Fisnik Qosja: Reforma Administrative Territoriale, mundësi për rikthimin e politikës pranë qytetarëve dhe zhvillimin e komunave

FJALA E KRYETARIT TË BASHKISË KAVAJË, FISNIK QOSJA NË TRYEZËN E ZHVILLUAR NË KUADËR TË REFORMËS TERRITORIALE

I nderuar Dr. Berisha,
Të nderuar pjesëmarrës,

Ju falënderoj të gjithëve që i jeni bashkuar kësaj tryeze.

Personalisht e konsideroj çështjen e Reformës Administrative Territoriale si çështjen politike më të rëndësishme të opozitës shqiptare.

Gjykoj se kjo reformë është e nevojshme, qofshin nga pikëpamja administrative, por mbi të gjitha nga pikëpamja politike.

Që ta them më shkurt. Vendosja e një ekuilibri të ri politik në Republikën e Shqipërisë, rikthimi në shinat e përfaqësimit dhe llogaridhënies, si dhe ndoshta rotacioni politik që të gjithë po presin, kalon pikërisht nga kjo reformë.

Mos të harrojmë pasojat e gabimeve të mëparshme. Mospjesëmarrja nuk është më opsion. Mospjesëmarrja është papërgjegjshmëri.

Prandaj, opozita jo vetëm duhet të marrë pjesë, por duhet të shkojë aty me armët e saj më të fuqishme.

Me intelektin e saj, me vizionin e saj dhe me moralin e saj politik, që natyrisht përfaqëson edhe epërsinë tonë në tryezën e bisedimeve.

Opsionet janë të shumta. Nuk më takon mua të merrem me detajet teknike të reformës. Jo se s’kam kapacitetin ta bëj, por besoj se fjala duhet lënë ekspertëve dhe partnerëve tanë, dhe ne duhet të jemi në pozitat korigjuese, gjithmonë pjesë e tryezave.

Parimet që duhet të ndjekim janë të thjeshta, të drejta dhe të fuqishme.

Politika vendore nuk është thjesht administrim, është ura më e drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe shtetit. Bashkitë janë aty ku sfidat prekin jetën e përditshme, dhe aty ku zgjidhjet duhet të jenë konkrete, të shpejta dhe të ndershme.

Sot, përballë sfidave lokale, ne kemi edhe një përgjegjësi më të madhe: të sigurojmë që zëri i qytetarëve tanë të përfaqësohet denjësisht, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Është thelbësore që organizimin dhe funksionimin e bashkive ta shohim gjithmonë si një interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Çdo vendim, çdo reformë dhe çdo iniciativë duhet të ketë në qendër nevojat reale të tyre.

Ne që jemi çdo ditë me qytetarët, mund të themi se sfidat dhe vështirësitë janë të mëdha. Kjo qeverisje e ka deformuar sferën publike dhe marrëdhënien e qytetarit me përfaqësuesit dhe me llogaridhënien.
Por pikërisht për këtë arsye, mesazhi im si kryetar, drejtuar kolegëve dhe çdo qytetari, është i qartë: të jemi aktivë. Të shfrytëzojmë mundësinë që ofron Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale për të kërkuar, sugjeruar dhe propozuar zgjidhjet që u nevojiten realisht komuniteteve tona.

Të shprehemi në rrugë zyrtare, të marrim pjesë në takimet rajonale dhe të kontribuojmë me përgjegjësi në këtë proces deri sa të kemi një draft që na jep mjetet e mjaftueshme për t’i dalë zot premtimeve tona, dhe për të kontribuar përmbajtësisht në administrimin e territorit, dhe për të rikthyer politikën si mjet për zgjidhje dhe zhvillim.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale