Partia Demokratike ka denoncuar sot një sërë problemesh që po ndodhin në procesin e votës së diasporës.
Gjatë një konferencë për mediat, e deleguara politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli dhe përfaqësuesi Ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri kanë denoncuar një sërë shkeljesh dhe problematikash që po shoqërojnë procesin e votimit në diasporë.

Deklarata e përfaqësuesit Ligjor të PD në KQZ, Franc Nuri:
Problemet Kryesore të Votës së Diasporës (Zgjedhjet 2025)
Vonesë në dërgesën e fletëve të votimit nga DHL, shpesh përtej afatit ligjor.
Mungesë njoftimi për dërgesën: Votuesit nuk u informuan me email apo telefon për afatet.
Dërgesa të paautorizuara: Zarfat u lanë te dera, në oborr, në kazanë mbeturinash ose u dorëzuan fqinjëve.
Mungesë materialesh votimi: Zarfat mbërrinin bosh ose pa fletë votimi.
Dublikim dhe gabime në përmbajtje: Dy fletë për një person ose emra të gabuar në fletë votimi.
Ndërhyrje politike në procesin e shpërndarjes: Punonjës të lidhur me Partinë Socialiste u përpoqën të ndikonin votuesit.
Cenimi i të dhënave personale: Pas dorëzimit nga DHL, votuesit u kontaktuan nga Partia Socialiste, duke sugjeruar keqpërdorim të të dhënave.
Gabime në regjistrim: Disa persona rezultuan si ‘kanë votuar’ edhe pse nuk e kishin marrë fletën fare.
Fletë votimi pa vula zyrtare, duke i bërë të pavlefshme.
Tamperim i zarfeve të kthimit: Mungesë etikete kthimi ose kërkesa për pagesë nga DHL.
Refuzim përgjegjësie nga Malta Post, duke krijuar konfuzion për dërgesat në Maltë.
Gabime të shumta në adresim: P.sh., votues që jetonin në Gjermani morën dërgesa në Greqi.
Asnjë përgjigje nga DHL për ankesat: Votuesit nuk merrnin sqarime ose ndihmë pas kontaktimit.
Familjarë ose fqinjë që merrnin fletët e votimit për llogari të dikujt tjetër, pa autorizim.
Ekspozim publik i votës: U publikua rasti i votës së parë për PS nga Sekretari i Përgjithshëm i partisë.
KQZ nuk po mbikëqyr dhe nuk po kontrollon si po vepron nënkontraktori DHL dhe si po zbatohet praktikisht në terren, rast pas rasti, shpërndarja e votave dhe e materialeve zgjedhore – në përputhje apo jo të plotë me Kodin Zgjedhor, aktet e Rregullatorit dhe standardet ndërkombëtare.
Shkelje të ligjit për shërbimet postare dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri.
Cenim i standardeve ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe Dokumentit të Kopenhagës (1990).
Pabarazi në qasje dhe besueshmëri të procesit zgjedhor për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Dëm i thellë ndaj integritetit të votës dhe të drejtës kushtetuese për të votuar për diasporën.
Përfshirja e individëve të paautorizuar në Greqi në grumbullimin dhe kthimin e zarfeve të votimit: Individë në Hania (Kreta) dhe zona të tjera pretendojnë në rrjete sociale se kanë bërë ‘marrëveshje me DHL’ për të shpërndarë ose kthyer zarfat e votimit për shqiptarët në Greqi. Këto veprime, të paraqitura si ‘shërbim komunitar’, përbëjnë shkelje të rëndë të parimit të votimit të fshehtë dhe individual, dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit shqiptar zgjedhor. Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara.