FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GRUPIN PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj 4 ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si ‘tërësisht të pamerituar’ dhe duke shprehur mbështetjen e tij për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Kosovës. Berisha tha se vendimi i gjykatës nuk arriti, sipas tij, të provonte akuza konkrete.
‘Gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit’, deklaroi Berisha. Sipas lideri të demokratëve, ai vendim nuk mund të zbehë luftën e UÇK-së. ‘Asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut’, u shpreh kreu i PD-së.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të ndryshojë qasjen dhe ‘do të bëjë drejtësi’. ‘Ndaj dhe le të shprehim ne shpresën, besimin se gjykata e apelit, se apeli do të bëjë drejtësi, do të shkëputet nga propaganda serbe’, deklaroi Berisha. Ai bëri gjithashtu thirrje për vetëpërmbajtje në Kosovë, duke theksuar se vendimi i gjykatës nuk duhet të çojë në përplasje apo destabilizim. ‘Thirrja jonë është për vetëpërmbajtje dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që emocionet të ndikojnë në rendin, qetësinë, stabilitetin e Kosovës’, tha Berisha.
Duke folur para deputetëve, kryetari i PD-së Sali Berisha i informoi ata për vizitën në SHBA dhe bëri thirrje që kjo vizitë të shërbejë si një apel bashkimi për të gjithë demokratët që e kanë konsideruar ndalimin e vizës si një pengesë për bashkimin me ne. ‘Është një moment që t’i ftoj me shumë sinqeritet, me shumë përzemërsi, dhe u ftoj ju të gjithëve që këtë qëndrim të mbajmë në mënyrë që këta zonja, zotërinj, që janë opozitarë, që qëndrojnë opozitarë, të rikthehen tek investimi i tyre, tek partia e tyre.’, u shpreh kryedemokrati.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli për situatën politike në Shqipëri, duke e cilësuar qeverisjen e Edi Ramës si të paaftë dhe duke e akuzuar për përplasje me sistemin e drejtësisë. ‘Situata në vend është në një rrokullisje dhe kaos, dhe duhet të jemi të qartë, Edi Rama është absolutisht pa asnjë shpresë’, deklaroi ai. Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën e administrimit të buxhetit dhe thesarin e shtetit, duke theksuar: ‘Buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit. Thesari nuk është i qeverisë, thesari është i shtetit.’
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të marrin pjesë në protesta. ‘Zgjedhësit tuaj, me ju duhet të jenë në protestë, si qytetarë’, tha Berisha, duke shtuar se opozita duhet të bëjë gjithçka ‘për të krijuar shpresën, alternativën dhe besimin e shqiptarëve’.

FJALA E PLOTE
Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.
Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës.
Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.
Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb.
Asnjë njeri nuk merr dhe nuk mund të marrë në mbrojtje një krim të vetëm.
Por të konceptosh një luftë pa spiunë, pa ndëshkim të spiunëve, 120 mijë francezë u përgjigjën para ligjit për bashkëpunimin e tyre, vend në botë që nuk dënon, që nuk ndëshkon kolaboracionistët nuk ka.
Ushtri në botë, në luftë, që nuk merr në pyetje të dyshuarit për veprimtari kundër, nuk ka.
Ishte jashtëzakonisht e papranueshme deklarimi se qëllimi… po cili ishte qëllimi i tyre, qëllimi i tyre ishte çlirimi i Kosovës, çfarë qëllimi tjetër kishin këta?
Këta çdo gjë e bënë për çlirimin e Kosovës.
Paskan pasur ndonjë qëllim personal të veçantë?!
Ajo ishte si të justifikoje akuzat bajate, propagandistike të Sllobodanit dhe pasardhësit të Sllobodanit, edhe të padronit të Edi Ramës.
PD, edhe njëherë, shpreh vlerësimin më të madh për Luftën Çlirimtare të popullit të Kosovës dhe shpreson dhe beson se apeli i gjykatës, unike në botë në llojin e saj se aty janë mbledhur të gjitha dosjet e Beogradit.
Dhe u akuzuan për transplanto të organeve, zero!
Akuza të tjera. U tha se do merrej me krimet e pasluftës, e pas çlirimit të Kosovës, u mor me akte të vitit 1995, 1996, se pse vendosën të luftojnë.
Po të lexoje aty, ishte një gjë e pakonceptueshme. Aty nuk kuptoje se kush ishte shteti pushtues dhe çfarë qëndrimi duhet të mbaje në pretencë.
Që kur vendose, thoshe, ke bërë edhe në këtë vit. Ishte pushtim ai, çfarë kishte bërë në këtë vit? Kishte bërë kundër pushtuesit.
Ndaj dhe le të shprehim ne shpresën, besimin se gjykata e apelit, se apeli do të bëjë drejtësi, do të shkëputet nga propaganda serbe.
Dënojmë me forcën më të madhe të gjithë ndërhyrjet e Beogradit dhe të tjerëve që janë bërë në këtë gjykatë.
Nuk ishte e rastit sot, kryetari i komisionit të jashtëm të Kongresit, i nënkomisionit për Evropën, kongresmeni Keith Self kërkonte që ajo gjykatë të mos ketë ndikime politike.
Faktikisht u faktuan ndikime të forta politike.
Dhe, akuza u formulua mbi bazën e funksionit që kanë pasur.
Po kjo nuk ka ndodhur kurrë.
Ata ishin përfaqësues dhe drejtues të UÇK, por ata kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e popullatës të pambrojtur civile nga gjenocidi serb.
Gjenocidi serb, të cilin e mohon Edi Rama.
Sipas tij, Operacioni Patkoi, Masakra e Reçakut dhe masakra të tjera nuk kanë qenë gjenocid.
E mohon vëllai i Vuçiçit.
Gjithashtu thirrja jonë është për vetëpërmbajtje dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që emocionet të ndikojnë në rendin, qetësinë, stabilitetin e Kosovës.
Kjo do ishte e papranueshme dhe e dënueshme.
Kosova, shteti i saj, institucionet e saj, askush nuk ka të drejtë të marrë akte ndaj tyre, e aq më pak ndaj qytetarëve të çdo kombësie aty, në mënyrë absolute, kategorike, për një vendim të padrejtë të një gjykate.
Ndaj dhe thirrje u bëj edhe në Hagë shqiptarëve që nuk është kjo rruga e përballjes.
Rruga është nëpërmjet apelit, por edhe institucioneve të tjera.
Duhet parë sepse kjo gjykatë ka probleme të mëdha me ligjin e vet në radhë të parë.
Ndaj dhe duhet parë kjo në institucionet ndërkombëtare, i gjithë ky kuadër që shkonte me helikopter Edi Rama për t’ua imponuar gjykatën.
Gjykata duhej ngritur, por gjykata ngrihet sipas standardeve ndërkombëtare të njohura.
Edhe njëherë shprehim solidaritetin tonë të plotë me qytetarët e Kosovës, me familjet e ish-udhëheqësve politikë dhe udhëheqësit politikë të Kosovës në këtë ditë të vështirë.
Por në këtë ditë nuk mundet kurrë që emocionet të kërcënojnë rendin, sigurinë, paqen, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve apo të rendit në Kosovë.

Zonja dhe zotërinj, siç jeni informuar, javën e kaluar ne me një grup drejtuesish të PD, morëm pjesë në konventën e Partisë Republikane të zgjedhjeve afatmesme, i ftuar nga IDU për të marrë pjesë në këtë konferencë së bashku me zotin Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, anëtar i IDU si parti, njëlloj si ne.
Vetëkuptohet, pavarësisht nga komentet, kjo nuk ishte një vizitë personale, nuk ishte një udhëtim personal, nuk kishte asgjë personale në këtë udhëtim.
Ishte në respektim të një ftese dhe pjesëmarrje në aktivitetin më kryesor të partisë në pushtet, Partisë Republikane.
Para se të shkojmë aty, ne patëm një takim të shkëlqyer me diasporën dhe shpreh një mirënjohje të pakufishme ndaj tyre për pritjen që na organizuan, pritjen vëllazërore, angazhimin, mbështetjen e jashtëzakonshme.
Në konventë, faktikisht Dallasi ishte kthyer në kryeqytetin politik, të themi, të SHBA ato ditë.
Ndaj dhe ne patëm rast të bëjmë takime me personalitete të shquara, si të Kongresit të SHBA, por edhe të administratës së presidentit Trump.
Në të gjitha këto takime, ne kemi paraqitur realitetin shqiptar sipas mendimit tonë.
Dhe, jemi ndalur në dy çështje më themelore, narkoshtetin dhe farsën zgjedhore.
Mendoj se kemi gjetur mirëkuptim real me bashkëbiseduesit tanë.
Siç është faktuar dhe në qëndrimin e Sekretarit Rubio ndaj zgjedhjeve në Shqipëri, që nuk dërgoi mesazh urimi, sepse sipas zëdhënësit të DASH, ai uron vetëm zgjedhjet e lira, pra e qartë që administrata njihte zhvillimet në procesin zgjedhor, dorën e zezë, siç e shprehu dje kryetari i komisionit të Helsinkit në Kongresin e SHBA, Joe Ëilson që tha se janë përdorur nga Edi Rama, organizatat kriminale, faktorë të tjerë për të ndërhyrë në zgjedhjet.
Dhe, mendoj se këto takime ishin shumë të dobishme dhe shënojnë konsolidimin e një dialogu intensiv të PD me SHBA, bashkëpunimin me këtë vend të madh.
Por nga ana tjetër duhet të them këtu se ky udhëtim i imi duhet, dhe shpresoj të shërbejë, edhe si një apel bashkimi për të gjithë ata demokratë dhe demokrate, që gjer sot kanë konsideruar ndalimin e vizës për Sali Berishën si një pengesë për t’u bashkuar me ne.
Unë i ftoj ata të kthehen te kontributet e tyre.
Ata janë njerëz që kanë kontribuar.
Nuk e kam fjalën për aksionerët, bashkëaksionerët me qeverinë, se ata nuk vijnë edhe po t’u them unë edhe 100 herë, ata nuk i lënë aksionet e tyre.
Por e kam fjalën për shumë të tjerë, të cilët për mendimin e tyre janë distancuar nga partia, nga udhëheqja e saj, etj me radhë.
Është një moment që t’i ftoj me shumë sinqeritet, me shumë përzemërsi, dhe u ftoj ju të gjithëve që këtë qëndrim të mbajmë në mënyrë që këta zonja, zotërinj, që janë opozitarë, që qëndrojnë opozitarë, të rikthehen tek investimi i tyre, tek partia e tyre.
Situata në vend është në një rrokullisje dhe kaos, dhe duhet të jemi të qartë, Edi Rama është absolutisht pa asnjë shpresë.
Dhe në këtë kuadër na takon ne të bëjmë gjithçka për të krijuar shpresën, alternativën dhe besimin e shqiptarëve.
Përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë se kemi të bëjmë me një shtet bandit, bandë. Tani, që nuk njeh ligj, që vepron në kundërshtim me parimet dhe tërësisht në përputhje me interesat e caktuara.
Të lësh një sistem të tërë pa rroga, se je administrator i paaftë, bën një krim të vërtetë kushtetues. Ku e gjen ti autoritetin? Ti i mohon rrogën atij që në përputhje me ligjin del tetë orë në punë.
Çfarë do të thotë kjo? Janë me qindra e qindra punonjës dhe kjo është e paimagjinueshme. Buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit. Thesari nuk është i qeverisë, thesari është i shtetit. Ky është primitiv!
Ky tejkalon çdo lloj kufiri. Mor zotëri, se jemi edhe gabim kur vendos gjykata, ti nuk je gjykatës. Ti gjykatës nuk mund të bëhesh. Por të marrësh përsipër të bllokosh rrogat e punonjësve, s’ndodh kjo, nuk e bën kush. Kjo tregon se ky është një padrino pa asnjë lloj principi shtetari. Po marrim pak më shtruar, Gjykata Kushtetuese mori një vendim.
Nuk po them as i drejtë as i padrejtë, po një vendim në të cilin thotë me datë 28 duhet ta shqyrtoni, sjellni ligjin. Dhe ky i mësuar me gjykatën notere, e quajti vendimin e saj, gjë krejtësisht të pavlerë, të padetyrueshëm, si vendim e OJQ-së. Kuptoni ju?
Po pse s’mblodhe parlamentin? Pse s’e bëre ligjin ti gjer tani? Kanë 100% të drejtë ata. Pse nuk e bëre ligjin ti? Po ti, shiko çfarë koncepti primitiv, të turpshëm, se qeveria ka paratë dhe unë i jap siç i jap…
Çfarë ke para ti mor? Këto janë të shtetit! Ligjin s’e bëre, çfarë do bëjnë ata tani? Ata zbatuan vendimin të drejtë apo të padrejtë të gjykatës, apo të rrinin pa rroga? Kjo është dëshmia më flagrante e narkoshtetit. Vetëm narkos mund të veprojë në këtë mënyrë.
I vuri treshe, e morën aty sikur të ishin togë ushtarësh dhe i thoshte ‘preja mikrofonin’. Si mor preja mikrofonin, pse s’të pëlqen mendimi ty? Si i pret në parlament?
Këta janë banditë në çdo qëndrim. Shpif gjë ti, preja mikrofonin. Tjetrit futja duart në fyt duke zbritur shkallët e avionit, si me qenë skizoid i pamjekuar. Këta janë bërë të pakonceptueshëm.
E the të atij, jep mendim, po ai mendimin e vet do e japi. Po ai tjetri do të thotë ‘Rama nuk po të thotë’. Po a nuk luftuam ne për lirinë e fjalës? Çfarë do të thotë kjo?
T’i futësh duart në fyt tjetrit duke zbritur shkallët. Pse tha ‘Rama në burg’? Po në burg, e ka pak 100 herë absolutisht, me ato që bën. Pra, ne nuk pranojmë kurrë një gjë të tillë dhe e dënojmë me forcën më të madhe. Nuk ka akt kështu të paprecedentë në histori.
Buxheti është i shtetit, thesari është i shtetit. Nuk quhet i qeverisë. Është mësuar të vjedhë gjithë ditën edhe e kujton të vetin. E quajnë të vetin. Urdhëroni, dhe mendon për integrim evropian ky!
Ne duhet të paraqesim nismat tona në parlament.
E vlerësoj ngritjen e komisionit për çështjen Kaio. Askush, e kam thënë dhe e përsëris, as në Macondon e Garcia Marquezit nuk kanë ndodhur këto që ndodhin në Shqipëri. Jo, kurrë.
Tani me paratë tona, me paratë e taksapaguesve, blihen mjetet dhe i shiten shtetit. Ndodh në botë kjo? Të jap paratë për t’i blerë, i blen dhe tani t’i blej unë prapë.
Ka vjedhje më të turpshme se kjo miq? Implikojnë Shqipërinë shumë keq në kontrabandë shumë të keqe. Blen armë nga zonat e luftës. E ndaluar me ligje.
Dhe meqenëse është e ndaluar me ligje të blesh armë nga zonat e luftës, i bjen në Shqipëri dhe i paraqet si prodhim i Veliut dhe Pucës. Turpe të paimagjinueshme.
Dhe i Yeffeti Agasi, i huaji Agasi. A e dini ju që edhe aeroportin e Vlorës do t’ia japë Yeffetit? Po ti marrin vetë? Nuk ka mbetur investitor i huaj në Shqipëri, këmbë investitori nuk ka në Shqipëri.
I përzë një nga një, në mënyra si kjo e Yeffetit.
Tani në tre arbitrazhe jemi ne nga Behgjet Pacolli. Dhe jua them unë që absolutisht ai nuk ka dasht. Se Begjeti është me atë kuverturën politike, atdhetare, etj., nuk ka patur dëshirë kurrë të padisë Shqipërinë.
Po si mor, 600 milionë minimumi shkon ajo? 600 milionë! Del tani se do ta marri Yeffeti me Agim Veliun. Këta janë të çmendur, këta i ka çmendur hajnia. Këta s’kanë kufi.
Iku ministrja e Shëndetësisë. Pse iku? Iku se nuk vodhi, ç’është e vërteta. Po ky që unë i thoja ‘hiçollari’, ky i rendit. Ai ishte ‘hiçollari’ ja kisha thënë në parlament, ai revoltohej, s’kuptonte… E hoqi menjëherë. Kush e hoqi? Ergys Agasi e hoqi.
Absolutisht, sepse u arrestua në kundërshtim me vullnetin e Ramës. Edhe ky rroftë partia, se më vjen nga partia ime. Po ama, ky tjetri që erdhi, ky i ka rrënjët në kartele. Ah, jo nuk është kështu i thjeshtë, mos e merrni.
Ky i ka rrënjët në kartele, prandaj atë e vunë. Po Demon? Ky është me rrënjë. Por Ergysi hoqi ministrin e katërt ama. Ky ishte i katërti, i hiqte Ergys Agasi. Por këtij mirë ja bëri, ky ishte ‘hiçollar’. I thosha ‘ti je hiçollari’, ai ngrihej aty dhe bënte avokatin.
Edhe dy fjalë, përkrahje të plotë protestës.
Tani zgjedhësit tuaj, me ju duhet të jenë në protestë, si qytetarë.
Dhe sa më shumë bashkë me ata që ju kanë votuar, sepse e vërteta është që Edi Rama është një pothuaj kufomë e pakallur.
Dhe ajo protestë, ai nuk kupton që ata po e zvarrisin atë.
Si duhet ta përfytyrojnë shqiptarët atë protestë? Si zvarritje politike në bulevard të Edi Ramës.
Atë po i bëjnë qytetarët.
Zoti ju bekoftë dhe ne duhet t’i ndihmojmë me të gjithë mundësitë tona.
Faleminderit.


