Të nderuar qytetarë të Durrësit,
I nderuar Prof. Dr. Sali Berisha, kryetar i PD,
I nderuar Kryetar i Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta,
I nderuar kandidat i Koalicionit Bashkë Fitojmë, miku im Igli Cara,
Të nderuar demokratë,
Të nderuar përfaqësues të partive aleate,
E kam nder dhe emocion të jem sot para jush në këtë hapje të fushatës, në këtë tubim të jashtëzakonshëm, në këtë demonstrim të besimit në fitore.
Më 14 maj, të gjithë ne e kemi një detyrë. Më shumë se politike, ajo ështe detyrë qytetare. Më 14 maj duhet të shkojmë të votojmë për të ndëshkuar pandëshkueshmërinë, arrogancën dhe abuzimin që qeverisin Durrësin.
Vetëm ne e kemi në dorë këtë!
Nëse në Shqipëri e keqja na qeveris prej 10 vjetësh, në Durrës socialistët kanë 23 vite që keqqeverisin duke u mbyllur derën qytetarëve.
Vjedhin paratë e taksave tuaja me tendera skandalozë.
Veliera me 10 miliardë lekët që ka kushtuar është lapidar i kësaj vjedhjeje. Por nuk është vetëm Veliera. Janë të panumërt tenderat për puime rrugësh që rishqepen sapo bëhen për të shtruar tubacione. Kjo është formulë e pastër për vjedhje.
Ata grabisn, pronat publike për vete apo për kriminelët që u sigurojnë vota, u japin liçensa për shërbime publike.
Kanë vënë kapuçin në kokë e janë turrur. Grabitja e Portit të Durrësit është monument i kësaj grabitjeje.
Radha e grabitjes ka ardhur tek pronat private. Po u prishen shtepitë durrsakëve tek Amfiteatri apo në qytet me justifikimin e tërmetit dhe po i degdisin në mes të ish-kënetës sepse i duan trojet për vete. Kanë bërë plan të shpronësojnë ata që erdhën e zgjodhën Durrësin si shtëpi e t’ua prishin shtëpitë në zonën e ish-Kënetës sepse planifikojnë që trojet t’ua japin për ndërtim klientëve të tyre.
Pandëshkueshmëria është ajo që ka pjellë arrogancën e pushtetarëve socialistë që kanë qeverisur këtë qytet si kanë dashur vetë dhe jo si keni nevojë ju.
Arroganca e pandëshkuar e Vangjush Dakos, Emirjana Sakos dhe kryebashkiakëve socialistë para tyre, u ka marrë nga xhepat qindra miliona euro si taksa.
23 buxhete vjetorë të Bashkisë Durrës janë grabitur e vjedhur 23 vite rresht.
Kanalet e ujërave të zeza plasin apo janë të hapura nëpër qytet. Infrastruktura është për faqe të zezë. Por tenderat kanë qëllim pasurimin dhe jo zgjidhjen e halleve.
Tërmeti tronditi thellë qytetin. Por paratë e rindërtimit u përdorln për të blerë vota.
Ata presin zgjedhjet për të shpërndarë favoret. Po nuk pati zgjedhje, hallexhinjtë i lënë në rrugë.
Njerëzit të dëshpëruar ikin jashtë. Ikin të rinj, ikin familjarë. Para disa vitesh nuk kishte punë. Sot nuk ka punë sërish, por ka akom më pak njerëz për punë sepse Shqipëria dhe Durrësi po boshatisen.
Sot bashkia është shumë larg banorëve në fshat. U thanë se me reformën territoriale do vinte begatia. Në fakt u erdhi indiferenca dhe braktisja e shtetit.
Kandidatja e PS përfaqëson të gjithe këtë 23-vjeçar korrupsioni, keqqeverisjeje dhe arrogance. Arrogancë ndaj çdo durrsaku, edhe ndaj socialistëve të thjeshtë e të ndershëm durrsakë që u dhemb Durrësi si ne.
E vetmja gjë që kanë në dorë është blerja e votave korruptimi me favore dhe manipulimi dhe paturpësia që u ësht bërë shollë e regjur 23 vjet.
Ne e kemi ofertën për ndryshim.
Igli Cara e ka ofertën dhe aftësinë, ai ka integritetin për ta ndryshuar Durrësin.
Duke votuar djalin e shkelqyer te Durrësit, kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Carën, bashkia e Durrësit ndryshon dhe kthehet në duart tuaja.
Le t’i bashkojmë votat tona përtej çdo dasie tek Igli Cara.
Të votojmë koalicionin Bashkë Fitojmë që Edi Rama të largohet nga bashkia.
Më 14 maj së bashku fitojmë që sëbashku t’i ndëshkojmë arrogancën dhe së bashku të ndryshojmë Durrësin!