I quajti burrat çyrykë/ Berisha-Ramës: Nuk do e kishe kaluar Qafën e Buallit pa të tredhur, por dibranët e dinë se i tredhuri nuk tredhet më

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË KAMËZ

EKSTRAKT

Gjatë prezantimit të kandidatëve ‘PD-ASHM’ në Kamzë, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi tone të forta qeverinë aktuale për varfërimin e shqiptarëve, e cila detyruar mbi një milion prej tyre të largohen nga vendi. Berisha tha se shqiptarët largohen, jo sepse nuk duan vendin, por sepse nuk përballojnë më jetesën, çmimet janë dyfishuar, ilaçet e kreditë të papërballueshme, dhe pensionet të pamjaftueshme.

Lideri i Opozitës, Sali Berisha premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, asnjë pensionist nuk do marrë më pak se 200 euro. Po ashtu, paga minimale do jetë 500 euro, paga mesatare 1200 euro dhe paga e mësuesit 1500 euro. Berisha tha se këto do të bëhen duke ua kthyer qytetarëve paratë që sot qeveria i vjedh dhe i shpërdoron. Berisha e quajti Ramën “burracak” që s’guxon të përballet me publikun dhe tall qytetarët me premtime për pensione në vitin 2030.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se sistemi shëndetësor në Shqipëri është në gjendje katastrofale dhe akuzoi qeverinë se ka nxjerrë jashtë përdorimi aparaturat moderne që u sollën gjatë kohës së tij në pushtet, për të detyruar qytetarët të shkojnë tek privatët dhe të paguajnë shuma të mëdha për analiza. Ai tha se shqiptarët shpenzojnë 820 milionë euro nga xhepi për shëndetësinë, më shumë se çdo komb tjetër në rajon, për shkak të vjedhjeve me PPP-të dhe mungesës së barnave jetike.

Lideri i PD, Sali Berisha, premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, do të rikthehet rimbursimi i plotë i ilaçeve sipas modelit italian, dhe se çdo pensionist e person me të ardhura të ulëta do ketë një “kartë konsumi” që do i lejojë të blejnë ushqimet dhe produktet bazë 20% më lirë. Po ashtu, Berisha u bëri thirrje emigrantëve të kthehen, duke u premtuar pesë vite pa taksa dhe kredi të buta për banesa e biznese, që të ndërtojnë “ëndrrën shqiptare” në vendin e tyre.

Në Kamëz, Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Rakip Sulin për ngritjen e një skeme korrupsioni të ngjashme me 5D, duke thënë se tenderat dhe investimet ndahen mes një grushti njerëzish. Ai theksoi se projektet si Unaza e Madhe janë shndërruar në mënyra për të vjedhur miliona euro përmes kontratave të shumta, ndërsa punët i marrin familjarët dhe miqtë e qeverisë. Berisha tha se në borderotë e bashkisë ka emra që nuk ekzistojnë fare, dhe se rrogat shpërndahen fiktivisht.

Berisha premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, investimet në Kamëz do jenë prioritet absolut, sidomos në arsim dhe infrastrukturë. Do të dyfishohen fondet për shkolla dhe kopshte, dhe mësuesit do trajtohen me dinjitet.

Kryetari i PD, Sali Berisha, e quajti kryeministrin Rama një “njeri kallp” dhe “mashtrues” që nuk ka mbajtur asnjë premtim që ka dhënë që nga viti 2013. Berisha përmendi një episod të Ramës në Peshkopi, ku ky i fundit përdori një gjuhë fyese, duke i ofenduar burrat e zonës si “çyrykë”. Berisha iu drejtua Ramës se, në Kanun dhe në ligjin e sotëm, Qafën e Buallit nuk do e kishe kaluar kurrë ti pa të tredhur dibranët.

Por ata nuk ka burra më të mençur. E dinin që i tredhuri nuk tredhet më, u shpreh Berisha.

Lideri demokrat premtoi ulje të taksave dhe tarifave për bizneset, ndihmë për fermerët, si dhe mbështetje për eksportuesit dhe fasonët që janë goditur nga kursi i këmbimit të euros. Berisha gjithashtu premtoi kompensim për eksportuesit dhe fasonët për humbjet nga kursi i euros.

FJALA E PLOTË

Qytetare dhe qytetarë të Kamzës, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, të fitores së 11 majit, të ndryshimit të madh, të Kamzës dhe Shqipërisë.

Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Përshëndetje të gjithë banorëve të këtij qyteti të ri dhe të bekuar.

Përshëndetje miqve të tuaj kudo që janë, në rrethet nga keni ardhur, në Tiranë apo në emigracion.

E nderuar zonja Albana Vokshi, drejtuese politike e Kamzës, të dashur kandidate dhe kandidatë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore të këtij qyteti, një përshëndetje të përzemërt, krenaria e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore jeni ju, për Kamzën dhe për Shqipërinë.

Të dashur miq, sot ne vijmë para jush për të parashtruar programin tonë elektoral.

Për të parashtruar tek ju alternativën me të cilën ne jemi të betuar dhe të vendosur t’i japim përgjigjen problemeve të rënda që përjeton sot Kamza, problemeve të rënda që përjeton sot Shqipëria.

Probleme që e kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë një vend të pajetueshëm.

E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë një vend nga i cili shqiptarët vetëm largohen.

E kanë bërë Kamzën, e kanë bërë Shqipërinë vendin në të cilin nga viti 2014 gjer në vitin 2023, vetëm në hapësirën e BE u larguan 1 milion e 99 mijë banorë të Kamzës dhe gjithë Shqipërisë.

Miqtë e mi, këta që morën rrugët e dheut nuk i morën ato se lakmonin pasuri.

Nuk i morën ato se nuk kishin mall dhe dashuri për familjen.

Nuk i morën ato se nuk donin vendin e tyre.

Por rrugët i morën se nuk jetonin dot në Kamzë, nuk jetonin dot në Tiranë, nuk jetonin dot në Shqipëri sepse ky regjim, Shqipërinë, Kamzën që rritej në popullatë nga viti në vit, e bëri Shqipërinë dhe Kamzën që nuk jetohej më. E bëri sofrën e familjeve shqiptare të mos pranonte as fëmijët e vet, por t’u thoshte paçi fatin, merrni rrugët e botës.

Nuk ikën shqiptarët se donin të iknin, por ikën se ilaçet nuk i blinin dot në vendin e tyre, por ikën se kreditë nuk i paguanin dot në vendin e tyre, por ikën se shtëpitë nuk i blinin dot në vendin e tyre.

Dhe së fundi ikën dhe ikën sepse në një akt të pashembullt, qytetarët e Kamzës, qytetarët e Shqipërisë, që në vitin 2013 paguheshin më shumë se të gjithë qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit, gjatë këtyre 12 viteve ranë poshtë e më poshtë.

Gjatë këtyre 12 viteve u varfëruan çdo vit e më shumë.

Gjatë këtyre 12 viteve, çmimet e mallrave, ushqimeve jetike u dyfishuan.

E merrnin bukën me 400-500 lekë në vitin 2013, e marrin sot me 900-1000 lekë.

E merrnin mishin me 7 mijë lekë, e marrin sot me 18 mijë lekë.

I merrnin zarzavatet 4 herë më lirë se sot.

Çfarë ndodhi pra? Ndodhi që aq sa blinin me pensionin e vitit 2013, nuk blinin as me trefishin e tij në vitin 2024.

Mallrat bëheshin mollë e ndaluar, apartamentet mollë e ndaluar për të rinjtë.

Vendet e punës rrënohen dhe shkatërrohen çdo ditë.

Kjo qeveri u vërsul mbi taksa.

Kjo qeveria injoroi, mohoi, poshtëroi pensionistin e Shqipërisë.

Një pensionist që në vitin 2013 merrte një pension mesatar 143 mijë lekë, merrte më shumë se secili moshatar i tij në vendet përreth.

Po sot si është gjendja? Sot pensionisti i Malit të Zi merr 450 euro, kurse pensionisti në Shqipëri merr 170 euro.

Pensionisti në Maqedoni merr 405 euro.

Pensionisti në Serbi merr 430 euro.

Pensionisti në Kosovë merr 190 euro.

Në Shqipëri merr 170 euro mesatarja. Kaq marrin vetëm 43 përqind e pensionistëve, 57 përqind e tyre marrin pension të pjesshëm.

Të dashur miq, ky ishte qëndrim çnjerëzor, poshtërues për një të tretën e popullatës.

Ndaj zotohem para jush se 100 ditët e para nuk do ketë pensionist në Shqipëri që nuk do marrë 200 euro.

Dhe më lejoni pak t’i them atij burracakut 2 metra që fshihet dhe nuk del dot, pasi e keni kapur me presh në dorë duke vjedhur, nuk del dot të ballafaqohet para jush në televizion apo në skenë. Jo.

Çfarë thotë? Thotë se po ta rrisim pensionin 200 euro, biem në humnerë. Kurse dje deklaronte se do ta bëjmë në vitin 2030.

Ka deklaratë më të papërgjegjshme, më cinike?

Ju lutem vetëm një moment. Në vitin 2005 ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe u them një gjë, ai ka qenë premtimi më i vështirë i jetës sime sepse nuk di një administratë tjetër që të ketë premtuar dyfishim rrogash në atë kohë, por e mbajtëm.

I them cilido shqiptar, gjej një mësues, një infermiere, një mjek, një punonjës që të thotë se rroga e tij nuk u mbidyfishua gjatë viteve 2006-2013. Pa përjashtim të gjithë.

Deklaruam se do dyfishojmë pensionet e ulëta. Pensioni ishte 36 euro, çdo pension i ulët u bë 83 euro.

Deklaruam se do rrisim pensionet e mesme dhe të larta. Çdo pension i mesëm u rrit 60 përqind. Çdo pension i lartë u rrit 40 përqind.

Si ndodhi? Si u bë kjo? Fare e thjeshtë. Paratë ua kthyem shqiptarëve.

Si do i rrisim tani? Përsëri me të njëjtin mekanizëm, paratë do ua kthejmë ju.

Si do i rrisim pensionet dhe rrogat, që nuk do ketë rrogë nën 500 euro, rroga mesatare do jetë 1200 euro, rroga e mësuesit do bëhet 1500 euro, si do i rrisim? Do u kthejmë paratë që marrim prej jush do i kthejmë tek ju.

Po, po, askush të mos e dyshojë se vendimi është solemn, paratë do t’u kthehen shqiptarëve.

Paratë do u kthen shqiptarëve në pensione dhe rroga.

Jo vetëm kaq, çdo pensionist dhe rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit, çka do të thotë se do i blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë se sa të tjerët.

Miqtë e mi, gjendja e kujdesit shëndetësor është katastrofike.

Para dy ditësh, INSTAT-i i qeverisë deklaroi se shqiptarët shpenzojnë për kujdesin e tyre shëndetësor nga xhepi- ky që premtoi shëndetësinë falas- shpenzojnë nga xhepi 820 milionë euro në vit, shpenzojnë më shumë se çdo komb tjetër.

A e dini ju pse shpenzoni dhe si shpenzoni nga xhepi? Ua them unë, se paratë nga buxheti që caktohen për kujdesin tuaj shëndetësor, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen. Nga Edi Rama me PPP-të e tij, nga ministrja e Shëndetësisë, nga Vilma Nushi.

Si u vjedhin miq? Po, po, aparaturat nuk punojnë. Aparaturat që kanë kushtuar miliona euro.

Ne importuam gjatë 8 viteve 100 milionë euro aparatura, sollëm aparaturat më moderne. Sot ato të gjitha i kanë nxjerrë jashtë përdorimi vetëm e vetëm se duhet që ju të shkoni t’i bëni tek privati analizat. Të paguani qimet e kokës tek privati.

Sot 10 ditët e fundit të muajit nuk bëhen analiza në spitale dhe ambulanca sepse duhet të shkoni t’i bëni tek privati .

Sot ciklotronët janë të gjithë të prishur.

Sot të sëmurët me sëmundjet më të rënda, të cilat i kanë jetike ilaçet, nuk vdesin nga sëmundjet, por nga mungesa e ilaçeve.

Dhe ky njeri, që mund t’i vësh çdo epitet, por nuk dua të prish gojën, thotë se aty po kryhen krime kundër njerëzimit. Po në qoftë se kryhen krime kundër njerëzimit dhe ti e sheh që po kryhen krime kundër njerëzimit dhe nuk merr asnjë masë, ti je kryekriminel i krimeve kundër njerëzimit sepse ti je kryeministër. Kryeministri ka gjithë fuqinë, të gjithë pushtetin, të gjithë paratë për të ndërhyrë me urgjencë, për të përmbysur çdo situatë, për të zgjidhur çdo situatë.

Miqtë e mi, duke vendosur minimumin jetik për çdo shqiptar, ne nxjerrim shqiptarët nga mjerimi.

Ne bëjmë që shqiptarët të mund të ushqehen, të mund të marrin ilaçet me rimbursim.

Dhe u garantoj ju, se këtu, shumica juaj këtu kush ka njerëz jashtë, gjënë e parë që i kërkon janë ilaçet, se këtu shiten ilaçe pa efekt. Ilaçet e Tom Doshit dhe Vilma Nushit e Edi Ramës, se me ata i ndajnë paratë.

Pra, jo, ne do i japim një përgjigje shumë të mirë.

Zoti Poti, që foli këtu, familjarët e tij janë sot nga biznesmenët më të suksesshëm. Por e garantoj se nuk do ketë më nevojë ilaçe prej tyre sepse listën e ilaçeve që Italia rimburson për qytetarët e vet, Shqipëria do e sjellë një për një. Po, po.

Dhe meqë jam këtu tek familjarët tu, ata dhe të gjithë emigrantët shqiptarë, të cilët e kanë këtë vit, vitin e tyre, do kthehen në Shqipëri, pesë vite pa asnjë taksë.

Do të kthehen në Shqipëri me linja të buta krediti për suksesin e bizneseve të tyre.

Me linja të buta krediti për blerjen e apartamenteve.

Ne do bëjmë gjithçka që ata të vijnë të ndërtojnë ëndrrën e tyre të bukur, ëndrrën shqiptare në dheun e tyre.

Miq, këtë fushatë ta bëjmë si fushatë misionarësh.

Misionarët janë në shërbim të të gjitha atyre që nuk ia refuzojnë shërbimin.

Sepse ky program është për të gjithë shqiptarët.

Është për demokratët, socialistët, të paparti, është për çdo shqiptar që e do këtë vend dhe do të jetojë në Shqipëri.

Unë e di se me të drejtë do ketë të njohur, miq tuaj, që do u pyesin, ku do i gjejë paratë ky njeri që premton në këtë mënyrë?

Unë kërkoj vëmendjen tuaj të siguroni secilin prej tyre se këto premtime nuk janë absolutisht në maksimalen e mundshme, janë në mesataren e mundshme.

Po pse? Sepse nuk do zhduken kurrë më 130 milionë euro siç janë zhdukur për djegësin e Tiranës.

Dhe ky Rakip Veliaj u takson ju… po ai është njëlloj, nuk kanë dallim… ky Rakip Veliaj u takson ju për çdo kuintal mbetje trefishin e tarifës që duhet të paguanit për to.

Kjo nuk ndodh më.

Kryeministri nuk do udhëtojë më me avion në dispozicion. Nuk do shpenzojë 21 milionë euro për vakanca e udhëtime, por do udhëtojë si qytetarët e tjerë, do të udhëtojë siç është e vërteta edhe kryeministra të vendeve që janë shumë më të pasura se Shqipëria.

Kryeministri nuk do mund të blejë Kopshtin e Edenit në oborrin e kryeministrisë për të zbavitur sytë e tij 5 milionë euro, 30 e sa mijë pensione.

Nuk do mund të zhdukë 130 milionë euro për djegësin, 812 mijë pensione.

Nuk do mund të hapë shishen e verës 33 mijë euro. Miq, nuk kam dëgjuar kurrë një kryeministër që hap një shishe të tillë verë. Edhe po t’i ketë dhe të jetë miliarder, ai për kohën që është në detyrë, ruan etikën e atyre që përfaqëson.

Kurse këta janë shndërruar në një grup që nga mëngjesi gjer në darkë ndajnë pasuritë me veten e tyre, me familjarët e tyre.

Merrni Edi Ramën, sa ka prej jush pa u legalizuar. A e dini ju se ka ndërtuar shtëpinë në tokë të ndaluar, në kundërshtim me ligjin?

Ka legalizuar shtëpinë e tij në kundërshtim me ligjin.

A e dini ju se në qoftë ti ke ndërtuar shtëpinë duke të shkuar djersa çurg, duke punuar me duart e tua, zotëria e tij ka ndërtuar sarajet dyfishin e themeleve në gjatësi në krahasim me vilën e Enver Hoxhës. Por në dallim, Enver Hoxha, diktatori më gjakësor, vilën nuk e regjistroi as në emër të tij, as të fëmijëve të tij. Kurse ky e ka në emër të vet.

Enver Hoxha e kishte oborrin 2 mijë metra, 8300 metra e ka sulltani i Surrelit.

Po ku i gjeti këto para ky? Ky që thotë, meqenëse jam dy metra i gjatë, nuk mund të vjedh. Po jo mo, ky ka dorën më të zezë, më të gjatë të vjedhjeve në historinë e Shqipërisë.

Po si mundet këto ministre, që duhet të jenë shembulli etik i thjeshtësisë, i shërbëtores së qytetarëve, të kapardisen si sulltanesha me xhingla mingla që kushtojnë dhjetëra mijëra euro? Nga i gjejnë këto? Me rrogën e vet, absolutisht këto nuk blihen.

Pra, këta vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin.

Ajo Lubia, Unazën e Tiranës, 13 kilometra të Unazës së Tiranës, i ndau në 14 kontrata.

Në botë kurrë nuk mund të gjesh një akt të tillë.

I ndau në 14 kontrata sepse e ndërton kilometrin me 17 milionë euro për të vendosur 14 gjoba të paktën 2-3 milionë ose 4 milionë.

Me dhjetëra apo qindra tendera ka fituar baxhanaku i Edi Ramës, të cilit nuk i takonte të fitonte asnjë tender sepse e ndalon ligjin.

Thjeshtra i shkatërroi të gjitha studiot e arkitekturës dhe urbanistikës në Shqipëri sepse kompanitë që punojnë për të fitojnë të gjithë tenderat.

Vëllai i Edi Ramës merr tokën e pronarëve te Rrapi i Treshit, 38 mijë metra katrorë.

Edi Rama vetë, me dokumente, me emrin e nënës së tij, merr 225 mijë metër katrorë tokë në bregdet.

Qytetarë, u bëj thirrje, krijoni një komision, merrni listën e borderosë tek Rakip Veliaj, do të gjeni të paktën një të tretën e emrave në bordero që nuk ekzistojnë në Shqipëri, prej vitesh janë në dhera të tjera.

Mos të mendojë kush se ua japin atyre rrogave, asnjë qindarkë, rrogat i ndajnë me njëri-tjetrin si puna e 5D.

5D është modeli i tyre, Erion Veliaj është identik, këta janë kopje të Erion Veliajt që të gjithë.

Miqtë e mi, pra 11 Maji është një ditë për çdo qytetar të këtij vendi që do të shpërblehet më mirë për punën që ka bërë apo që bën.

Që do që Shqipëria të jetë e jetueshme.

Që do që Shqipëria të ecë drejt madhështisë që i takon.

Që do që të mos vidhet dhe rripet nga qeveritarët e vet.

Shikoni Kamzën, merrni pak investimet që kanë bërë në 12 vite, kanë vjedhur 80-90 përqind të tyre.

Normalizuam në atë kohë shkollat dhe klasat, sot përsëri u kthyen aty ku ishin.

Minuan shkolla të padëmtuara nga tërmeti vetëm për të vjedhur miliona e miliona.

U garantoj se investimet në infrastrukturën e këtij qyteti do të jenë përparësi e të gjitha përparësive.

Mos mendoni se jeni vetëm ju. Jo mo, këta e kanë braktisur Shqipërinë.

Po vij nga Kruja, atje një zonjë e re më tha: Doktor, çfarë do të bësh për fëmijët tanë? Nuk kemi kopësht këtu, shkollat janë mbyllur. Pyes unë, i gjithë qyteti i Krujës kishte dy kopshte.

Zbrita në Fushë Krujë tek një sipërmarrës i zoti, për 300 punëtorë kishte ngritur një kopsht falas. Kurse shteti i lë pa kopsht.

Do të dyfishohen investimet për arsimin.

Mësuesi do vendoset në piedestal.

Fëmijët tanë do kenë shkolla si në vendet e zhvilluara. Do bëjmë gjithçka që të ngjitemi.

Pa një arsim madhështor nuk ka një Shqipëri Madhështore.

Kamza ka nevojë jetike të lulëzojë biznesi.

Garantoj biznesmenët e Kamzës, biznesin e vogël se brenda 100 ditëve të para, bashkia do e ketë kufirin tek thana dhe nuk do mund të vendosë kurrë taksa më shumë se 1 përqind të xhiros.

Energjia elektrike do jetë 6 lekë nga 18 që është sot.

Sipërfaqja publike do të jetë 120 lekë nga 1500 që është sot.

Tarifa e ujit do përgjysmohet.

Tavani për tatim fitimin do të shkojë në 180 mijë euro.

Tavani për TVSH-në do të shkojë në 180 mijë euro.

Miqtë e mi, për biznesin tjetër do vendoset taksa e sheshtë 10 përqind.

Kjo do të thotë se brenda tre muajsh, çdo punonjës të ketë 13 përqind më shumë para në xhep.

Pra ne do nxisim prodhimin. Do paguajmë çdo fermer për njësi prodhimi, për fidan të mbjellë, për kokë bagëti të mbarështuar.

I garantoj të gjithë sipërmarrësit fason dhe eksportues të Kamzës, të cilët janë të shumtë dhe mezi mbijetojnë sepse narkoeuro shtriu përtokë monedhën dhe se sot ata kanë një humbje vetëm nga kursi i euros prej 35 përqind.

Merr fund kjo. 90 ditët e para krijohet bordi dhe ky bord do u kompensojë eksportuesve, do u kompensojë fasonëve, qindarkë për qindarkë kursin e euros, 35 përqind të tij.

Ndaj dhe t’i shndërrojmë këto javë që kanë mbetur në javët e misionit të jetës sonë.

Ta marrim si mision këtë fushatë.

Unë e di se përsëri ka socialistë apo të tjerë që thonë ne nuk votojmë.

Një fermer i thoshte mua të gjitha prodhimet m’u kalbën, por unë votoj për ty.

Nuk kam asnjë fjalë të rëndë për të unë, jo. Përkundrazi e mirëkuptoj, ai është i indoktrinuar. Nuk e ka kuptuar mirë se ç’përfaqëson Edi Rama. Përfaqëson një njeri kallp, një mashtrues. Që nuk mban një premtim të vetëm nga viti 2013 gjer sot.

Dhe mendon se përsëri do marrë mandatin e katërt.

Kurrë. Edi Rama, shqiptarët të kanë prerë biletën.

Në je burrë, po nuk ka gjë më absurde të pretendosh që ti je burrë, se vetëm burrë nuk je, dhe do t’ia them një fjalë sonte këtu para jush.

Shkoi në Peshkopi dhe me gjuhën e një kopuku, u tha se zonja, gjysma juaj i ka burrat çyrykë.

Tani unë i them Edi Ramës, ta dish mirë se në ligj, në Kanun dhe në ligjin e sotëm, Qafën e Buallit nuk do e kishe kaluar kurrë ti pa të tredhur dibranët.

Por ata nuk ka burra më të mençur. E dinin që i tredhuri nuk tredhet më.

Kaq mund t’i themi.

Ndaj dhe miq të dashur, t’i bëjmë këto ditë, ditët e misionit.

U garantoj se me 11 Maj të gjithë njisha, firmosim të gjithë Kamzën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.

Rrofshi ju, rroftë Kamza, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale