Të dashur miq!
Vij sot këtu përpara jush nga Vlora, nga qyteti i mrekullueshëm, të cilit prej 9 vitesh i është shkatërruar identiteti, i është shkatërruar trashëgimia dhe historia.
Sot Vlora nuk njihet më!
Sheshi i Flamurit u përgjysmua e shkatërrua sipas delirit e vulës së kryedelirantit.
Dikur dukej Monumenti i Pavarësisë dhe Shtiza e Flamurit.
Sot Monumenti i Pavarësisë ngrihet mbi disa shkallë të lyera me ngjyrë të zezë!
Për Vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim.
Ndryshimi, zhvendosja, zhdukja e simboleve nga vendet historike, nuk janë vetëm tallje apo teka të një njeriu mendjemadh, e vanitoz që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët.
Është një akt i pastër tradhtie!
Edhe Sheshi i Skelës është mbushur me piramida dheu e betoni për Liderin Global.
Të dashur miq! Vlora nuk ka më idenditet!
Në mendjen e krydelirantit të Shqipërisë, monumentet e heronjve, Teatri, Stadiumi, Sahati, parqet, Shkolla Tregtare, çdo gjurmë e historisë, traditës e trashëgimisë nuk duhen më! Të prishen!
Madje këtij sekti nuk i duhen as vlonjatët e as shqiptarët.
Dhe Vlora po boshatiset.
Rinia po largohet, po largohen dita- ditës dhjetëra e qindra të rinj.
Sepse Edi Rama dhe sekti i tij që qeveris këto 9 vite është duke i larguar përdhunshëm nga Vlora dhe Shqipëria duke ua vrarë përditë shpresat. Përditë duke i varfëruar. Duke i bërë të ndihen të huaj në qytetin e tyre. Përditë ua bën qytetin të pajetueshëm!
Sepse Vlora sot është peng i abuzimit, i PPP-ve dhe aferave korruptive të miqve të Ramës.
Vlora sot është në mëshirë të fatit.
Qytet i bukur e i mrekullueshëm nga natyra, por i shëmtuar nga indiferenca vrastare e pushtetit!
Me ujë, sa mund të furnizohet e gjithë Shqipëria, por vlonjatët kanë vetëm dy orë ujë në ditë, ndërkohë që ujin e pijshëm e blejnë.
Me bregdetin më të bukur, por me turizmin e asfiksuar, pasi investimet në turizëm mungojnë.
Me burime të pashtershme energjie të riciklueshme, por Vlora dhe Shqipëria sot përballen me një aferë më të rëndë korruptive, se e incereratorëve, atë të TEC-eve lundruese, të cilat jo vetëm shkatërrojnë florën, faunën, ndotin bregdetin e Vlorës, por u rëndojnë xhepave të taksapaguesve shqiptarë.
Të dashur miq!
Prej 9 vitesh Shqipëria qeveriset nga ata që program kanë vetëm timonin, defin, tepsinë.
Prej 9 vitesh qeveriset nga ata, që në mënyrë të ndërgjegjshme vrasin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, prej atyre që nuk e kanë për gjë të vrasin të ardhmen europiane të Shqipërisë e shqiptarëve, duke vjedhur, grabitue e rrezikuar rëndë demokracinë e pluralizmin.
Prandaj është detyra jonë që të gjithë atyre që po i bëjnë këtë gjëmë e gjenocid Shqipërisë të ikin një ditë me bishtin në shalë, të dëbuar nga ne, me turpin e mëkatin e zhbërjes dhe shkatërrimit të Historisë, demokracisë e të ardhmes sonë!
Është detyra jonë t’i dalim zot Shqipërisë, të ardhmes, pluralizmit.
Nga Vlora dhe në emër të Vlorës e vlonjatëve ju garantoj se Rama e sekti i tij përgjigjen do ta marrin në 14 maj!