FJALA E KRYETARIT TE FRPD, BESART XHAFERRI
Tri javë më parë, Partia Demokratike u mblodh për të festuar 8 dhjetorin, ditën e Rinisë dhe 11 dhjetorin, ditën e Themelimit.
Dy herë, partia jonë, partia e parë e anti-komunizmit në Shqipëri, është goditur mu në thelbin e saj. Thelbi i kësaj partie janë rinia dhe liria.
Në vitet 1990-1992, Ramiz Alia dhe komunistët, edhe pse i sulmuan, për hir të propagandës, bënë gjithçka që rinia e Shqipërisë të largohej. Nëpërmjet ambasadave, me anije nëpër det, nëpër kufijtë vrastarë të Republikës, me çdo formë, rrugë e pa rrugë, Byroja Politike e donte rininë në ekzil, duke e ditur se të rinjtë do të votonin kundër partisë së Punës dhe më vonë asaj Socialiste.
Qindra mijëra shqiptarë e lanë vendin asokohe në një prej eksodeve më të dhimbshme të historisë.
Prej 30 vitesh Partia Socialiste ka ndërruar lëkurë, por nuk e ka harruar zakonin e vjetër. Politikat e saj ekonomike, sociale dhe kulturore, kanë detyruar rreth 1 milion shqiptarë, shumica e të cilëve të rinj, të emigrojnë gjatë dekadës së fundit. Për të ilustruar këtë ekziston një shifër kokëfortë e INSTAT. Deri në vitin 2012 grupmosha nga 0-28 vjeç përbënte 50 përqind të popullsisë së Shqipërisë. Në 10 vitet e fundit ka rënë në 20 përqind.
Kanë ikur të rinjtë në moshën e gjimnazit dhe universitetit, por kanë ikur edhe prindërit e rinj, profesionistët e sapomartuar të cilët me fëmijët e tyre mundësojnë rinimin dhe vitalitetin e popullsisë.
Gjithë ky depresion kombëtar shoqërohet nga slogani ‘këtu nuk ka më shpresë’.
Kur ikin të rinjtë, shuhen shpresat, triumfon korrupsioni i hapur, dhe modeli shoqëror bëhet i forti në politikë dhe politika e forcës, të gjithë atyre që i thonë vetes shqiptarë dhe e duan këtë vend u del një detyrë: REZISTENCA!
Programi i Edi Ramës dhe sorosianëve të tij, këtyre sorrave të antishqiptarizmës, që me propagandë dhe para duan të zhbëjnë shkabën dykrenore të komit dhe flamurit, është i zi dhe besëprerë.
Për të qeverisur me lehtësi dhe me jetëgjatësi Shqipërinë ata planifikojnë të përgjysmojnë popullatën e vendit, duke i hequr atij pjesën më vitale, rininë dhe profesionistët. Pjesa që mbahet janë bujkrobër të fermës së përbashkët të kafshëve. 680 mijë pensionistë, për të cilët Edi Rama sa herë ka zgjedhje u zgjat një zarf lëmoshe, dhe disa qindra mijëra të tjerë punonjës të administratës të fryrë me patronazhistë gjatë viteve të Rilindjes.
Është kjo ushtri e një vendi që po vdes, me në krye një prijës ku bashkohen grandomania e një putini ballkanik dhe grotesku i një kaudiljoje latino-amerikan, që e ka kthyer Shqipërinë në tokë të gjithkujt, plackë të dikujt dhe atdhe të askujt.
Ky njeri që quhet Edi Rama, pasi e ka shkretuar territorin në favor të narko-deputetëve, narko-kryebashkiakëve, narko-drejtorëve, narko-familjarëve, i duhet të lëvizë pengesën e fundit në rrugën drejt pushtetit të pakontrolluar dhe shtetit të izoluar të tekave të tij, atij vendi që ne e njohim si Shqipëri.
Kërkon, me hir e pahir, të vrasë nervin opozitar, të asgjësojë Partinë Demokratike dhe liderin e saj historik, Sali Berisha. Për këtë ka angazhuar, ditë e natë, me paratë që u vjedh shqiptarëve ditën e natën, dhjetëra banditë trans-nacionalë që nga McGonigal e deri te Aleks Soros.
Ai nuk e njeh opozitën e Sali Berishës sepse Doktor Berisha nuk është djali i mirë Lul me të cilin mund të qeveriset.
Ai nuk i lejon kësaj opozite, opozitës sonë, opozitës së shqiptarëve, asnjë komision hetimor parlamentar. Ne nuk ia kërkojmë Edi Ramës ata që na e jep Kushtetuta e vendit. Nëse Edi Rama nuk na i jep, ne ia marrim me forcën e rinisë, me forcën e mosbindjes civile, me qindra shembuj rezistence që e kanë ndezur flakë çdo cep të globit, kur rinisë, kur qytetarëve iu është penguar ardhmëria, kur iu është vrarë shpresa.
Rama nuk i lejon opozitës së vendit të tij të drejtën për të caktuar krerët e koalicionit zgjedhor, krerët e forumeve parlamentare të veta, kreun e grupit.
Edi Rama nuk e duron dot praninë e Sali Berishës, i cili ia vendin me zgjedhje të lira, sepse lideri historik i PD i kujton atij një ndër rekordet që nuk e vendosi dot kurrë, dhe një prej fitoreve që nuk e arriti askurrë: fitoren si kryeministër me zgjedhje të lira.
Edi Rama nuk e duron dot 8 dhjetorin e vitit ’90 të rinisë shqiptare, që i hapi rrugë 11 dhjetorit të Partisë Demokratike, sepse 8 dhe 11 janë datat që nuk e lejuan atë ti dhuronte Ramiz Alisë dhe etërve të tij atë që dëshironte: një pushtet të majtë dhe një opozitë po të majtë.
Atë që nuk e bëri dot në vitet 90 Rama po përpiqet ta kryejë sot: ta lërë vendin pa opozitë reale, duke emëruar në vend të saj një kinse opozitë. Ai kërkon që Shqipëria ti kthehet ëndrrës së vjetër ramiziane me Partinë Socialiste në krye dhe Frontin Demokratik të AliBashës, që i mban qiriun dhe mbyll gojën, për një çmim që e cakton kursi i narko-euros.
Kjo është ëndrra e Ramës. Ai e mbulon me spinin diktatorial të miliona turistëve, të kullave që ngrihen me 40 kate, por i kanë 40 pashë nën tokë kufomat e krimeve mbi të cilat janë ngritur, të Nastradinit që e anëtarëson Shqipërinë në BE me ChatGPT, të satelitëve Albania 1 dhe 2, që kontrollojnë territorin por jo edhe zëvendësin e Ramës, që çan ferrën duke ia lënë lepurin e inceneratorëve në dorë, herë Terit e herë Tushës; të thjeshtrës që figuron në cdo projekt të ri në Tiranës, si Albert Speer në Berlinin e Hitlerit; të lali Erit që në krizën e mesomoshës bën ende si çunaku i mbrëmjeve sapio-seksuale të kohës së Mjaftit; të velinave të televizioneve- gra e burra e bashkë- që ia mbulojnë mutqverisjen me potpurinë e një Shqipërie që i rri ngushtë artit politik global të naltgjatësisë.
Siç brezat para nesh ia prishën Byrosë Politike ëndrrën e një partie, që ishte diçka më shumë se Fronti Demokratik, por gjithmonë nën hyqmin e Nënës Parti, edhe ne do t’iA prishim Ramës projektin e një Shqipërie me opozitë fasadë, çelësin kopil të së cilës e mban në qafë, bashkë me vulën dhe logon, herë Alibasha e herë Lul Brava.
Ne nuk e japim opozitën sepse nuk është e jona për ta dhënë. Partia Demokratike, opozita reale e këtij vendi, i përket rinisë së Dhjetorit 90 dhe rinisë së Shqipërisë, sot e cdo ditë, kudo që ndodhet, në atdhe apo në Diasporë.
Edi Rama duhet ti bëjë llogaritë mirë. Asnjë diktatori nuk i ka mjaftuar Garda, policia, paratë, kur kapaku i kupës që është mbushur është bërë armë në dorën e atyre të cilëve u është sosur durimi.
Edi Rama duhet ta dijë se nuk mund të fshihet, as poshtë bunkerit në formë fustani në Surrel, as pas fundit të SPAKU-t, që ulet e ngrihet si perde teatri dylekësh.
Ai i ka borxh këtij vendi, kësaj rinie, dy gjëra: normalitetin politik dhe zgjedhjet e lira. Ai i ka marrë peng prej 10 vitesh dhe ne po vijmë për ti marrë mbrapsht. Nuk janë të tijat për ti mbajtur dhe as janë tonat për ti përdorur. Janë të Shqipërisë dhe asaj do t’ia kthejmë!