Përshëndetje i nderuar dr Berisha, lideri i opozitës, të nderuar dhjetoristë të vitit 90, demokratë dhe demokrate, të ftuar!
Kujtesa është një nga pasuritë më të mëdha të njerëzimit, dhe nëse reflekton siç duhet ndaj saj, ajo të orienton drejt një të ardhmje të qëndrueshme. Veçanërisht kur kujtesa i referohet një prej etapave më të guximshme dhe më sublime të historisë, krenaria është e pashmangshme.
Dhjetori i vitit 90 është dhjetori i Levizjes studentore, Dhjetori i zëmërimit, Dhjetori i shpërthimit, Dhjetori i revolucionit, Dhjetori i pluralizmit.
Si dhjetoriste, pjesmarrëse në Lëvizjen Studentore, firmëtare për themelimin e PD, bashkë me të tjerë kemi shumë për të kujtuar, për të treguar dhe reflektuar në çdo përvjetor, edhe sot 32 vite më pas.
Çdo vit përpiqem të rifreskoj kujtesën, të sjell në mendje ato që kam përjetuar dhe të reflektoj mbi atë kohë, kur u shkrua historia për vendin tim.
Në fillim bashkë me shumë vajza dhe djem studentë ishim dëshmitarë të ngjarjeve që filluan me revolta në rrugët e qytetit studenti.
Prej DËSHMITARË u bëmë PJESMARRËS e PROTAGONISTË në Lëvizjen e madhe dhe në Themelimin e PD.
Për të gjitha këto nevojitej energji, kurajo dhe guxim të përzier me idealizëm dhe shpresë.
Di të them që në ato ditë dhjetori, herë me drita e herë pa drita, nga dritaret apo nga sheshi, në moshë 21 a 22 vjeçare, artikuluam thirrjet e guximshme, “e duam Shqipërinë si gjithë europa”, “enver hitler”, “ja vdekje ja liri” dhe kjo donte kurajo.
Vlerat e lirisë së shenjtë dhe demokracisë ishin motivi dhe frymëzimi ynë dhe ajo lëvizje theu muret, prangat e diktaturës më të egër për ti çelur rrugë pluralizmit politik si parathënia e sistemit të demokracisë.
Ai dhjetor nxori në pah edhe guximin femëror. Në atë moment jam bindur plotësisht se vajzat e gratë shqiptare e kan të shkruar në ADN e tyre guximin dhe vendosmërinë për kauzat e mëdha.
Sot pas 32 vitesh, pushteti tejet i zgjatur dhe i korruptuar i Ramës ka vënë Shqipërinë në udhëkryq të rrezikshëm.
Vetëm opozita mund dhe duhet të udhëheqë revoltat popullore me besim dhe kurajë drejt përmbysjes së këtij regjimi, ku përsëri roli i rinisë duhet të jetë thelbësor.
Koha sot përsëri kërkon kurajo, kërkon që nga dëshmitarë të qeverisjes kriminale, të këtij regjimi që po shpopullon vendin të bëhemi pjesmarrës dhe protagonistë revolucioni- revolucioni që shemb neodiktarurë dhe e bën Shqipërinë si gjithë Europa.
Sinergjia e ringritjes duhet të vijë përsëri nga rinia sepse e ardhmja i përket asaj.
Thuhet që mrekullinë e lirisë e ndjejnë më shumë guximtarët dhe luftëtarët e saj!
Unë jam krenare që isha një ndër ata që firmosën për themelimin e PD por jam shumë fish krenare që ishim përsëri bashkë në rithemelimin historik të saj!
Gëzuar!