‘Doktrina e së djathtës’/ Berisha: 32 vite më parë, shqiptarët përmbysën sistemin komunist, më stalinist të Europës!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN “DOKTRINA E SË DJATHTËS’

Si ka mundësi që një vend, i cili nga 2007 kishte rritje progresive të popullatës, nga 2014 deri sot, ka humbur një të tretën e popullatës?”

Kjo konferencë zhvillohet në një ditë të veçantë. Bektashinjtë shqiptarë, kremtojnë sot Sulltan Novruzin. Unë e shfrytëzoj këtë rast t’ju përcjell urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë, ditë të bekuar. Të shpreh nderimin tim më të madh për bektashinjtë shqiptarë, të cilët kanë qenë bastion i vërtetë i shqiptarizmit, por në teqet e tyre, edhe i gjuhës, edhe i edukimit në kohën kur shqiptarët nuk kishin shkolla.

Uroj që kjo ditë të frymëzojë shqiptarët, që Sulltan Novruzin tjetër ta kremtojmë më mirë, gjithashtu nesër fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Qindra e mijëra besimtarë myslimanë, i përkushtohen me sakrificën e tyre, Zotit.

I përkushtohen, sakrificës, së mirës. Nderojnë dhe lartësojnë veten, dhe unë duke i përgëzuar ata, i lutem Zotit të pranojë sakrificën e tyre.

Zonja dhe Zotërinj!

Sot është gjithashtu ‘22 Marsi’, dita në të cilën shqiptarët 31 vite më parë, me votën e tyre të lirë, kurorëzuan revolucionin e tyre demokratik të viteve ’90. Përmbysën sistemin komunist, më stalinist të Europës, më të egër, më barbar. Diktatori i të cilit, i vetmi në hapësirën europiane, që do të krahasohej në pranverën e ’91 nga liderët e bashkimit demokratik europian, si Adolf Hitleri pasluftës.

E vërteta është se, Enver Hoxha, ndonëse gjatë luftës kishte luftuar kundër, por pas luftës, ai zbatoi në Shqipëri metoda shtypëse, terrori, që asnjë diktator tjetër në Europën ish-komuniste. Infanticidi, hiperkolektivizmi ekstrem, e me të tjera me radhë.

U ndala në këtë moment, sepse 31 vite më parë, nuk ka pasur një shoqëri më të degraduar, më të rraskapitur, më të mjeruar, sesa shoqëria shqiptare.

Hiperkolektivizmi ekstrem kishte vendosur shumicën e shqiptarëve në regjimin e një urie kronike. Izolimi total kishte vendosur shumicën e shqiptarëve, ndën një indoktrinim të pashembullt të ndonjë vendi tjetër. Lufta e egër e klasave, kasaphana e saj, kishte krijuar në Shqipëri klimën më të frikshme, më të rëndë.

Karl Jaspers, një intelektual i madh dhe filozof gjerman, i cili u mor shumë me studimin e nazizmit dhe qëndrimin e shoqërisë gjermane ndaj nazizmit, i shërbeu kombit shumë gjerman me veprat e tij. Njëra prej të cilave ishte ‘German guilt’, ‘Faji gjerman’.

Gjermania naziste, sigurisht që shkatërroi Europën, dhe vendet që mposhtën Gjermaninë në shumë aspekte në përputhje me doktrinën e Jaspers, nxorrën përgjegjësitë për fajin penal, ndërmorën fushata për fajin kolektiv, dhe format e tjera të saj.

Në aspektin e shtypjes, Jaspers thotë: Gjatë luftës, gjatë sundimit të Hitlerit, të mendoje të kundërshtoje, do të thotë të hapje varrin tënd. E vërteta është se, pak a shumë e njëjta ishte gjatë paqes në diktaturën e Enver Hoxhës. Në mos nuk hapje varrin, do të hapje burgun, do të hapje kampin e përqendrimit, dhe në qoftë se guxoje të sulmoje personalisht diktatorin, pothuajse gjithnjë të priste skuadra e pushkatimit.

E thashë këtë për të thënë se cila ishte hapësira, dhe ndaj edhe krahasimi që i bënë Enver Hoxhës, sepse në raport me hapësirën për mendimin ndryshe për opozitën, Enver Hoxha ngjasonte shumë me diktatorin që shkatërroi Gjermaninë dhe Europën, Adolf Hitlerin.

Shqipëria doli në vitin ‘91, shoqëria shqiptare, kjo ishte. Editi tha një të vërtetë: nuk është e vërtetë që shqiptarët janë popull i majtë. Por ka një të vërtetë të hidhur, sepse nuk ka njerëz më tradicionalë se shqiptarët po t’i njohësh, por një të vërtetë tjetër të hidhur, që asnjë komb nuk u deformua sa ata, nga diktatura komuniste.

Ai grup që erdhi në pushtet në vitin ‘91-‘92, në kushtet më të vështira, ai ka një meritë, arsyet se së cilës duhe t’i studiojnë, historianët dhe politologët. Por, ata vendosën në themel të programit të PD, vlerat konservatore. Programin e një partie konservatore.

Personalisht, i frymëzuar shumë nga Ronald Reagan, dhe dua t’ua them këtu, jo aq për konservatorizmin e tij, por për antikomunizmin e tij, sepse ai burrë vigan, në një kohë kur kancelaritë e Europës dhe botës, negocionin në frymën e detantës, që e cila ishte absolutisht legjitim i sistemit komunist, ai tha se këta janë perandori e të keqes, nuk lejojnë besimin tek Zoti, dhe kjo është e keqja më ekstreme. Dhe me këtë parim, ai përdori fuqinë e vendit të tij për të shpërbërë fuqinë e të keqes, që ishte Bashkimi Sovjetik. Përdori fuqinë e tij për të ndihmuar të gjithë ata që luftonin kundër komunizmit në të gjitha vendet.

Menjëherë në pushtet, PD vendosi në themelet e programit të saj, liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Ajo u krijua në një vend dhe në një shoqëri me liri dhe të drejta të mohuara me Kushtetutë. Në këtë aspekt, bëri përpjekje të mëdha për të krijuar, jo vetëm për t’i respektuar, por për të krijuar edhe institucionet që garantonin këto të drejta. Bëri çdo gjë që besimet fetare të zhvilloheshin në përputhje me traditën e shkëlqyer shqiptare.

Shpesh unë them, dhe jo gjithmonë gjej mirëkuptim, po marr besimin tim islam europian, dhe ka ndonjë mik që më thotë: Sali, thuaj i moderuar, mos thuaj europian.

-Jo, jo, i them unë, europian do t’i them.

Sepse islami ynë është një islam që pranoi alfabetin latin, që vendosi të përkthejë Kuranin, që bashkëjetoi në mënyrë të përsosur me besimet e tjera që kanë ekzistuar në Shqipëri. Dhe kjo traditë u rikthye me të gjithë shkëlqimin dhe vlerën e jashtëzakonshme të saj.

Ne besonim te prona. PD, është e vërtetë që sot në retrospektivë nuk mund të themi se i dha përgjigjen përsosur çështjes së pronës, por mos të harrojmë se, brenda muajsh bëri pronarë të apartamenteve të tyre 240 mijë shqiptarë, si asnjë forcë tjetër në Europën ish-komuniste. Në as një vend, edhe në vendet më private, një vendim i tillë nuk është marrë ndonjëherë.

U përpoq me tokën, bazuar në parime, të cilat për fat të keq shkelën të drejtat e pronarëve dhe këtë duhet ta njohim. Por rezervuari njerëzor i krijuar impononte një parim të Jefferson: toka e atij që jeton dhe atij që e punon. Sipërfaqja e vogël e tokës, nuk është se nuk kishim vetëdijen që ne shkelëm të drejtën e pronarëve me këtë parim, por sipërfaqja e vogël e tokës, dhe arka e shtetit me vetëm 4 milionë dollarë, e bënte të pamundur një zgjidhje tjetër në mënyrë që njerëzit të mund mbijetonin.

Interesi kombëtar ishte parimi tjetër që ne shpallëm. Një guxim i madh. Një forcë politike njëjavore, nga koha e themelimit në kohën e legalizimit, shpalli si yllin e saj polar, çështjen kombëtare. Një çështje kombëtare e tradhtuar, që 1913, nga Fuqitë e mëdha. Por ajo ishte e drejtë dhe ne nuk mund t’ia kthenim shpinën. 

Shpallëm parim tjetër themelor, vokacionin perëndimor të kombit tonë, orientimin euroatlantik.

Ne si komb nuk mund ta injorojmë, se jemi endur, ose na kanë diktuar të endemi në mjegullnaja, në hapësira limitrofe, por rilindasit tanë patën gjenialitetin dhe meritën e jashtëzakonshme. Burra dhe gra të formuar në tërësi, i lanë kombit një doktrinë perëndimore. Dhe me këtë doktrinë ata, mendoj unë, i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm. Kudo rilindja që quhet Rilindje për kohën e saj dhe e jona ishte e vonshme, po më rilindje se rilindja jonë nuk ka ndonjë tjetër. E qëmtoi shpirtin tonë, ku ishte dhe ku nuk ishte, dhe paraqitja e projektoi atë në qytetërimin perëndimor.

U ndala në këto vlera, por është edhe qeveria e vogël. Shqipëria kishte një administratë gjigande, 300,000 kishte vetëm ushtrinë me rezervistë. Një pafundësi nëpunësish që ndanin varfërinë njëri me tjetrin. Qeveri të vogël shpallëm ne si parim, se këtë thonte Ronald Reagan në fjalimet e tij, dhe ne arritëm ta zvogëlojmë 4-5 herë administratën ekzistuese.

Të gjitha këto parime, bënë që vendi i cili po copëtohej, po shpërbëhej nga njerëzit, po iknin,nga viti 1992 në vitin 2013, të rritej 21 herë. Rritje me 21 herë, sigurisht, mund të kenë vende që kanë patur, por unë nuk di. Është një nga rritjet absolute më të mëdha, dhe çdo gjë i detyrohet në vlerësimin tim parimeve konservatore që vendosi në programin e saj PD.

Qeveria kishte në arkën e vet gjithsej 4 milionë dolarë vendosi TVSH më të ulët në botë. Praktikoi liberalizimin më të shpejtë të çmimeve dhe të kursit të monedhës.

Por, të dashur miq, studiuesit kanë gjetur se, çdo çerek shekulli bota pëson ndryshime që të paktë janë ata që i kanë parashikuar. Pas më shumë se çerek shekulli, pas 30 vitesh nga 2014 e deri më sot, ky vend (Shqipëria) ka bërë një shkarje që ndoshta asnjë vend në periudhë kohore kaq të shkurtër nuk e ka përjetuar.

Ne bëjmë analiza, dhe normale që i bazojmë në fakte dhe procese, por nuk duhet të largohemi kurrë nga analiza filozofike, përndryshe nuk do mund të japim përgjigjen e merituar. Si ka mundësi që një vend, i cili deri në vitin 2014, nga 2007, kishte rritje progresive të popullatës, kurse nga 2014 deri sot, ka humbur një të tretën e popullatës? Ka humbur më shumë se një gjeneratë.

Si ka mundësi që një vend, i cili në vitin 2008 arriti të kalojë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta? Ky është quantum leap i shqiptarëve. Sot zvarritet i fundit në Ballkan dhe Europë. Për të gjitha këto ka vetëm një shpjegim: largimi me shpejtësi nga qeverisja që erdhi nga parimet e një qeverisje transparente, të përgjegjshme.

Por ne nuk jemi këtu për të analizuar qeveritë, por për të analizuar opozitën, PD. Ndaj dhe unë kam një falënderim shumë të përzemërt për Editin, Nikolën, Melisën, Gentin, Gjorgun, Albertin, dhe të gjithë ata të cilët që në ditët e para të lëvizjen për Rithemelim ngritën problemet e largimit të PD nga programet e saj. Sa herë që ta mendoni, PD nën drejtimin e mëparshëm, ju them me keqardhjen më të madhe ishte shndërruar në një OJF të majtë, as forcë politike jo, por në një OJF të majtë. U largua nga shtyllat e saj kryesore, u largua nga atë të cilët kjo parti, u detyron mbijetesën.

Është e vërtetë që ne jemi një parti 32-vjeçare, por në rrafshin e mendimit, trashëgimia janë lumenjtë, është kalvari i qëndresës. Burra dhe gra që ranë dhe u bënë të pavdekshëm për lirinë e mendimit, për besimin te Zoti, Shqipëria, dhe që kur dolën nga burgjet u shndërruan në kolonë kryesore të PD. Në kushtet më të vështira kur po bëhej përpjekje për zhdukjen e saj, ata i dolën Zot, i garantuan mbijetesën.

PD u largua nga pronarëtUnë nuk them se i dhamë përgjigjen më të shkëlqyer, por u them këtu, ne vendosëm normat më të mira për kompensimin e pronarëve. Qoftë normat, me çmim tregu, qoftë kompensimi fizik. Gjithçka u shkatërrua edhe me miratimin në heshtje të PD. Pse po ndalem këtu?

Po ndalem këtu se, rivendosja e këtyre parimeve është kushti i kushteve që ne të përmbushim misionin tonë. Vetëm një forcë konservatore e qendrës së djathtë mund ta përmbysë këtë monizëm, i cili në klasifikimet doktrinale, vlerësohet si monokraci. Bazohet në krimin, vjedhjen, drogën.

Shumë të drejtë kanë qytetarët, sepse të mos mendojmë ne se njerëzit rrinë tani dhe e kanë mendjen tek ato që kemi bërë, dhe tek ato që nuk kemi bërë. Njerëzit shtrojnë pyetjen si do i zgjidhin këta, si do i japim zgjidhje kësaj situate. Por ne kemi parimet tona. Ne duhet t’i zbërthejmë parimet tona. Dhe, unë personalisht, nuk di asnjë rrugë tjetër, përveç rivendosjes në piedestal të atyre parimeve me të cilat Shqipëria ndryshoi 21 herë, me të cilat Shqipëria arriti në një periudhë, të bëhej vend i besueshëm për shqiptarët, popullata të rritej në Shqipëri. Arriti, sipas vlerësimeve ndërkombëtare që të ketë shtet ligjor dhe ekonomi tregu funksionale. Qëndroi, dhe do të qendrojë për interesin kombëtar të shqiptarëve.

Një forcë që nuk mbron interesin kombëtar, është një fatkeqësi kombëtare dhe nuk duhet të ekzistojë. Liderë politikë që nuk guxojnë të jenë avokatë ë çështjes kombëtare, nuk meritojnë kurrë të ekzistojnë. Ata janë një fatkeqësi kombëtare.

Urdhëroni keni palën tjetër tani se çfarë ndodh. Besoj se u zgjata pak, dhe unë do ta mbyll këtu.

Është bërë një punë e shkëlqyer nga ky grup studiuesish, politikanë të rinj, të cilin do të afishohet në faqen pd.al me qëllimin që ju të gjithë qytetarët ta plotësojnë, të sugjerojnë. Por, unë them që puna që këta kanë bërë është jashtëzakonisht serioze dhe është një dokument në një ditë të veçantë që merr vlera shumë të mëdha. 

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale