Censura ndaj opozitës, Berisha demaskon mediat kombëtare: Qeveria merr 10-fishin e kohës televizive në krahasim me opozitën. Këto mamuthë televizivë ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar mediat kombëtare për censurë ndaj opozitës, duke pretenduar se hapësira televizive është në mënyrë të theksuar e dominuar nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Në konferencën e sotme me mediat, kryetari i PD-së, Sali Berisha publikoi të dhëna të monitorimit të realizuar nga zyra e shtypit të PD-së për katër televizione kombëtare, duke thënë se ‘raporti i kohës në edicionet e lajmeve është thellësisht i pabarabartë’. ‘Censura e opozitës është një nga aktet më të shëmtuara të narko-mafies qeveritare’, deklaroi Berisha.

Sipas tij, të dhënat e monitorimit tregojnë se qeveria merr disa herë më shumë hapësirë në kronikat televizive sesa opozita. ‘Në total, për Partinë Demokratike janë dhënë rreth 1 orë e 47 minuta, ndërsa për qeverinë mbi 6 orë e 5 minuta’, tha ai.

Kryedemokrati Sali Berisha shtoi se në disa televizione kombëtare raporti është edhe më i theksuar në favor të qeverisë. ‘Opozitës i jepet një pjesë minimale e kohës, në disa raste vetëm një të dhjetën e hapësirës së qeverisë’, u shpreh ai, duke e cilësuar situatën si ‘tipike të një regjimi autoritar’.

Lideri i demokratëve kritikoi ashpër mediat kombëtare, të cilat i quajti ‘mamuthë mediatikë të financuar nga taksat e qytetarëve’. ‘Shikoni këta mamuthë televizivë që ushqehen me paratë e taksapaguesve shqiptarë’, deklaroi Berisha. Ai shtoi se analiza e opozitës përfshin jo vetëm lajmet, por edhe debatet televizive, të cilat sipas tij ‘janë të mbushura me sulme dhe deformim të realitetit ndaj opozitës’.

Kryetari i Parisë Demokratike Sali Berisha paralajmëroi se PD do të vijojë publikimin e të dhënave të monitorimit mediatik dhe betejën politike për atë që e cilëson si ‘hapësirë të munguar të opozitës në media’.

Gjatë konferencës me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha i pyetur nga gazetarët në lidhje me referendumin e 23 majit për kryetarin e PD-së, tha se çështje të tjera politike dhe organizative të PD-së, duke theksuar se partia është në proces riorganizimi dhe ‘transformimi të plotë’. ‘Partia Demokratike do të transformohet në çdo aspekt të saj’, tha ai, duke shtuar se Kuvendi i ardhshëm i partisë do të jetë ‘kushtrimi për modernizimin dhe forcimin e strukturave’. Berisha u shpreh gjithashtu se opozita do të vijojë aksionin politik dhe protestat, të cilat i cilësoi si pjesë e një ‘beteje të pandalshme’.

FJALE E PLOTE:

Censura e opozitës është një nga aktet më të shëmtuara të narko-mafies qeveritare.

Edi Rama, para 10 ditësh, u tha shqiptarëve në një aktivitet me prani ndërkombëtare se start-upi i tij, apo çibani i ri i korrupsionit të tij, e kishte informuar se 60 përqind të kohës, media në Shqipëri i kushtonte opozitës.

Dhe se për këtë, miqtë e tij, vetëkuptohet lobistë të korruptuar, kishin shprehur shqetësim dhe habi.

Duhet të kesh moralin që ka ai.

Duhet të kesh dinjitetin që atij i mungon.

Duhet të kesh fytyrën që ai nuk ka, që të mashtrosh publikun, t’i servirësh publikut një gënjeshtër të tillë.

Një gënjeshtër, një mashtrim, një trillim për një çështje themelore të një shoqërise siç është hapësira informative.

Duhet të jesh pra siç është Edi Rama, kreu i një organizate kriminale, që të mund të trillosh para shqiptarëve dhe botës se në vendin e tij, mediat 60 përqind ia kushtojkan opozitës dhe restin atij dhe Lindave të tij gjynahqare.

Në fakt, nuk duhet ta bënim ne.

Ka një media apo një OJF që emërtohet Faktoje dhe që unë, faktimin e quaj një nga domosdoshmëritë absolute për çdo media që transmeton mashtrime dhe trillime.

Por, Faktoje ka zgjedhur të faktojë se çfarë bëri opozita nga kjo kohë në atë kohë dhe unë e falënderoj, e inkurajoj të vazhdojë, por vetëm kur bën vlerësime politike, duhet të dijë të ndajë politikën nga faktet dhe realiteti.

Pra, në vend se ta bënte një institucion i pavarur, u detyruam ne, u detyrua zyra e shtypit të PD, të marrë të gjitha emisionet javore të lajmeve jo të të gjitha mediave, por të katër medieve kombëtare.

Cila është koha në lajme që ato i japin opozitës dhe qeverisë?

Pra, janë monitoruar sekondë për sekondë dhe u lutem Floriana, mos harro t’ua shpërndash të gjitha medieve, por në mënyrë të veçantë edhe asaj Faktoje, jo për ta dekurajuar, por për ta inkurajuar në punën e saj sepse unë e quaj të dobishme dhe të domosdoshme përpjekjen për faktim.

Në qoftë se hyni dhe monitoroni, rezultati është tipik i një diktature autoritare.

Ndërkohë, ligjet e medieve, që kanë në themel parimin par condicio, kërkojnë të njëjtën kohë për të dy palët në media.

Por ky parim zbatohet në vende demokratike.

Zbatohet në vende me pluralizëm politik.

Nuk zbatohet kurrë në diktatura autoritare dhe aq më pak në narkodiktatura.

Ndaj dhe unë, sigurisht nuk do ndalem t’u lexoj ju para shqiptarëve të gjithë monitorimin e çdo emisioni lajmesh të këtyre medieve, por disa po.

Top Tuneli i ka dhënë me datën 13 maj 2026 në edicionet e orës 3 dhe 7 e gjysmë, koha për qeverinë është 23 minuta dhe 13 sekonda.

Koha për opozitën është 3 minuta e 30 sekonda.

Në emisionet e lajmeve të orës 15, Top Tuneli i jep qeverisë 12 minuta dhe 40 sekonda.

Top Tuneli, Top Mashtrimi i jep opozitës 1 minutë e 45 sekonda.

Shikoni këtë mamuth mediatik që ushqehet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Me paratë e plaçkitura nga taksapaguesit shqiptarë, shikoni çfarë institucioni mediatik është.

Pra, opozitës i jep 1 të 12-tën. As 10 përqind jo në emisionet e datës 13.

Vazhdojmë.

Data 15 maj. Në total qeverisë i jep 7 minuta e 43 sekonda, opozitës i jep 1 minuta e 37 sekonda.

Tjetër.

TV Klan, sheh rrushi rrushin dhe piqet. Nuk ke. Në garë se si të censurojnë opozitën.

Urdhëro.

Qeveria 8 minuta e 56 sekonda në edicionin e lajmeve të orës 15.30.

Ja ku e keni përmbledhjen. 18 minuta dhe 52 sekonda i jep këtë ditë qeverisë dhe 3 minuta e 40 sekonda i jep opozitës.

Urrejtje e turpshme, shërbim i turpshëm ndaj narko-diktaturës, ndaj narko-qeverisë.

Përdhosje e të gjitha parimeve dhe informacionit dhe të qëndrimit korrekt në hapësirën informative.

Vizion Plus, më dorëlëshuar pak. Ky është më periferik.

Vizion Plus është televizion pro-opozitar, pasi qeverisë i ka dhënë 4 minuta e 40 sekonda, opozitës 2 minuta e 7 sekonda.

Pra ky të themi sado që i ka dhënë qeverisë dyfishin, por jo dhjetëfishin si dy të parët.

Edhe ky është investitor strategjik.

Edhe ata janë investitorë strategjikë.

Shikoni turpin e turpshëm.

Televizioni shtetëror, Eni Vasili, e cila në vend që të mbajë disa standarde më profesionale, në vend që të mbajë parasysh se ajo rroga e saj del nga paratë e taksapaguesve jo vetëm socialistë apo të partisë së krimit, por edhe demokratë e pa parti, me dorë të hekurt, qeverisë i jep 10 minuta e 15 sekonda, opozitës 1 minutë e 35 sekonda.

Top Tuneli në këtë edicion i jep qeverisë rreth 3 minuta, për opozitën nuk ka vend. Opozita e ndaluar.

Vazhdojmë.

Klani i jep qeverisë 5 minuta e 40 sekonda, për opozitën, e ndaluar.

RTSH ka 2 minuta e 10 sekonda, kurse këtu e ka me parlamentin, por jashtë parlamentit asnjë minutë për opozitën.

Përsëri më pro-opozitar del Vizion Plus, i cili qeverisë i ka dhënë 6 minuta e 32 sekonda, opozitës katër minuta.

Këta duhet të kërkojnë t’i çojmë të bëjnë shkollë tek Vizion Plusi, të tre këta të tjerët.

Top Kanali i jep qeverisë 7 minuta, gjer tre minuta i jep opozitës.

Duket se ka munguar ndrikulla atë ditë.

Vizion Plus del një ditë që i ka dhënë më shumë opozitës se qeverisë. Ia hoqi Tringun Edi Rama, i fluturoi Tringu atij. E keni marrë vesh besoj.

Tani shumimi i të gjithave në këtë javë është.

Për PD, katër mediat kombëtare kanë dhënë në të gjitha emisionet e lajmeve të tyre 1 orë e 47 minuta e 39 sekonda.

Për Partinë e Krimit, kanë dhënë 6 orë e 5 minuta dhe 1 sekondë.

Të tjerat janë neutrale.

Pra siç e shihni, 80 përqind e të gjithë kohës në lajme janë të qeverisë.

Dhe janë 20.3 përqind të opozitës.

Raporti është në këtë javë 1 me 4.

Është një akt i shëmtuar për të mos thënë se ua përmirëson pak Vizion Plusi, se po ta heqësh Vizion Plusin, këto të trija Top Kanali, Klani dhe TVSH dalin mbi 90 përqind rroftë Edi Rama dhe poshtë opozita.

Dhe 10 përqind për opozitën.

Ja kjo është. Ta dinë shqiptarët.

Nuk kemi bërë disa televizione të tjera jokombëtare, por edhe ato mund t’i bëjmë.

Tani, ne po studiojmë debatet, negativitetin dhe pozitivitetin, tematikat e tyre. Të dhënat paraprake janë një egërsi dhe armiqësi e paparë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe opozitës.

Analiza e debateve dhe e lajmeve së bashku, dëshmon se mediat e kontrolluara nga qeveria, kanë shkatërruar kontratën themelore të njeriut me shoqërinë.

Kontrata më themelore e njeriut me shoqërinë, është kontrata e gjuhës. E fjalës dhe e kuptimit të fjalës. E fjalës dhe e kuptimit të fjalës.

Sot, ajo që quhet censurë, nga Edi Rama, dhe mediat që në seriale transmetojnë dhe nuk e verifikojnë, është anticensurë. Sot, në qoftë se hyn në tematikat, ajo që është forma më e lartë e demokracisë, forma më e lartë e përfaqësimit, dhe ajo është demokracia direkte, apo referendare, demonizohet nga mediat e qeverisë si procedurë totalitare, si procedurë autoritare.

A ka korrupsion më të madh të fjalës, referendum dhe demokraci direkte sesa kjo? Nuk ka. Përmbysje të kuptimit të tyre, dhe këtë bëjnë mediat. Pse ndalem këtu?

Ndalem këtu prapë, jam ndal dhe do ndalem vazhdimisht tek e keqja banale. Sepse mediat e kontrolluara nga qeveria, janë përçues, përhapës më kryesorë, më të papërgjegjshëm të të keqes banale.

Ato, në mënyrën më të verbër shkatërrojnë kontratën themelore të njeriut me komunitetin, që është kontrata e gjuhës, fjala dhe kuptimi i saj. Ato marrin përsipër ta zhveshin fjalën nga kuptimi totalisht dhe të paraqesin të kundërtën e saj.

Është një situatë dramatike me të cilën Partia Demokratike do përballet me vendosmërinë më të madhe.

Partia Demokratike beson se gazetarët në tërësinë e tyre, nuk do të donin të pajtoheshin kurrë me një situatë të tillë. Jo. Nuk do donin kurrë të përdornin profesionin e tyre në funksion të një grushti mafiozësh që s’kanë princip, ligj, as kushtetutë dhe i shndërrojnë mediat e tyre në hanxhar të fjalës së lirë dhe të të vërtetave.

Por ne do vazhdojmë këtë betejë. Urdhëroni, ja ku i keni faktet.

Po të hysh tek studiot, del absolutisht mbi 90% sulme, shpifja, trillimi ndaj opozitës. Manipulimi ndaj opozitës.

Ju falënderoj.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Daniela Maloku, Report TV: Paralel me këtë konferencë në Kryeministri, kryeministri Edi Rama po mban një takim me ministrin grek të mbrojtjes, Nikos Dendias. Si po e sheh Partia Demokratike këtë vizitë të ministrit grek duke qenë se flitet të paktën që në qendër të diskutimeve është çështja e detit?

Sali Berisha: Ministri, ose çdo ministër i qeverisë greke, është i mirëpritur.

Ne jemi në mbështetje të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit me Republikën Helenike dhe vendet e tjera fqinj.

Problemi me të cilin vjen, për të cilin duket se vjen zoti Dendias, është problemi i marrëveshjes së detit.

Partia Demokratike ka dënuar me forcën më të madhe qëndrimin absolutisht të papërgjegjshëm të Edi Ramës dhe qeverisë së tij ndaj këtij problemi të rëndësishëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka që të sabotonte marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. E kam theksuar dhe e theksoj se ajo ishte një marrëveshje ku të dy palët fitonin, ishte ëin-ëin marrëveshje.

Tani, çfarë bëri Edi Rama?

Në vend se ta vazhdonte aty ku e lamë me palën greke, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese në mënyrë absolute në kundërshtim me interesin kombëtar të Shqipërisë, dhe e faktoj shumë thjeshtë këtë.

Pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese, pala greke kërkoi rinegocim.

Unë u thashë atyre që nuk bëj rinegocim më. Arritëm ku arritëm. Tani meqenëse Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se ligji ndërkombëtar prevalon mbi ligjin kombëtar, çka do të thotë vendimet e gjykatave ndërkombëtare prevalojnë mbi vendimet e gjykatave kombëtare, urdhëroni ta dërgojmë në Gjykatën e Hagës, Gjykatën e Detit.

Fillimisht hezituan. Por pastaj e pranuan dhe i falënderoj që e pranuan. E drejtë, kishin të drejtën e tyre. Dhe e lamë që atë marrëveshje ta çonim në Gjykatën e Hagës.

Ku ishte avantazhi, ta themi tani, i Shqipërisë? Avantazhi i Shqipërisë ishte se Greqia kishte negociuar marrëveshjen duke i njohur vetes 6 kilometra ujëra territoriale.

Greqia në përputhje me Traktatin e Detit, mund t’i njihte vetes kur të donte 12 kilometra ujëra territoriale. Greqia firmosi marrëveshjen me Shqipërinë bazuar në atë ligj që kishte, në të cilin kishte shpallur vetes të drejtën për 6 kilometra ujëra territoriale.

Ndaj dhe do ishte Haga.

Ekspertë ndërkombëtarë, dhe unë e kam ekspertizën, kompani shumë serioze ndërkombëtare që shqyrtoi marrëveshjen pasi u rrëzua, shkruan: ‘Kjo marrëveshje në qoftë se rimatet, rishqyrtohet, mund të dalë shumë e drejtë. Mund të pësojë ndonjë përmirësim. Por në rast se Greqia shpall 12 miljet, gjithçka përmbyset për Shqipërinë, kundër Shqipërisë.’

Tani, autoritetet greke, duhet ta pranojmë këtu me një eksperiencë të jashtëzakonshme në problemet e kufijve detarë, sepse kanë nja 3000 kilometra, i kanë të pafund, thashë e pranuan që të shkojmë në kuadrin e marrëveshjes pa ndryshuar, pa rivendikuar 12 milje.

Dhe në qoftë se shkonim me atë marrëveshje kuadër, nuk mund të rivendikohej më, sepse gjykata do u thoshte nuk ndryshojnë rregullat në mes të lojës, nuk mund t’i ndryshosh.

Çfarë bëjnë këta? Këta u kthyen tek e para. Sigurisht që grekët të cilët mbështetën një marrëveshje të arsyeshme, të vërtetë, dhe me vullnet donin të zgjidhnin një problem me Shqipërinë për kufirin e ujërave territoriale, ndërkohë që kanë probleme të tjera me vende të tjera e të tjerë me radhë.

Edi Rama u thotë ‘Jo, jo, do ta negociojmë bashkë edhe një herë marrëveshjen’. Ata i thonë ‘Po shumë mirë, gati. Gati jemi.’ Dhe u futën në negociata. Dy vite negociata. Dhe lanë takimin në Korçë për të firmosur marrëveshjen.

E kupton çfarë aventurierësh? Aventurierë! Ndërkohë, Presidenti i Republikës u thotë që ‘Jo, ajo marrëveshje s’mund të firmoset kurrë.’ Pse? Sepse Gjykata Kushtetuese urdhëron që në praktikën që do ndiqet për përcaktimin e kufijve detarë, do përdoret metoda e proporcionalitetit.

Dhe marrëveshja që kishin negociuar këta nuk bazohej në këtë metodë. Gjykata kishte përcaktuar mbi bazën e ankesës së Edi Ramës, kishte përcaktuar dhe kushte të tjera që s’ishin zbatuar.

Kotzias që erdhi në Korçë për të sigluar, pa që kishte të bënte me një bandë të papërgjegjshme. Pasi e panë se s’do vihej firma, u kujtuan se ka një vendim gjykate, u kujtuan se ka President e të tjerë me radhë.

Dhe çfarë solli kjo? Çfarë solli, ta them unë ty.

Pala greke u largua nga Korça dhe pas nja dy muaj-tre muaj shpalli rivendikimin e 12 kilometrave në ujërat e veta territoriale.

Ja, ky është Edi Rama. Tani e pret Dendias, sepse ministri Dendias e ka cituar Edi Ramën për lidhje të paqarta, me një hallë, me një gjysha, me një teze, s’mbaj mend mirë tani, se s’kam pse hyj këtu, po e ka cituar, është e njohur.

Dhe tani unë pres rezultatin e takimit.

Daniela Maloku, ReportTv: Dhe meqë jemi te marrëdhëniet me fqinjët, ndiheni i keqardhur zoti Berisha që pasi u rikonfirmuat në krye të Partisë Demokratike të shtunën nuk patët asnjë mesazh publik nga krerët e partive simotra për t’ju uruar për mandatin e radhës në krye të Partisë Demokratike?  

Sali Berisha: Mendoj se e shtuna ishte një nga ditët më të ndritshme të demokracisë në Shqipëri që ka mbetur vetëm në opozitë.

Unë të shtunën kam një mirënjohje të pafund për të gjithë ata të cilët iu përgjigjën pas një propagande agresive të pafund të mafies shtetërore, pas përpjekjes për filtrim të eksponentëve të botës së krimit nga Edi Rama, pas përpjekjeve për t’u përballur në këtë garë me të përdalë politikë të cilët pasi kanë ikur nga PD-ja kanë krijuar parti të tjera dhe kërkojnë të sjellin Edi Ramën.

Pra, ajo ka qenë ditë e historisë.

Tani përsa i përket urimeve, kam marrë urime nga miqtë e mi, pres urime, por të jemi të sinqertë, nuk mund të them se unë jam nga ata që çoj shumë urime, kështu që në këtë rast ka një lloj reciprociteti.

Osman Stafa, News 24: Rreth 37 mijë e 300 e ca demokratë ishin pro që ju të ishit përsëri kryetari i Partisë Demokratike. Po e quajmë 20 mijë zoti Berisha, po marrim një numër 20 mijë anëtarë të Partisë Demokratike, pse nuk janë në protestat tuaja? Pra 20 mijë vetë, 20 mijë qytetarë anëtarë të Partisë Demokratike, preferojnë t’ju mbajnë juve në krye të Partisë Demokratike, por thirrjes tuaj për të qenë kundër Edi Ramës nuk i përgjigjen. Pse ndodh kjo zoti Berisha?

Sali Berisha: Osman, po të mos ishin këta anëtarë të Partisë Demokratike, Ballukun do ta kishe dopjo zv/kryeministre.

Po të mos ishin këta anëtarë të PD-së me qëndresën e tyre, Edi Ramën do ta kishte yll, narkodiktatorin e Shqipërisë, yll të integrimit.

Po të mos ishin këta anëtarë të Partisë Demokratike me qëndresën e tyre, korrupsioni nga vjedhje, do quhej virtyt në Shqipëri.

Ndaj dhe njerëzisht ju kërkoj thjesht të jesh pafundësisht mirënjohës atyre që dalin aty.

Tani, a dalin 37 mijë apo dalin 50 mijë apo dalin 15 mijë, kjo është një çështje që në vlerësimin tim nuk ka ndonjë dallim të madh.

Ajo që është kapitale është se opozita, për dy arsye madhore, për farsën zgjedhore dhe mbrojtjen e korrupsionit, ka nisur serinë e pandalshme të kryengritjes paqësore.

Kjo të siguroj që do vazhdojë gjer në realizimin e qëllimeve tona. Ne jemi në kushte të një diktature autoritare, urdhëroni. Jemi në kushte të një represioni ndaj opozitës.

Jemi në kushte kur kryetari i partisë së dytë më të madhe opozitare sillet në sallën e gjyqit sikur të ishte ndihmësi i Bin Ladenit, duke dhunuar çdo ligj kushtetues dhe konventë ndërkombëtare.

Pra ne jemi në këto kushte, por ne jemi gjithashtu të pamposhtur.

Imagjino ti tani, nëqoftëse këta njerëz që votuan, rreth 40 mijë u paraqitën para qendrave të votimit. Pas të gjitha këtyre këta treguan se janë të gatshëm për nje betejë për jetë a vdekje kundër këtij rrëgjimi.

A bëjmë ne përpjeke për të mobilizuar kaq apo aq, këto janë çështje organizimit, por me ca qëllime aty, nuk mund ta mohoj.

E rëndësishme të them unë, ua them me përgjegjësi të plotë, se asgjë s’ka patur më të rëndësishme sesa ato protesta të opozitës për të damkosur Edi Ramën, personalisht atë dhe regjimin e tij.

Asgjë! Dhe ato do vazhdojnë.

Këta që votuan, këta që votuan Sali Berishën, këta dinë çdo gjë për Sali Berishën, dinë dhe platformën e tij. Po këta votuan pikërisht për këto.

Pa diskutim, votuan të bindur se kjo është rruga më e drejtë, rruga e nderit dhe dinjitetit, rruga e shpëtimit, rruga e shpresës dhe e shpëtimit të Shqipërisë.

Unë këtë koment mund të bëj.

Osman Stafa: A ndiheni ju i zhgënjyer që këta demokratë, edhe kur u bënë zgjedhjet e kaluara para 4 vitesh, po ashtu janë përgjigjur në këto numra, pra rreth 40 mijë anëtarë që ju votëbesojnë juve, ndërkohë kur ju i thirrni për protestë, nuk përgjigjen të 40 mijtë? Sepse ata nuk janë qytetarë të thjeshtë, pra ata i dalin përballë regjimit, nuk kanë frikë pra të quhen anëtarë të Partisë Demokratike, por s’dalin 40 mijë në protestë.

Sali Berisha: Shiko, tani shumë bukur.

Të falënderoj jashtëzakonisht për pyetjen. Jo, ndihem jashtëzakonisht mirënjohës ndaj tyre. Pse? Shumë mirënjohës.

Pse? Unë kam qenë në drejtim në gjithë këto vite të papërsëritshme për një forcë politike.

Secili prej tyre tek kutia e votimit duke ditur çdo gjë mund të thoshte jo. Mund të votonte të kundërt, mund të abstenonte dhe mund të mos paraqitej fare në votim.

Jemi dakord? Secili prej tyre që votoi, votoi për Sali Berishën, sepse Sali Berisha u ka thënë të vërtetën dhe së bashku me ta ka mbrojtur të vërtetën. Të vërtetat themelore.

Të vërtetat themelore janë këto: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Dhe ju s’e kam sekret, ka jo pak prej tyre që më thonë ‘pse e thuhet këtë se kjo është dekurajuese’.

Unë e di që është dekurajuese, por unë do u them të vërtetën. Dhe se Partia Demokratike do mbrojë votën tuaj. Ky premtim solemn. Dhe ky i dyti të garantoj se është një nga gjërat më të vështira, më të vështira.

Mos harro një gjë, pas zgjedhjeve të 14 majit ka vetëm një qeveri që shpreh publikisht se zgjedhjet nuk ishin të lira, i kthej përgjigje gazetarit se ne urojmë vetëm zgjedhje të lira, dhe kjo ishte qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Është kështu?

Kurse falë karakterit të atij ekipi që vëzhgoi zgjedhjet dhe të punës së jashtëzakonshme që ne bëmë për mbrojtjen e votës, dhe në fakt ta themi këtu, në rrafshin ndërkombëtar ju them unë ju, 60% e asaj pune është bërë me zgjedhjet e 14 majit, me librin e zi.

Me librin e zi. Ne ia dolëm pa u zhvilluar zgjedhjet e 14 majit të damkosim, të përbaltësim si farsë elektorale akoma pa u zhvilluar. Pse? Sepse ai kishte të njëjtin aparat por shumë, më shumë më të fuqishëm tani për farsën që do zhvillonte. Ju e dini, këtu para jush kam dalë çdo ditë.

Çdo ditë, korrik, gusht, qershori duke u paraqitur shqiptarëve fakte, dokumente për farsën.

Dhe në një aspekt, në një aspekt, është një njohje e madhe, meritojnë një mirënjohje të madhe, ata qind deputetë të AFET-it e ca sa janë, që votuan unanimisht demokratë, socialistë e të tjerë e të tjerë e të tjerë, të nëntë grupeve apo 11 grupe sa ka Parlamenti Evropian, rezolutën ku thuhet: Jo më ‘zgjedhjet ishin kompetitive’. E hoqën këtë frazë kompromisi. Fare.

Por thonë, qëruar: ligji shqiptar përgjithësisht lejon zgjedhje kompetitive, mirëpo fusha ishte e pabarabartë dhe linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake u shkri.

Kaq mjafton. Ky është definicioni më institucional, më ligjor i farsës. Ndaj dhe e realizuam këtë.

Pra, ata që dolën dhe votuan, ata nuk gëzuan fitore në 14 maj. Jo, se kur s’ka zgjedhje në farsë nuk fiton opozita, por ata votuan sepse atë zotim që u dhamë të mbrojmë votën, e mbajtëm.

Ata votuan se u ngritëm në këmbë dhe do vazhdojmë absolutisht me një motiv fundamental të palkundur.

Ne nuk ndalemi kurrë kësaj here, gjer në rikthimin e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve.

Osman Stafa: Dhe pyetja e tretë, zoti Berisha. A është në ambicien tuaj për të qenë kandidati për kryeministër i opozitës në vitin 2029 apo ka plane të tjera? Si e shikoni?

Sali Berisha: Osman, një mikun timin, mik të shquar të them të vërtetën, e kanë uruar kryeministër kur ai ishte 95 vjeç. Dhe po të lexosh për të atij, ai i drejtoi me sukses të plotë atë qeveri.

Po a do jem unë si ai, kjo varet nga i madhi Zot dhe demokratët.

Gjer tani të garantoj që po t’i pjesëtosh për dy moshën time, merr të vërtetën e saj. Faleminderit.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, pas zgjedhjeve të rikonfirmimit tuaj në detyrë, të shtunën mbahet edhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, ndoshta për të përmbyllur fazën e plotë të riorganizimit të kësaj force politike. A do të shërbejë ky riorganizim për ndoshta një aksion më të fortë të opozitës?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen.

Tani, sigurisht kuvendi do të jetë kuvendi i kushtrimit për riorganizimin. I kushtrimit për riorganizimin.

Instituti Republikan Amerikan me një mbështetje shumë të përzemërt për të cilën gjej rastin ta falënderoj me shumë mirënjohje, kanë përgatitur një platformë të shkëlqyer të organizimit dhe digjitalizimit të Partisë Demokratike.

Në fakt, po të më pyesësh mua, të transformimit të saj.

Realisht të transformimit të saj. Unë ju siguroj ju dhe çdo shqiptar se të gjithë energjinë time, të gjithë forcën time do ta përdor për zbatimin e saj.

Më keni dëgjuar të them në mënyrë të përsëritur se kjo për ne këto kohë ka një motiv më kryesor: organizim, organizim, organizim.

Tani Partia Demokratike bazuar në këtë platformë, do ta quaja jashtëzakonisht një studim shumë serioz dhe shumë i çmuar, do të transformohet në çdo aspekt të saj.

Kuvendi do të jetë kushtrimi, dhe do të jetë kushtrimi i këtij procesi që do t’i japë Partisë Demokratike një organizim, një modernitet, një ripërtëritje shumë të fuqishme.

Ju falënderoj.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale