Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka mbajtur një fjalim në aktivitetin e ‘Ripërtëritjes’ së PD-së në Vlorë, ku u ndal te emigracioni, situata politike, organizimi i opozitës dhe problematikat që, sipas tij, përballen qytetarët.
Kedhi e nisi fjalën e tij me një metaforë për emigracionin, duke folur për ‘valixhen pranë derës’ në familjet shqiptare. Sipas tij, kjo valixhe simbolizon humbjen e besimit të të rinjve se mund të ndërtojnë një jetë me dinjitet në Shqipëri.
‘Ajo valixhe pranë derës sot është në qindra mijëra shtëpi. Ajo është historia e Shqipërisë së sotme’, deklaroi Kedhi.
Ai e lidhi këtë situatë me atë që e konsideroi një histori të gjatë të shqiptarëve me ‘dyert’, duke përmendur përndjekjet politike, çështjen e pronave, presionin ndaj biznesit dhe emigracionin e të rinjve.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në institucionet e sigurisë, nënkryetari i PD-së deklaroi se, sipas tij, institucionet kryesore të sigurisë së vendit janë prekur nga krimi.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për situatën në Vlorë, duke përmendur problemet me ujin, ndërhyrjet në hapësirat publike, trashëgiminë kulturore, zhvillimin e bregdetit, shpopullimin, përmbytjet dhe zjarret.
Fjala e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:
I nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, zoti Berisha,
Drejtues politik i qarkut, zoti Bylykbashi, kryetare e degës, zonja Meçorapaj,
Anëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar,
Të dashur demokratë, miq, bashkëqytetarët e mi,
Zoti Berisha, mirë se erdhët në Vlorë, mes patriotëve, mes qëndrestarëve më të vendosur, mes demokratëve më të flaktë të vendit.
Më lejoni ta nis me një skenë që e njeh çdo familje e këtij qyteti.Një mbrëmje, në një shtëpi të zakonshme të Vlorës, dikush vendos një valixhe pranë derës. Mund të jetë djali. Mund të jetë vajza. Atë natë askush nuk flet shumë. Por të gjithë e dinë çfarë do të thotë ajo valixhe. Është edhe një njeri më shumë që ka humbur besimin se këtu mund të jetojë me dinjitet.
Ajo valixhe pranë derës sot është në qindra mijëra shtëpi. Ajo është historia e Shqipërisë së sotme.
Po ta mendoni, historia e këtij vendi ka qenë gjithmonë një histori dyersh.Për familjet e përndjekura, dera ishte ajo ku trokiste Sigurimi në mesnatë. Për pronarët e ligjshëm, dera ishte ajo e shtëpisë që ua mbyllën me forcë dhe ua dhanë të tjerëve. Për shtresën e mesme sot, dera është ajo e dyqanit ku troket inspektori, jo për të zbatuar ligjin, por për të marrë. Dhe për të rinjtë, dera është ajo e aeroportit, gjithmonë e hapur, gjithmonë duke thirrur.
Unë vij nga kjo Shqipëri. Nga një familje e përndjekur. Nga shtresa e mesme që e mban vendin në këmbë. Si një i ri që ka vendosur të jetojë këtu. Ndaj ashtu si dhe ju e kuptoj dhimbjen që ka kapluar sot Shqipërinë.
Sot në mëngjes, e pamë edhe një herë se kush ka zaptuar dyert e shtetit. Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, njeriu që duhej të ruante sekretet e Republikës, ishte bashkëpunëtorja e krimit.
Shërbimi sekret dhe policia. Dy shtyllat që mbajnë sigurinë e një vendi anëtar të NATO-s. Kjo nuk ndodh në Europë. Kjo ndodh mbase në narkoshtetet e Amerikës Latine. Ky është shteti i Ramës. Një shtet ku krimi nuk e sfidon pushtetin. Krimi është pushteti.
Vlora e ndien këtë çdo ditë. E ndien kur Shushicës dhe Tragjasit u merret uji. Kur Sheshi i Flamurit shkatërrohet. Kur identiteti e trashëgimia jonë përdhosen. Kur bregdeti shitet copë copë dhe qyteti shpopullohet. Kur çdo verë digjemi e çdo dimër përmbytemi.
Unë refuzoj ta pranoj shkatërrimin e Vlores dhe shembjen e Republikës dhe jam i sigurt edhe ju.Vlorën nuk e braktisim. Shqipërinë nuk ua lëmë në dorë pushtuesve, as atyre që vijnë nga jashtë, as atyre që e pushtojnë nga brenda.
Ne dhe sidomos të rinjtë që i janë bashkuar kësaj kauze patriotike jemithemeli i ripërtëritjes. Ripërtëritja është kthim te arsyeja pse u krijua kjo parti në dhjetor 1990: që asnjë shqiptar të mos ketë më frikë nga dera ku trokasin. Që prona të jetë e shenjtë, puna e shpërblyer dhe ligji i njëjtë për të gjithë. Ripërtëritja është organizim, disiplinë dhe përgjegjësi.
Vlora sot është simboli i kësaj ripërtëritjeje. Ka një nënkryetar të ri të Partisë Demokratike. Ka dy anëtarë të Kryesisë. Ka një degë të ripërtërirë, me një kryetare të re, me një kryesi të re, me sekretariate që po mbushen me njerëz që duan dhe dinë të punojnë. Mbi të gjitha, Vlora ka një energji dhe një potencial që, më lejoni t’jua them miq, mua më frymëzon.Rrëzimi i këtij autokrati është shumë afër. Duhet dhe një përpjekje e organizuar nga ne, me energji dhe disiplinë. Energjia vetëm nuk mjafton. Energjia pa disiplinë ndizet shpejt dhe shuhet shpejt. Por kur energjia bashkohet me disiplinën, lind orteku. Dhe orteku nis nga një gur i vogël, nga një lagje, nga një fshat, nga një derë. Por kur niset, nuk ka autokraci që e ndalon.
Kjo do të thotë të kalosh nga partia që mblidhet në salla te partia që troket derë më derë. Trokitja jonë është trokitje e shpresës. Kur një demokrat troket në derën e një familjeje në Vlorë, ajo familje duhet të ndiejë që dikush erdhi ta dëgjojë, jo ta kërcënojë. Ky është dallimi mes nesh dhe atyre. Trokitja e frikës dhe trokitja e shpresës.
Në këtë rrugëtim, askush nuk është i tepërt. Ky është koalicioni i vlerave, nga familjet e përndjekurave që i kanë dhënë kaq shumë këtij vendi, te pronarët, shtresa e mesme që e mban këtë vend, e veçanërisht të rinjtë. Bashkëmoshatareve të mi dua t’u them dy fjalë. E di që dera e botës është e hapur për ju. Ishte e hapur edhe për mua. Por edhe dera e kësaj partie është e hapur, dhe dora jonë e shtrirë, ashtu siç ishte për mua.
Përgjegjësia jonë sot është e madhe. U detyrohemi atyre që e bënë këtë vend. U detyrohemi atyre që jetojnë këtu dhe përballen çdo ditë me këtë pushtet. U detyrohemi atyre që ende nuk kanë lindur, që duhet ta gjejnë Vlorën dhe Shqipërinë të tyren, jo të shitur.
Ndaj duhet t’i lëmë pas dallimet tona. Vlora dhe Shqipëria janë më të mëdha se çdonjëra prej tyre. Historia nuk do të na e falë nëse ne nuk ua kthejmë Vlorën vlonjatëve e Shqipërinë shqiptarëve.
Ne do të ndërtojmë një Kontratë Dinjiteti me shqiptarët. Për një Shqipëri Prodhuese, të punës dhe të meritokracisë. Një komb që vetëm konsumon atë që prodhojnë të tjerët, herët a vonë u shet të tjerëve edhe atë që i ka mbetur. Një Shqipëri ku vendi i punës fitohet me dije, jo me teserë, dhe ku çdo i ri ëndërron ta ndërtojë jetën e vet këtu.
Ky është qëllimi ynë i vërtetë. Që një ditë, në ato mijëra shtëpi, valixhja pranë derës të zbrazet. Dhe çdo i ri të vendosë të qëndrojë, jo se nuk ka ku të shkojë, por sepse ka një arsye që të qëndrojë.Për këtë zotohemi sot, nga qyteti i Pavarësisë. Të gjithë bashkë mund t’i shkulim zinxhirët e autokracisë dhe të ndërtojmë Shqipërinë që meritojmë.
Ne jemi demokratë. Ne jemi vlonjatë. Ne jemi patriotë. Nuk jemi këtu për të dëshmuar rënien e Shqipërisë. Jemi këtu për të nisur ripërtëritjen e saj. Dhe Vlora, si gjithmonë në historinë e saj, është në ballë.Rroftë Vlora! Rroftë Partia Demokratike! Rroftë Shqipëria!


