradën e Bregut të Drinit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALIBERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR BASHKINË TROPOJË, BESNIK DUSHAJ

Ekstrakt

Kryetari i PD i ka cilësuar si më të rëndësishmet që nga 1992 zgjedhjet e 14 majit, dhe u ka kërkuar demokratëve në Tropojë dhe gjithë Shqipërinë angazhim të palodhur. Ai i ka konsideruar si skema vjedhjeje pedonalet e Edi Ramës në qytetet e Shqipërisë, të cilat kanë kushtuar 2.3 miliard euro sikur të ishin shtruar me gurë të çmuar. Duke folur për plagën e shpopullimit e cila e ka dëmtuar Tropojën me një mpakje të popullisë me 40 përqind, Berisha theksoi se “Edi Rama dhe regjimi i tij, ka krijuar kushte të kalkulueshme që shqiptarët të braktisin Shqipërinë. Dhe ky quhet gjenocid”.

Kryetari i PD ka folur edhe për alternativën e forcës që drejton duke thënë se në katërvjeçarin e parë të qeverisjes do të ndërtohet Autostrada e Breg Drinit, lidhja me hekurudhë me Kosovën, si dhe dhënia e dyshtetësisë shqiptare për kosovarët. 

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetare të Bajram Currit dhe Gjakovës.

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj. Një mirë njohje të pakufishme për këtë pritje, për këtë entuziazëm të zjarrtë, fantastik. Për këtë mesazh fitoreje që përcillni sot nga kjo sallë anë e kënd Shqipërisë për shqiptaret dhe shqiptarët kudo që ndodhen në Europë dhe në botë.

Mirënjohja ime është e pakufishme për ju, për malësoret edhe malësorët kudo që janë sot. Për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Rolin epik që keni luajtur dhe kanë luajtur të parët tanë në histori. Mbështetjen e madhe që i keni dhënë demokracisë shqiptare. Mbështetjen e madhe që ju i keni dhënë çështjes shqiptare.

E vërteta është se ky vend, kjo zonë, kjo krahinë, ky rreth, kjo malësi po të kishte një emër të dytë, do të ishte ‘Malësi Epike’. Natyra e saj është magjia e bukurive natyrore.

Sa herë vij këtu, pavarësisht nga orët e rrugës, çdo kilometër më bëhet më i lehtë. Vitet ikin, fluturojnë, mbetem i magjepsur, i mahnitur.

Miqtë e mi!

Sot kam ardhur këtu tek ju për të paraqitur si kryetar për kandidat të bashkisë së rrethit Malësi e Gjakovës, z.Besnik Dushaj. Njërin nga demokratët më të vendosur, njërin nga pasardhësit e një familje të nderuar. Njëri nga qeveritarët vendorë më të talentuar. Njeriu me virtyte që punoi me përkushtim të madh për ndryshimin e kësaj treve, për zhvillimin e saj. Kam ardhur këtu edhe ballëhapur, jo vetëm për trashëgiminë e punës dhe familjare që Besniku ka, por se kësaj radhe Besniku, Admir Sinemati, të cilin e përshëndes përzemërsisht këtu. Miftar Dautin që nuk e kemi këtu, por na pret në Has. I paraqesim kandidatët e lirisë, kandidatët e votës suaj, kandidatë të Primareve.

Unë e di se procesi i Primareve, i pari në 32 vite, nuk ishte i përsosur, por u garantoj ju se ai do bëhet gjithnjë e më i përsosur. Kurrë PD nuk do emërojë kryetarin tuaj, kryetarin e bashkisë suaj, deputetin tuaj, por ju e vetëm ju me vullnetin tuaj do i zgjidhni ata.

Ndaluni për një moment, ta pyesim pak Rexhën. Po ti Rexhë, kandidat i kujt je? Cili socialist të ka zgjedhur ty? Cili qytetar i ketij rrethi të ka votuar ty? Nga dole ti? Nga sirtaret e Edi Ramës. Çfarë kandidati je ti? Kudo që shkojmë, përballen kandidatët e lirisë me kandidatët e bodrumeve të mafies.

Miqtë e mi!

Këto zgjedhje vërtet janë për qeverisjen vendore, për këshilltarët, por besoj se e keni të qartë që këto janë zgjedhjet e jetës sonë. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që kemi zhvilluar nga viti 1992 deri më sot. Këto janë zgjedhje në të cilat ne shkojmë si misionarë të vërtetë për të firmosur me votën tonë, përmbysjen e sistemit monist të vendosur pas 32 vitesh në Shqipëri. Monizmin e Edi Ramës, monizëm, i cili nuk bazohet më në doktrinën çnjerëzore marksiste-leniniste, por bazohet në barbaritë e krimit, në çnjerëzitë e vjedhjeve, në drogën, në gjenocidin e vërtetë ndaj shqiptarëve.

Sot, pas 10 vitesh, shqiptarët ndodhen në kushtet në të cilat nuk kanë qenë kurrë në ekzistencën e tyre kombëtare. Sot, në një hark kohor 8-vjeçar, nga 2014-a deri më sot, 35% e shqiptarëve kanë braktisur Shqipërinë. 40% e tropojasve kanë braktisur Shqipërinë, e me rradhë. Asnjë prej tyre nuk ka braktisur këtë vend dhe këtë tokë se nuk e do, se nuk ka mall për familjen e tij, për njerëzit e tij, për tokën ku ka lindur.

Të gjithë e kanë braktisur, sepse këtë tokë, këto troje, këto fusha, këto male, këto shpatina, Alpe, shtigje detrash, liqenesh, Edi Rama i ka shndërruar në tokë të mallkuar për shqiptarët. Edi Rama është sjellë ndaj shqiptarëve si një pushtues i egër. Edi Rama dhe regjimi i tij, ka krijuar kushte të kalkulueshme që shqiptarët të braktisin Shqipërinë. Dhe ky quhet gjenocid. Dhe të tillë, nuk kanë arritur kurrë ta realizojnë të gjithë pushtuesit e të gjitha kohërave mbi Shqipërinë.

Le të ndalemi pak. Tropoja, Malësia e Gjakovës, Nikaj-Mërturi, Lugina e Tropojës, kanë pasuritë e tyre, por për të gjithë këtë trevë, por për gjithë këtë trevë, pasuritë më përrallore janë Alpet, janë bjeshkët, janë potenciali i tyre i jashtëzakonshëm turistik. Më thoni mua në 10 vite, përveçse janë asfaltuar 10 km rrugë mbi Dragobi deri në Valbonë, për të cilët stabilizanti ishte shtruar, çfarë investimesh ka bërë kjo qeveri për Alpet dhe banorët e tyre? Zero invenstime!

Përkundrazi, në vitin 2013 ne hoqëm për 8 vite taksat për çdo investim në zonat malore. Ligji i parë që ndryshoi, ishte anulimi i këtij ligji. Ndaj dhe sot, Alpet kanë mbetur aty ku ishin. Megjithatë, unë do të përgëzoj Besnikun dhe të gjithë ata biznesmenë tropojas, që me shpenzimet dhe mundimet e tyre se bashku me bashkinë në atë kohë ndërtuan Unazën e Bjeshkëve, e cila i bën ato gjithnjë e më të arritshme.

Çfarë ofroi në 8 vite për Tropojën Edi Rama? Një rikonstruksion të gjimnazit, pedonalet. Çfarë janë pedonale sot? Pedonalet janë një nga vjedhjet më të mëdha të historisë. Në 61 pedonale, Edi Rama ka shpenzuar 2.3 miliardë euro. Sikur nuk janë shtruar me pllaka guri, po me pllaka gurë të çmuar. Në çdo shtrim ka vjedhur të paktën minimumi 80% të vlerës. Pse shqiptarët ikin?

Shqiptarët ikin, jo se nuk e duan Shqipërinë, jo se nuk e duan Tropojën. Shqiptarët ikin sepse i detyron varfëria, i detyron skamja. Kjo varfëri dhe skamje vjen  para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vjedhja e tmerrshme që u bëhet nga qeveria e Edi Ramës, që iu bëhet nga bashkia e Rexhë Byberit, që iu bëhet nga çdo bashki socialiste.

KLSH ka gjetur se në 9 muajt e parë të vitit 2022, janë vjedhur 122 miliardë lekë. Kjo është zyrtare. Po këtu, në këtë vend, është i vetmi vend në botë, ku qeveria fut 400 milionë për djegësat dhe kreu i prokurorisë thotë se nuk dihet se kush i merr, kush e ka firmosur kontratën. Ua dhashë këtë shembull për t’u thënë se vjedhja ka dalë për fushë, këta nuk kanë asnjë kufi. Por, problemi është se me këtë vjedhje, shqiptarët që kishin rrogat në Ballkan në vitin 2013, ata bënë që sot të kenë rrogat më të ulëta, 30, 40% më të ulëta se në Kosovë.

Me këtë vjedhje, investimet u ndërprenë, fermerët kudo në Shqipëri falimentojnë njëri pas tjetrit, rrugët rrënohen, Shqipëria bëhet pra një vend për të cilin shqiptarët mendojnë se nuk mund të jetojnë. Ndaj edhe 14 maji është një ditë e një misioni të madh, një ditë për përmbysjen e monizmit, një ditë për ndarjen nga ky regjim i cili është sjellë me ju, është sjellë me shqiptarët si një pushtues i egër. I cili ka përdorur buxhetin tuaj, paratë tuaja njëlloj siç mund t’i përdorte pushtuesi më i egër. Është sjellë si një pushtues, sepse ka përdorur pasuritë tuaja publike i ka shfrytëzuar në mënyrën më të egër, duke mos lejuar që ato të shndërrohen në të mira për ju.

Por, ky regjim është njëkohësisht një regjim fund e krye antishqiptar. Sot, shqiptarët kanë një kryeministër, vegël e shpifur e Aleksandër Vuçiçit.  Kryeministri i Shqipërisë që i shërben, Rexhë Byberi, se nuk ka Tropoja sesi mund t’i shërbejë këtij, nuk ka malësor që mund t’i shërbejë këtij. Vrapon nga samiti në samit si avokat i Vuçiçit. Vrapon nga samiti në samit duke kërkuar që të mos i imponohet Serbisë që të respektojë sanksionet ndaj Putinit, duke kërkuar që Serbia të mbetet një prapavijë e Rusisë, që Serbia të mbetet një Rusi e vogël.

A mundet një shqiptar të marrë përsipër këtë rol tradhtari që merr Edi Rama? A mundet një malësor t’i shërbejë Edi Ramës, është njësoj si t’i shërbejë armiqve të kombit. Ndaj edhe, zgjedhjet më 14 maj janë për fatin e Shqipërisë. Edi Rama është një armik i shqiptarëve, është një armik i Kosovës. Edi Rama mburret për vasalitetin e tij ndaj Vuçiçit dhe shndërron Tiranën në epiqendër të luftë së ftohtë kundër Kosovës.

Këto dy ditë derdhte lot për luftëtarët që gjykohen në Hagë, por në të njëjtën ditë nuk lejonte votimin nër Parlament të dënimit të gjenocidit serb në Kosovë. Çfarë shqiptari është ky? Ky është një hipokrit. Një antishqiptar.

A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin ciklik serb në Kosovë? A mundet një shqiptar të mohojë gjenocidin e vitit 1913 në Lumë, Has, Dibër, Tropojë, të certifikuar nga specialistë ndërkombëtarë më të shquarit te kohës? Si mundet një shqiptar t’i mohojë këto? A mundet një shqiptar të urhdërojë shembjen e përmendores së gjenocidit të Lumës në qytetin e Kukësit, ku vetëm në Pobreg 620 burra, gra e fëmijë janë therë si në kasaphanë nga bandat serbe. Çfarë është ky, më thoni ju mua? Ky është një antishqiptar që nuk e ka parë toka.

Ndaj dhe Rexhë, çdo orë që nuk e dorëzon atë bashki, e nxin veten edhe më shumë, i shërben një armiku të egër të kombit shqiptar.

Vota më 14 maj, është votë për fitore, triumfin e opozitës. Unë iu garantoj ju se, në akt në qëllimin më madhor, ne do t’i shpallim një luftë të egër varfërisë. Siç kemi realizuar nga viti 2005-2013, që nxorëm shqiptarët në krye të popujve të Ballkanit për rrogën mesatare, ai do të jetë përsëri qëllimi ynë më madhor. Se këtu në Ballkan, dhe në dijeninë time askund tjetër nuk ka një vend më të pasur se Shqipëria, dhe kjo do të jetë realitet shumë shpejt.

Sikundër, garantoj fermerët kudo që janë se do subvencionohet çdo sipërfaqe, çdo prodhim, çdo përpunim i prodhimeve të tyre. Sot, qeveria ka një qendrim armiqësor ndaj fermerëve shqiptarë. Me Ballkanin e Vuçiçit dynden prodhimet serbe, dhe lënë të kalben prodhimet shqiptare, sepse Serbia subvencionon fermerët e vet 8 deri në 10 herë më shumë se Shqipëria. Edi Rama ka hapur kufijtë. Kaloi me urgjencë ligjin për qumeshtin-pluhur të Serbisë. Cili ishte rezultati? Therja masive e lopëve në Myzeqe në Korçë dhde kudo.

Hoqi doganat për Maqedoninë, cili është rezultati? Prerja e plantacioneve të mollëve në Korçë, Pogradec, Kolonjë emë radhë. Këto nuk i bën një qeveritar kërrkund në Europë. Këto i bën një vasal, i cili do shpopullimin e vendit të tij.

Në Kosovë çdo fermer subvencionohet 400 euro për hektarë grurë. Subvencionohet 600 euro për hektarë patate dhe fasule. Subvencionohet 1000 euro për hektarë sera. Subvencionohet 90 euro për një lopë. 25 euro për dhinë, derrin dhe bletën për kilogramë prodhimi për çdo prodhim. Po pse thoni ju?

Kurse, Europa i ka shumë herë më të larta pa krahasim. Po pse thoni ju? Sepse është e faktuar, askush nuk humbet me subvencionimin e prodhimeve bujqësore. Të gjithë fitojnë. Fiton fermeri, shoqëria, shteti. Kurse ky, nga 5.2 miliardë qesharak që e kishte subvencionin, këtë vit e zbriti në 3.2 miliardë. Përveç kësaj, taksën armiqësore ndaj fermerëve. TVSH në shitje, zero në blerje. Ndaj edhe kjo rrokullisje e madhe e Shqipërisë, kjo merr fund. Garantoj fermerët e Malësisë së Gjakovës dhe mbarë Shqipërisë, se do të ketë subvencionime në mesataren e vendeve të Ballkanit. Këto 8 vite kanë qenë vitet e diskriminimit ekstrem për veriun, e qëllimit armiqësor.

Mendoni pak, çfarë është investuar në Tropojë? Është rikonstruktuar gjimnazi me 60 milionë lekë. Është bërë pedonalja, për të mos thënë se 80% e çmimit është vjedhur. E ka futur 6 miliardë në deficit Rexhë Byberi, e ka falimentuar plotësisht. Çfarë ka ndodhur tjetër. Asgjë. Kjo është në Has, kjo është në Kukës, kjo është kudo.

Ju garantoj, se diskriminimi merr fund. Se projektet e mëdha të nisura, do kompletohen. Autostrada e Bregut të Drinit do jetë autostrada e Alpeve, do jetë një nga projektet më parësore. Projekti është gati. Ajo del rruga më panoramike jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Ballkanit, një nga rrugët më panoramike të Europës. Do jetë përparësi e parë.

Lidhja e Shqipërisë me Kosovën me hekurudhë, do jetë projekti i dytë i katërvjeçarit të parë të PD në pushtet. Së fundmi, sapo të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Shqipëria do firmosë marrëveshje me Kosovën për vendosjen e dyshtetësisë. Të gjithë shqiptarët do kenë të drejtë të mbajnë shtetësinë e Kosovës ose Shqipërisë, njërën ose tjetrën, ose të dyja së bashku. Ai kufi mbetet si një relike, dëshmi e një padrejtësie historike të pashembullt që është bërë ndaj shqiptarëve. Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen një komb, një qëndrim, një të ardhme.

Miqtë e mi!

Ja pse zgjedhjet e 14 majit, ja pse vota për Besnik Dushën është votë e misionit tonë, janë zgjedhje e jetës sonë, të një rëndësie të jashtëzakonshme për fatin e Tropojës dhe Shqipërisë. Në këto zgjedhje është jetike që secili prej jush ta bëjë natën ditë, të punojë me të gjitha mundësitë e tij, të trokasë në çdo derë dhe zemër, te çdo mik, te çdo i njohur për të shpjeguar rëndësinë jetike të këtyre zgjedhjeve.

Mediat i kontrollon barbarisht Edi Rama, shqiptarët përjetojnë një diktaturë të mashtrimit mediatik. Por atë që nuk mund të bëjë Edi Rama, atë që nuk na e ndalon askush, janë takimet, bisedat e sinqerta, arsyetimet, shpjegimin e rëndësisë së këtyre zgjedhjeve me njëri-tjetrin. Ndaj dhe ne do të tejkalojmë me përpjekjen tona të gjithë terrorin mediatik që ushtrohet mbi shqiptarët përmes mashtrimeve, relativizmit, falsitetit.

Edi Rama ka kontraktuar kompani të cilat janë të specializuara për të prodhuar shpifje dhe lajme të rreme nga mëngjesi deri në darkë, sepse do të shpëtojë nga faktet e vjedhjeve, plaçkitjeve dhe tradhtisë së tij ndaj shqiptarëve. Ndaj edhe fushata është mision, mision i vërtetë.

Rexhë, po vazhdove, nuk ndalesh në gabimin tënd.

Mirë është që para se të ikësh, atij faqeziut, tradhtarit të kombit amerikan, me të cilin turpërove Tropojën, t’ia heqësh urgjent atë qytetari nderi, se ajo është qytetari turpi. Të garantoj se miku yt, Edi Rama do ketë fatin e tij. Ai do përfundojë, siç përfundoi McGonigal, po dhe të tjerë që janë implikuar, mund t’i ndjekin prapa. Ndaj të paktën mos e lër atë titull aty se është në turp i madh, përndryshe, në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak do i hiqet titulli si tradhtar i kombit amerikan, si një aventurier.

Duke përfunduar, edhe njëherë: Ju falënderoj me mirënjohjen më të pakufijshme për këtë entuziazëm dhe pritje. Shpreh bindjen më të thellë 14 maji do jetë dita e ndryshimit, dita e fitores.

Rroftë populli i Malësisë së Gjakovës! Rroftë Shqipëria! Rrofshi ju!

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale