Deklarata e kandidates për deputete e PD-Shqiperia Madheshtore në qarkun e Beratit, Fatmira Kola:
Të nderuar bashkëqytetarë të mi beratas,
Të dashura vajza dhe gra, nëna dhe motra,
Të dashur shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit,
Jam Fatmira Kola, kandidate për deputete në Qarkun Berat për Partine Demokratike, nënë e dy fëmijëve të vegjël, 2 vjevc dhe 5 muajsh.
Jam Doktorë e Shkencave ne Finance-Banke, diplomuar si Ekselente nga Universiteti i Romes ‘La Sapienza’. Me profesion jam Pedagoge.
Të premten, në çastin kur hapej zyrtarisht fushata zgjedhore, ndodhi një akt i rëndë, një dhunim brutal i çdo norme ligjore dhe demokratike. Portali im online, një biznes i ndërtuar me mund, sakrificë dhe përkushtim të ndershëm ndër vite, me mbi 72.000 abonentë, shumica prej tyre biznese që varen çdo ditë nga shërbimet tona, u mbyll pa paralajmërim-në mënyrë brutale dhe hakmarrëse.
Ky nuk është një veprim teknik, por një akt politik dhe personal, një sulm që ka një qëllim të vetëm: të më ndalojë, të më frikësojë, të më shuajë zërin.
Por unë nuk jam vetëm një zë politik. Unë jam Fatmira Kola-një grua, një sipërmarrëse, dhe mbi të gjitha, një nënë e dy fëmijëve.
Unë kam punuar me ndershmëri, kam ndërtuar me sakrificë, jo vetëm për veten time, por për mijëra të tjerë që kanë gjetur mbështetje dhe shërbim në platformën time. Dhe sot, qeveria më sulmon, jo thjesht si kundërshtare politike, por si nënë që guxon të punojë e ndërtojë, që ngre zërin për të ardhmen e fëmijëve të saj dhe të Shqipërisë.
Disa ditë më parë, gjatë takimeve të mia elektorale në Berat, një furgon policie më ndiqte hap pas hapi. Ishte një përndjekje e hapur, një përpjekje për të frikësuar jo vetëm mua, por çdo mbështetës të Partisë Demokratike.
Sepse ata kanë frikë. Kanë frikë nga gratë dhe njerëzit që nuk u përulen. Kanë frikë nga nënat që luftojnë për drejtësi dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Ky nuk është më një shtet. Ky është një regjim që sulmon nënat, bizneset, fjalën dhe njeërzit e lirë.
Por unë nuk do të dorëzohem. Ta harrojnë!
Ky është vetëm fillimi i një beteje të drejtë. Shqipëria nuk është prona e qeverisë-Shqipëria është e popullit të saj, shqiptareve.