Farsa elektorale/ Berisha publikon pamjet dhe shifrat: U dhanë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave në kundërshtim me ligjin zgjedhor

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një konferencë për shtyp, drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar procesin zgjedhor të 11 majit si një “farsë elektorale” të organizuar nëpërmjet përdorimit të paligjshëm të shtetit për blerjen e votave.

Berisha u mbështet në raportin e delegacionit të Këshillit të Europës, i cili sipas tij, konfirmon kapjen e shtetit nga partia dhe thekson nevojën për ndarjen e shtetit nga politika si dhe reformimin e SPAK-ut, që e cilësoi si të politizuar dhe të kontrolluar nga mazhoranca.

Një nga akuzat kryesore të Berishës ishte shpërndarja e mbi 6 mijë lejeve të legalizimit në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor, për të cilin ai deklaroi se ndalon dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë katër muaj para zgjedhjeve. Sipas tij, çdo legalizim përfaqëson potencialisht 3 deri në 5 vota të blera.

Lideri opozitar, Sali Berisha paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikohen prova të reja, përfshirë shpërndarjen e certifikatave të pronësisë dhe lejeve të ndërtimit në funksion të fushatës elektorale. Këto veprime i cilësoi si shembull klasik të “shtetit elektoral” në funksion të partisë.

Kryetari i PD, Sali Berisha komentoi gjithashtu largimin e ish-anëtarit të PD-së, Deromemaj, duke e konsideruar si zgjedhje personale. Ai tha se Deromemaj e kishte njoftuar për tërheqjen nga politika para dhjetë ditësh, por më pas pranoi një post në administratë, gjë që Berisha e konsideron të papranueshme për një demokrat.

Lidhur me videot e manipulimeve zgjedhore, Kryetari i PD, Sali Berisha njoftoi se PD ka siguruar pamjet e para nga Elbasani, ndërsa videot nga qarqet e tjera pritet të dorëzohen së shpejti nga KQZ. Berisha tha se procesi është vonuar për shkak të nevojës për hapësira të mëdha ruajtjeje, por tani që kapacitetet janë siguruar, do të nisë shqyrtimi i plotë i materialeve. Pamjet nga Vora, sipas Berishës, kanë rezultuar të prera dhe të papërshtatshme për analizë.

Kryetari i PD, Sali Berisha sulmoi sërish kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti “Ramaduro”, duke e akuzuar për lidhje me kartelet e drogës. Ai tha se ish-presidenti Donald Trump ka shpallur Ballkanin zonë të rrezikshme pikërisht për shkak të Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Sipas Berishës, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Drejtësisë ka sjellë në Shqipëri një mesazh zyrtar që kërkon hetim të karteleve të drogës në vend.

Berisha përfundoi deklaratën në konferencën për shtyp me paralajmërimin se fakte të reja dhe më të rënda do të dalin në ditët në vijim, duke e konsideruar situatën si alarmante për demokracinë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri.

FJALA E PLOTË

Në Strasburg, raporti i delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit.

Rekomandimet e këtij raporti, siç theksova dje, janë asgjësuese.

Në këto rekomandime janë ndarja e partisë nga shteti. Pra konfirmohet se në Shqipëri funksionon partia shtet dhe shteti elektoral.

Rekomandohet reformimi i Skapit, duke konfirmuar në këtë mënyrë tezën se ai që quhet Spak, nuk është asgjë tjetër veçse një Skap i partisë, bashkautor në krimin e madh elektoral ndaj shqiptarëve.

Zhvlerësohet në tërësi, apo thotë të analizohet, vota e diasporës, e cila siç e patë ju, është shtetëzuar.

Natyrisht ndërhyrjet brutale në procesin e farsës elektorale ishin të shumëllojta, por edhe njëherë, në çdo vend dhe në çdo shtet, një proces zgjedhor asgjësohet dhe shndërrohet në farsë elektorale kur partia bëhet shtet dhe shteti parti.

Ky është kushti i të gjitha kushteve për të asgjësuar procesin e drejtë zgjedhor, për ta shndërruar atë në farsë.

Ky është kushti më themelor.

Në rastin konkret, sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta.

Këtu jemi tek Fresku. Këta kriminelë elektoralë po ndajnë atyre certifikata pronësie, leje legalizimi.

Është vetëm pak ditë para fushatës elektorale. Publikisht!

Natyrisht janë në mbrojtjen e plotë të Altin Troplinit dhe Skapit të partisë.

Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh.

Kjo tabelë paraqet totalin e legalizimeve pikërisht në harkun kohor të ndaluar me ligj.

Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116.

Në total janë dhënë 6 mijë legalizime.

Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u blenë vetëm me lejet e legalizimit.

Pra, ky është një shembull i përdorimit të shtetit partiak, shtetit elektoral për të blerë vota nëpërmjet ushtrimit të paligjshëm të fuqisë ekzekutive.

Këto janë vetëm njëri aspekt, aspekte të tjera do paraqiten në ditët e ardhshme, të cilat kanë të bëjnë me certifikatat e pronësisë, kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, të cilat janë të pafundme.

Është bërë një vërshim i madh dhe një mori e pafundme leje ndërtimi, meremetimesh, ndërtimesh në fshat, por edhe në qytete, të cilat do paraqiten në ditët që do vijnë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Osman Stafa, News24: Z.Berisha, ditën e djeshme është publikuar një lajm që ish-kryetari i PD të Vlorës, njëherazi anëtar i Kryesisë së PD dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, Genc Deromemaj, ka marrë postin e kryetarit të Kadastrës së Vlorës. A keni ju një koment dhe a keni marrë ju një letër dorëheqjeje, sa kohë ky person ekziston akoma si anëtar i Kryesisë së PD?

Berisha: Ky person me një karrierë në PD, po që janë gjëra të zakonshme këto, nuk janë të jashtëzakonshme që njerëzit ndërrojnë parti si ky, para 10 ditëve ka dërguar një mesazh ku më informon se do largohet nga aktiviteti politik përgjithmonë.

Në fakt nuk ka pasur një aktivitet, për arsye të veta, nuk e di domethënë.

Por kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut.

Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij.

Osman Stafa, News 24: A i frikësoheni ikjeve të tjera, duke qënë se ka fjalë që nga radhët e PS ka ende ftesa në drejtim të personave të angazhuar në PD?

Berisha: Nuk kam dijeni për asnjë rast tjetër. Nuk kam dijeni, por rasti i tij është evident.

Nuk më njoftoi se do merrte një funksion në një vend ku rrinë nga 3 muaj zakonisht, në Vlorë.

Por është zgjedhja e tij, kaq është ajo.

Investimin ai e ka pasur në PD, se si gjeti këtë vlerësim të lartë nga partia e krimit, është puna e tij, nuk kam dijeni.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju sot publikuat prova të tjera të cilat tregojnë se është tjetërsuar vullneti i qytetarëve shqiptarë, duke përdorur skemën e legalizimit dhe duke shkelur kodin zgjedhor. Përgjatë kësaj kohe, ju keni publikuar fenomenin e Trenit Bullgar në qarkun e Elbasanit, dhe disa raste për sa i takon procesit të manipulimit në Tiranë. Përveç qarkut Elbasan, a keni ju dijeni dhe informacion ku është përdorur në vend tjetër fenomeni i Trenit Bullgar, apo drejtuesit politikë dhe deputetët e zgjedhur nuk po bëjnë një punë aq të madhe sa po bën Blendi Himçi në Elbasan, i cili ka evidentuar disa raste?

Berisha: Nuk janë marrë akoma videot, sepse ka pasur probleme me dorëzimin e videove nga KQZ, qarqeve që kanë kërkuar videot.

Tani janë dorëzuar atje sepse kërkonin depozita të mëdha me kapacitete të mëdha për marrjen e videove, dhe tani sapo të dorëzohen nga KQZ, do fillojë shqyrtimi i tyre.

Kjo është pra.

Videot e parë që janë dorëzuar nga KQZ, janë videot e Elbasanit, janë disa të Vorës, por ato të Vorës janë të prera në mënyrë të papërshtatshme.

Pret Tirana t’i marrë, ka depozituar kapacitetin për depon e videove, që ishte shumë i madh. Por u gjet dhe do dorëzohen.

Olta Blaceri, Vizion Plus: Z.Berisha, presidenti Donald Trump ka shtyrë fuqinë e urdhrit ekzekutiv për gjendjen e emergjencës në Ballkanin Perëndimor, ku përmenden edhe individët e korruptuar. A keni ju një koment për këtë vendim?

Berisha: Ramaduro! Ramaduro.

Çfarë komenti tjetër do?

Tre ditë para, kryeministri i Shqipërisë, nga media kryesore numër një e SHBA dhe e botës, u damkos Ramaduro.

E kupton vetë!

Tjetër, tre javë më parë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë solli këtu mesazhin e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me të cilin kërkon që Shqipëria të merret me kartelet e saj të drogës.

Po për kë bien këto kambana?

A është folur ndonjëherë për kartele droge në Shqipëri? Nuk është folur kurrë.

A është cilësuar ndonjëherë Edi Rama si Ramaduro? Unë e kam cilësuar Noriega, por njerëzit e kanë harruar Noriegën tani. As 3 përqind e njerëzve nuk e dinë se ç’është Noriega.

Kështu që mund të them se epiteti im nuk ngjiti.

Ramaduro në vend, e kapi, e shpalli media numër një e botës.

Pra, si të mos e shpallë atë presidenti Trump, Ballkanin një zonë të rrezikshme.

Kjo është arsyeja.

Kartelet po, Ramaduro po, janë të gjitha së bashku.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale