Fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha në promovimin e librit ‘Midis Krimeve dhe Mirazheve’

Shumë faleminderit Alfred!

I dashur Besnik, të dashur miq. Së pari dua të falënderoj Besnikun për ribotimin në nder të kësaj dite, të këtij libri që unë e vlerësoj si të jashtëzakonshëm.

Është ndofta që kam lexuar më shpesh, më shumë. E vlerësoj së pari si një monument të merituar, e them me bindjen më të thellë, të mrekullueshëm, madhështor të atyre studentëve dhe Azem Hajdarit që në një hark kohor shumë të shkurtër, i ngjitën nga balta e tokës në zenit.

Me aktin e tyre u mbuluan me të gjitha laurat që një popull i shtypur mund të ju jepte aty.

Librat janë, nuk ka asgjë që të jenë, asnjë univers më i gjallë se libri nuk është.

Në këtë kuptim ‘Midis krimeve dhe mirazheve’ i Besnik Mustafës, është një univers i jashtëzakonshëm, i pasur me jetë, ngjarje, zhvillime nga dy botë. Një botë që po vdiste dhe një botë tjetër që po lindte, një epokë që po shkonte dhe një epokë që po vinte.

Në ato ditë, Besniku, siç e njihni vetë, i ka me kursim emocionet dhe në këtë kontekst mund të them se ishte një vëzhgues gjakftohtë i përsosshëm dhe ky pastaj të gjitha ato orë, aty koha ishte me minuta dhe orë, i ka shkrirë derdhë në ar, i ka bërë të pavdekshme, po me një realizëm dhe vërtetësi të pacenueshme.

Po të kthehemi, them se në historinë tonë, ajo ishte lëvizja demokratike më e rëndësishme dhe në historinë e lirisë, pas pavarësisë ishte lëvizja përsëri më e rëndësishme.

Unë nuk injoroj kurrsesi luftën, por gjaku që u derdh për liri, për dinjitet, solli, se historinë duhet ta themi siç është, ne kaluam nga një pushtim në një pushtim tjetër, në një diktaturë që u kushtoi shqiptarëve më shumë se në çdo regjim mizor.

Në këtë kontekst kalimi, shkëputja nga ajo diktaturë nëpërmjet kësaj lëvizje ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme.

Sot është edhe një ditë bilanci!

Dardan, shumë herë po ta mendosh dhe rimendosh, them dy gjëra unë.

Studentët bënë një mrekulli, sepse ata u paraqitën para regjimit si të pamposhtur. I rrahu në darkë, në pabesi, në kundërshtim me çdo kod. Se u doli në takim diktatori, po ktheheshin në konvikte, ua nxori ministrin e Brendshëm dhe i bëri fërtele.

Por ata u grumbulluan ditën e nesërme në orën 8 dhe vërshuan rrugëve. Treguan që janë të pamposhtur. Kur kemi shkuar me Besnikun i kemi gjetur aty. Azem Hajdari hypte mbi shpatullat e tyre dhe lëshonte sloganet; Liri demokraci, poshtë dinastia, etj.

Kështu që në këtë aspekt suksesi i atij revolucioni qëndron tërësisht në shpirtin e pamposhtur të atyre studentëve.

Me Besnikun, mendoj se ndikuam, për faktin e vetëm se diktatori qëndronte shumë i dystuar.

Nga njëra anë kërkonte dialog, nga ana tjetër kishte përgatitur të gjitha mjetet për zgjidhje ushtarake. Kur jemi ngjitur ne rrugës, ishte pëllëmbë e gardist dhe polic.

Them se gjënë nga më të dobishmet që bëmë, ishte që i bindëm të mos zbrisnin, sepse kishte një qëllim diktatori, ti mblidhet me Ifa dhe ti çonte nëpër shtëpia dhe flaka e revolucionit të shuhej.

Por ata të nesërmen u mblodhën dhe lexuan telegramin historik, e lexuan para 4 mijë studentëve, por ata e quajtën telegram drejtuar presidentit Ramiz Alia.

Një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë ka qenë edhe Çaushesku.

Ramiz Alia e ka thënë dy-tre herë, pasi ka lëshuar funksionet, edhe në plenum kur Spiro Koleka i kërkonte të fuste tanket dhe ushtrinë në Qytetin Studenti, Ramiz Alia thotë se nuk doja një skenar rrëmujë.

Skenari rrëmujë ishte, vrasja e diktatorit. Sigurisht ishte një përgjakje, por anën më kulmore e kishte vrasjen e diktatorit.

Sado libri i përshkruan në mënyrë shumë të bukur, të gjitha përpëlitjet dhe përpjekjet për të mundur të dominojnë mbi opozitën dhe për ta nxjerrë jashtë loje, përsëri rregullat e lojës u ndoqën dhe opozita arriti të përmbushë misionin e saj; të përmbysjes me votë të diktaturës komuniste.

Në këtë kontekst, ai ishte një rezolucion i një rëndësie të jashtëzakonshme pasi ishte një revolucion për të drejtat e qytetarëve, për lirinë e tregut, hapjen e Shqipërisë dhe kundër izolimit. Në dallim nga revolucionet e tjera të vendeve ish-komuniste, ai ishte një revolucion nacional-demokrat, për faktin se ne kishim çështje kombëtare.

Ne erdhëm në vitin 1990 me një çështje kombëtare të tradhtuar dhe tani një forcë politike që sa u themelua shpall çështjen kombëtare si yll polar, nuk kishte si të formohej, nëse do ti kthente shpinën çështjes kombëtare.

Disa paralelizma.

Sot është e vërtetë që nuk ka më burgje, kampe përqendrimi, por shpesh e mendoj. Nëqoftëse në 1990 motoja dhe slogani ynë ishte; ‘Ta bëjmë Shqipërinë si Europa’, këto 7 vite slogani i vërtetë është; ‘Ta lëmë Shqipërinë për Europën’ dhe nuk ka më fatale se kjo. Kjo është e vërteta.

Në 7 vite nga 744 mijë shqiptarë që kanë emigruar vetëm në hapësirën Europiane, mbi 510 mijë janë të rinj dhe fëmijë. Dhe në një farë mënyre, kjo është të vrasim Shqipërinë për Europën. Europa nuk e kërkon kurrë këtë.

Dhe kjo është një emergjencë e jashtëzakonshme për ne. E gjitha kjo që ndodh, ndodh absolutisht për shkak të politikave të kalkuluara dhe kushteve të kalkuluara për largimin e shqiptarëve.

Martin Jaku të dashur miq, fshatar nga Bubqi me 8 klasë. U ula në oborr në shtëpinë e tij; Sali tha, a i shikon ata me gomone duke ikur duke brohoritur, poshtë Edi Rama, ua ka rritur mesataren për në universitet. Dhe po ikin, po ikin për të gjetur një jetë tjetër.

U ndala në këto për të theksuar se ky libër inspiron, çdo njeri që e lexon këtë libër inspiron. Një revolucion shpëtimtar për Shqipërinë, është jetik dhe vendimtar, atëherë Besnik Mustafa do të shkruajë vëllimin e dytë.

Faleminderit shumë! 

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale