FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA GJATË TAKIMIT ELEKTORAL NE FUSHË KRUJË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, duke folur në takimin e zhvilluar në Fushë Krujë, u shpreh se drita e fitores po ndriçon sot, zemrat dhe mendjet e mbarë shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij përpara qindra demokratëve që ishin mbledhur në takimin elektoral, Berisha tha se Rama nuk denjon të dalë para popullit e të bëjë bilancin qeverisë, për ndryshe nga kjo, bën takime si komunistët e viteve ’50.
‘Nuk del dot para jush, sepse si asnjë sulltan, si asnjë perandor, si asnjë mbret, bleu në oborr 5 mln euro instilacionin me peshk ekzotik për të engledisur sytë e tij. Nuk del dot, ndaj dhe miqtë mi, tani kërkon të bëjë hokatarin, të bëjë atë që nuk po jam them emrat dhe bën fushatë veçmas me gratë si në vitet ’50 kur komunistët bënin mbledhje veçmas me gratë dhe veçmas me burrat’, theksoi Berisha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë takimit elektoral me qytetarët e Fushë Krujës në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, ka bërë publike dhe listën e taksave që do të ulen, ose do të hiqen fare nga borderotë e tatimeve dhe të bashkive. Berisha premtoi se me ardhjen e demokratëve në qeveri, taksat e vendosura ndaj biznesit nga 1 janari i këtij viti, nuk do të njihen. ‘Ju bëj thirrje biznesit të vogël, të mesëm, të madh, asnjë taksë të vendosur nga 1 janari gjer sot, nga agjentët e tatimeve etj., mos paguani sepse ka qenë vetëm taksë elektorale. Nuk do njihet asnjëherë’, tha kryedemokrati.
Lideri i opozitës, Sali Berisha u premtoi fermerëve se pas 11 majit, me qeverinë e re të demokratëve, do subvencionohen për çdo bagëti, fidan apo njësi prodhimi. ‘Made in Albania’ është krenari kombëtare. Bizneset e Krujës, Fushë Krujës, bizneset e Shqipërisë, prodhimi i tyre është krenari kombëtare dhe ne do bëjmë gjithçka duke ulur taksat, duke pjesëtuar me 3 çmimin e energjisë. Duke subvencionuar trajnimin e punëtorëve që suksesi i tyre të rritet. Garantoj eksportuesit shqiptarë se në 100 ditët e para ngrihet bordi që do i kompensojë ata qindarkë për qindarkë, për shvleftësimin e euros, nga narkosit shqiptarë’, theksoi Berisha.
Në fund të fjalës së tij, kryedemokrati Berisha u shpreh se vetëm 9 ditë i ndajnë nga fitorja, ndërsa bëri thirrje që të sqarohen qytetarët se programi i ‘Shqipërisë Madhështore’ është program për të gjithë shqiptarët. ‘9 ditë, shqiptarët në diasporë janë sot në këmbë si kurrë. Kudo takoj burra, gra të rinj, erdhëm thonë, erdhëm për fitoren. Të gjithë në këmbë, Zoti ju bekoftë ju. Fitore! Më 11 maj, votoni ndryshimin, votoni Krujën Madhështore, Fushë Krujën Madhështore, Shqipërinë Madhështore. Të gjithë jeni 1-sha. 1-sh ishte Skëndërbeu, 1-shi është numri i Zotit. Zoti ju bekoftë, fitore’, nënvizoi kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fushë Krujës, Krujës dhe të gjithë këtij rrethi të bekuar.
Vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj, përshëndetjet e mia më të përzemërta.
E nderuar zonja Erica Mazzeti, mikeshë e shquar e PD-së dhe e Shqipërisë, deputet në Parlamentin Europian të partisë mike Forza Italia, të partisë së Silvio Berluskonit me të cilën na lidh një miqësi e madhe.
Një mirënjohje të pakufishme për ju zonjë, për praninë tuaj në këtë fushatë në mbështetje të opozitarëve shqiptarë të cilët ecin drejt 11 majit me besimin e madh tek fitorja, ndryshimi, tek shpëtimi i Krujës, Fushë Krujës dhe mbarë Shqipërisë.
I nderuar Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD dhe udhëheqës i qarkut të Durrësit, Gent Strazimiri,
drejtues politik i rrethit të Krujës.
Të dashur kryetarë të PD-së të degëve Fushë Krujë dhe Krujë.
Të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues të mrekullueshëm të qytetarëve të këtij rrethi dhe qarkut të Durrësit.
Një përshëndetje të përzemërt për ju, krenaria e vërtetë e PD-së, krenaria e popullit opozitar.
Miq!
Drita e fitores po ndriçon sot, zemrat, mendjet e mbarë shqiptarëve. Rrugët, sheshet, rrugicat, e qyteteve dhe fshatrave. Po ngrihen madhështor, në zenit vullneti juaj për një fitore historike, për një fitore epike me datën 11 maj. I tmerruar, në panik Edi Rama i cili e ka nuhatur se e pret disfata ndër më të thellat.
Edi Rama tre muaj nuk guxoi, një minutë të vetme, një orë të vetme, një ditë të vetme të jipte llogari para jush për qeverisjen e tij 12 vjeçare, sepse u provua në 12 vite si e keqja ndër më të mëdhatë që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre kombëtare.
Edi Rama nuk doli një minutë para jush jo për të dhënë llogari, por as për të numëruar suksesin e tij më të vogël, sepse e di që mbi çdo sukses qëndron vjedhja e tij e tmerrshme mbi shqiptarët.
Sepse e di që në çdo kilometër rrugë, ka vjedhur 90% të çmimit.
Sepse e di që çdo shkollë të ndërtuar, ka vjedhur 80% të çmimit.
Sepse e di se shqiptarët nuk ja falin kurrë atij 130 mln euro djegësin e Tiranës. 130 milionë euro në kontot e tij bankare ndërkohë që djegësi nuk ka nam as nishan.
Nuk del dot para jush për të dhënë qoftë edhe orë llogari, qoftë dhe një minutë se e di që me avion në dispozicion ka shpenzuar, ka udhëtuar dy herë më shumë se presidenti i SHBA në dy vite. Se u ka gjobitur ju me 21 mln euro.
Nuk del dot para jush sepse pasi kishte deklaruar 3800 euro në librin e llogarive të shtetit, na doli me saraje dy herë më të mëdha se Enver Hoxha. Doli me park dhe oborr 4 herë më të madh se diktatori.
Edi Rama nuk del dot para jush të japë edhe një minutë llogari, sepse e di që shqiptarët e panë tek vodhi, rrmëbeu 224 mijë metër katrorë tokë në Gjipe, pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument konfiskimi.
Nuk del dot para jush, sepse si asnjë sulltan, si asnjë perandor, si asnjë mbret, bleu në oborr 5 mln euro instilacionin me peshk ekzotik për të engledisur sytë e tij.
Nuk del dot, ndaj dhe miqtë mi, tani kërkon të bëjë hokatarin, të bëjë atë që nuk po jam them emrat dhe bën fushatë veçmas me gratë si në vitet ’50 kur komunistët bënin mbledhje veçmas me gratë dhe veçmas me burrat.
Pra miq, kjo është fushata e tij, kurse ne vijmë tek ju, në radhë të parë mblidhemi si njerëz të lirë dhe unë ju përqafoj të gjithëve ju. Krenohem me ju.
Ju keni ardhur në vullnetin tuaj, nuk u ka sjellë askush me detyrim.
Por edhe unë vij këtu para jush me përgjegjësinë më të madhe për të ju garantuar ju, se programi ynë ka dy qëllime madhore.
Së pari të kthejnë në kontot tuaja, në xhepat tuaj, në kuletat tuaja, paratë që i meritoni plotësisht, taksat tuaja.
Së dyti, të krijojë një mundësi të re për secilin prej jush, për fëmijët tuaj, të rinjtë tuaj, burrat, gratë, për fermerët për bizneset, për të moshuarit, për të gjithë shqiptarët.
Ky është programi ynë.
Ndaj dhe ne këtë program e nisim duke fshirë lotët e ftohta të mjerimit nga sytë e pensionistëve tanë që i kanë shkrirë jetën, mundin, djersën e tyre, mendjen dhe sot paguhen me një pension qesharak dhe poshtërues.
Edi Rama në janar të këtij viti paraqiti buxhetin 8 miliardë euro dhe në pashpirtësi të plotë, me përçmim të turpshëm ndau për 760 mijë pensionistë gjithsej 16 mln euro.
Pensioniste dhe pensionistë shqiptarë, fjala ime është 100 ditët e para në Shqipëri nuk do të ketë pension ndën 200 euro.
Dhe pensionet tjera do rriten me 20%.
Miq, sot 57% e pensionistëve marrin më pak se 172 euro. Të gjithë në fshat, qytet kudo që janë, të plotë të pjesshëm, pensioni nën 200 euro, do jetë 200 euro.
Çdo pensioniste, çdo rrogë ultë dhe nuk do të ketë rroga të ulëta asnjëherë ndën 500 euro.
Çdo rrogë ulët do të ketë kartën e konsumatorit, me të cilën bukën, gjërat bazë ushqimore do ti blejë 20% më lirë se të tjerët. Do mirrni pra 450 euro kthim të TVSH-së që keni shpenzuar.
Qeveria shqiptare ka vendosur 100 ditët e para të firmosë listën e rimbursimit të barnave që rimburson qeveria italiane.
Nuk do të ketë më nevojë të kërkoni ilaçe tek njerëzit tuaj, jo dhe jo. Ilaçet do ti merrni falas me listë, sipas listës që i marrin italianët sot.
Energjia zbret në 7 lek.
Tarifat ujit do të përgjysmohen.
Hiqen një seri taksash absurde, antikushtetuese, që këta grabitçarë kanë vendosur mbi ju.
Miq, unë jam këtu për tu dhënë fjalën se falen 100%, gjoba dhe kamat vonesat e IKMT-së për familjet.
Falen dhe kthehen mbrapsht të gjitha detyrimet dhe taksat e profesioneve të lira.
Falen taksat dhe tarifat vendore për bizneset e vogla dhe për individët, që në një verifikim të thjeshtë nuk kanë mundësi pagese, ose që kanë të ardhura sa minimumi jetik, apo llogari të bllokuara për shkak të taksave dhe tatimeve.
Falen kamatëvonesat dhe detyrimet tek të gjithë debitorët që janë nga tatimi mbi të ardhurat, në Shqipëri.
Falet taksa e pronës për familjarët që nuk kanë pasur mundësi ta paguajnë.
Falet taksa e pronës për bizneset pronën e tyre dhe jo me qira.
Falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e KESH-it dhe ujit.
Falen të gjitha gjobat e policëve bashkiak rryshfetxhinj dhe gjobëvënës mbi ju, asnjë mos paguani.
Pjesëtohet me 3, taksa e pastrimit për qytetarët dhe bizneset.
Hiqet taksa e reklamës për bizneset e vogla, hiqet tarifa e tabelës për këto biznese dhe të mëdhatë nga zero gjer në 4 metër.
Ndryshon taksa e pronës për bizneset e vogla që ushtrojnë aktivitetin në pronën e tyre, 5 vitet e para të biznesit.
Thjeshtohen në maksimum lejet e ndërtimit për banesat individuale në zonat urbane dhe rurale.
Hiqet taksa e ndikimit në infrastrukturë për banesat individuale, familjare, banesë e parë.
Rishikim i taksës së pronës familjare në apartamentet.
Hiqet taksa mbi pronën e emigrantëve shqiptarë, në mënyrë që ti ftojmë të vijnë, ta dinë që ne i presim ata dhe nuk i gjobisim.
Ju bëj thirrje biznesit të vogël, të mesëm, të madh, asnjë taksë të vendosur nga 1 janari gjer sot, nga agjentët e tatimeve etj., mos paguani sepse ka qenë vetëm taksë elektorale.
Nuk do njihet asnjëherë.
Miqtë e mi!
Ja pra programi ynë është program i një frymëmarrje të re.
Programi ynë është program i një mundësie të re.
Garantoj fermerët e rrethit të Krujës, se do të financohen nga shteti për çdo fidan të mbjellë, për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti të mbarështruar.
Dhe kjo jo duke i diskriminuar, ju që keni një lopë nuk merrni gjë, duhet të kesh 10 lopë që të përfitosh. Jo, çdo krerë, çdo fidan, çdo njësi prodhimi.
Jo vetëm kaq, por i garantoj se subvencioni për fermerët do rritet 5 herë, është 32 milionë euro, do të bëhet 230 mln euro.
Pra do rritet më shumë se 5 herë. Pse kjo? Sepse kaq e kanë vendet përreth. Dhe fermerët tanë nuk mund të konkurrojnë nëse nuk subvencionohen njëlloj si ata. Siç i subvencionon Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
Garantoj fermerët se nuk do të ketë pension ndën 200 euro në fshat. Merr fund diskriminimi, nuk ka më, jo. 200 euro.
Se fondet për bujqësinë do të dyfishohen.
Se do të investohet çdo vit 70 mln euro për vaditje, kullim dhe mbrojtje të tokës.
Siguroj fermerët se rritja e prodhimit është një nga objektivat më madhor.

‘Made in Albania’ është krenari kombëtare.
Bizneset e Krujës, Fushë Krujës, bizneset e Shqipërisë, prodhimi i tyre është krenari kombatëre dhe ne do bëjmë gjithçka duke ulur taksat, duke pjesëtuar me 3 çmimin e energjisë.
Duke subvencionuar trajnimin e punëtorëve që suksesi i tyre të rritet.
Garantoj eksportuesit shqiptarë se në 100 ditët e para ngrihet bordi që do i kompensojë ata qindarkë për qindarkë, për zhvleftësimin e euros, nga narkosit shqiptarë.
Kështu që ata do kenë fitimin e garantuar. Do kenë linja krediti të garantuara.
Miq pra, 9 ditë na ndajnë nga fitorja.
Në 12 vite kurrë nuk e kemi pasur kaq afër.
Është pothuasje në duart tona, por kjo kërkon nga ne që këto 9 ditë të rendim mbas saj, të vrapojmë mbas saj, të takojmë çdo qytetar, çdo banor kudo që ndodhet të ja paraqesim këtë program.
Ti sqarojmë që nuk është program për pushtetin e Sali Berishës, jo dhe jo. Është program për çdo qytetar, është program për dinjitetin e nënave, motrave, baballarëve dhe gjyshërve tanë.
Është program për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.
Është program që këtë komb ta sjellim përsëri në moshën e rinisë së tij.
Është program për të sjellë në Shqipëri përsëri, qindra, mijëra djem e vajza që morën rrugët e dheut, pothuajse të përzënë nga skamja, varfëria, papunësia, pasiguria.
Miq!
9 ditë shqiptarët në diasporë janë sot në këmbë si kurrë.
Kudo takoj burra, gra të rinj, erdhëm thonë, erdhëm për fitoren.
Të gjithë në këmbë, Zoti ju bekoftë ju.
Fitore!
Më 11 maj, votoni ndryshimin, votoni Krujën Madhështore, Fushë Krujën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.
Të gjithë jeni 1-sha.
1-sh ishte Skëndërbeu, 1-shi është numri i Zotit.
Zoti ju bekoftë, fitore.