Fjalimi i turpshëm në OKB/ Berisha: Rama është armik i egër i Kosovës, tani po përhap shpifje të ulëta kundër Vetëvendosjes. Foltoret e Ripërtëritjes në Vlorë dhe Elbasan dëshmuan se orteku i opozitës po rritet çdo ditë dhe do të përmbushë misionin e tij

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar si ‘të turpshëm’ fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e akuzuar atë se nuk përmendi Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët, Berisha tha se Rama kishte zgjedhur që fjalimin në OKB ta përqendronte te inteligjenca artificiale dhe jo te çështjet që, sipas tij, lidhen me interesat kombëtare shqiptare.

‘Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së’, deklaroi Berisha, duke shtuar se, sipas tij, kryeministri shqiptar ka mbajtur një qëndrim të kundërt me atë të kryeministrit të Kroacisë, i cili foli për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Lideri i opozitës Sali Berisha e lidhi këtë qëndrim edhe me raportet e Ramës me qeverinë e Kosovës. ‘Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë’, u shpreh kreu i PD-së. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një forcë politike kundër Shqipërisë. Sipas Berishës, një pretendim i tillë është i pabazuar. ‘Nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri në Kosovë, por ka një shqiptar që sillet si Pashiçi i Serbisë ndaj Kosovës, një shqiptar që quhet Edi Rama, argati i Vuçiçit’, tha Berisha.

Në bashkëbisedimin online me qytetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha folir edhe për arrestimin e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Ai e cilësoi këtë zhvillim si një prej skandaleve më të rënda dhe pretendoi se përgjegjësia politike për çështjet që lidhen me sigurinë e vendit shkon deri te kryeministri Rama. Kryedemokrati përsëriti edhe akuzat e tij ndaj qeverisë për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ai deklaroi se ka, sipas tij, ‘prova direkte të mëdha’ për Edi Ramën dhe kritikoi SPAK-un për faktin që, sipas tij, nuk e ka marrë kryeministrin në pyetje për një sërë çështjesh.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli edhe për protestat kundër qeverisë, duke paralajmëruar një aksion më të gjerë opozitar. ‘Koha që opozita të organizojë protestë kombëtare ka kaluar’, deklaroi ai, ndërsa në fund e përmblodhi mesazhin politik me sloganin: ‘Shqipëria në shesh, do të jetë motoja jonë’. Berisha bëri thirrje demokratëve për ‘mobilizimin më të madh’, ndërsa tha se strategjia e opozitës do të jetë ripërtëritja e Partisë Demokratike dhe rritja e presionit politik ndaj qeverisë. Ai deklaroi se PD do të krijojë një agjenci kombëtare që, në rast të ardhjes në pushtet, do të hetonte dhe konfiskonte pasuritë që do të rezultonin të paligjshme.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri sërish thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve që të vazhdojnë ‘betejën’ kundër qeverisë dhe të bëhen pjesë e protestës së përditshme qytetare.

FJALA E PLOTE:

Java që lamë pas është java e skandalit më të jashtëzakonshëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por e një skandali që njeh gjithsej edhe dy raste të tjera të ngjashme në historinë e botës.

Shefja e shërbimit inteligjent të vendit arrestohet për bashkëpunim me organizatën kriminale më të rrezikshme në Evropë të Ergys Agasit për nxjerrje të sekretit shtetëror duke shkaktuar kështu rënien e plotë të piramidës së sigurisë së vendit.

Për qytetarët shqiptarë shtoj se arrestimi për bashkëpunim me krimin dhe për nxjerrjen e sekretit i shefit të shërbimeve është më i rëndë se arrestimi i çdo zyrtari tjetër të vendit për këto dy vepra penale sepse ai presupozohet se është i certifikuar për shkallën më të lartë të besimit.

Ndërkohë që Vlora Hyseni është emëruar në atë post absolutisht jashtë çdo kriteri dhe përbën kjo një nga çështjet më madhore që kërkon përgjigje.

Vlora Hyseni është denoncuar nga Sali Berisha, por mundet edhe të tjerë, që në javën e parë të emërimit të saj të pamerituar në atë detyrë dhe në vazhdim.

Ergys Agasi është akuzuar nga Sali Berisha në mënyrë të përsëritur se kishte në kontroll të plotë shërbimin informativ kombëtar.

Vlora Hyseni arrestohet apo shpallet urdhër arresti në një kohë kur ajo nuk ishte në qeveri, çka dëshmon se qeveritarët aktualë donin me çdo kusht që ajo të kthehet.

Por ajo u kthye dhe me sa duket është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj.

Ndaj dhe zhvillimet e mëpastajme do jenë po të këtij kalibri, po të këtij niveli.

Së dyti, këtë javë ishte java e turpit të Shqipërisë në OKB, ku përfaqësuesi i narkoshtetit bëhet kreu i parë i një narkoqeverie që i kushton fjalimin e tij algoritmit dhe asnjë problemi tjetër, pra halleve të veta, dhe dëshmoi se fantazma e algoritmit e ka ngërthyer atë shpirt dhe zemër dhe nuk i ndahet më.

Por zhvillimi pozitiv i kësaj jave ishin dy foltoret e Ripërtëritjes të organizuar nga PD në Vlorë dhe Elbasan me një pjesëmarrje të shkëlqyer, me një angazhim të madh të strukturave të partisë, deputetëve, me debate të hapura dhe pyetje të shumta, çka dëshmojnë se procesi i ripërtëritjes së partisë është një imperativë, e cila po ecën dhe do ecë në emër të ripërtëritjes së Shqipërisë.

Me këtë rast unë falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët dhe qytetaret e Vlorës dhe Elbasanit që morën pjesë në këto foltore.

Falënderoj degët dhe kryetarët e tyre, zonjën Meçorapaj dhe zotin Tarazani për organizimin.

Falënderoj udhëheqësit politikë të këtyre degëve zotin Bylykashi dhe zotin Tomor Alizoti.

Falënderoj deputetët e tyre.

Ishin aktivitete vërtet të shkëlqyera, të cilat dëshmojnë se orteku i opozitës po rritet çdo ditë dhe do të përmbushë misionin e tij.

Ndërkohë protesta rinore qytetare ka vazhduar pa ndërprerë.

E përshëndes përzemërsisht dhe i përgëzoj sepse faktikisht po zvarrisin Edi Ramën çdo natë në rrugët dhe bulevardet e Tiranës, moralisht sigurisht.

Por, në fakt ai është drejt kohërave të fundit të tij.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARET:

Griselda Selimaj: Mirëdita Doktor. Si e vlerësoni mënyrën se si Rama e trajtoi çështjen e UÇK-së në mbrëmjen gala? Ndërkohë në OKB nuk tha asnjë fjalë, duke u bërë edhe subjekt diskutimi në mediat e Kosovës.

Sali Berisha: Fjala e Padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të jashtëm të Shqipërisë apo atyre të Koresë së Veriut.

Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fandaksur, i tmerruar nga protesta rinore, qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, i kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë fjalim, në atë sallë e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së.

Tradhtia i ka zënë grykën. E ka mbërthyer për gryke dhe nuk e lejon më të shqiptojë një fjalë. Histori e turpshme. Në atë sallë, në një fjalim të shkëlqyer, kryeministri i vendit mik, Kroacisë, foli sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë. Ai denoncoi veprimet e Beogradit, nderimet ushtarake që i bëhen monstrave të gjenocidit të Bosnjës, Ratko Mlladiç, përpjekjet destabilizuese të Beogradit në Kosovë dhe për probleme të tjera të rajonit.

Kurse për Edi Ramën, universi i tij ishte algoritmi, që në fakt i ka kallur tmerrin dhe datën në çdo qelizë të tij.

Por, me këtë rast, i ftoj edhe ata pak qytetarë të Kosovës që për jugosllavizmin e tyre, apo për të mbetur si relike, apo për enverizmin e tyre, vazhdojnë dhe bëjnë të mashtruarin nga Edi Rama.

Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë.

Miq, pas përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë e Kosovës me Vlora Hysenin dhe të dërguarit e tij, ai po përhap tani në Shqipëri shpifjet më të ulëta me të cilat kërkon të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një parti kundra Shqipërisë.

Unë u them këtyre puthadorëve të Edi Ramës, që paguhen si shërbëtorë të tij dhe kalojnë nga një studio në një studio tjetër me një mashtrim të paskrupullt, në Kosovë e vërteta është se nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri.

Por ka një kryeministër në Shqipëri anti-shqiptar. Ka një kryeministër në Shqipëri, o çakej dhe puthadorë që ka ndërtuar në vendin amë, në Shqipëri, shtetin e drogës dhe ju paguan ju. Si mund ta akuzoni një parti sot në qeverinë e Kosovës se qenka kundra Shqipërisë?

Nuk ka asnjë parti në Kosovë kundra Shqipërisë, por natyrisht çdo shqiptar i ndershëm në Kosovë dhe kudo në botë është kundër narkoshtetit të Edi Ramës, dhe ju përdorni Shqipërinë si mburojë për narkoshtetin e Edi Ramës.

Turpi ju mbuloftë!

Nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri në Kosovë, por ka një shqiptar që sillet si Pashiçi i Serbisë ndaj Kosovës, një shqiptar që quhet Edi Rama, argati i Vuçiçit.

Ju që dilni në studio o të pafytyrë dhe etiketoni anti-shqiptare partitë e Kosovës, harroni ju sanksionet që vuri kundër Kosovës i pari në Evropë?

Harroni ju xhiron ballkanike që bëri për të izoluar kryeministrin e Kosovës, ndërkohë që të tjerët i tregonin bërrylin, për kërkesën e tij, fqinjët e tjerë?

Harroni ju se si dorëzoi projektin e copëtimit të Kosovës? Harroni ju se si dorëzoi projektin e marrë në Beograd për Asociacionin?

Se si kërkoi konferencën ndërkombëtare për Kosovën në mënyrë që rusët të uleshin në tavolinë?

Si i lejoni vetes një gjë të tillë?

Ju me të njëjtin zell, të njëjtin shërbim i shërbeni Vuçiçit.

Ju jeni po kaq anti-shqiptarë sa Edi Rama, i cili s’guxon të përmendë fjalën Kosovë në OKB.

I cili nuk tha një fjalë të vetme për dënimin e tërë asaj udhëheqjes politike të Kosovës. Nuk shqiptoi një fjalë të vetme. Nuk ekzistonte për Edi Ramën ky problem.

Ky apatrid gjeti të bëhej patriot në një darkë ku sulmoi për tradhti Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Joe Biden.

Joe Biden sot nuk është president, por u them shqiptarëve që në të gjithë karrierën e tij politike ai, qëndrimin dhe votën e ka patur për shqiptarët. Dhe del një zuzar dhe thotë se tradhtoi Joe Biden, meqenëse ai tani nuk është më në funksione.

Tradhtoi Amerika, Hashim Thaçin. Si mund të shqiptohet një fjalë e tillë? Me çfarë e tradhtoi Amerika Hashim Thaçin, a thoni pak njëherë?

Se çliroi Kosovën në bashkëpunim me UÇK-në?

Pra, praktikisht, ky Padrino i degraduar sot nuk ka asnjë interes tjetër vetëm karrigen e tij sepse e di që po i vjen fundi, fundi dhe fund i tmerrshëm.

Pse i tmerrshëm do thoni ju? Sepse ka firmosur në qindra vendime anti-ligjore.

Sepse është de facto drejtues i karteleve më të fuqishme të drogës në Evropë dhe ndër më të fuqishmet në botë. Sepse ka vjedhur miliarda në tendera, prokurime dhe pasuri publike.

Nuk ka sot Evropa një të dytë të inkriminuar si Edi Ramën.

Ndaj dhe ai, jeni të përgatitur të dëgjoni çdo gjë gjersa të përfundojë në sallën e gjyqit.

Jaser Sokoli: Doktor, përshëndetje. Rama akuzoi shqiptarët në OKB si antisemitë sepse sipas tij po zhvillojnë protesta kundër Izraelit. Si mund ta bëjë këtë një kryeministër për shtetasit e tij?

Sali Berisha: Për lëkurën e tij, do të më falni, po dhe të ndjerën nënë të vetën, do të ishte i gatshëm t’i shiste kockat e saj. Nuk ka kufi ky.

Më falni, para disa ditësh deklarova se vetëm për të pasur këtë argument dhe për të dalë me flamurin e mbrojtjes së Izraelit dhe për të nxjerrë protestuesit antisemitë, çoi agjentë të policisë kriminale dhe grisën flamurin e shtetit të Izraelit në dyert e ambasadës.

Edi Rama kërkon tani që shqiptarët t’i paraqesë me çdo ngjyrë: antisemitë, terroristë, pro-iranianë e të tjerë e të tjerë, vetëm e vetëm që të mund të qëndrojë në pushtet.

Por e vërteta është se këtë e kanë kuptuar me radhë edhe aleatët tanë, edhe partnerët tanë dhe ai ka kohërat e numëruara së kur në atë karrige.

Klevis Meshi: Doktor, Edi Rama në SHBA sulmoi ish-presidentin Biden për çështjen e Hashim Thaçit duke deklaruar se ky i fundit u tradhtua prej ish-presidentit amerikan. Si e komentoni këtë deklaratë?

Sali Berisha: Një paturpësi ekstreme. Joe Biden nuk është më president, por e thashë dhe më parë, në të gjithë karrierën e tij, ai votën dhe qëndrimin e ka pasur në favor të shqiptarëve. Nuk ekziston asnjë dokument në botë që Joe Biden t’i ketë premtuar një njeriu apo një tjetri se do ta mbrojë nga gjykimi dhe drejtësia.

Të shfrytëzosh një vendim të padrejtë të një gjykate për të shpallur ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara tradhtar të Hashim Thaçit, pra njeri të pabesë ndaj këtij individi, do të thotë të jesh i zhveshur nga çdo normë morale.

Dhe të kesh një hall aq të madh në këtë çështje, sa je i gatshëm të thuash çdo gjë.

Por në fakt, ai që qëndron prapa këtyre proceseve dhe dënimeve është vetë Edi Rama.

Besmir Lleshi: Doktor, akuzat tuaja kanë rezultuar gjithmonë të sakta. SPAK ka goditur individët që ju keni denoncuar vite më herët edhe pse mund të themi që puna e këtij institucioni lë shumë për të dëshiruar. Shqiptarët duan konfiskim të pasurive të vjedhura dhe kthimin e tyre tek shqiptarët. Gjithsesi, a mund të na tregoni sot ndonjë informacion ekskluziv për ndonjë zyrtar tjetër të implikuar me krimin e organizuar nga qeveria e Ramës? Në parlament pyetët ministren Ismaili nëse kishte qenë në zyrën e Agasit. A mund të dimë çfarë provash keni për këtë?

Sali Berisha: Tani, do më falësh po unë prova direkte të mëdha kam për Edi Ramën. Kam direkt për Edi Ramën!

Edi Rama ka dërguar në Aruba përfaqësuesit e tij në takimin trepalësh. Pra, takimi që është zhvilluar në Aruba midis bosëve të drogës, ndërtuesve dhe përfaqësuesve të Edi Ramës është bërë totalisht me urdhër të Edi Ramës.

Edi Rama ka pritur bosin e Sinaloas meksikane Luftar Hysin dhe kjo është e faktuar.

Vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, është protagonist kryesor i klanit të Xibrakës dhe fabrikës së miellit që u ndërtua në Xibrakë në vitin 2013-2014.

Këto janë të faktuara të gjitha zotëri, por SPAK-u nuk vepron. Edi Rama është autori i kanabizimit të plotë të Shqipërisë. Është njeriu që përpunoi doktrinën e drogës si doktrinë e pasurimit të tij dhe të bosëve të tjerë.

Pra, po të më pyesësh sot, Belinda Balluku, Olsi Rama, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, Engjëll Agaçi, Vlora Hyseni, Ergys Agasi, Vangjush Dako dhe cilido, të gjithë pa përjashtim janë ushtarë të Edi Ramës.

Kështu që problemi më kryesor është ky, se SKAP nuk guxon ta thërrasë Edi Ramën.

Nuk guxon ta thërrasë ta marrë në pyetje për Arubën.

Nuk guxon ta thërrasë ta marrë në pyetje për Luftar Hysën.

Nuk guxon ta thërrasë ta marrë në pyetje për 140 milionë euro të djegësit të Tiranës, të cilit ai me firmën e tij ia dha kompanisë 8 muaj para se ajo të regjistrohej në QKB.

Nuk guxon ta thërrasë ta pyesë për 300 milionë euro koncesione të shëndetësisë. Dilte nga studio në studio Edi Rama, me një gërshërë të thyer dhe një pincë të ndryshkur, thoshte ‘ja me se operohet’ ky mashtrues ordiner i pafytyrë. Në një kohë që me koncesionin rriste koston për sterilizim, sipas organeve zyrtare shqiptare, 83 herë, vetëm që të vidhte me ministrin e tij. Dhe, në qoftë se Beqja bëri burg dhe është gjoja në proces për paratë që ai ka shpenzuar në restorantin e tij, para të BE, nuk ka asnjë akuzë për sterilizimin, nuk ka asnjë akuzë për analizat, nuk ka asnjë akuzë për check-up-in, sepse janë të gjitha veprat e Edi Ramës.

SPAK-u nuk guxon të thërrasë Edi Ramën për të gjitha porositë, 60% e dosjes Balluku është dosja e Edi Ramës.

Nuk guxon ta thërrasë Edi Ramën për 120 milionë euro të Beketit, gjobë Shqipëris.

Nuk guxon ta thërrasë Edi Ramën për përzënien e Pacollit nga aeroporti i Vlorës që do shkojë të paktën 600 milionë euro.

Por përsëri mund të bëj një listë të tërë.

Kështu që, në zyrën e Agasit kanë kaluar me dhjetëra ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë.

Lidhur me atë zonjën, se paska bërë një koment ajo, nuk ka pasur asnjë kuptim tjetër fjala ime përveçse politik.

Po atyre u shkon mendja mbarë e mbrapsht e pastaj m’i veshin mua ato që unë s’i them.

Jo, sepse atje shkonin ministrat e i thoshin: ‘na e ndërro pak ministrinë’.

Pra, kur flas për zyrën e Agasit, në parlament dhe kudo, unë flas për angazhimin e tij të tmerrshëm në politikë. Këto janë. Gjiknuri? Po ka qenë Gjiknuri.

Një javë shkon në Batoped, në Athos, për të larë gjynahet atje. Nga ana tjetër shkon e futet në zyrën e Agasit.

Atje është shumica. Aty kanë qenë, aty diskutohej e tërë politika, ministrat e brendshëm, aty shkarkoheshin.

Po, po. Shumë e vërtetë.

Ndaj dhe ka vetëm një zgjidhje, vendosni Edi Ramën para drejtësisë.

Nuk ka luftë kundër kriminalitetit të vërtetë në qoftë se Edi Rama nuk shkon në bankën e të akuzuarit.

Avokat Eduard Brahilika: Zoti Berisha, ju prej tre vitesh keni artikuluar termin narkoshtet dhe ky term sot diskutohet në Bruksel, në Kongres, në Senat dhe në mediet botërore. Ambasadori Ëendt do të jetë më datë 2 në Shqipëri. A mendoni se do të keni një raport të frytshëm me të duke qenë se ju jeni i vetmi që keni luftuar krimin në këtë vend gjatë viteve 2005-2009?

Sali Berisha: Së pari i uroj mirëseardhjen ambasadorit dhe theksoj këtu se beteja kundër narkoshtetit është një betejë shumë e vështirë.

Ne jemi i vetmi vend në Europë, ne jemi njëlloj si Guinea-Bissau që ishte vendi i parë dhe i vetëm narkoshtet në Afrikë, ne u bëmë vendi i parë dhe i vetëm narkoshtet në Evropë.

Dhe unë kam besim se me pozicionimin dhe kualifikimin që iu ka bërë presidenti Trump dhe administrata e tij karteleve të drogës si grupe terroriste, Shtetet e Bashkuara do japin një ndihmë substanciale për luftën kundër këtyre karteleve dhe çmontimin e narkoshtetit në Shqipëri.

Sekretari Rubio, edhe një herë të dashur miq, në mesazhin e tij të urimit për shqiptarët Ditën e Pavarësisë, e konsideron luftën kundër karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të këtyre karteleve, po dihet se kush janë bashkëpunëtorët, si kritike për sigurinë e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara.

Sepse në fakt këto kartele, kartelet shqiptare janë një rrezik jo vetëm për Shqipërinë, por Evropën, për hemisferën perëndimore dhe mbarë botën.

Shkëlzen Mustafa: Rama e përdori Shqipërinë dhe ministren virtuale Diella si një shembull ndërkombëtar të përdorimit të inteligjencës artificiale. Ne që jetojmë në Shqipëri e dimë mirë që Diella është një dështim dhe një gënjeshtër e madhe, ashtu sikurse çdo gjë tjetër që prodhon kjo qeveri. E pritshme që Rama në OKB të përqendronte fjalimin e tij tek inteligjenca artificiale në një kohë kur në Shqipëri është bërë objekt i vëmendjes ndërkombëtare për drejtësinë e kapur, korrupsionin dhe implikimin e zyrtarëve të lartë me banda.

Pyetja ime konkretisht është: Sa impakt ka fjalimi i Ramës sot në sytë e botës? A po ia arrin ai që të portretizojë Shqipërinë si një vend ku jeta është fushë me lule, apo tashmë ndërkombëtarët janë mirë informuar për realitetin në vendin tonë?

Sali Berisha: Shkëlzen, fundi moral i një njeriu është kur ai beson gënjeshtrat e tij, ose bën sikur i beson gënjeshtrat e tij.

Diellën e Edi Ramës e zbërthyen çip për çip specialistë të shquar të fushës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjetën zero inteligjencë artificiale në këtë bot. Ky është një bot me zero inteligjencë artificiale.

Pra, Edi Rama lexoi apoteozën për mashtrimin e tij dhe kjo do jetë barsoleta e këtij sesioni të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Njëra nga barsoletat, se ai ka dhe barsoleta të tjera që do dalin pak më vonë.

Ndaj dhe ju siguroj se komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po mëson të vërtetën e këtij delinkuenti, këtij padrinoje që përpiqet me sharlatanizëm të mashtrojë komunitetin ndërkombëtar.

Por populli ka shumë fjalë për gënjeshtrën. Thotë se ajo ecën shumë më shpejt se e vërteta. Thotë se e përsëritur, edhe mund të besohet. Por thotë dhe një tjetër: i ka këmbët e shkurtra. Kështu që Edi Rama i ka kohërat e shkurtra.

Ju garantoj për këtë, është në kohërat më të fundit të tij, të turpshme.

Muhamed Uraj: Zoti Berisha, Banka e Shqipërisë raporton se vetëm në gjashtë muaj 328 milionë euro investime të huaja kanë ardhur nga burime të klasifikuara si konfidenciale, ndërsa 610 milionë kanë shkuar në pasuri të paluajtshme.

A nuk ngre kjo një pikëpyetje serioze për origjinën e kapitalit që po hyn në Shqipëri dhe për faktin se një pjesë kaq e madhe e investimeve po përqendrohet në pasuri të paluajtshme?

Sali Berisha: Kjo tregon se dy të tretat e investimeve, ato të pasurive të paluajtshme, janë të karteleve të drogës. Ata blejnë toka, blejnë apartamente dhe kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta.

Kurse kjo e pasurive konfidenciale, unë do t’i kërkoj me urgjencë Komisionit të Financave dhe Ekonomisë të kërkojë shpjegime të qarta për investimet nga fonde konfidenciale.

Kjo kërkon transparencë të plotë.

Muharrem Kurti: Përshëndetje zoti Berisha. Edhe kryeshefja e spiunëve, pra shefja e SHISH, Vlora Hyseni, tashmë është në arrest shtëpie. Pyetja ime është: kush tjetër duhet të arrestohet që Ramziu të japë dorëheqjen?

Sali Berisha: Radha e Edi Ramës ka kaluar me kohë. Askush sot në Shqipëri nuk ka shkallën e kriminalitetit, e korrupsionit dhe të implikimit që ka Edi Rama.

Ndaj dhe të bëjmë gjithçka që ai të shkojë në bankën e akuzës ku e ka vendin.

Rubin Dashi: Zoti Berisha, kam dy pyetje për reformën territoriale. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar dje draft-ligjin për ndarjen administrative territoriale dhe në relacionin tuaj flitet për autonomi financiare dhe zhvillim lokal. Çfarë garancish apo mekanizmash konkretë parashikon ky projektligj që këto bashki të reja, shpesh me popullsi të vogël ose të paktën në numër banorësh, të mos mbeten plotësisht të varura nga grantet e pushtetit qendror? Dhe pyetja e dytë: fati i reformës dihet si do të shkojë, pasi Rama i ka votat që i nevojiten për ta kaluar pa patur dakordësinë e opozitës. Ju si PD çfarë hapash do të ndërmerrni?

Sali Berisha: Shumë e drejtë, ke pyetur për një çështje jashtëzakonisht themelore. Zoti Dashi, Edi Rama po përdor performancën financiare gjoja si kriter për ekzistencën ose mos-ekzistencën e një njësie të qeverisjes vendore. Po përdor shpatën e Demokleut dhe po përdor një mekanizëm për t’i asgjësuar ato.

Gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme ka patur 410 komuna dhe bashki në të gjithë vendin. Komunat dhe bashkitë në të gjithë vendin kishin gjithsej 19,500 punonjës. Sot ka 61 bashki dhe ka 40,000 punonjës. Sot barra që paguan taksapaguesi për punonjësit e qeverisjes vendore është dy herë më e madhe.

Cili ishte dallimi? Jashtëzakonisht i rëndë. Shqipëria, siç e dini ju, është një vend ku 80% të sipërfaqes e ka kodra dhe male. Në qoftë se ti vendos t’i braktisësh ato, ti faktikisht krijon një shpopullim masiv dhe privon shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme në mbarë vendin.

Pse ne ishim të kënaqur me këto komuna dhe bashki? Ne ishim të kënaqur sepse qytetarët kudo që ishin, merrnin shërbimet që u duheshin pa udhëtuar orë të tëra, pa pritur ditë të tëra.

Së dyti, më e rëndësishmja, të gjitha këto njësi të qeverisjes vendore ishin njëkohësisht njësi investuese. Dhe ne vendosëm një raport me to. Ky raport ishte: ju bëni projektet, qeveria jep fondet. Dhe kjo bëri që ne të rikonstruktojmë dhe të ndërtojmë në Shqipërinë rurale 8,300 kilometra rrugë.

Kjo bëri që shqiptari sot të mund të shkojë të kapë shumicën e majave të maleve të veta.

Kjo bëri që të rritet tregu, tokat të vlerësohen kudo, dhe mbeten edhe 3-4,000 kilometra për t’u finalizuar komplet infrastruktura.

Pra, njësitë e qeverisjes vendore janë të pazëvendësueshme për zhvillimin e vendit.

E kam thënë shumë herë këtë shembull: Agim Hoxha në komunën Xhafzotaj në katër vite asfaltoi 49 kilometra rrugë, ndërkohë që Edi Rama si kryetar bashkie i Tiranës asfaltoi gjithsej 12 kilometra rrugica dhe rrugë.

Pse e theksova këtë? Ekzistenca e njësive të qeverisjes vendore është jetike.

Shko pak, dil jashtë Tiranës, në qoftë se gjen një investim të vetëm në Shëngjergj, në Zall-Bastar, në Krrabë e kudo. Jo, ka pushuar koha për to, nuk ekziston.

Pra, ne e shohim këtë reformë si jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin dhe ripopullimin e vendit.

I përshëndes të gjithë banorët e Poliçanit, të Divjakës, të Maliqit, të Dimalit, të Fushë-Arrëzit dhe të gjitha bashkive që Edi Rama ka vendosur t’i asgjësojë.

Ne nemi dorëzuar projektin tonë në të cilin shtohen edhe 40 bashki të tjera. Natyrisht, ai nuk lejon sepse centralizimi është rruga më e sigurt e kontrollit më të plotë.

Por ne do të marrim çdo masë ligjore. Qytetarët do të vijnë në protestat më të fuqishme që ka njohur Shqipëria para parlamentit.

Nuk mund të dorëzohen komunat dhe bashkitë tek një padrino që Shqipërinë e konsideron si një paketë malesh për trafikantët e drogës.

Marsi Laura Qelia: Përshëndetje zoti Berisha, pyetja e parë. Sot ambasadori i ri i SHBA-ve, Eric Ëendt, i dorëzoi letrat kredenciale presidentit Begaj duke nisur zyrtarisht misionin e tij në Shqipëri. Ndërkohë më datë 2 tetor, ambasada e SHBA-së do të organizojë ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri. A jeni i ftuar në këtë event?

Sali Berisha: I uroj mirëseardhjen ambasadorit, nuk kam dijeni për ceremoninë.

Marsi Laura Qelia: Pyetja e dytë. Të hënën, Presidenti Bajram Begaj ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me rastin e ish-kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni. A keni marrë ftesë nga kreu i shtetit për të marrë pjesë në këtë mbledhje? Nëse po, a do të merrni pjesë?

Sali Berisha: Nuk kam marrë asnjë ftesë.

Arbër Mitrushaj: Përshëndetje Doktor Berisha, pas gjithë këtyre skandaleve që po dalin, a mendoni se ka ardhur koha që opozita të organizojë një protestë kombëtare?

Sali Berisha: Ka kaluar. Koha që opozita të organizojë protestë kombëtare ka kaluar, por opozita e ka mbështetur me të gjithë mundësitë e veta protestën rinore qytetare. Natyrisht, që opozita do rishqyrtojë, në interesin më të mirë të shqiptarëve, qëndrimet e saj.

Kur do të dalë me protestën e saj opozita?

Sali Berisha: Do ta njoftojmë.

Erigers Hamiti: Përshëndetje Doktor, pas këtyre skandaleve, a ka ardhur koha të dalim në mosbindje civile?

Sali Berisha: Kjo është shumë e vërtetë, ka ardhur dhe ka kaluar koha.

Doktor, organizoni një protestë prapë, Dritan Çejku, e njëjta pyetje dhe nga Isuf Zalli. Petrit Matia, e njëjta gjë: Përshëndetje, me gjithë këto skandale që kanë përfshirë qeverinë e narkoshtetit, ka ardhur koha që demokratët të mbushin sheshet dhe deputetët e opozitës të ngujohen në parlamentin e Ergys Agasit?

Sali Berisha: Koha, e tha një qytetar nga Elbasani… Koha është Shqipëria në shesh, dhe kjo është e vërteta më e madhe.

Gjon Lajthia: Përshëndetje Doktor. Korrupsioni dhe bandat janë bërë pjesë e pandarë e kësaj qeverisjeje. Ju keni deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si do t’i bëjmë zgjedhjet lokale se po afrohen?

Sali Berisha: Pyetje e drejtë.

Së pari, Edi Rama sot ju garantoj se është më i damkosur se kurrë. Në dy vitet e fundit ne i faktuam botës, se Edi Rama nuk bën zgjedhje por farsë zgjedhore.

Në dy vitet e fundit kanë faktuar të vërteta në tërësi të gjitha akuzat e opozitës dhe denoncimet e saj.

Në dy vitet e fundit janë mbi tetë rezoluta ndërkombëtare që damkosin regjimin e Edi Ramës.

Është bërë zyrtare tashmë cilësimi i karteleve shqiptare të drogës dhe rreziku i tyre ndërkombëtar.

Në dy vitet e fundit është faktuar se Edi Rama është mbrojtës i zjarrtë i korrupsionit dhe se ai ka një dosje të përbashkët të rëndë shumë me Lubi Ballukun.

Se Ergys Agasi ka qenë koordinatori i tij me kartelet e drogës. Janë të faktuara të gjitha këto.

Në dy vitet e fundit, është faktuar se Edi Rama, në shkelje të çdo kodi dhe morali, ka kontrolluar internetin e të gjithë shqiptarëve, përfaqësive diplomatike në Shqipëri duke shkelur në mënyrë flagrante konventat ndërkombëtare, duke shkelur në mënyrë flagrante partneritetin, lojalitetin e partneritetit, e me radhë. Dhe jo vetëm që ai i ka regjistruar këto, por ato ua ka dorëzuar edhe bandave dhe armiqve të tyre.

Në dy vitet e fundit është faktuar, se sekretet, se çdo sekret shtetëror i këtij vendi, përfshi dhe sekretet që Aleanca e Atlantikut të Veriut i ka besuar Shqipërisë si vend anëtar, kanë përfunduar në duart e karteleve të drogës dhe të armiqve të NATO-s.

Në dy vitet e fundit është faktuar, se në çdo dosje, emri kryesor që mbrohet nga SPAK-u është Edi Rama.

Pra, është faktuar farsa e tij elektorale.

Sot Edi Rama është 10 herë më i dobët se ç’ishte.

Edi Rama kurrë nuk do të dojë të bëjë zgjedhje. Por ne duhet të bëjmë gjithçka që ta përzëmë atë.

Ndërkohë, besoj se një nga nenet e arta të atij statuti që kemi, është se ne nuk bojkotojmë. Ne nuk ndoqëm rrugën e bojkotave, por ndoqëm rrugën e betejës. Betejë shumë të vështirë, siç e dini ju. Por kjo betejë dha frytet e veta.

Ne bëmë një përpjekje të jashtëzakonshme jo vetëm me shqiptarët duke u treguar atyre të vërtetat që na besonin shqiptarët kundër kësaj bande në pushtet, por me një punë intensive me miqtë tanë në Europë dhe në botë, arritëm të fusim në rreth të kuq regjimin e Edi Ramës.

Ndaj dhe sot, më shumë se kurrë nga çdo demokrat e demokrate kërkohet mobilizimi më i madh për një rezultat të shkëlqyer në zgjedhjet e ardhshme dhe largimin e Edi Ramës sa më parë nga pushteti.

Agron Molla: Doktor përshëndetje! Mendimi im dhe jo vetëm i imi është që duhet deklaroni publikisht: qeveria e Partisë Demokratike do të konfiskojë pasurinë e të gjithë oligarkëve. Gjithashtu do të pastrojë administratën e të gjitha niveleve.

Sali Berisha: Agron të përshëndes dhe të përgëzoj për pyetjen. Partia Demokratike ka deklaruar se do të kërkojë ndër të tjera votën e shqiptarëve edhe për krijimin e një agjencie kombëtare me të cilën do të hetojë, identifikojë, konfiskojë çdo pasuri të paligjshme të politikanëve, të zyrtarëve, të qeveritarëve, të oligarkëve, të trafikantëve dhe të gjithë shqiptarëve që kanë pasuri të paligjshme në kurriz të vendosur nga droga, krimi, apo plaçkitja e taksave dhe e pasurisë publike.

Lita Xh: Zoti Berisha, përballë skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë, deri kur do të mjaftohemi vetëm me denoncime? Cili është plani konkret për ta përballur këtë qeveri politikisht, dhe për të nxjerrë opozitën nga reagimi në aksion? Si do t’i ngrini dhe bashkoni demokratët në terren, si do t’i mobilizoni qytetarët, dhe mbi të gjitha çfarë do të bëjë konkretisht PD-ja për të kërkuar ndryshimin e kësaj qeverie? Demokratët kanë nevojë për një strategji të qartë, jo vetëm për deklarata. Cila është ajo?

Sali Berisha: Strategjia jonë është ripërtëritja e PD-së. Ripërtëritja e PD-së do të thotë vitalizimi i kësaj force politike në këtë përballje me regjimin më kriminal që ekziston në Europë.

Dhe unë ju garantoj se Partia Demokratike në këtë proces do të dalë shumë herë më e fortë. Dhe është e gatshme, dhe ju e ndjeni, ndiqeni ju lutem, debatin që po zhvillojmë, ka vetëm këtë synim: që Partia Demokratike të nxjerrë Shqipërinë në shesh kundër këtij regjimi.

Marjan Geci: Doktor, nëse nesër do të ishit bërë kryeministri i vendit, e do të udhëhiqnit një vend me të gjithë problematikat që ju ka lënë pas pushteti i Ramës, dhe nëse do të kishit qenë ju në podiumin e OKB-së, cilin do të kishit vendosur si mesazhin më parësor për Shqipërinë dhe çfarë do të kishit kërkuar nga 193 vendet e botës që ndodhen në atë sallë?

Sali Berisha: Problemi më themelor i Shqipërisë është narkoshteti. Është zëvendësimi i shtetit ligjor me shtetin e mafies.

Shtetit që urren qytetarët.

Shtetit që përçmon qytetarët.

Shtetit që varfëron qytetarët.

Shtetit që vjedh qytetarët.

Shtetit që u grabit shtëpitë, tokat, pronat shqiptarëve.

Shtetit që i përzë ata nga Shqipëria.

Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, do shpallja luftë me zero tolerancë karteleve të drogës, organizatave kriminale, siç u zotove dje në Elbasan, se ata vend mbi tokë nuk do të kenë përveç burgut.

Le të shkojnë në të katër anët e botës, nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, ata do ndiqen, do ndiqen dhe do vendosen para ligjit.

Shqipëria do të çlirohet në mënyrën më të vendosur, me forcën e ligjit nga këto banda kriminale dhe pushtetarët e lidhur me to.

Shqipëria, e them përsëri, është në një sallë emergjence. Nuk ka gjë më të rëndë, po e rikujtoj, në diktaturë, më takonte shpesh, t‘i jepja të sëmurit recetën, i sëmuri nuk e merrte. Ajo recetë kushtonte herë 10 qindarka, herë 15 qindarka dita. Ai më thoshte: ‘Jo, doktor, unë kaq e kam ditën e punës, duhet të blej bukën’.

Por e vërteta është që sot, receta, që s’janë kurrë ato çmime, sot janë çmime stratosferike, në shumicën dërrmuese pensionistët nuk e marrin dot ilaçin. Nuk i marrin dot ilaçet.

Dhe këta shpirtkazmë njerëz shkojnë duke hequr njëri pas tjetrit ilaçet që atyre u duhen më shumë.

Lexoja një ditë një mikun tim, pensionist, e kam mik. Marr këtë pension, thoshte, por në farmaci ilaçin për hollimin e gjakut e kishin hequr nga rimbursimi. Dhe kjo më kushton mua, vetëm ky ilaç, tre pensione në vit.

Mirëpo ilaçet e hollimit të gjakut janë një nga ilaçet më të përdorshme në moshën e tij. Atëherë atij i thuhet, atyre u thuhet: mos i blini, nuk ka gjë pse ju vdisni. A mund të ketë një qëndrim të tillë të pashpirt? Ja pra.

Dhe ai pension nuk ishte nga më të ulëtat. Se me pensionet e ulëta, ç’është e vërteta, ajo kushton të paktën nëntë pensione. Ajo nuk blihet më fjalë.

Ja ku e ka katandisur vendin ky, në një kohë kur, në asnjë vend në Europë pensionisti nuk ka problem ilaçin. I jepet ilaçi. Shteti i garanton ilaçet, pa diskutim.

Nard Elshani: Doktor përshëndetje. Mediat rumune kanë aluduar sot se Vlora Hyseni është trajnuar nga Florian Coldea, ish-kreu i shërbimeve sekrete rumune, i cili më pas në vitin 2023 zuri vendin e Hysenit si këshilltar i sigurisë dhe thuhet se është në Tiranë në këto kohë të vështira për Ramën. Pra një ndërthurje interesante mes krimit shqiptar dhe Sinaloas meksikane. Duket sikur vetëm luftëtar Hysi që pastronte paratë e kartelit paska mbetur pa u bërë drejtor i SHISH-it dhe këshilltar i Ramës për sigurinë. Faleminderit.

Sali Berisha: E vërteta është se edhe Vlora Hyseni dhe Coldea dhe të gjithë janë ushtarë të padrinos.

Ata kanë zbatuar dhe zbatojnë porositë e Edi Ramës. Unë ju them ju, ata kanë filluar të rrëfehen tani. Të rrëfehen, kush i urdhëroi ata për këtë vepër dhe për atë vepër.

Të gjitha përgjigjet janë Edi Rama. Pa përjashtim. Ja u them unë ju.

Coldea ka kohë që punon me Edi Ramën dhe paguhet shumë nga Edi Rama, është një ish-drejtues i organizatës më famëkeqe të policisë sekrete pas sigurimit të shtetit, Sekuritatit Rumun.

Vlora Hyseni ishte shërbëtore e dy zotërinjve. E padronit Vuçiç dhe argatit Rama.

***

Së pari ju falënderoj shumë për pyetjet, komentet, ndërhyrjet që bëtë.

Dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë kundër një armiku që çdo ditë po shpërbëhet, që çdo ditë po degradon kudo që ndodhet.

Të bëjmë gjithçka që të mos ketë asnjë ditë, asnjë orë paqe për këtë bandë në pushtet. Përshëndes qytetarët në Shqipëri, në Tiranë, në Nju Jork dhe kudo për zërin e tyre të fuqishëm ndaj kësaj organizate kriminale.

Ftoj demokratet dhe demokratët, të vazhdojmë të vendosur procesin e ripërtëritjes. Kusht jetik për ripërtëritjen e Shqipërisë.

Shqipëria në shesh, do të jetë motoja jonë. Edi Rama ka vetëm pasiguri. Edi Rama ka vetëm varfëri dhe mjerim, plaçkitje të papërmbajtur të pasurive publike dhe fondeve publike.

Edi Rama ka vetëm poshtërim të emrit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ka fatkeqësi, ka një fatkeqësi të madhe për çdo shqiptar.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale