Cara: Të gjithë së bashku në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit!

Të nderuar qytetarë të Durrësit, të dashur demokratë dhe opozitarë të regjimit. I nderuar Prof. Doktor Sali Berisha.
Të dashur miq,

Jam sot i emocionuar dhe falenderues pafund, për secilin nga ju, që më nderon me praninë e tij në “Hapjen e Fushatës”.
Jam sot mirënjohës për çdo qytetar, demokrat dhe opozitar të Durrësit, që më ka ndjekur, përkrahur apo votuar në të gjithë procesin që çoi në përfaqësimin tim si kandidat i aleancës “Bashkë fitojmë” për Bashkinë e Durrësit.
Jam mirënjohës pafund ndaj çdo anëtari dhe drejtuesi të partive opozitare, që gjetën dakordësinë dhe dhanë mbështetjen e plotë, që të isha përfaqësuesi i tyre i vetëm në betejën për Durrësin.
Jam pa dyshim mirënjohës ndaj familjes sime, miqve të jetës e politikës, që në këto kohë të turbullta, më kanë mbështetur dhe dhënë besim. Dhe ja ku jemi sot, të gjithë së bashku në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Të dashur bashkëqytetarë, demokratë e opozitarë
Të gjithë biem dakord, që zgjedhjet e 14 Majit kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e Durresit e Shqipërisë, për të ardhmen e afërt dhe të largët të secilit prej nesh.
Të gjithë biem dakord, që sot Durresi e Shqiperia ndodhen në udhëkryqin më të rrezikshëm të 100 viteve të fundit, ndërkohë që gradualisht në këto 10 vite të qeverisjes së Ramës-Dakos u nëpërkëmb demokracia, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut;
u kriminalizua ekonomia ; u shpërfill puna, dija e zotësia; u ble e shantazhua vota dhe u vendos regjimi.

Të gjithë biem dakord, që eksodi i viteve 90 dhe shpopullimi i vendit i 5 viteve të fundit nuk janë e njëjta gjë, të gjithë e dimë që fëmijët tanë ose kanë ikur ose po duan të ikin dhe mundi, përpjekjet, dëshirat e investimi i çdo prindi për t’i pasur pranë fëmijet sot nuk vlejnë më ;

Të gjithë biem dakord, se territori dhe pasuritë natyrore më keq se në Durrës nuk janë menaxhuar gjëkundi në Shqipëri, duke cënuar jo vetëm pronën e perspektivën e zhvillimit të tij, por dhe identitetin kulturor e historik;

Të gjithë biem dakord, që për betonin e Dakos betonizuam qytetin, zumë detin me ndërtimet shumëkatëshe, cënuam vijën bregdetare dhe humbëm sipërfaqet e gjelbërta;

Të gjithë biem dakord, që nëse do gjenim disa fjalë për ta përshkruar bashkinë e këtyre viteve, ato janë arrogance dhe mungesë e theksuar transparence në vendimarrje.
Nje Bashki si agjensi shërbimesh e qeverisë (madje te duket sikur ka drejtoreshe qeverie e jo kryetare bashkie), klientelizëm nga shpërndarja e investimeve – në mbledhjen e taksave, agjensi punësimi për patronazhistët dhe pa dyshim, në krye me një bandë kriminale;
Të gjithë biem dakord, që në Durrës po ndodh vjedhja dhe grabitja më e madhe e shqiptarëve, jo vetëm po shkulin Portin nga qyteti, por po dhurojnë me VKM dhe dakordësi të Këshillit Bashkiak socialist truallin e Portit aktual me vlere milarda euro , po vijojnë më tej t’i vjedhin qytetit 231 milionë euro taksa që ja falin Alabarit, dhe po marrin nga xhepat e gjithë shqiptarëve edhe 500 milione euro të tjera në fazën e parë për të ndërtuar portin e ri;

Tanime eshte fakt qe prej vitit 2016 -2022 , Durrësi ishte pa plan Rregullues e kjo per faj e per interes te Rames –Dakos e Sakos, qe shtynë në kohë miratimin, duke shkelur ligjin për rregullimin e territorit, duke sjelle pasoja te pariparueshme , duke i marrë frymën inciativës së lirë, duke rritur informalitetin dhe per me teper kane harruar që Durrësi ka sot një perimetër shumë më të gjatë dhe kërkon studim më të thelluar ubanistik dhe konsultime me grupet e interesit;
Tanime eshte fakt , që financat publike janë keqpërdorur, shërbimet e pastrimit, menaxhimit të mbetjeve, gjelbërimit e mirëmbajtjes së qytetit kanë qenë joeficente; për të mos folur për mungesën e theksuar të politikave me karakter social, të shërbimeve për rininë, aftësimin, punësimin dhe sipërmarrjen e tyre. Teksa harxhojmë 10 miliard lekë për 1 velierë që s’ka perfunduar akoma e që përçudnon qytetin, nuk u gjetën kurrë fonde për ngrohjen e shkollave dhe per ti ardhur ne ndihme shtresave ne nevoje; nuk bënë asgjë per rinine , për të ndërtuar një kalendar eventesh kulturore dhe artistike, asgjë për brandimin e Durrësit si destinacion turistik dhe pak gjë për garantimin e shërbimeve në sezonin turistik.

Të dashur bashkëqytetarë, demokratë e opozitarë
Unë si dhe ju besoj fort që ndryshimi i madh këtë 14 Maj do të nisë nga Durrësi, i cili duhet t’i kthehet qytetarëve dhe qytetarisë së tij;
besoj fort që lidhja jonë me Durrësin dhe dëshira për jete me te mire, paqe, liri e demokraci janë të forta, — le të bëhemi të gjithë bashkë për të rrëzuar klonimin e regjimit të Ramës në Durrës,
për t’i kthyer Bashkinë pronareve te vertete te cilet jeni ju .
Durrësi jeni ju!

Ndryshimi i qeverisjes në administrimin e Durrësit është kryefjala që na bashkon, por së bashku do të punojmë për të vënë në zbatim prioritetet e programit “Durrësi 2030, për Durrësin e qytetarëve dhe qytetarisë”

Nga kjo tribune ju premtoj, që së bashku, qytetarë të vjetër dhe të rinj të Durrësit,
-do të bëjmë gjithçka për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve,
-zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik;

  • zhvillimin e integruar urban;
  • rikthimin e Durrësit në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend dhe do të ndërtojmë partneritete në rajon, Evropë e më gjerë në dobi të ekonomisë lokale, zhvillimit të kapitalit human e prosperitetit të Durrësit tone, sepse Durrësi jeni ju!

Ne së bashku do të bëjmë gjithçka për të kthyer Bashkinë në një institucion në funksion real të qytetit dhe qytetarëve, përmes programeve aftashkurtër dhe afatmesëm.
Prioritet i rendesishem do te jete perfundimi i procesit te rindertimit brenda vitit 2024, integrimi i zonave të reja urbane dhe mbulimi me shërbim transporti publik, infrastrukture kryesore dhe dytësore;
Do te sigurojme nje menaxhim efiçent të buxhetit të bashkisë; thjeshtëzimin e sistemit të taksave lokale, uljen, transparencën dhe efiçencën në mbledhjen e tyre.
Ne së bashku, duke qenë falenderues për bukurinë dhe pozicionin gjeografik që Zoti i ka dhuruar Durrësit, por dhe punën, kreativitetin e mundin e të gjithë të angazhuarve në sektorin e turizmit, do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur ate, diversifikuar ofertën turistike, branduar Durrësin dhe rikthyer në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend, sepse Durrësi jeni ju!
Ne së bashku, do të punojmë, që mjedisi të jetë një komponent thelbësor i cilësisë së jetës, mbrotjes së shëndetit e mirëqënies së komunitetit, përmes krijimit të një rrjeti korridoresh ekologjike ambientale në territorin e Bashkisë;

Ne së bashku, do t’i japim një fokus të ri zhvillimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore dhe historike të Durrësit, do të mbështesim jetën kulturore, artistike, sportive në mbështetje të komunitetit dhe të turizmit, sepse Durrësi jeni ju!

Duke besuar se në themel të një shoqërie me vlera është familja, do të dedikojmë një pjesë të burimeve financiare dhe të projekteve të Bashkisë në funksion të edukimit, kulturës, sportit, mirëqënies mendore e fizike të qytetarëve, do të krijojmë më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë, nga infrastruktura shkollore, në qendrat shumëfunksionale dhe ambientet e rekreacionit në çdo njësi administrative; do ngremë Bordet e të Urtëve me ekselencën durrsake anembanë botës; Qendrat e Karrierës dhe aftësimit të të rinjve, sepse Durrësi jeni ju!

Do të mbeshtesim përfundimin e kampusit e Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe do të kontribuojmë fort në shndërrimin e tij në një pol inovacioni në rajon;

Ne së bashku, duke respektuar çdo sipërmarrës të ndershëm të Durrësit, që kontribuon çdo ditë për zhvillimin e ekonomisë lokale e kombëtare dhe punësimin e qytetarëve, do të garantojmë që taksat e biznesit do të përdoren me efektivitet në dobi të qytetit dhe të shërbimeve publike në të;

Ne së bashku, ne komunat Ishem , Manez, Sukth ,Katund i Ri e Rrashbull nepermjet granteve te Bashkise do të punojmë për zhvillimin e programeve konkrete në mbështetje të fermerit,
Sistemim te kanaleve kulluese,
Mbeshtetje e prodhimit lokal e promovimit te produktit ne Km “0”
Riorganizim i sherbimit veterinar per me shume efikasitet e siguri.
Vemendje e veçante per sektorin e peshkimit nëpërmjet programeve specifike të nxitjes së kapaciteteve kualifikuese dhe promovimit të tij, krijimit të kushteve të përshtatshme të tregtimit të peshkut;

Ne së bashku, do të bëjmë gjithçka që mbetjet të menaxhohen ndryshe, bazuar në parimet e ekonomisë qarkulluese-ricikluese, duke kursyer keshtu çdo qindarkë të taksave të qytetarëve.
Ne së bashku, do të duhet të bëjmë shumë më shumë për moshën e tretë, grupet vulnerabël, individët me aftësi ndryshe, përmes programeve e buxheteve të bashkisë, rritjes së ndërgjegjësimit në komunitet e programeve me donatorë .

Per te gjitha sa thashe me siper me mendimet e eksperteve te fushave te ndryshme kam përgatitur dhe programin elektoral.
Ne së bashku, me kurajon e njerëzve që e duan qytetin dhe që kanë ekspertizën, do të krijojmë sinergjinë e duhur për të ndërtuar një administratë profesionale, dhe me fokus qytetarin;
Sepse Durrësi jeni ju!
Duke besuar fort në misionin e vizionin tone, që të punosh për qytetin tënd, për ndryshimin pozitiv dhe transformimin, që ka në qendër qytetarin dhe qytetarinë është ëndërr e secilit prej nesh, por mbi të gjitha përgjegjësi politike dhe publike, ju ftoj te bejme ndryshimin e madh per Durresin e te ardhmen tone.

Faleminderit nga zemra! Bashkë do fitojmë! Durrësi jeni ju!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale