Deputetët e PD në Parlamentin Europian: Protestat qytetare bëhen kundër krimit dhe korrupsioni në Shqipëri. Ky është një problem jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për sigurinë e BE

Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Ivi Kaso, Bardh Spahia, Saimir Korreshi dhe Igli Cara kanë marrë pjesë në mbledhjen e këshillit të Stabilizim Asocimin Shqipëri-BE në Strasburg.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij përpara eurodeputetëve në Parlamentin Europian, ngriti shqetësime për korrupsionin, krimin e organizuar dhe zbatimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Bardhi deklaroi se ‘prova e vërtetë e ligjit vjen kur ai duhet të veprojë ndaj vetë pushtetit’, duke akuzuar mazhorancën se përdor shumicën parlamentare për të mbrojtur zyrtarë të lartë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur shqetësime për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri gjatë fjalës së tij përpara eurodeputetëve në Parlamentin Europian. Këlliçi deklaroi se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është në rrezik për shkak të korrupsionit dhe kapjes së institucioneve, duke akuzuar mazhorancën socialiste se po mbron zyrtarë të lartë përmes imunitetit parlamentar.

Deputeti i PD, Igli Cara ka mbajtur fjalën e tij, gjatë se cilës e vuri theksin tek ekonomia e Shqipërisë, tek ligjet me porosi që ka bërë Edi Rama, dhe investitorët strategjike që qeveria e Ramës u ka dhënë leje për të ndërtuar.  Ekonomia shqiptare në krizë. Qeveria nuk garanton transparencën, konkurrencën dhe funksionimin normal të ekonomisë së tregut.’, është shprehur Igli Cara.

Deputeti i PD, Bardh Spahia, në takimin e përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian, ngriti shqetësime për zhvillimin social, emigracionin masiv dhe situatën ekonomike në vend.

Spahia deklaroi se plakja e popullsisë, largimi i të rinjve dhe rritja e varfërisë janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria. Ai tha se mijëra të rinj largohen çdo vit nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës dhe akuzoi qeverinë për krijimin e një modeli të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, denoncoi gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri, duke theksuar presionet politike, përqendrimin e pronësisë mediatike, vështirësitë ekonomike të gazetarëve, mungesën e transparencës dhe kërcënimet ndaj raportimit të lirë. Ai kërkoi mbrojtjen e pavarësisë së medias si kusht themelor për demokracinë.

‘Nuk mund të ketë demokraci funksionale pa media të lira. Dhe nuk mund të flasim për liri të medias kur gazetarët punojnë nën presion, kur informacioni filtrohet dhe kur kritika ndaj pushtetit shihet si armike.’, u shpreh ai.

Më poshtë fjala e deputetit të PD, Igli Cara:

Të nderuar Anëtarë të Parlamentit Europian,

Të nderuar kolegë,

Është nder për mua të marr pjesë në këtë mbledhje të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe mbi rrugëtimin e vendit tim drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për këtë arsye dëshiroj ta nis me një mesazh shumë të qartë – Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Europian.

Ky është një projekt kombëtar, një aspiratë e qytetarëve shqiptarë dhe një objektiv strategjik që ne e mbështesim plotësisht. Anëtarësimi ynë në Bashkimin Europian duhet të jetë rezultat i meritës, i reformave reale dhe i respektimit të plotë të vlerave europiane.

Të nderuar kolegë,

Sot zhvillimi kryesor në Shqipëri është Revolucioni i Flamingove, i cili ka mbushur jo vetëm sheshin kryesor të Tiranës dhe rrugët e saj. Shqiptarët po protestojnë dhe në të gjitha sheshet në botë. Ajo protestë që nisi për shkatërrimin e zonës së mbrojtur në Nartë, sot është kthyer në një protestë për një shqipëri më të mirë. Protestohet për varfërinë, korrupsionin, mungesën e shëndetësisë dhe arsimit dinjitoz.

Dëshiroj të ndalem tek ekonomia shqiptare, një ndër arsyet kryesore përse bashkombasit e mi kanë mbushur atë shesh për ditën e 39 rradhazi.

Qeveria paraqet një rritje ekonomike prej rreth 3.3% si dëshmi të suksesit ekonomik. Por pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është shumë e thjeshtë: A është kjo një rritje e qëndrueshme? Përgjigjja është Jo.

Kjo rritje mbështetet kryesisht tek sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme, dhe jo tek sektorët që krijojnë produktivitet, vende pune afatgjata dhe konkurrueshmëri.

Sot ndërtimi përfaqëson rreth 25% të ekonomisë, ndërsa bujqësia ka rënë nga mbi 20% në rreth 15% të PBB-së, industria përpunuese po humbet terren dhe eksportuesit shqiptarë po përballen çdo ditë me vështirësi më të mëdha. Shqipëria vazhdon të ketë produktivitetin më të ulët në rajon.

Zhvlerësimi i Euros me rreth 33% në 5 vitet e fundit, paraqitet nga qeveria si sukses ekonomik, por në realitet është fatura që po paguajm si lavatriçe e parave të krimit të organizuar.

Në realitet ky fenomen, ka goditur eksportet, ka ulur vlerën reale të remitancave, që përfaqësojnë mbi 10% të PBB-së, dhe ka dëmtuar konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit.

Zhvleresimi i Euros i pakrahasueshem me vendet e BE, apo edhe me ndonjë vend tjetër në botë, pranuar kjo edhe nga institucioni kryesor i politikës monetare, Banka Qëndrore, në raportimin e saj të fundit në Kuvend.

Në të njëjtën kohë, çmimet e banesave janë rritur në nivele të papërballueshme. Sot një familjeje shqiptare i duhen rreth 19 paga vjetore për të blerë një apartament dhe jo sepse këtë e vetndos tregu por sepse ky treg tashmë është nën kthetrat e grupeve kriminale, faktuar kjo edhe nga hetimet e fundit të Strukturës së Posaçme.

Por problemi nuk është vetëm ekonomik.

Problemi është modeli i qeverisjes.

Gjatë viteve të fundit është ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që ka ngritur shqetësime serioze për transparencën, konkurrencën dhe funksionimin normal të ekonomisë së tregut.

Ligji për Investimet Strategjike, ndryshimet në legjislacionin për Zonat e Mbrojtura, Paketa e Maleve , Ligji i Porteve  si dhe ligje të posaçme që kanë mundësuar transferimin e aseteve publike strategjike , përfshirë projektin e Portit të Durrësit, jane qartesisht kunder parimeve të konkurrencës së lirë, transparencës dhe trajtimit të barabartë të investitorëve.

Thëne ndryshe ligje me porosi për miqtë e Ramës.

Por sot dua të ndalem pak më gjatë në rastin e Portit të Durrësit, asetit më të rëndësishëm publike të vendit.

Me një ligj special sot nuk kemi më një port por kulla.

Ky projekt u zhvillua pa një garë të hapur ndërkombëtare, ndërkohë që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe parimet e tregut europian mbështeten pikërisht mbi konkurrencën e lirë, transparencën dhe mosdiskriminimin.

Behet fjale per faljen e  nje Porti ku pervecse Strategjik – kombetar  dhe Rajonal  ka dhe  nje vlere  mbi  3 Miliard euro ,

Sot qe flasim 1/3 e Portit eshte ne ndertim e siper per apartamente.

Pas disa vitesh Shqiperia nuk do te kete me nje Port shteteror duke humbur avantazhin strategjik ne Rajon, duke I dhënë një goditje fatale ekonomisë sonë.

Pyetja qe kam për ju eshte ?

A mund te ndodhe kjo ne nje vend qe ka firmosur MSA, ku qartësisht është sanksionuar qe çdo aset publik nuk mund te jepet pa gare ?

A ka ndonjë rast i tille ne ndonjë vend te BE ?

A duhet qe kjo shkelje e MSA te shprehet ne rezolute ?

Nëse mendoni se ky është një rast sporadik, GABOHENI.

Për të kuptuar sesi ka funksionuar qeveria RAMA në dekadën e fundit mjafton të lexoni librin, ‘Albania Files’, sipas të cilit rezultojnë 523 projekte resortesh dhe zhvillimesh ndërtimore të koordinuara nga Zyra e Kryeministrit. Është ky i fundit që jo vetëm miraton lejet, por përzgjedh investitorin dhe arkitektin për çdo projekt.

Ky libër është prova se zonat e mbrojtura janë parashikuar të shkatërrohen vite para se ligji të ndryshonte në vitin 2024.

E theksoj qe te gjitha projektet miratohen nga K.K.T (AZHT)organ qe drejtohet nga K.M Rama duke anashkaluar Bashkite.

Kushtetuta jone por dhe MSA përcakton qarte qe ne demokraci pushtetet janë te ndara ..

A ndodh ne ndonjë vend te BE qe Kryeministri merr dhe kompetencat e pushtetit vendor ?

(Sot Rama nuk është vetëm Kryeministër por edhe kryebashkiak i Shqipërisë).

Por  nuk mbaron me kaq,

Se fundmi u miratua dhe  ligji për Portet turistike ku qartësisht te drejtën për përcaktimin e investitorëve strategjike e ka KM-Rama..

Kemi ndërhyrje te forte  ne pavarësinë e institucioneve të planifikimit territorial dhe funksionimin e ekonomisë së tregut.

Prandaj nuk duhet të habitemi që mijëra qytetarë kanë zgjedhur të protestojnë nën simbolin e ‘Flamingo Revolution’.

Kur ligje të veçanta përdoren për të përshpejtuar investime strategjike pa garë të plotë, kur asetet publike me rëndësi kombëtare transferohen përmes procedurave që ngjallin debat dhe kur qytetarët krijojnë perceptimin se vendimmarrja ekonomike është gjithnjë e më e përqendruar, protesta bëhet një mjet legjitim demokratik për të kërkuar llogaridhënie.

Ky është një mesazh që meriton të dëgjohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në Strasburg.

Këto shqetësime nuk janë vetëm pjesë e debatit të brendshëm politik në Shqipëri.

Edhe Raporti i Progresit i Komisionit Europian ka theksuar vazhdimisht se Shqipëria duhet të forcojë më tej sundimin e ligjit, transparencën në prokurimet publike, mbikëqyrjen e partneriteteve publik-private dhe luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.

Raporti nënvizon se nevojiten rezultate më të qëndrueshme në parandalimin e korrupsionit dhe garantimin e një administrate publike profesionale dhe të depolitizuar.

Kjo tregon se sfida nuk është vetëm ndëshkimi i korrupsionit, por ndërtimi i institucioneve që e parandalojnë atë.

Transparency International, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, vazhdon ta rendisë Shqipërinë ndër vendet me perceptim të lartë të korrupsionit në Europë. Kjo tregon se besimi i qytetarëve dhe i investitorëve tek institucionet publike mbetet ende i brishtë. Për një vend kandidat për në Bashkimin Europian, lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një kriter negociues; ajo është kusht për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe për funksionimin normal të ekonomisë së tregut.

Sot 40% e forcës aktive të punës është larguar nga vendi dhe 35% e të rinjve deklarojnë se duan të emigrojnë, kemi të bëjmë me një votë mosbesimi ndaj modelit aktual të zhvillimit. Asnjë statistikë makroekonomike nuk mund ta fshehë këtë realitet. Largimi i të rinjve i kushton ekonomisë shqiptare rreth 900 milionë euro çdo vit.

Edhe OECD ka theksuar se Shqipëria duhet ta zhvendosë modelin e saj të zhvillimit drejt rritjes së produktivitetit, inovacionit, kapitalit njerëzor dhe forcimit të institucioneve ekonomike. Rritja afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm tek konsumi, ndërtimi apo turizmi, por kërkon investime në industri, teknologji, aftësi profesionale dhe një klimë biznesi të bazuar në konkurrencë të ndershme, siguri juridike dhe institucione të besueshme.

Të nderuar kolegë,

Shqipëria ka nevojë për institucione që funksionojnë, për ekonomi të lirë, për konkurrencë të ndershme dhe për qytetarë që besojnë se mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre.

Askush nuk duhet të ketë frikë nga e vërteta. Kritika ndaj qeverisjes nuk është kritikë ndaj Shqipërisë, por është mënyra më e mirë për ta afruar Shqipërinë me standardet europiane.

Miqtë e vërtetë të Shqipërisë nuk janë ata që mbyllin sytë përballë problemeve, por ata që ndihmojnë vendin t’i zgjidhë ato.

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm.

Por ajo nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi një ekonomi që mbështetet kryesisht tek ndërtimi, tek informaliteti dhe tek vendimmarrja e centralizuar.

Ne nuk kërkojmë favore nga Bashkimi Europian. Ne kërkojmë vetëm që procesi i integrimit të mbështetet mbi të vërtetën, mbi faktet dhe mbi standardet europiane.

Sepse vetëm një Shqipëri me institucione të forta, ekonomi konkurruese, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale do të jetë një anëtare e denjë e Bashkimit Europian.

 Ju falënderoj për vëmendjen.

Fjala e deputetit të PD, Bardh Spahia:

Të nderuar anëtare të Asamblesë Parlamentare,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Kur flasim për zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes edhe çështje me rëndësi jetike për një shoqëri demokratike, siç është zhvillimi social apo edhe emigracioni masiv.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me ndryshime të shpejta të strukturës demografike të popullsisë, e cila ka ardhur si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe emigracionit të vazhdueshëm të grup moshës më aktive të punës. Sipas të dhënave, popullsia mbi 65 vjeç zë tashmë20% të popullsisë, krahasuar me vitin 2019, që ishte me 14%, e ndërsa në vitin 2001 ishte vetëm 7.5%. Kjo prirje shoqërohet me tkurrjen e popullsisë aktive dhe rritjen e kërkesës për shërbime sociale dhe shëndetësore afatgjata.

Privimi social dhe rreziku i varfërisë ekstreme prek më shumë se 1/3 e popullisë, e cila vlerësohet të jetojë nën pragun e minimumit jetik. Për familjet me të ardhura të ulëta, mbi 90% e të ardhurave përdoren për shpenzime ushqimore. Në nivel kombëtar, shpenzimet për ushqimet bazë përfaqësojnë rreth 40% të shpenzimeve mujore familjare, nivel afërsisht katër herë më i lartë krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Europian.

Treguesit e mbrojtjes sociale paraqiten gjithashtu nën nivelet e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian. Shpenzimet për mbrojtjen sociale përbëjnë rreth 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, afërsisht gjysma e nivelit të vendeve të rajonit dhe rreth 2.5 herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian. Ndihma ekonomike dhe pagesat për invaliditetin përfaqësojnë respektivisht rreth 0.3% dhe0.6% të PBB-së.

Në fushën e pensioneve, Shqipëria vijon të ketë nivele të ulëta përfitimesh në krahasim me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian. Pensioni mesatar mbetet nën nivelin 200 euro në muaj. Evidentohet gjithashtu një diferencë e konsiderueshme ndërmjet pensioneve të pleqërisë në zonat rurale dhe ato urbane, me mesatare përkatësisht rreth 122 euro dhe 203 euro në muaj.

Emigracioni vijon të ndikojë në disponueshmërinë e kapitalit njerëzor. Vlerësohet se çdo vit largohen nga vendi30 deri në 40 mijë të rinj, ndërsa sipas të dhënave të Eurostat, gjatë dekadës së fundit afro 1 milion shtetas shqiptarë kanë përfituar leje qëndrimi ose shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian.

Ndërkohë, në tregun e punës evidentohet një kërkesë e shtuar për fuqi punëtore, e cila po mbështetet gjithnjë e mëshumë nga punësimi i shtetasve të huaj dhe nga pjesëmarrja në punë e personave mbi moshën 65 vjeç. Aktualisht, numri i tyre vlerësohet të jetë mbi 130 mijë, me një rritje prej rreth 10% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Sigurisht, arsyeja e kësaj plage sociale, e kësaj hemorragjie të vërtetë, me të cilën përballet sot Shqipëria, nuk është thjeshtë dëshira e shqiptarëve për të lënë Shqipërinë, por është rezultati i një modeli qeverisës, nëpërmjet të cilit mbështetet korrupsioni dhe krimi i organizuar me mbrojtje politike dhe ligjore, ndërsa qytetarët përballen me mohim të drejtash, treg jo konkurrent dhe të pabarabartë, përkeqësim të së drejtës së arsimit, reduktim i aksesit në Shëndetësi, në kujdes social, në zhvillim ekonomik etj.

Shqiptarët largohen sepse kanë humbur shpresën teksa shohin:

– Mbrojtjen politike, që po i bëhet zv.kryeministres Balluku të akuzuar nga drejtësia për korrupsion.

– Skandalin e AKSHI-t, ku përveç grabitjes së miliona eurove nga taksat e qytetarëve është dëmtuar edhe siguria kombëtare.

– Aferën ‘Aruba’ dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë shtetëror në trafikun ndërkombëtar të drogës, që e kanë kthyer vendin në nyje të krimit të organizuar.

Ky nuk është një kërcënim vetëm për vendin tonë, por edhe për sigurinë e vetë Bashkimit Europian.

Janë këto dhe shumë e shumë arsye të tjera, të cilat jo vetëm detyrojnë qindra e mijëra shqiptarë të largohen nga Shqipëria, por edhe qindra e mijëra të tjerë të protestojnë prej gati dy muajsh në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, duke kërkuar të drejta bazike, siç është dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, si e vetmja rrugë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Ne i kemi mbështetur e do të vazhdojmë t’i mbështetsim kërkesat e tyre legjitime dhe dënojmë me forcë dhunën e pajustifikuar të ushtruar nga forcat e policisë me urdhër politik.

Protestat që po zhvillohen tashmë prej gati dy muajsh në rrugët dhe sheshet e Tiranës, nuk janë thjeshtë një reagim i brendshëm politik. Ato janë një thirrje e një populli, që po lufton për të mbrojtur thelbin e vlerave europiane: demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Fjala e deputetit të PD, Saimir Korreshi:

Të nderuar kolegë,

Nuk mund të ketë demokraci funksionale pa media të lira. Dhe nuk mund të flasim për liri të medias kur gazetarët punojnë nën presion, kur informacioni filtrohet dhe kur kritika ndaj pushtetit shihet si armike.

Sot, liria e medias në Shqipëri përballet me sfida serioze. Ndikimi politik mbi median vazhdon të jetë i dukshëm. Gazetarët dhe mediat kritike shpesh përballen me sulme verbale, përpjekje për diskreditim dhe akses selektiv në informacionin publik. Institucionet nuk duhet të zgjedhin se cilët gazetarë informojnë dhe cilët jo. Informacioni publik u përket qytetarëve.

Një tjetër shqetësim sipas organizatave ndërkombëtare të medias, Reporters Without Border, European Federation of Jornalist, Safe Journalist dhe organizatave lokale përfshirë Association of Journalists of Albania është përqendrimi i pronësisë së mediave në duart e pak grupeve të biznesit. Kur pronarët e mediave kanë interesa në ndërtim, energji, koncesione apo investime strategjike që varen nga vendimmarrja e qeverisë, lind një konflikt i qartë interesi dhe vihet në pikëpyetje pavarësia editoriale.

Po aq shqetësuese është edhe gjendja ekonomike e gazetarëve. Pagat e ulëta, vonesat në pagesa dhe kontratat e pasigurta krijojnë varësi dhe cenojnë lirinë profesionale. Në këto kushte, vetëcensura bëhet një mekanizëm mbijetese. Shumë gazetarë hezitojnë të raportojnë për korrupsionin, krimin e organizuar apo çështje që prekin interesat e pronarëve të mediave, nga frika për vendin e punës ose për shkak të presioneve politike dhe ekonomike.

Ndërkohë, kërcënimet ndaj gazetarëve nuk janë vetëm verbale. Presionet online, intimidimet dhe ndërhyrjet nga individë apo grupe kriminale përbëjnë një kërcënim real për sigurinë e tyre dhe për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Po ashtu, po shtohen paditë strategjike, të njohura si SLAPP, të cilat përdoren për të frikësuar gazetarët dhe mediat përmes proceseve gjyqësore të kushtueshme, duke synuar heshtjen e raportimit kritik.

Edhe qasja në informacion mbetet problematike. Vonesat në përgjigjet ndaj kërkesave për informacion, mungesa e transparencës dhe konferencat për shtyp pa mundësi reale për pyetje nuk i shërbejnë një shteti demokratik.

Së fundi, pavarësia e institucioneve që mbikëqyrin median vazhdon të ngrejë shqetësime. Kur bordet e AMA-s dhe RTSH-së perceptohen si të ndikuara politikisht, vihet në diskutim besueshmëria dhe pavarësia e tyre.

Liria e medias nuk është privilegj i gazetarëve; është garancia që qytetarët të njohin të vërtetën. Një shtet që respekton demokracinë nuk i frikësohet medias së lirë, por e mbron atë. Prandaj, është detyrë e jona të krijojmë kushtet që gazetarët të punojnë të lirë, të sigurt dhe të pavarur, sepse vetëm kështu mbrohet interesi publik dhe forcohet demokracia.

Ju faleminderit!  

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale