Farsa elektorale/ Berisha: Votimet në Tiranë u dominuan nga bandat më të fuqishme, nga ‘Hakmarrja për drejtësi’ te segmente të bandës së Shullazit! Raportin final do e kemi gati nga data 10 qershor, do e dërgojmë në çdo kancelari dhe institucion ndërkombëtar

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së me gazetarët të mbajtur këtë të premte ka denoncuar me pamje zyrat paralele të PS pranë qendrave të votimit, ku drejtohet operacioni i manipulimit zgjedhor i njohur si “treni bullgar”.

Berisha akuzoi zyrtarë të lartë, përfshirë Enkelejda Ymerajn, se fshihen në këto zyra sekrete për të blerë vota dhe për të manipuluar procesin. Berisha i quajti mbështetësit e këtij procesi “mercenarë të paguar” dhe “mashtrues”, që përpiqen të paraqesin farsën si zgjedhje të rregullta.

Lideri Opozitar, Sali Berisha deklaroi se zgjedhjet e 11 Majit 2025 në Tiranë janë dominuar nga grupe të fuqishme kriminale, duke përmendur konkretisht bandën e “Hakmarrjes për drejtësi”, segmente të bandës së Emiljano Shullazit, si dhe grupin e Xhabaftëve. Sipas Berishës, këto struktura kanë ushtruar terror elektoral, kanë kërcënuar votuesit dhe kanë blerë vota, duke shkelur hapur ligjet dhe parimet e zgjedhjeve të lira. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përpjekje të dështuara për të fshehur farsën elektorale, ndërsa theksoi se Partia Demokratike nuk e njeh këtë proces dhe do të faktojë përpara shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se këto zgjedhje përfaqësojnë një nga manipulimet më të rënda zgjedhore në Europë që nga rënia e Perdes së Hekurt.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se raporti përfundimtar mbi farsën elektorale do të jetë gati nga data 10 qershor dhe do të përfundohet me çdo kusht brenda datës 15 qershor. Deri në përgatitjen e tij, opozita ka shpërndarë një raport paraprak të përditësuar, i cili shërben si një raport i ndërmjetëm për të mbajtur të informuara institucionet ndërkombëtare. Berisha tha se raporti përfundimtar do të dërgohet në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-së, BE-së dhe Këshillit të Europës, në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë shkelur gjatë zgjedhjeve, si dhe në parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE. Dokumentet janë duke u shpërndarë gjithashtu edhe pranë misionit të ODIHR dhe misioneve të tjera vëzhguese. Kryetari i PD theksoi se opozita po vepron në mënyrë të organizuar për të dokumentuar dhe shpërndarë provat e parregullsive elektorale.

Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se opozita nuk pengon asnjë kandidat që të kërkojë transparencë apo rinumërim, duke theksuar se nuk ndjek standardin e Edi Ramës, i cili e ndalon transparencën. Berisha e quajti procesin zgjedhor një “farsë elektorale”, i cili  është një realitet i pamohueshëm dhe i padiskutueshëm. Berisha shtoi se parregullsitë apo verifikimet që mund të bëhen nuk e zbehin këtë realitet, por përkundrazi e përforcojnë. Berisha u shpreh para gazetarëve se çdo kandidat ka të drejtë të ndjekë procedurat për transparencë dhe se partia u ka dhënë udhëzim strukturave që t’i mbështesin plotësisht të gjithë ata që kërkojnë këtë gjë.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Lulzim Basha nuk denoncoi farsën elektorale, por u fokusua te ruajtja e karriges së tij. Berisha shtoi se kishte paralajmëruar për manipulimin e zgjedhjeve që më 27 prill dhe se PD duhet të faktojë parregullsitë përpara se të bëjë analizën e brendshme. Sipas Berishës, Basha kishte një projekt tjetër, një marrëveshje të heshtur, që u duk edhe në deklaratën ku “të dy palët shpalleshin fitimtare”. Ai theksoi se PD sot është e hapur dhe po punon seriozisht për të denoncuar zgjedhjet, një proces që kërkon punë të madhe. Berisha ironizoi përpjekjet e Edi Ramës për të marrë urime ndërkombëtare, që sipas tij, nuk po vijnë.

Kryetari i PD, Sali Berisha i cilësoi zgjedhjet e fundit si një farsë dy herë më të madhe se ajo e vitit 2021 dhe tha se është në një mision për të mbrojtur votën, si një e drejtë themelore për një shoqëri të lirë. Berisha akuzoi qeverinë se ka shkrirë shtetin me krimin dhe drogën, duke përdorur propagandë për të justifikuar manipulimin. Lideri democrat, Sali Berisha tha se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme dhe se opozita po punon për të denoncuar farsën dhe për të bindur çdo qytetar për realitetin e manipulimeve.

FJALA E PLOTË

Mercenarë të paguar bëjnë çdo gjë që të justifikojnë dhe t’u servirin shqiptarëve farsën elektorale si proces zgjedhor.

Këta, edhe njëherë, në minimum mercenarë, që nxijnë letra, shkrime, artikuj dhe të tjerë, janë mashtrues kongenitalë dhe falsifikatorë të paskrupullt.

Ata duan të paraqesin, duan të gjejnë në universin e farsës, ishuj në të cilët pretendojnë se ishte paqja në zgjedhje.

Këtu do paraqes pak qendrat paralele elektorale me qendrat e votimit të PS, ku zyrtarë të niveleve të larta, qëndrojnë të fshehur, klandestinë, për të drejtuar operacionin e trenit bullgar dhe paguar votat që blejnë.

Zyra sekrete pa asnjë shenjë elektorale, në të cilën tentojnë të fshihen prapa xhamit.

Ikën me çantën me dokumente.

Kjo, Enkelejda Ymeraj, drejtoreshë qendrore e inovacionit. Me kapuçon se kërkon të maskohet.

Një kriminele me detyra të larta.

Dhe si ia mbathin, shikoni si ikin.

Kjo duket si Kokona, po nuk di nëse është ajo apo ndonjë tjetër. Famozja Kokona.

Tani, këto janë dëshmitë e botës së nëndheshme të zyrtarëve që në shkelje të të gjitha ligjeve dhe parimeve të zgjedhjeve, vepruan në mbarë Tiranën.

Por Tirana, për avoketërit e farsës, që përpiqen ta paraqesin si zonë pa krim, u dominua nga banda më të fuqishme.

Në Tiranë operative ishin banda e Xhabaftëve, e dokumentuar dhe e paraqitur para jush këtu me të gjithë veprimtarinë terroriste elektorale.

‘Hakmarrja për drejtësi’ është një bandë me degën e saj të fuqishme në Tiranë, pavarësisht se tani për tani, qendrën e kanë në Lushnje dhe kanë zëvendësuar bandën e Aldo Bares.

Por në Tiranë janë eksponentë kryesorë të saj, ndër të cilët Dabullët dhe të tjerë.

Segmente të bandës së Shullazit, Serjani dhe banditë të tjerë, janë marrë ditë e natë me kërcënimin e votuesve dhe blerjen e votave.

Pra, Tirana ishte e ngërthyer në një darë krimi, në të katër anët e saj, nga seria killerë, trafikantë, organizata.

Kjo është e vërteta.

Çfarëdo që të bëjë Edi Rama, çfarëdo përpjekje, me asgjë nuk mund të fshehë farsën e shëmtuar elektorale të 11 Majit 2025.

Flluskat dhe qeskat e tymit që shpërndan, një ditë me një pretendim, një ditë me një pretendim tjetër, faktojnë dështimin e tij të plotë në maskimin e farsës elektorale.

Ka shpërndarë kërkesa të panumërta që të marrë urime, por urimet nuk po i vijnë.

Telefonata të shumta, po statuse nuk postohen.

Urime nuk i vijnë.

I kanë ngecur në fyt zgjedhjet dhe do i ngecin edhe më keq.

PD deklaron se nuk njeh kurrë këtë farsë elektorale.

Se ajo do i faktojë çdo shqiptari dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë përfaqëson në realitet farsa elektorale e 11 Majit 2025.

Farsa më e shëmtuar e zhvilluar që nga rënia e Perdes së Hekurt gjer sot në Europë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Ermal Rizaj, Syri Tv:Ju deklaruat ditën e djeshme se me drejtuesit politik do të përfundonit raportin e PD për farsën elektorale të 11 majit, dhe unë du t’ju pyes: kur do e dorëzoni dhe prezantoni këtë raport, të cilin ju theksuat se do e përfundonit me drejtuesit politikë? Dhe a janë përfshirë dhe këto raste që ju keni denoncuar nga selia?

Berisha: Patjetër që janë përfshirë.

Ne po operojmë, për shembull ne sot ne shpërndajmë raportin e përditësuar paraprak, i cili në fakt me terma të tjerë është një lloj raporti i ndërmjetëm.

Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor.

Por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese.

Ku do shkojë raporti përfundimtar?

Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-se, BE-së dhe Këshillit të Europës.

Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, konventat e të cilave janë dhunuar në këto zgjedhje.

Raporti përfundimtar do të shkojë në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të OSBE, BE dhe KiE.

Pra, këto janë destinacionet e raportit përfundimtar.

Por për të mbajtur nonstop të informuar, ne kemi operuar me raportin paraprak, tani kemi përgatitur raportin e ndërmjetëm dhe raportin përfundimtar do përpiqemi ta përgatisim midis datës 10 dhe 15 qershor me çdo kusht.

Andon Kello, Abc News: Disa kandidatë të listës së hapur të PD kanë kërkuar rinumërim të votave në qarkun e Tiranës, por edhe një në Durrës. Tani ata kanë pretendime tek votat preferenciale, të cilat kanë marrë brenda së njëjtës listë, pra kanë hasur në parregullsi në masën 5%, pasi kanë parë pamjet filmike.

Berisha: Farsa elektorale, nuk flas unë, është realitet i pamohueshëm, i padiskutueshëm.

Dhe kjo që thoni ju, 2-3-4-5 verifikime, parregullsi, këto nuk hedhin asgjë poshtë, as në këto që themi, përkundrazi.

Kurse për sa u përket kandidatëve, unë nuk e di sa kanë kërkuar rinumërimin apo sa kanë kërkuar procedurën, por cilido që dëshiron, është i lirë ta bëjë.

Ne nuk bllokojmë asnjë njeri që ta bëjë transparencën.

Në qoftë se ka pasur njerëz të pandërgjegjshëm, ata do identifikohen dhe do mbahet qëndrim ligjor.

Këtu ne nuk kemi dy standarde, por nuk kemi standardin e Edi Ramës që ndalon transparencën.

Atë nuk e bëjmë kurrë ne.

E qartë përgjigja?

Nuk e di sa janë, se ne edhe para dy ditësh, kam përsëritur udhëzimin që çdo kandidat që kërkon transparencë, t’i jepet mbështetje nga partia.

Osman Stafa, News 24: Pas zgjedhjeve të vitit 2021, Lulzim Basha nisi atë që quhej masakra elektorale, ku ka prova për atë ç’ka ndodhi në zgjedhjet e vitit 2021 që Edi Rama ia ka vjedhur. Ne fakt, atëherë, anëtarë të kryesisë apo edhe deputetë të PD i kërkuan Lulzim Bashës dorëheqjen ose mbajtjen përgjegjësi, edhe pse sipas tyre pati vjedhje apo ndërhyrje në përdorimin e shtetit, grupet kriminale në zgjedhjet e 2021.

Si ndiheni ju sot z.Berisha, ku pothuajse të njëjtët njerëz, të cilët kanë qenë edhe në vitin 2021, ndaj jush nuk tentojnë në asnjë moment të thonë asnjë fjalë. Pra, PD si ndiheni ju sot që nuk ka fare demokraci brenda saj?

Berisha: Lulzim Basha, siç e dini ju, nuk bëri, me porosi, as edhe përpjekjen më të vogël për të faktuar farsën.

Unë e denoncova farsën.

Me datën 27 prill, unë kam publikuar statusin ‘Vota vdiq pa hyrë në kuti’ dhe kam rreshtuar një seri faktorësh se pse unë e shpalla votën të vdekur pa hyrë në kuti.

Natyrisht, të jem i sinqertë, ato në vitin 2021, ishin jo më shumë se 50 përqind të këtyre që janë sot.

Por përsëri ato i shndërruan zgjedhjet në farsë.

Dhe unë përsëri e them këtu, se komuniteti ndërkombëtar qëndroi në raportin e tij.

Raporti paraprak i zgjedhjeve të vitit 2021, një raport serioz, që vë gishtin në problemet madhore.

Lulzim Basha nuk vrapoi pas denoncimit të farsës elektorale, por vrapoi pas karriges së tij.

Dhe po unë, në atë artikull, e kam mbyllur: është e domosdoshme që PD të faktojë, të vërtetojë, të denoncojë të gjithë këto që ndodhën në këto zgjedhje dhe pastaj të merret me analizën e vet.

Lulzim Basha ndërpreu atë proces dhe vuri në epiqendër karrigen e tij.

E kam mbështetur apo nuk e kam mbështetur, lexoje atë që kam shkruar.

I kam kërkuar në mënyrë të përsëritur, por ai kishte projekt tjetër.

Ai nuk ishte i lirë. Ai kishte projekt tjetër.

Ai kishte projekt koalicionin.

U pa e qartë. Lexoje ti mesazhin që i shpallte të dy fitimtarë të zgjedhjeve.

Lexojeni vetë! Nuk kisha parë kurrë!

Tani, të jesh i sigurt që kjo është një parti e hapur, është një parti demokratike, është një parti që nuk largohet kurrë nga analiza, nga shqyrtimi i të metave, gabimeve, nga ripërtëritja, përmirësimi.

Por ka periudhën e vet.

Unë që në vitin 2021 kam shkruar për tjetrin, se fillimisht kjo dhe pastaj analiza, unë nuk kam dy standarde.

Unë jam koherent në qëndrimet që mbaj.

Jam vërtet shumë koherent, nuk lëviz unë.

Bashkëpunëtorët e mi sot janë të bindur se kjo ishte një farsë.

Dhe janë të bindur se po bëhet çdo përpjekje bashkërisht për të denoncuar këtë farsë.

Por ky është proces i ndërlikuar, me punë voluminoze shumë, me mund, me djersë.

Por ne këtë po bëjmë.

Edi Rama, plasi që të marrë një urim.

Kudo u çon deputetëve të huaj, bëjeni një urim, nisni një urim.

Po, mos më bëni të them emra këtu.

Unë nuk hyj në korrespondencën private, nuk prish privacinë.

Por nuk po i vjen askush.

Osman Stafa, News 24: Pas zgjedhjeve të vitit 2023, ku ju gjithashtu akuzuat PS, kryeministrin Edi Rama se ua ka vjedhur ato zgjedhje, ju kam pyetur në këtë sallë se çfarë ndodh në vitin 2025, nqs do ndodhë i njëjti skenar sa i takon nenit Basha, dhe ju keni deklaruar se pas zgjedhjeve të vitit 2025, nuk do të ketë më çështje i vodhi nuk i vodhi, por do të respektohet statuti, nqs doni ua nxjerr edhe me video.

A po e përdorni ju sot PD për t’u mbrojtur në raport me çështjet tuaja me drejtësinë?

Berisha: Unë po mbroj një të vërtetë themelore për një shoqëri të lirë.

Po mbroj votën.

Ky është një mision për mua.

Unë e kam theksuar se ky është një mision po aq i rëndësishëm në mos më i rëndësishëm se ai i vitit 1991.

Po mbroj votën e humbur.

Ç’po përdor unë këtu?

Po mbroj votën nga një botë e stërfuqishme krimi.

Nga një shtet i shkrirë në një me kartelet e drogës.

Po mbroj votën nga një parti krimi e shkrirë një me shtetin.

Po mbroj votën nga një propagandë antidemokratike, që nga mëngjesi gjer në darkë, mbështeti narkodiktaturën dhe tani përpiqet të përligjë farsën.

A e kupton se në çfarë pozicioni jam unë sot?

Por unë ndjehem më i motivuar se kurrë nga ky pozicion.

Nuk kam unë absolutisht asgjë personale. Por në këto rrethana, alternativa e vetme është të qëndrosh me të gjithë fuqinë.

Dhe ne po qëndrojmë.

Shqiptarët nuk kanë më votën.

I ke dëgjuar ti, thonë se zgjedhjet u mirëadministruan.

Ju nuk e dini, ua them unë, administrimi më i shkëlqyer, më i përsosur i zgjedhjeve bëhej në diktaturë. Po, si administrim, perfekt.

Por ata kishin një të mirë, nuk flisnin për zgjedhje, flisnin për votim. Se nuk kishte garë. E dinin ata, ishin të ndërgjegjshëm.

Por kështu nga pikëpamja e administrimit, ishin të përsosur.

Pra, nuk mund të merret administrimi si etalon. Atë më mirë se kushdo e bën diktatura. I merrnin me helikopter, me ushtri, i çonin kutitë e votimit në pikat më të largëta. I filmonin, i paraqisnin që ja organizimi. Kaq është kjo.

Pra, unë po bëj atë që duhet bërë.

Dhe bashkëpunëtorët e mi po bëjnë atë që duhet bërë.

Nuk janë asnjë prej tyre që partia duhet të bëjë analizë. Jo!

Por e dinë se përparësi absolute është kjo.

Nuk ka më zgjedhje këtu.

Të mos dëgjojë njeri se me Edi Ramën mund të bëhen zgjedhje. Kurrë.

Urdhëro farsa.

Dy herë e marrim po të duash dhe e analizojmë në rrafshin sasior dhe cilësor.

Kjo farsë ishte dy herë më e madhe se e vitit 2021.

Po!

Nuk u falën 200 e sa milionë gjoba.

Nuk u dhanë për 48 përqind të zgjedhësve 100 euro siç ndodhi tani.

Nuk arriti këtë shkallë organizimi kriminal, rrjeti i patronazhistëve.

Nuk u dhanë licenca për 28 mijë hektarë drogë, nga 200 që duhej të jepeshin sipas ligjit.

Pra, këto janë.

Unë besoj se çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë po bëhet më e qartë për shqiptarët ajo që ka ndodhur në këto zgjedhje.

Por ne do insistojmë që edhe shqiptarin e fundit ta bindim për farsën elektorale.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale