Farsa elektorale/ Berisha publikon letrën skandaloze: Ministri i jashtëm i narkoshtetit kërcënon vëzhguesit ndërkombëtarë që të ndryshojnë raportin. Shqipëria është në një diktaturë autoritare, ku droga vendos për çdo gjë

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën për shtyp të ditës së sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një dokument skandaloz që përbën prova të pakundërshtueshme të ndërhyrjes brutale të qeverisë shqiptare ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë. Letra, e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i regjimit, Igli Hasani, është një akt presioni dhe kërcënimi të hapur ndaj trupës vëzhguese, me qëllim deformimin e raportit mbi zgjedhjet e 11 majit’, u shpreh Berisha. Ky veprim është në vazhdën e përpjekjeve të koordinuara të narkoshtetit për të mbuluar një nga proceset më të diskredituara dhe më të korruptuara zgjedhore në historinë e Shqipërisë’, theksoi kreu i PD.

Gjatë konferencës, kryedemokrati Berisha theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë blerë me 1 miliard e 25 milionë euro, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe moralin demokratik. Buxheti i shtetit, të dhënat personale të qytetarëve, punësimet masive dhe aktivitetet e orkestruara shtetërore u përdorën për të dhunuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD-së Sali Berisha e quajti ministrin Hasani ‘ministri i narkoshtetit’, duke e akuzuar për: ‘Manipulim të deklaratave publike në lidhje me suksesin e votimit nga jashtë vendit; Presion mbi vëzhguesit ndërkombëtarë për të përmbysur realitetin në raportimet e tyre;  Shërbim ndaj propagandës së një regjimi të korruptuar, i zhveshur nga çdo parim qytetarie’.

Kryetari i opozitës i drejtoi akuza të rënda edhe kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, për manipulimin e dosjeve kyçe që përmbanin dëshmi të pakontestueshme të krimit elektoral: dosjet 184 dhe 339. Sipas liderit të demokratëve, amnistia e heshtur që u dha për këto dosje është një dritare që i hapi rrugë regjimit për të rikthyer të njëjtat metoda brutale në zgjedhjet e fundit. Në këtë mënyrë, krimi elektoral u bë politikë shtetërore, ndërsa drejtësia u përdor si mburojë për autorët e manipulimit.

‘Shqipëria është në një diktaturë autoritare, ku droga është forca lëvizëse dhe vendos për çdo gjë. Vota e shqiptarëve nuk ka më vlerë. Të zgjedhurit nuk përfaqësojnë më qytetarët, por janë produkt i një makinerie të organizuar shtetërore dhe kriminale.’, theksoi kryedemokrati Sali Berishsa. Gjatë fjalës së tij, lideri i PD-së Sali Berisha theksoi gjithashtu se: ‘Dumani nuk ka bërë asnjë arrestim për intimidimin e votuesve, pavarësisht raportimeve; Ka mashtrime të hapura në raportimet publike mbi hetimet;  Letra e publikuar është vetëm një prej shumë provave, dhe opozita disponon dëshmi të tjera të rënda’.

Kreu i Partisë Demokratike i bëri thirrje të gjitha mediave të pavarura të publikojnë të plotë dokumentin dhe të informojnë qytetarët shqiptarë mbi kërcënimet dhe presionet që regjimi ushtron edhe ndaj trupave ndërkombëtare të vëzhgimit. ‘Unë kam dëshmi të tjera, por kjo është me shkrim. Kjo letër fakton ndërhyrjen dhe presionin ndaj trupës vëzhguese. Shqipëria është sot pa votë të lirë. Opozita ka një dhe vetëm një mision – rikthimin e votës së lirë me çdo çmim’, deklaroi Berisha. Ai përfundoi duke e cilësuar Edi Ramën si ‘armik i egër i votës së lirë’ dhe ‘bastard i xhelatëve të diktaturës komuniste’, ndërsa u zotua se opozita nuk do të tërhiqet nga përballja me këtë regjim.

FJALA E PLOTE:

Farsa elektorale e 11 majit 2025 është procesi elektoral më i shëmtuar në 32 vite pas rënies së Perdes së Hekurt.

Është procesi më i diskredituar.

Është procesi më i korruptuar.

Këtu në mënyrë të vazhdueshme kemi paraqitur qindra fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme të përdorimit të mbi 1 miliard e 20 milionë euro para të buxhetit me qëllim blerjen dhe influencën e votës.

Të organizimit të mbi 4 mijë e 500 aktiviteteve më shumë se tre vite të tjera të marra së bashku, në 4 muajt e fundit para zgjedhjeve, të ndaluara me ligj.

Të gjysëm miliardi prokurime të ndaluara me ligj para zgjedhjeve.

Të armatosjes së terroristëve elektoralë patronazhistë me të dhënat e qytetarëve për t’i mikluar dhe kërcënuar ata.

Firmosjen e licencave për mbjelljen e kanabisit në përmasa 140 herë më të mëdha se sa ç’parashikon ligji.

Kemi paraqitur para jush manipulimin ekstrem të votës së diasporës.

Por ju jeni dëshmitarë se këtu, nga kjo sallë, nga Parlamenti Europian dhe asambleja parlamentare e OSBE, kam denoncuar me forcën më të madhe kërcënimet, presionet e Edi Ramës dhe ministrit Igli Hasani ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim që ata të ndryshojnë raportin.

Siç unë u kam njoftuar, laptopi po bën transparencë të madhe.

Këtu para jush kam sjellë sot letrën kërcënuese që ministri i jashtëm i narkoshtetit, Igli Hasani, iu drejton me datën 12 maj, sapo lexohet raporti, zonjës Farah Karimi, koordinatore speciale dhe lider i misionit afatshkurtër të OSBE-së.

Ambasadorit Lamberto Zannier, kryetar i misionit të vëzhguesve të ODIHR-it.

Zotit Bjorn Soder, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të OSBE.

Zoti Simone Billi, kryetar i delegacionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës.

Dhe zotit Michael Gahler, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian.

Shikoni çfarë banditizmi, sapo kanë lëshuar komunikatën, atyre iu drejtohet kjo letër.

Pas kortezisë, në letër thuhet: ‘Lidhur me deklaratën e gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake, dua t’ju përcjell pritshmërinë që këto raporte të pasqyrojnë me saktësi realitetet e observuara në terren gjatë procesit elektoral’.

Dhe vazhdon: ‘Në këtë drejtim, dua të shpreh shqetësimin serioz (imagjinoni ju çfarë mafiozësh janë këta, ata sa e kanë lexuar raportin, dhe ky sikur t’ua ketë marrë kopjen para) lidhur me paragrafin hyrës të deklaratës, në të cilin bëhet një paraqitje thellësisht negative në pikëpamjen tonë dhe e pabalancuar e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025’.

Pra, Igli i narkoshtetit shkruan me tërbim se në paragrafin e parë, delegacionet në komunikatën e përbashkët, damkosin farsën elektorale.

Dhe ky në vend se t’i falenderojë, u thotë se kemi shqetësime dhe shpreh indirekt kërcënim, pa studiuar asnjë dokument, por vetëm vullnetin patologjik për të mbrojtur farsën që kanë organizuar.

‘Toni, thotë ky ministër, që vetëm ministër nuk mund të quhet, dhe vendosja, pozicionimi, inkuadrimi i këtij seksioni të hapjes, pra i kësaj hapje të raportit, rrezikon të errësojë kontekstin e gjerë të përparimit, përfshi këtu përmirësimet e ndjeshme demokratike, siç është rritja e transparencës dhe avancimi me teknologjinë elektorale dhe konkretisht, dëgjojeni çfarë flet, futja me sukses e votimit jashtë vendit’.

Pra, procesi ekstrem e manipulimit të votës së diasporës, ai e quan të suksesshëm.

‘Për më tepër, shkruan ministri i narkoshtetit, pohimi se partia në pushtet ka përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve të administratës, i mungon substancimi kësaj, veçanërisht në deklaratën paraprake’.

Dëgjojeni sa i verbër është ky njeri, se sa… nuk duhet të përdor epitetet që meriton.

Janë dhënë në kundërshtim flagrant me ligjin 1 miliard e 25 milionë euro për të blerë votën, të gjitha me vendime qeverie, të gjitha të ndaluara me ligj.

Ky është i fshirë nga çdo koncept.

Është një njeri pa nocionet më elementare të zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut.

Nuk i duket gjë këtij 1 miliard, në një kohë kur tjetri kundërshtar garon me 5 apo 10 milionë.

Këtij dhe Dumanit, për këtë dhe Troplinin, këto nuk ekzistojnë.

Nuk përbëjnë një pabarazi të tmerrshme që shndërrojnë zgjedhjet në farsë.

Organizimi i 4500 ngjarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshi Giro d’Italia, nuk përbëjnë për Altin Troplinin dhe Igli Hasanin çështje të pabarazisë në garën elektorale.

Duhet të jesh i pacipë, duhet të jesh i verbër të vetëposhtërosh veten në këtë shkallë.

Po këto janë vendime qeveritare. Këto të gjitha.

Po punësimi i dhjetëra mijëra janë vendime zyrtare.

Po 138 licenca për 29 mijë hektarë plantacione kanabisi janë vendime zyrtare.

Dhe ky ka paturpësinë e një njeriu që dëshmon se është i zhveshur nga çdo parim qytetarie dhe shkruan në këtë mënyrë.

Dëgjojeni çfarë vazhdon:

‘Për shembull, thotë ky, referenca në faqen 2, paragrafin 4, në faljen e një numri të madh të gjobave shtetërore, fill para zgjedhjeve, nuk përfill letrën që KQZ ka dërguar me datën 8 maj’.

Nuk përfill mashtrimin, çka tregon se edhe Celibashi hyn në trojkën.

Edhe ai paska bërë me 8 maj mashtrime dhe këta mendojnë se mund të mashtrojnë komunitetin ndërkombëtar.

Po çfarë të marrin parasysh ata?

Gjobat u falën dy ditë para zgjedhjeve. 200 milionë, të tjerë më thonë se është shumë më e madhe, shkon gjer në 400 milionë.

Dhe ky u thotë se ju nuk keni përfilluar mashtrimet e Celibashit.

Ata kanë vendimin e qeverisë përpara.

Kjo nuk është deklaratë subjektive, është vendimi i qeverisë për të falur gjoba në kundërshtim me ligjin.

Dëgjojeni tani shakanë tjetër dhe mashtrimin tjetër të paskrupullt:

‘Siç është e njohur publikisht, thotë, struktura speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e ka fjalën për Skapin e partisë, ka krijuar një task-forcë të përkushtuar zgjedhore për të hetuar të gjitha raportet e besueshme të intimidimit të zgjedhësve dhe keqsjelljeve elektorale’.

Vazhdojmë më tutje, mashtrimi i paskrupullt i tij:

‘Disa hetime kanë nisur dhe janë bërë disa arreste’.

Asnjë arrest nuk është bërë, po duhet të jesh i pacipë si ky dhe Dumani. Po vetë Dumani mashtroi, tha nuk janë paraqitur prova dhe fakte, në një kohë kur janë paraqitur prova dhe fakte të pakundërshtueshme.

Në një kohë që vetëm këtu janë paraqitur pothuajse çdo ditë me qindra dhe fakte.

Pra, gënjen komunitetin ndërkombëtar, thotë janë arrestuar. Janë bërë disa arreste, çka tregon qartë, thotë, përkushtimin e institucioneve shqiptare për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe për të siguruar përgjegjshmërinë.

Pra, ky sulmon raportin për t’u thënë delegacioneve ndërkombëtare se ju keni mashtruar, në një kohë kur vetë mashtron në çdo paragraf.

‘Lidhur me karakterizimin e fushatës elektorale si lartësisht të polarizuar, ne shënojmë se pavarësisht nga mosmarrëveshjet e forta, partia qeverisëse nuk kundërshtoi vendimet kryesore të KQZ, përfshi vonimin e publikimit të rezultateve të votimit elektronik’.

E kuptoni?

‘Dhe pezullimin e numërimit të votave nga Greqia, pas kërkesës së opozitës’.

Shikoni sa zemërmëdhenj janë këta.

Po ky turpëron një komb me këtë letër. Ky tregon se është kokë e këmbë i kapur, njëlloj si Altin Troplini.

Kjo është kulmore tjetër.

‘Lidhur me observimin se mjedisi mediatik ka mungesë të raportimeve të pavarura dhe se shumica e medieve perceptohen si të rreshtuara me partinë qeverisëse, ne duhet t’u rikujtojmë deklaratën që ka bërë kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë zgjedhorë gjatë konferencës paszgjedhore, ku qartëson se nuk duket të ketë pasur vetëcensurë, ashtu siç është raportuar në konkluzionet paraprake’.

E dëgjoni ju? Gazetarët nuk kanë vetëcensurë.

Hapni televizionet qeveritare, në vitin më të keq për turizmin, në vitin kur plazhet janë bosh, e fillon dhe një çerek ore jep 15 lajme fake paturpësisht, duke abuzuar në mënyrën më kriminale me qytetarët, të katërta së bashku njëlloj.

Dhe ky tani do na i nxjerrë se janë të pavarura.

Një nga kapitujt më tronditës që dëshmon se Shqipëria është një diktaturë autokratike, qëndron në faktin se sipas këtij raporti, 90 deri 95 përqind e medieve kontrollohen nga qeveria.

Njerëzit më viktima te patronëve janë gazetarët që tentojnë të thonë të vërtetën.

Dhe ky tani thotë se këtu raporti është i pasaktë. Ky të turpëron.

‘Tani, nisur nga këto konsiderata, këto turpe të tij, këto mashtrime publike, në i kërkojmë misionit dhe ODIHR-it të sigurojë një vlerësim më të balancuar dhe më të bazuar në prova’.

E kuptoni ju? Domethënë se ju vlerësimet i keni pa prova, në një kohë kur provat janë për vlerësime pesë herë më të zeza se ato.

‘Është e rëndësishme, thotë, që të dhënat paraprake, nuk hedhin hije dyshimi në procesin elektoral që në përgjithësi siç e njeh ky raport, u zhvillua në mënyrë profesionale’.

Në mënyrën më profesionale zhvillohej në diktaturë procesi. Administratorët e votës në diktaturë ishin të përsosur në menaxhimin e farsës.

Ky e kupton, por është në pozitat e një njeriu të kapur. Në pozitat e një varësie të tmerrshme nga Edi Rama njëlloj si Altin Troplini, që thotë se nuk ka prova.

Duke dënuar me forcën më të madhe këtë letër si një përpjekje autoritare, të dënueshme, të palejueshme për të ndërhyrë direkt dhe zhvlerësuar, për të bërë presion dhe zhvlerësuar raportin paraprak të OSBE/ODIHR, u bëj thirrje medieve që të informojnë shqiptarët për këtë dokument të pashembullt në 32 vite në historinë e Europës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Marsi Korreshi, SYRI TV: Ju thoni që opozita i ka provat për atë që e cilësoni si farsë zgjedhore. Sot paraqitët provën e radhës, ndërkohë që nga SPAK akuzuat kreun e institucionit Altin Dumani se ka gënjyer lidhur me deklarimet e tij për hetimin e krimeve zgjedhore se nuk ka pasur prova, duke paralajmëruar se puna e parë e opozitës në parlament do të jetë zbërthimi i këtyre mashtrimeve. Ajo që doja të di është se çfarë do të bëjë opozita, ndërkohë që shtatori është shumë afër. Cili do të jetë aksioni i saj në kuadër të farsës zgjedhore.

Sali Berisha: Pyetja është shumë e drejtë.Çfarë ka bërë deri më tani opozita? Çdo ditë u ka faktuar shqiptarëve se, ata patën një farsë të turpshme elektorale.

Se vota e tyre nuk ka asnjë vlerë.

Se të zgjedhurit nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve në këto zgjedhje.

Siç e shifni, kjo letër fakton edhe atë që u kemi thënë ne shqiptarëve për raportin paraprak të misioneve vëzhguese.

Kjo letër fakton dhe provon vërtetësinë e denoncimit tonë për ndërhyrje. Unë kam dëshmi të tjera, por kjo është me shkrim. Unë kam dëshmi të tjera të akteve prej brigandi të Edi Ramës dhe të po këtij ministri ndaj vëzhguesve, por unë marrë këtë për bazë, që është e shkruar, letra.

Natyrisht opozita ka një dhe vetëm një mision, rikthimin me çdo çmim të votës së lirë të shqiptarëve.

E fokusuar në këtë mision, ajo do të përqendrojë të gjithë energjitë e veta, të gjithë forcën, të gjithë përkushtimin e saj.

Jemi në kushtet e një diktature autoritare. Se këtu kemi të bëjmë me një përpjekje të jashtëzakonshme të narkodiktaturës, për ta mjegulluar, për ta mbuluar këtë fakt.

Dhe lakejtë e saj, arrijnë gjer aty sa të flasin për një diktaturë liberale, në një kohë kur në të gjitha traktatet, në të gjitha nocionet, diktaturat janë totalitare dhe autoritare.

Diktatura totalitare janë diktaturat moniste pa pluralizimën politik.

Diktaturat autoritare janë diktaturat me pluralizëm, por e shtypin pluralizmin politik, e shtypin pluralizmin politik dhe votën e lirë.

Por diktatura autoritare e Shqipërisë, dallon nga disa diktatura të tjera autoritare se kjo ka si forcë lëvizëse drogën dhe krimin. Në qoftëse diktatura totalitare ka ideologjinë komuniste, naziste apo fetare, diktatura autoritare e Shqipërisë ka si forcë lëvizëse drogën. E cila të vret në rrugë, e cila vendos në parlament, e cila kontrollon territorin, vendos për territorin, e cila emëron ministrin, e cila emëron drejtorin e policisë, emëron gjykatësin, merr peng Altin Troplinin dhe që e detyron ta mbajë në xhep urdhër-arrestin.

Pra droga në këtë regjim autoritar, që e quan liberal ai lakej i Edi Ramës, është vendimmarrësi më kryesor. Ne po bëjmë një punë dhe do bëjmë një punë intensive për të bindur shqiptarin e fundit, që dua ti dalim zot votës tonë, dinjitetit tonë, lirive tona.

Marsi Korreshi, SYRI TV: A përfshin ky aksion parlamentar për atë që thoni, zbërthimi i të vërtetës, kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për Altin Dumanin.

Sali Berisha: Të gjitha janë të mundshme plotësisht. Jo vetëm për Dumanin, jo jo. Për zgjedhjet, ku Dumani është, pas Edi Ramës, autor kryesor. Bashkëautor në krimin elektoral kryesor.

Pse? E kam thënë gjithnjë. Amnistia që Dumani u bëri dosjeve 184 dhe 339, ishte licencë për partinë e krimit për të dhunuar më barbarisht, në mënyrë më të papërmbajtur procesin zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.

Natyrisht do ketë. Ky është objektivi ynë absolut. Misioni ynë është të rikthejmë shqiptarëve të drejtën e votës.

Marsi Korreshi, SYRI TV: A i druheni se OSBE-ODIHR mund të ndryshojë qëndrim në raportin final.

Sali Berisha: Unë kam besim tek integriteti i tyre. Kam besim tek integriteti i misioneve ndërkombëtare, të cilat nuk mund të pajtohen kurrë, se ka cituar ky këtu. Aty ka një fjalë më të rëndë shumë.

Fusha të pabarabarta thotë.

Nëqoftëse në diktaturën totalitare nuk ka garë, nuk ka kompeticion, në diktaturën autoritare ka garë dhe quhet kompetitive gara, por nuk ka fushë të barabartë.

Ai del në fushë me 1 miliardë para buxheti, ai tjetri del me 3 apo 5 mln. Ai del në fushë me gjithë makinerinë e shteti, gjithë logjistikën e shtetit. Del në fushë me dhjetëra mijëra punonjës që paguhen me rrogën e taksapaguesve të shndërruar tashmë në operator elektoral.

I armatos me të gjithë të dhënat personale. Do shifni ju të dhëna, se prap laptopi funksionon. Tani është periudha e laptopit. Do nxjerr të dhëna të tjera unë këtu. Ndaj dhe me shkallën më të lartë të përgjegjësisë informojmë shqiptarët për këtë farsë të turpshme që e organizoi armiku i egër i votës dhe lirive të tyre. Bastardi i xhelatëve të diktaturës komuniste, kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Rama.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale