Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Bylykbashi: PS po shmang rekomandimet e OSBE/ODIHR, reforma zgjedhore duhet të garantojë ndarjen e shtetit nga partia në pushtet

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që puna për reformën të përqendrohet te zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke e cilësuar garantimin e kushteve të barabarta të konkurrimit si çështjen kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në qëndrimin e tij, Bylykbashi thekson nevojën për ndarjen e shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e përdorimit të administratës dhe burimeve publike për qëllime elektorale, si dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes proporcionalit kombëtar dhe listave të hapura.

Ai akuzon Partinë Socialiste se po trajton çështje që nuk përbëjnë prioritet për zgjedhjet e 9 majit 2027, ndërsa paralajmëron se kjo qasje rrezikon të çojë në një tjetër proces të njëanshëm të ndryshimeve zgjedhore. Bylykbashi bën të ditur se PD do të paraqesë propozime dhe amendamente konkrete për reformën.

QËNDRIM I BASHKËKRYETARIT TË KOMISIONIT PËR REFORMËN ZGJEDHORE, Z. OERD BYLYKBASHI

Komisioni për Reformën Zgjedhore, i ngritur një vit më parë, ka hyrë në muajin e fundit të mandatit të tij.

Komisioni ka për mandat zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këto rekomandime përbëjnë përparësinë kryesore të punës së tij.

Prioriteti absolut për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është zgjidhja e problemit kryesor të evidentuar në raportin e OSBE/ODIHR, por edhe në raportet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Parlamentit Europian dhe, së fundmi, Komisionit Europian: garantimi i kushteve të barabarta të konkurrimit zgjedhor.

Kjo kërkon ndarjen reale të shtetit nga partia në pushtet, ndalimin e abuzimit me pushtetin, burimet shtetërore dhe administratën publike në favor të Partisë Socialiste apk cilësdo parti në pushtet në të ardhmen, si dhe garantimin e ndëshkimit të ashpër dhe efektiv të shkelësve, patronazhistëve dhe kujtdo që kryen krime zgjedhore.

Prioritet është edhe reforma rrënjësore e sistemit zgjedhor, të cilën e kërkon prej vitesh opozita por tashmë e kërkojnë prej muajsh edhe studentët dhe protestuesit. Shqipëria ka nevojë për një sistem krejtësisht të ri zgjedhor, ku përfaqësimi i partive të garantohet mbi bazën e proporcionalitetit kombëtar, me lista të hapura që u mundësojnë zgjedhësve të vendosin se cilët deputetë do t’i përfaqësojnë dhe me sa më pak barriera për partitë që duan të marrin pjesë në garë.

Edhe këshillat bashkiakë duhet të zgjidhen me lista të hapura, në vend të listave të mbyllura që zbatohen që nga Kodi Zgjedhor i vitit 2000, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste.

Partia Demokratike, së bashku me ekspertët e saj, ka përpunuar një paketë të gjerë dhe të plotë propozimesh për ndarjen e shtetit nga partia në pushtet, si dhe ka bërë publike qëndrimet e saj për çështjet kardinale të reformës zgjedhore.

Ligji për financimin e partive politike dhe ndarjen e shtetit nga partia në periudhën jozgjedhore, siç kërkohet nga BE dhe OSBE/ODIHR, duhet të miratohet në koherencë të plotë me rregullat për financimin e partive dhe ndalimin e abuzimit me burimet shtetërore gjatë periudhës zgjedhore. Ky ligj është me rëndësi edbe pse nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR dhe do të fillojë të zbatohet vetëm pas zgjedhjeve të 9 majit 2027 e për rrjedhojë është i ndërvarur nga miratimi i rregullave për financim të partive në Kodin Zgjedhor.

Partia Demokratike është plotësisht e angazhuar që rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat përbëjnë mandatin parësor të Komisionit, të trajtohen me përparësi, angazhim të hapur dhe konsensus. Për këtë qëllim, ajo do të paraqesë propozime dhe amendamente konkrete.

Në frymë krejtësisht të kundërt, Partia Socialiste deri më sot ka trajtuar çështje që nuk burojnë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe nuk përbëjnë përparësi për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 9 majit 2027. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR me konsensus dje garantimi i zgjedhjeve me standarte është detyrim i mazhorancës, jo vetëm i opozitës.

Kjo qasje e mazhorancës ndjek të njëjtën linjë veprimi që çoi në dështimin e qëllimshëm të Komisionit për Reformën Territoriale, për t’i hapur rrugë ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor, siç ndodhi me zhdukjen e 15 bashkive.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale