Integrimi në BE/ Berisha: Nëse i jepet përparësi stabilokracisë para standardeve, kjo i hap rrugën autokracisë! Kartelet e drogës do kenë përfaqësuesit e tyre edhe në delegacionet e BE-së për shkak të lidhjeve të forta me Edi Ramën

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ‘THE WESTERN BALKANS PARADIGM‘

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në konferencën, ‘The Western Balkans Paradigm’, është shprehur se, Bashkimi Europian duhet ti japë përparësi standardeve dhe shtetit të së drejtës, në rastin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas tij, nëse BE do ti japë përparësi stabilokracisë, kjo do ti hapë rrugën autokracisë në Shqipëri.

‘Në rast se ju i jepni përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, kjo do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë.  Unë mendoj se asnjë vend i lirë i BE do ta donte këtë rezultat. Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha tha se, ‘Shqipëria është kthyer në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Evropë!. Kush do të shohë se çfarë do të thotë narko-ekonomi, nuk ka pse të shkojë në Bolivi apo në vendet e tjera, mjafton të vijë në Shqipëri sepse është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë’, theksoi kreu i PD-së gjatë fjalës së tij.

Në konferencën ndërkombëtare ‘The Western Balkans Paradigm’, kryedemokrati Sali Berisha, ka bërë edhe një pasqyrim të situatës aktuale politike dhe kriminale në Shqipëri. Berisha ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përfshirjen e grupeve kriminale në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke e akuzuar drejtpërdrejt qeverinë e Edi Ramën për lidhje me kartelet e drogës dhe për kthimin e Shqipërisë në një qendër operative të krimit ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Berisha ka theksuar ndikimin që këto struktura kriminale kanë në procese të rëndësishme si zgjedhjet, emërimet në administratë dhe në sistemin e drejtësisë. Ai gjithashtu ka kritikuar mënyrën sesi përjashtohen kompanitë evropiane nga prokurimet publike, duke e cilësuar këtë si një shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.

‘Kandidatët e tyre kanë marrë shumicën e votave, njerëz tërësisht të panjohur, por ata caktojnë ministrat, caktojnë kandidatët për deputetë, caktojnë drejtorët e policisë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe të forta me kryeministrin Edi Rama. Personi që ju e shikoni nga jashtë si një xhentëlmen që bën disa gjeste shumë të bukura në samite, bën një jetë të dyfishtë’- u shpreh gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Dëshiroj të filloj duke falënderuar zotin Patrick Voller, zoti Tomi Huhtanen dhe të tjerët për praninë e tyre këtu, që është një ndihmë e madhe, është një asistencë e madhe për PD-në dhe opozitën.

Ju jemi shumë mirënjohës dhe i sigurojmë se partia jonë mbetet tërësisht e angazhuar për të mbajtur parimet dhe vlerat që familja jonë, PPE-ja, ka me ne dhe me vendet e tjera.

Pyetja juaj ka rëndësi thelbësore, në kuptimin që integrimi në BE është procesi thelbësor për kombin tim, për kombet tona dhe është ylli polar i programit tonë.

Unë e konsideroj gjeopolitikën pothuajse një forcë natyrore, e cila gjithmonë duhet të merret në konsideratë seriozisht.

Por duke i dhënë përparësi në krahasim me integrimin përmes standardeve, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë, që janë themelet e procesit të integrimit, në mendimin tim është një gabim i tmerrshëm dhe historik.

Nga njëra anë kjo do të thotë tradhti e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të idealeve dhe aspiratave të një vendi kandidat sepse fakti që ata e shohin të ardhmen më të mirë në BE, mendojnë dhe kanë të drejtë të mendojnë se do jenë më të lirë, më të begatë në ekonominë e tregut dhe qytetarë më të denjë.

Por në rast se ju i jepni përparësi stabilokracisë në krahasim me standardet, apo aderimit për qëllime stabiliteti, kjo do të thotë që i jep rrugën dhe je në aleancë me autokracinë.

Unë mendoj se asnjë vend i lirë i BE do ta donte këtë rezultat.

Kushdo që ka ndonjë dyshim, le të vijë në Shqipëri dhe ta studiojë kazusin.

Shqipëria është një kazus tipik. I ka dhënë prioritet stabilokracisë krahasuar me standardet dhe kjo u transformua në një shtet autokratik.

Por edhe për BE-në në vetvete nuk është vetëm një problem i rëndë moral me vendet kandidate, por gjithashtu do të thotë të vendosësh një virus në themelet e veta pa ditur se cilat do jenë pasojat për të ardhmen.

Një proces i bazuar në meritë është në interesin jetësor të qytetarëve të vendeve kandidatë.

Është mënyra më e mirë për të ndihmuar këto vende që të shkëputin lidhjet me të kaluarën.

Shqipëria nisi negociatat e aderimit dhe mund t’u siguroj se nisi negociatat në një kohë kur nuk plotësonte asnjë kriter përveçse gjeopolitikës.

Kushdo që dëshiron të ulet, ne jemi gati t’u ofrojmë të dhënat evropiane dhe statistikat që mbështesin këtë që them.

Shqipëria i nisi negociatat kur të gjitha pushtetet, 94 përqind përqendrohen në një dorë.

Këtu mund të shikoni se ky është viti 2020, është diktatori i fundit dhe tani kjo kolonë është më e lartë.

Tani, kryeministri i Shqipërisë për habinë tuaj, që atëherë është bërë kryetar i Këshillit Kombëtar të Shkencës, është bërë kryetar i Komitetit Kombëtar të Ujërave, që atëherë, kryeministri shqiptar ka ndryshuar ligje dhe çdo ndërtesë e vetme, edhe ato njëkatëshe, duhet të nënshkruhen prej tij në mënyrë që të ekzistojnë, duke shkelur çdo parim ndërkombëtar sepse ne jemi anëtarë të Këshillit të Europës dhe ka një autonomi lokale, ka një autonomi rajonale.

Por ky është realiteti këtu.

Së dyti, kur ne nisëm negociatat, ekonomia shqiptare u zëvendësua nga narko-ekonomia.

Kush do të shohë se çfarë do të thotë narko-ekonomi, nuk ka pse të shkojë në Bolivi apo në vendet e tjera, mjafton të vijë në Shqipëri sepse është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë.

Pse është narko-ekonomi?

Më lejoni të jap disa të dhëna.

Njëherë, nga fluksi narko-ekonomik, euro u zhvlerësua me 98 përqind.

Në qoftë se shikoni ekonominë tonë, çdo gjashtë muaj sipas statistikave produkti industrial bie gjithnjë e më shumë, kështu eksportet dhe prodhimi agroindustrial. Por vendi vazhdon të rritet prej 3-4 përqind. Kjo rritje vjen nga ndërtimet.

Sipas Eurostat, vendi ka indeksin më të lartë të ndërtimeve në Europë. Në Shqipëri, mesatarja është tre herë më e lartë se indeksi evropian.

Ndërtimi hap vende pune, patjetër, por eksportet hapin më shumë. Prodhimi edhe më shumë. Prodhimi bujqësor edhe më shumë. Megjithatë ato po pësojnë rënie.

Çfarë po ndodh?

Shqiptarët po ikin nga territori. Nga viti 2014 deri në vitin 2024, përsëri sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria vetëm në zonën Shengen, pa llogaritur këtu ata të cilët janë larguar për në SHBA, Britani, Zvicër, Kanada, Australi apo Lindjen e Mesme.

Vendi është bërë një prodhues emigrantësh dhe refugjatësh.

Së treti, sipas Departamentit të Shtetit, qendra operacionale e organizatave kriminale të Europës, të Amerikës Latine dhe të Lindjes së Mesme është kthyer Shqipëria.

Shqipëria eksporton kriminelë dhe drogë.

Kartelet e drogës janë kaq të fuqishme sa ato e kanë në kontroll të plotë, portin më të madh të vendit, Durrësin.

Asnjë kg kokainë nuk kapet në këtë port, ndërkohë që antimafia italiane kap tonelata drogë dhe identifikon se tonelata të tjera kalojnë përmes Durrësit për të shkuar drejt Italisë apo Gjermanisë.


Karteli Çela kontrollon qarkullimin e heroinës nga vendet lindore, 70 përqind kalojnë përmes Elbasanit.

Elbasani është kryeqyteti i kartelit Çela dhe kontrollon të gjithë qarkullimin.


Tani cilat janë pasojat?

Në delegacionin e radhës në BE, në qoftë se këto kartele vendosin që përfaqësuesit e tyre të jenë pjesë e delegacioneve në Këshillin e Stabilizimit, në Këshillin e Europës dhe në agjencitë e tjera.

Pse? Sepse ato kanë qenë shumë aktivë gjatë zgjedhjeve.

Kandidatët e tyre kanë marrë shumicën e votave, njerëz tërësisht të panjohur, por ata caktojnë ministrat, caktojnë kandidatët për deputetë, caktojnë drejtorët e policisë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe të forta me kryeministrin Edi Rama.

Personi që ju e shikoni nga jashtë si një xhentëlmen që bën disa gjeste shumë të bukura në samite, bën një jetë të dyfishtë.

Ai ka jetën e vet me kartelet, me trafikantët e drogës dhe me vrasës me të cilët takohet në zyrën e tij dhe gjithçka është e dokumentuar.

Tani, ne u jemi shumë mirënjohës PPE-së, partive simotra të qendrës e djathtë që kanë votuar 6 rezoluta brenda disa muajsh dhe thonë në thelb këtë që po u përcjell unë.

Dhe ju keni të drejtë kur thoni se cili është roli i politikanëve në një situatë të tillë.

Politikanët kanë për detyrë të ruajnë parimet, vlerat. T’i thonë të vërtetën shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar pavarësisht kërcënimeve dhe çmimit dhe të jenë shpresëplotë për një ndryshim në të ardhmen dhe për ndihmën e miqve.

Para një muaj, Agjencia Kombëtare e Prokurimit njoftoi me krenari se 96 përqind e prokurimeve bëhen nga shqiptarët. Në përkufizim në kundërshtim me MSA, kompanitë evropiane janë të përjashtuara.

Si përjashtohen? Përjashtohen përmes portalit e-Albania sepse u kërkohet të aplikojnë aty, e-Albania kërkon 38 ditë, kurse tenderat mbyllen për 34 ditë dhe jo 38 ditë.

Pra, më këtë situatë përballemi.

Prandaj qendra Martens dhe PPE po ndihmojnë fuqishëm kundër

Qëndrimi ynë ndaj kësaj situate të tillë dramatike është mjaft i vështirë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale