I deleguari politik i Partisë Demokratike në Vlorë, Aurel Bylykbashi, ka bërë thirrje për mobilizim të demokratëve dhe qytetarëve, duke deklaruar se objektivi i PD-së është largimi i Edi Ramës nga pushteti.
Në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ të Partisë Demokratike në Vlorë, në prani të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Bylykbashi tha se situata politike në vend kërkon, sipas tij, një angazhim të fortë të opozitës.
‘Ky mallkim, kjo kërmë e pakallur që po qelb jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Ballkanin dhe që quhet Edi Rama, duhet larguar me çdo çmim!’, deklaroi Bylykbashi. Ai tha se PD nuk synon vetëm rikthimin në pushtet, por e cilësoi këtë si një ‘detyrim qytetar dhe patriotik’.
Bylykbashi u ndal edhe te situata e Sali Berishës pas kthimit të tij nga SHBA, duke kundërshtuar interpretimin se beteja e tij ishte thjesht personale.
‘Sali Berisha nuk u sanksionua si një qytetar i thjeshtë, por për shkak të peshës politike që kishte dhe ka. Goditja ndaj tij ishte për ta fundosur Partinë Demokratike dhe për të mbajtur Edi Ramën në pushtet’, tha ai.
Fjala e të deleguarit politik të PD në Vlorë, Aurel Bylykbashi:
Të nderuar qytetarë dhe demokratë të Vlorës! Të nderuar qytetarë dhe demokratë, siç është dhe siç e duam ne, të Bashkisë Selenicë! Të nderuar qytetarë dhe demokratë, siç e duam ne, të Bashkisë Orikum! Të nderuar qytetarë dhe demokratë, siç e duam ne, të Bashkisë Novoselë! Të nderuar qytetarë dhe demokratë, siç e duam ne, të Bashkisë Amantia! Të nderuar qytetarë dhe demokratë të Bashkisë Himarë! Fort të çmuar aleatë, e nderuar zonja, zotërinj deputetë. Deputeti i Vlorës, zoti Leskaj. Nënkryetari i Partisë Demokratike, zoti Kedhi.
I nderuar kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lideri ynë historik, i pamposhturi dhe fituesi Sali Berisha, mirë se keni ardhur në Vlorë!
Të nderuar të pranishëm, takimi i sotëm në prani edhe të doktor Berishës për ne në Vlorë ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe. Nisur dhe nga ngjarjet e ditëve të sotme, ky mallkim, kjo kërmë e pakallur që po qelb jo vetëm Shqipërinë, por gjithë Ballkanin dhe që quhet Edi Rama, duhet larguar me çdo çmim!
Unë dua ta them këtë këtu, në këtë sallë, ku jeni ju pasardhësit e Ismail Qemal Vlorës, të Osman Haxhiut, të Ahmet Lepenicës e Qazim Koculit, ku jeni ju pasardhësit e Hysni Lepenicës, por dhe të Neki Meros.
Zonja dhe zotërinj, ajo që duam të bëjmë ne, nuk është thjesht të sjellim një forcë politike në pushtet, Partinë Demokratike, por është detyrimi ynë qytetar, patriotik, për të larguar këtë të keqe të madhe që quhet Edi Rama.
Të nderuar të pranishëm, këto ditë pas ardhjes së doktorit nga Amerika dëgjohen disa korba dhe sorra që thonë: ‘Po, Sali Berisha e fitoi betejën, por ajo ishte një betejë personale dhe kaq’. Jo, mor jo, mor të mjerë!
Sali Berisha nuk u sanksionua si një qytetar i thjeshtë, por për shkak të peshës politike që kishte dhe ka. Goditja ndaj tij ishte për ta fundosur Partinë Demokratike dhe për të mbajtur Edi Ramën në pushtet. Prandaj, hapja e portave të hekurta të perandorisë më të madhe të botës së lirë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Sali Berishën, duhet lexuar, duhet kuptuar, si një mesazh i fortë për rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet në Shqipëri.
E dyta, dëgjoj shpesh që na thonë: ‘Jeni njëlloj’. Dëgjoni përsëri mor të mjerë që bëni lojën e Edi Ramës: Ne nuk jemi njëlloj! Sepse ne nuk kemi qenë kurrë njëlloj!
Sepse rrugët tona u ndanë në gushtin e 1943-shit në Mukje. Ju dëgjuat Miladinin dhe Dushanin dhe e shitët Kosovën për të marrë pushtetin. Ne e mbrojtëm Kosovën, edhe pse na priti një natë e gjatë 45-vjeçare në burgje, internime dhe pushkatime.
Edhe sot ne nuk jemi njëlloj. Ju e shitët përsëri Kosovën, ne jo! Sepse ne, Partia Demokratike me Sali Berishën, jemi parti e interesit kombëtar! Dhe unë mendoj që kjo më shumë se kudo duhet thënë fort dhe qartë këtu në Vlorë, për atë që përfaqëson Vlora.
Zonja dhe zotërinj, që ne të arrijmë objektivat tona, duhet të hapim katër kanatësh dyert e Partisë Demokratike. Dhe kur dikush vjen dhe troket te dera jonë, ne nuk duhet të bëjmë gabimin e madh dhe t’i themi: ‘Ku ishe ti gjatë gjithë kësaj kohe që shkoi?’. Sepse ai përpara se t’i bjerë derës sonë, ka folur me veten, ka folur me familjen e tij, por ka folur dhe me Zotin, dhe Zoti është mbi të gjithë ne.
Por edhe kur hyn brenda, ne nuk duhet t’i themi ‘Përse ke ardhur?’, sepse ai ka të gjithë të drejtën e Zotit që brenda projektit të madh për Vlorën dhe Shqipërinë, të shohë projektin për veten e tij dhe për familjen e tij.
Prandaj ne duhet t’i themi çdo qytetari të Vlorës: Mirë se vjen! Mirë se vjen, përdore këtë instrument, këtë fuqi që quhet Partia Demokratike, për të zgjidhur hallet dhe kërkesat e familjes tënde, të Vlorës dhe Shqipërisë.
Në anën tjetër, në çdo komunikim me qytetarët, ne nuk duhet të kemi kufij ideologjikë me njerëzit. Ideologjia më e mirë është ekonomia e familjes. Për këtë duhet të flasim shumë, jo për të shkuarën.
Zonja dhe zotërinj, dëshiroj të bëj publikisht një thirrje të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Vlorë. Çajupit, rrezeve të mbrëmjes, Marius, David e të tjerëve: Jepini gaz fort! Bëjeni çdo të ri apo të re të Vlorës që ta shikojë Partinë Demokratike si shpresë për jetën e tij dhe familjes së tij.
Nga ana tjetër, zonja dhe zotërinj, në gjithë këto muaj që kam ardhur në Vlorë, kam bërë shumë kontakte dhe me njerëz jashtë Partisë Demokratike. Dhe shikoj diçka që dua ta them hapur këtu përballë jush: Nga jashtë nesh ka më shumë shpresë, dhe qytetarët janë disa hapa përpara nesh, në një kohë që në ndonjë rast këtë frymëzim nuk e gjen dot brenda Partisë Demokratike.
Ndaj dëshiroj t’ju them sot si vëllai-vëllait, si burri-burrit: Çfarë kanë ata më shumë sesa ne? Janë më të zotë se ne? Jo! Janë më të mençur se ne? Jo! Janë më burra se ne? Kurrë e kurrës! Janë më trima se ne? Kurrë dhe asnjëherë!
Prandaj dua t’i drejtohem të gjithëve ju që jeni këtu. Ju legjionarëve të ndritur për liri dhe demokraci, me fuqinë që na jep frymëzimi i ardhur nga përtej Atlantikut, po ju them: Bëhuni gati! Bëhuni gati! Ora erdhi!
Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria!


