Berisha uron Fiter Bajramin: Do dyfishojmë fondet për komunitetet fetare. Ora e faljes së të Premtes do të jetë orar pushimi

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS VIZITËS NË KMSH

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë vizitës së tij në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit.

Duke folur për mediat, kryedemokrati u shpreh se, qeverisja e PD-së pas 11 majit do të dyfishojë fondet për komunitetet fetare.

Berisha deklaroi se, do të bëjë gjithçka që është e mundur që pronat e komuniteteve fetare, që janë pronat më të plaçkitura në këto vite, të kthehen atyre që u takojnë.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi në fjalën e tij për mediat, se do të vendoset si orar pushimi, koha e faljes së të premtes në xhami.

Prononcimi për gazetarët:

Erdha për të uruar Fiter Bajramin, kryetarit të Komunitetit Mysliman, hirësisë së tij Bujar Spahiu, bashkëpunëtorëve të tij dhe me këtë rast të gjithë besimtarëve që kanë agjëruar dhe gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë të nderimit të përkushtimi, sakrificës së njeriut ndaj të madhit Zot, vlerave hyjnore më të mira.

E shfrytëzova rastin për të zotuar para kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe të gjithë shqiptarëve se, pas 11 majit nga vendimet e para do të jetë dyfishimi i fondit për komunitete fetare, fond i cili është i domosdoshëm dhe u takon plotësisht.

Sikundër një përpjekje madhore do të bëhet për rikthimin e pronave të tyre, ose kompensimin, pasi pronat e komuniteteve fetare, janë pronat më të plaçkitura në Shqipëri.

Së treti unë garantoj, dhe e garantova dhe kryetarin e Komunitetit Mysliman dhe garantoj besimtarët myslimanë se, falja ditën e premte do të përcaktohet në ligj dhe në orar.

Dhe çdo besimtar mysliman që dëshiron të kryejë detyrën e tij me faljen në xhami do të ketë kohën e dhënë për këtë destinacion.

Pra nuk do mund të bëhet më orari zyrtar pengesë që njerëzit të falin të Premten, që për myslimanët është dita e faljes. Kjo nuk është lehtësi, por detyrim dhe do të vendoset menjëherë pas 11 majit.

Nuk mund të mos theksoj se, trashëgimia jonë më e shkëlqyer është toleranca fetare dhe unë shpreh admirimin tim më të thellë për udhëheqësit e Komunitetit Mysliman dhe udhëheqësit në tërësi të komuniteteve fetare dhe të gjithë klerikët shqiptarë për punën e tyre, urtësinë dhe mençurinë e tyre në konsolidimin, zhvillimin më tej të kësaj trashëgimie të shkëlqyer.

Edhe njëherë, është një ditë nderimi për ata që sakrifikuan, që agjëruan, por edhe për të gjithë klerikët, hoxhallarët, priftërinjtë dhe për të gjithë ata që sakrifikojnë çdo ditë në shërbim të Zotit dhe vlerave hyjnore.

Gëzuar!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale