Fjala në protestë e znj.Manjola Nikollo

Motra e Vëllezër!

Një mirënjohje për të gjithë ju, që keni guxuar të dilni në këtë protestë, duke treguar se shpirtin tuaj të lirë, nuk ka kërcënim, presion, apo perimetër policor që e ndalon.

I jam bashkuar kësaj proteste, pa patur asnjë sekondë mëdyshje, se është forma më e mirë, për tu treguar miqve tanë europianë, vecanërisht dy gjëra:

E para, se Edi Rama nuk përfaqëson të gjithë shqiptarët në atë samit.

Dhe e dyta, se të protestosh, përvecse e drejtë kushtetuese, është normë shoqërore, është standart, mbi të cilin kanë ngritur demokracitë e tyre funksionale, përfaqësuesit e të gjitha shteteve që ndodhen sot në Tiranë.

Të nderuar motra e vëllezër!

Liderët europianë që kanë bujtur sot në Tiranë, janë miqtë tanë. Nga kjo protestë, u themi Mirëseerdhët!

Ata janë aleatët tanë dhe frymëzuesit e politikave të hapjeve të mëdha të kufijve të Kontinentit tonë. Ashtu si ata, edhe ne kemi luftuar e luftojmë, për të hapur rrugët e shqiptarëve, sic bëmë me liberalizimin e vizave, apo me marrjen e rekomandimit për statusin e vendit kandidat për në BE. Ndërsa kjo qeveri, u tregon shqiptarëve, vetëm një lloj ikjeje…u tregon vetëm një derë: Atë të mos kthimit më në Atdhe! E kjo, nuk është normë shoqërore…Kjo mban erë të rëndë tradhëti.

Unë jam e bindur se atje brenda, kur të shohin e dëgjojnë për këtë protestë, askush nga ata nuk do të trembet. Askush nuk do të jetë i pakënaqur. Përkundrazi.

Ata e dinë se protestat janë shëndet për shoqërinë. Ata e dinë se të protestosh ndaj Edi Ramës, nënkupton që kryeministri nuk është përfaqësuesi kryesor i shtetit. Edhe ata vetë e kanë kundërshtuar e vazhdojnë ta kundërshtojnë kryeministrin e Shqipërisë: Që me krijimin e pasaportave të arta, e deri tek amnistia fiskale e Porti i Durrësit. Për të mos folur për përpjekjen për t’i krijuar Procesit të Berlinit, një karshillëk përjashtues, me Ballkanin e Hapur. E nëse në këtë të fundit nuk merr pjesë Kosova, cfarë Ballkani qenka ky, vetëm me Shqipëri e Serbi?

Motra e vëllezër!

Jam shumë entuziaste për këtë protestë…Jam shumë e bindur se ky zë opozitar do të bëhet pjesë edhe e takimeve mes liderëve europianë. Prandaj, të vijojmë ta kundërshtojmë këtë qeveri, sepse nëse nuk do ta bëjmë sot, fëmijët tanë nuk do të na e falin nesër.

Ju faleminderit, e një përqafim të ngrohtë të gjithëve! Rroftë demokracia! Rroftë Europa e bashkuar. Rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale