KONFERENCA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARET
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, solli prova konkrete të manipulimit të zgjedhjeve të 11 majit përmes metodës së ashtuquajtur ‘Treni Bullgar’. Ai deklaroi se kjo metodë, e përdorur edhe nga regjimet autoritare si ai i Putinit dhe Lukashenkos, u aplikua në disa qendra votimi në Shqipëri.
Ai tregoi se, komisionerë të lidhur me partinë në pushtet organizuan një skemë të paligjshme votimi brenda një kafeneje. Berisha publikoi pamje që dëshmojnë manipulimin, ku fletët e votimit vulosen dhe dorëzohen jashtë qendrës së votimit. Ai e cilësoi këtë veprim si krim elektoral që e bën procesin zgjedhor të pavlefshëm.
Në zgjedhjet e 11 Majit, një nga skandalet më të bujshme që ka tronditur opinionin publik është ajo që po cilësohet gjerësisht si një shembull flagrant i manipulimit elektoral, i ‘trenit bullgar’. Në një video të publikuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën me gazetarët, e ka quajtur ‘një provë pa asnjë hije dyshimi’, tregon qartë skemën e manipulimit: një person futet në qendër votimi me një fletë të mbushur paraprakisht, e hedh në kuti dhe më pas merr fletën bosh për t’ia dorëzuar tjetrit jashtë, duke vazhduar kështu zinxhirin e mashtrimit.
Lideri i demokratëve Sali Berisha ka vijuar me denoncimet e farsës elektorale të 11 majit. Gjatë një konferencë për gazetarët ai tha se, ‘pas Edi Ramës, Altin Dumani është autori i dytë i farsës elektorale të 11 majit’. ‘Skapi është autor kryesor. Nuk ka asnjë përgjegjësi Skapi. Për Skapin ekziston mbulesa. Altin Dumani është bashkëautor në krimin elektoral me Edi Ramën. Altin Dumani është bashkëautor. Mund të them me dhjetëra e dhjetëra raste, ai i mbuloi të gjitha. Pra në qoftëse ka një të dytë në krimin elektoral në Shqipëri, farsën elektorale pas Edi Ramës, është Altin Dumani’, theksoi Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha, në një konferencë për mediat deklaroi se nxjerrja e fletëve të votimit të plotësuara dhe të vulosura jashtë kutive të votimit është dëshmi absolute e fenomenit të quajtur ‘Treni Bullgar’. Berisha theksoi se kjo praktikë shkel ligjet dhe përbën një krim të rëndë nga ana e komisionerëve. Sipas tij, në disa qendra janë krijuar grupe ilegale të Partisë Socialiste që kryenin shkëmbime fletësh votimi. Ai kërkoi hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi për ata që kanë shkelur ligjin.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, tha se rinumërimi i votave bëhet vetëm për transparencë dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Berisha denoncoi përdorimin e skemës së ‘trenit bullgar’, ku votuesit futin fletë të mbushura në xhep për të manipuluar rezultatin. Ai deklaroi se pranë qendrave të votimit janë ngritur qendra elektorale ilegale të PS-së, ku janë kapur në flagrancë funksionarë publikë. Sipas tij, janë konstatuar edhe fletë votimi të ndryshme nga ato zyrtare, të firmosura nga komisionerë socialistë. Berisha akuzoi Edi Ramën se ka vizituar fshehtas një nga këto qendra, ku më pas janë dorëzuar ‘topa’ me fletë votimi. Ai kritikoi edhe fletët e votimit të përgatitura nga PS për imitimin e votimit, duke i cilësuar si mënyrë për të maskuar manipulimet.
FJALA E PLOTE:
Tani, siç paralajmërova, në farsën elektorale të 11 Majit u përdorën të gjitha metodat për manipulimin e zgjedhjeve, njëra prej të cilave përdoret gjerësisht nga Putini dhe Lukashenko dhe njihet me emrin e Trenit Bullgar.
Me të drejtë dje, një gazetare pyeti këtu se ku është treni.
Unë sot kam sjellë Trenin Bullgar para jush dhe qytetarëve shqiptarë.
Ju do shihni se si kriminelë elektoralë brenda qendrës elektorale realizojnë atë mekanizëm manipulimi që quhet Tren Bullgar, që i bën zgjedhjet tërësisht të pavlefshme, që kontrollon tërësisht vullnetin e qytetarëve.
Këta janë një grup kriminal brenda qendrës së votimit, komisionerë të partisë së krimit.
Qendra e votimit është në një kafene, shikojeni…
Ja fleta e votimit…
Ja, merr vulën e vulos fletën e votimit. Si në filma, sikur ta kishin xhiruar.
Tani vjen me vulën e dytë këtu. E vulos.
Tani po fsheh krimin. E fut në banak poshtë fletën e votimit.
Me gjakftohtësi të paparë.
Është po ky… tani e nxjerr fletën e votimit, do e çojë në destinacion.
Shikojeni, ia dha tjetrit jashtë qendrës.
Edhe njëherë, aty po voton ai.
Pra, besoj se sikur të ishte xhiruar në një film demonstrativ.
Rast si ky, duhet të falënderoj ata që e gjetën nëpërmjet videove.
Pra, kemi të bëjmë me një dëshmi flagrante të nxjerrjes së fletës së parë dhe ai që vjen me atë fletë, ai e hedh atë në kuti, ajo është e mbushur dhe fletën e vet e merr, del jashtë dhe ia jep tjetrit.
Kështu me radhë garantohet rezultati.
Të gjithë detyrohen të votojnë fletën e mbushur.
Nxjerr fletën bosh ai…
Nuk besoj se lë më shteg për dyshimin më të vogël përdorimi i Trenit Bullgar në këto zgjedhje si njëri nga mekanizmat e falsifikimit të rezultatit në farsën elektorale.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ku ndodhet kjo qendër votimi?
Sali Berisha: Kjo qendër votimi ndodhet në Elbasan, në një fshat të Elbasanit, emrin e të cilit i kam në dokumente të tjerë që do ua nisim.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Gjatë momentit ku tregohet se personi nxjerr fletën e votimit nga qendra e votimit, aty ka dhe komisionerë të PD-së. Ata nuk e kanë parë këtë gjë, janë të blerë apo të shantazhuar?
Sali Berisha: Nuk mund të gjykoj sepse kërkon një hetim. Shqetësimi është shumë i drejtë, por kjo kërkon një hetim. Duhet hetuar. Rregulli është ai që thoni ju, por e vërteta është kjo që tregon filmi.
Dhe këto janë në votim, kjo është tavolina e votimit, regjistrimi për votim është tjetër.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Këto materiale ju i keni dërguar këto në prokurori?
Sali Berisha: Ku? Për turshi? Skapi është autor kryesor. Nuk ka asnjë përgjegjësi Skapi. Për Skapin ekziston mbulesa. Altin Dumani është bashkëautor në krimin elektoral me Edi Ramën. Altin Dumani është bashkëautor.
Me dhjetëra e dhjetëra raste, ai i mbuloi të gjitha.
Pra në qoftëse ka një të dytë në krimin elektoral në Shqipëri, farsën elektorale pas Edi Ramës, është Altin Dumani. Pse? Sepse në qoftë se dosjet 189-384 do ishin dënuar nuk do guxonte kush të ndiqte këtë linjë. Jo. Do mendonin se qytetarët duhet të votojnë të lirë. Po mbrojtja që ai u bëri atyre, amnistia që u bëri u hapi rrugën.
Po Poja. A nuk e denoncova me dhjetëra herë unë Pojën, kartelin e Troplinit për ndërhyrjet në zgjedhjet në Durrës, për Arkend Ballën dhe deputetë të tjerë.
Çfarë pësoi? Ai mbante në xhep fletë-arrestin e tij dhe e njoftoi të largohej pas zgjedhjeve. Kush e informoi atë. Keni marrë vesh të ketë një hetim se kush informoi ‘El Chiapon’ të largohej? Ai që kishte në xhep fletën.
Kësaj here nuk kap dot as policë, tu thonë, se herë të tjera ka një e dy dhe ja veshin policisë, edhe kur i dekonspiron dhe kur nuk i dekonspiron policia, siç ndodhi me atë që kapën në Kosovë.
Jo tha ai, e kam nga Skapi njoftimin dhe e kish nga Skapi. Këta jo po policia. Kësaj here nuk guxoi të thotë policia se i kishte në xhep vetë. Dhe kur u bë operacioni ai kishte 1 javë që kishte ikur, ja kishte mbathur se, ishte njoftuar.
Andon Kello, AbcNews: Tani këtu shfaqen disa copëza videosh, ju a e keni të provuar momentin e shkëmbimit të fletëve të votimit, apo dhe në kutinë e votimit, ku gjatë fenomenit të trenit bullgar, nxirret fleta e plotësuar dhe merret fleta e paplotësuar për të vijuar fenomeni.
Sali Berisha: Tani, besoj se kjo gjë, një fletë e plotësuar, një fletë e vulosur, nxirret nga qendra e votimit pa u futur në kuti, është dëshmi absolute e Trenit Bullgar.
Që të faktosh tjetrën, duhet të kesh kamera jashtë lokalit të shohësh atë që e merr.
Po çfarë kemi të faktuar ne? Qendrat ilegale të PS rreth qendrave të votimit ku njerëzit shkonin dhe bënin shkëmbimet.
Por nxjerrja e një flete të plotësuar, të vulosur, nuk mund të ketë kurrë asnjë arsye tjetër përveç Trenit Bullgar.
Asnjë arsye tjetër.
Ka ligje për administrimin e asaj flete.
Ka shkelur çdo ligj ai komisioner që ka kryer krim të shëmtuar.
Pra, ai e di që është dokument ligjor fleta e votimit dhe ai nuk pyet, ai e merr, e fsheh, pastaj i vë dy vula, voton mbi të dhe gjen rastin ta nxjerrë nga dera, siç e shihni.
Kjo është gjëja më evidente.
Andon Kello, AbcNews: Javën që vjen, fillon rinumërimi i votave për Tiranë dhe Fierin. Ju si kryetar i PD, keni pritshmëri për këtë proces?
Sali Berisha: Absolutisht përveç transparencës, asnjë gjë tjetër.
Jo! Unë, edhe njëherë e sqarova edhe dje, ky proces është nisëm e kandidatëve të veçantë, të cilëve ligji u ka hequr të drejtën e mundësisë për t’u konsideruar në kërkesën e tyre dhe PD, për hir të transparencës dhe jo për asnjë motiv tjetër, ka vendosur t’i mbështesë kërkesat e tyre.
Sepse PD mbështet çdo kërkesë të çdo individi brenda saj apo në rastin konkret në zgjedhje, që kërkon të rishohë votat.
Unë mbaj një parim, nuk bëj atë që bën ai tjetri që nuk lejon kurrë të votohet në parti dhe nuk i lejon as të numërojë votat.
Unë nuk e bëj këtë. Unë them transparenca dhe kërkoj mirëkuptim nga çdo kandidat të mos harrojë se jemi parti e transparencës.
Nuk merrem fare me çfarë do paraqesin. Jo!
Mariglen Kume, MCN TV: Fenomeni i trenit bullgar, të paktën nga praktika që kemi lexuar është se qytetari shkon i pari me një fletë të parregullt dhe më pas një votë shkon dën, sepse qytetari duhet të paraqitet tek komisionerët edhe tek qendra tjetër e votimit për të marrë dhe vulën. Ndërkohë kjo fletë e vulosur pse duhet të dalë jashtë dhe si do paraqitet qytetari më pas …
Sali Berisha: Ai do të votojë dhe këtë fletën e vet e fut në xhep ai. Ai fut fletën e vet në xhep dhe me këtë voton dhe në këtë mënyrë realizohet. Secili që vjen fut një fletë të mbushur në xhep dhe ai tjetri vjen me fletë të mbushur. Dhe garantohet, në këtë mënyrë garantohet se ti ke votuar vetëm partinë e krimit. Kjo është të garantohet.
Ky është treni bullgar.
Mariglen Kume, MCN TV: Keni të dhëna në çfarë mase është përdorur ky fenomen në zgjedhjet e 11 majit?
Sali Berisha: Është përdorur gjerësisht. Gjykuar nga të dhënat që vijojnë janë identifikuar për herë të parë, qendrat ilegale elektorale të PS-së, pranë qendrave të votimit. PS nuk është një parti ilegale. Ajo ka të drejtë të ngrejë qendra elektorale, por kurrë ilegale. Me të gjithë dekorin e miratuar ligjor me të gjitha rregullat.
Partia Socialiste ka ngritur një mori të pafund qendrash, përreth qendrave të votimit, ku janë kapur në flagrancë siç i ke parë dhe ti, edhe drejtorë kryesorë të institucioneve qendrore të vendit, duke u marrë me manipulimin e zgjedhjeve.
Së treti, siç keni parë ju në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë, janë konstatuar fletë votimi të ndryshme nga fletë votimi i zakonshme. Dhe kjo është firmosë edhe nga komisionerët socialistë, që këto fletë ndryshojnë. Kishin ato fletë apo jo, shenjat e sigurisë të vendosura nga kompania ajo nuk merret vesh sepse Skapi i partisë mbyll çdo krim elektoral.
Së fundi, ne kemi patur informacion të saktë, se në një qendër elektorale të PS-së janë dorëzuar topa të mëdhenj me vota dhe se ajo qendër, pikërisht ajo qendër, tre ditë para këtij veprimi ishte vizituar fshehtas nga personalisht, Edi Rama.
Dëshmitarë të cilët faktuan praninë e topave me fletë votimi, ata dhanë të dhëna për vizitën e Edi Ramës.
Ata gjithashtu filmuan targën e personit që dërgonte këto materiale.
Por OSBE dërgoi vëzhguesit dhe socialistët treguan imitimin e fletës së votimit që ata kishin përgatitur për të mësuar zgjedhësit si të votojnë, që nuk e kanë bërë kurrë, që e kanë bërë vetëm tani për të maskuar trenin bullgar.
E kuptoni ju? Se si duhet të votojë çdo parti, se si duhet të votojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përgatit reklama televizive dhe i jep ato.
Kurse socialistët kësaj here kishin përgatitur fletë votimi të tyre që ishin në gjerësi sa fleta e votimit, por në fakt fshihnin, maskonin manovrën e tyre.
Këto janë.
Mariglen Kume, MCN TV: Në zgjedhjet e mëparshme tek fleta e votimit ka patur dhe një numër serial, i cili është hequr me kërkesë të PD me argumentin se identifikohej votuesi. A do ta tërhiqni pas këtë kërkesë, pasi është një nga elementët që i ka shndërruar rrugën fenomentit të Trenit Bullgar.
Sali Berisha: Jo, nuk them se ajo i ka shtruar rrugën.
Problemi është se numri serial në njëfarë mënyre bënte të diktueshëm votuesin.
Por, në qoftë se u hoq numri serial, u vendosën elementë sigurie.
Sidoqoftë ky problem do diskutohet nga ekspertët më me hollësi.
Është e vërtetë që është hequr.
Mbetej kundrafleta aty.