Foltorja e Ripërtëritjes në Vlorë, Meçorapja: PD ka nevojë për çdo njeri që beson te liria

Kryetarja e Partisë Demokratike dega Vlorë, Nada Meçorapja, ka mbajtur fjalën e saj në aktivitetin ‘Foltorja e Ripërtëritjes’ në Vlorë, ku theksoi nevojën për riorganizimin dhe hapjen e strukturave të partisë.

Në prani të liderit të PD-së, Sali Berisha, demokratëve dhe simpatizantëve të kësaj force politike, Meçorapja tha se drejtimi i degës së PD-së në Vlorë i është besuar për herë të parë një gruaje, 36 vite pas themelimit të partisë.

Gjatë fjalës së saj, Meçorapja u ndal edhe te historia e familjes së saj, duke deklaruar se ajo ka njohur nga afër përndjekjen politike. Sipas saj, kjo përvojë e bën demokracinë një vlerë që duhet mbrojtur.

Fjala e kryetares së PD, Vlorë, Nada Meçorapja:

Përshëndetje! Mirë se vjen në Vlorë, lideri ynë, profesor doktor Sali Berisha. Faleminderit për besimin që foltorja e ripërtëritjes fillon nga Vlora. Të nderuar demokratë, qëndrestarë dhe kontribuues, të rinj dhe të reja, të dashur qytetarë të Vlorës.

Ka momente kur një përgjegjësi nuk merret thjesht mbi supe, merret mbi një histori. Sot pas 36 vitesh, drejtimi i Partisë Demokratike të Vlorës i besohet për herë të parë një gruaje. Për mua kjo nuk është një detyrë e thjeshtë, por është nder, është dhe një përgjegjësi, dhe mbi të gjitha është një besim që duhet justifikuar çdo ditë me punë.

Vlora ka qenë gjithmonë një qytet që ka ditur të flasë me zë të lartë kur liria ka qenë në rrezik. Dhe Partia Demokratike e Vlorës ka një histori që nuk harrohet. Prandaj sot, nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar atë se çfarë kemi bërë, jemi këtu për të folur për atë që duhet të bëjmë. Dega e Partisë Demokratike të Vlorës ka përfunduar tashmë një proces të rëndësishëm të riorganizimit të strukturave të saj.

Qëllimi është një parti më pranë njerëzve, një parti më e hapur, një parti që dëgjon, një parti ku të rinjtë gjejnë hapësirë, gratë gjejnë besim dhe çdo demokrat gjen respekt. Dua të falënderoj me gjithë zemër çdo njeri që ka kontribuuar ndër vite në këtë shtëpi politike. Ata që kanë qenë në ditë të mira, por sidomos ata që kanë qëndruar në ditët më të vështira.

Sepse një parti nuk ndërtohet vetëm në ditët kur gjithçka shkon mirë, ajo ndërtohet në ato ditë kur njerëzve do t’u duhet sidomos të qëndrojnë, të zgjedhin. Dhe unë e di se çfarë do të thotë të qëndrosh. Vij nga një familje që e ka njohur nga afër përndjekjen politike.

Dhimbjen dhe sakrificën. Familja ime mban në kujtimin e atyre që u burgosën, u internuan dhe u përballën me një sistem që mohoi lirinë. Prandaj për mua, fjala demokraci, nuk është një fjalë që thuhet thjesht në podium, është një vlerë që është paguar shtrenjtë.

Është kujtimi i etërve dhe gjyshërve tanë. Është dhimbja e familjarëve që humbën vite jetë dhe njerëz të dashur. Është përgjegjësia jonë që sakrifica e tyre të mos kthehet në harresë. Ne nuk e kërkojmë të shkuarën për t’u ndarë me njëri-tjetrin, e kujtojmë për të kuptuar se çfarë duhet të mbrojmë sot dhe nesër. Dhe sot dua të them diçka shumë të thjeshtë.

Partia Demokratike e Vlorës ka nevojë për çdo njeri që beson tek liria. Ka nevojë për ata që kanë qëndruar, ka nevojë për ata që janë larguar dhe duan të rikthehen në këtë forcë politike. Ka nevojë për të rinjtë që kërkojnë një arsye më shumë për të qëndruar në Shqipëri. Ka nevojë për gratë që duan të marrin përgjegjësi.

Ka nevojë për çdo qytetar që nuk është pajtuar kurrë me padrejtësinë. Prandaj nga kjo foltore, ftesa ime është e hapur. Ejani të ndërtojmë së bashku një faqe të re për Partinë Demokratike të Vlorës! Jo me përçarje, jo me përjashtime, por me punë, me respekt dhe përgjegjësi. Sepse ripërtëritja nuk është thjesht një sllogan politik.

Ripërtëritje është të hapësh derën për të renë, pa harruar sakrificën e atyre që e ndërtuan shtëpinë tonë politike. Është të respektosh të shkuarën, të punosh në të tashmen dhe të besosh tek e ardhmja. Kjo është përgjegjësia që ne kemi përpara.

Dhe unë së bashku me Partinë Demokratike dega Vlorë dhe gjithë strukturat, do të jem aty ku duhet të jemi. Pranë demokratëve, pranë qytetarëve, pranë çdo kauze që kërkon drejtësi, dinjitet dhe liri.

Nga Vlora jonë… nga qyteti ku historia dhe liria kanë gjetur gjithmonë zë. Le të nisim këtë kapitull të ri me besimin, kurajën dhe përgjegjësinë.

Rruga mund të jetë e vështirë, por kur ke një ideal për të mbrojtur, një histori për të respektuar, një të ardhme për të ndërtuar, nuk dorëzohesh.

Bashkë do të punojmë, bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të ndërtojmë të ardhmen.

Zoti e bekoftë Vlorën, Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale