Berisha: Udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt të keqes. Është koha të votojmë ndryshimin. Ne do fitojmë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË TROPOJË

EKSTRAKT 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim elektoral në Bajram Curri, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për bashkinë e Tropojës, Besnik Dushaj. 

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, bëri thirrje që anjë votë të mos shkojë për Edi Ramën, sepse udhëtimi me të, është udhëtim drejt të keqes. 

‘Udhëtimi me Edi Ramën është një udhëtim drejt varfërisë, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt skamjes, udhëtimime Edi Ramën është udhëtim drejt boshatisjes së Shqipërisë, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt pasigurisë dhe krimit, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt vjedhjes së buxhetit dhe pasurisë së qytetarëve. Është udhëtim drejt të keqes’, tha Berisha. 

Më pas kryedemokrati, Sali Berisha bëri thirrje që të gjithë të kthehen në Shqipëri dhe në datën 14 maj të votojnë ndryshimin.

‘Ndaj dhe këtë javë që ka mbetur ju bëj thirrje që të takoni çdo banor të këtij rrethi, të ftoni çdo banor të këtij rrethi të dalë në zgjedhje. Nuk është koha më për ngurrime, nuk është koha për zhgënjime. Është koha të votojmë, të votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart e gjithsecilit. Ne do fitojmë!’, tha kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalimit të Bajram Curri.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Malësisë së Gjakovës, qytetit të Bajram Currit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.

Përulem me mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh para jush, para të gjithë malësorëve të kësaj malësie, për qëndrimet tuaja, mbështetjet tuaja, rolin që keni luajtur dhe luani gjithnjë në fatet e Malësisë së Gjakovës dhe gjithë Shqipërisë.

I dashur drejtues politik i zgjedhjeve në qarkun e Kukësit, deputeti Isuf Çelaj.

E nderuar anëtarja e kryesisë së PD, zonja Hajdarmataj. 

I nderuar kryetari i PD-së, zoti Bardhyl Hoxha.

I dashur kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj.

Ju sjell përshëndetjet më të zjarrta, frymën e fitores nga Peshkopia, Bulqiza, Burreli, Klosi, Mamurrasi, Fushë Kruja dhe mbarë Shqipëria. Kjo pranverë shënon njëlloj si pranvera e vitit 1992, fundin e sistemit monist, fundin e pushtetit të  përqendruar në duart e një njeriu, fundin e atij sistemi që ka sjellë për shqiptarët dhe për çdo vend tjetër ku është instaluar, dramat më çnjerëzore. 

Sot ne vijmë në këtë shesh më të vendosur se kurrë, më të sigurtë se kurrë, me 14 maj me votën tonë, duke votuar për Besnik Dushën, qytetarin shembullor, menaxherin e shkëlqyer, qeveritarin vendor të sprovuar, kemi votuar gjithashtu për përmbysjen e sistemit monist dhe vendosjen e pluralizmit politik në Tropojë dhe mbarë Shqipërinë.

Besnik Dusha është një malësor i cili mishëron vetitë më të arrira tuajat, dashurinë e madhe për Malësinë e Gjakovës, për qytetarët e saj, përkushtimin e pakufizuar për të bërë të mundur, shërbimet më dinjitoze që meritoni, për të përdorur taksat tuaja në mënyrën më transparente.

Besnik Dusha ka një detyrë dhe ajo detyrë është të ftojë këtu para jush, Rexh Biberin dhe ti thotë, Rexhë hajde tu japim llogari këtyre qytetarëve, ti nxjerrim xhepat, të bëjmë bilancet, çfarë ke bërë ti dhe çfarë kam bërë unë gjatë qeverisjes. Tu thuash të gjitha mendimet që ke dhe Besniku ka të drejtë të tregojë të gjitha dokumentet. 

Rexha në këto vite e ka shndërruar bashkinë e Tropojës në një gropë më të thellë se përroin e Shudenicës. Po, po. 

Dalja e qeveritarëve para qytetarëve, është akt ligjor dhe i detyrueshëm. Por Rexha nuk del, se nuk mund të dalë, se i del gropa e madhe që ka bërë në bashki, i dalin tenderat që i ka dhënë, si ai e din. I dalin pra, të gjitha aktet e tij me të cilat vërtetë nuk u ka shërbyer qytetarëve të Malësisë së Gjakovës, por vetëm xhepit të tij.

E pashë në Kukës me Edi Ramën. Edi Rama i thoshte Safet dhe Rexhë, vallen e Tropojës, por Rexha dhe Safeti dhe Edi dinë vetëm vallen e lekut, nuk dinë valle tjetër o miqtë e mi. Po. Po. 

Por këto zgjedhje janë shumë herë më tepër për çdo patriot të Malësisë së Gjakovës, për çdo demokrat, për çdo socialist, për çdo të paparti. Janë shumë më tepër se zgjedhje për qeverisjen vendore, janë zgjedhje kundër një njeriu që ka pushtuar, marrë në dorë të gjitha pushtetet dhe i përdor kundër qytetarëve. Kundër një njeriu që ka zbrazur Tropojën si asnjë pushtim. 

Ka larguar çdo institucion. Kundër një njeriu, që javën e parë që erdhi në pushtet, preu ndihmën ekonomike për qarkun e Kukësit në 20 mijë familje. Një racist i egër! Preu ndihmën ekonomike vetëm e vetëm se pse nuk e votuan në vitin 2013.

Tropoja dhe veriu, ia them përsëri, kanë te Edi Rama pas Enver Hoxhës dhe Car Dushanit, armikun e tyre më të egër, racistin më të papërmbajtur. Bërtiste në zyrën e tij si i sfazuar se na vjen Gjoni apo Marku nga mali, që s’ka parë det në jetën e tij dhe na pushton këtu 50 apo 100 hektarë. Ai Gjoni që kishte hektarët në det, ishte stërnip i Marko Boçarit, por injorantin, racizimi i tij nuk e lejonte të shikonte as dokumentet. 

Pra, asnjë verior nuk mund t’i japë votën atij. Edi Ramës nuk i jepet vota dhe përfaqësuesve të tij. U them socialistëve të Tropojës, se kam respekt për ta, kam respekt për qëndrimin në opozitë siç kam qëndruar edhe vetën opozitë. Kam respekt se Besoj se ata e duan Tropojën dhe janë patriotë. Por nuk i jepet vota atij që i thotë se e kam sivëlla Vuçiçin dhe kundërshtar Albin Kurtin.

Nuk i jepet vota atij që e ka për nder miqësinë me Aleksandër Vuçiçin, njeriun që ka të regjistruar gjenocid kundër shqiptarëve. Nuk i jepet vota Edi Ramës që bën thirrje BE-së dhe i thotë; se Shqipëria në BE pa Serbinë nuk ka kuptim. Por BE-ja do të donte 10 herë të anëtarësonte Serbinë, por Serbinë e mban peng Vuçiçi dhe nacionalizmi serb. Se e mbajnë të lidhur me rusët, se e mbajnë prapavijë ruse. 

Çfarë lidhje ka Shqipëria dhe shqiptarët fatin e vet me serbët. E lidh vetëm ky që është një vasal i Vuçiçit. Në vend që ta lidhë me Kosovën, të mbështesë Kosovën, qarkullon çdo tezë, çdo mendim të Aleksandër Vuçiçit. Atëherë më thoni ju mua, a mundet një patriot shqiptarë të votojë si ky. A mund të votohet Edi Rama që nga vitit në viti, ju zhyti ju, i zhyti të gjithë shqiptarët në varfëri dhe mjerim. 

Miqtë e mi!

Nga viti 2013 gjer më sot, çmimet arritën në stratosferë. Vetëm nga viti 2021-2022, secili prej jush ka paguar për ushqimet, 430 mijë lekë më shumë. Keni paguar dy pensione më shumë, pothuajse një rrogë më shumë.

Jo vetëm që nuk rriti rrogat, por vuri bordet komuniste për t’ua rritur çmimet. 

Natyrisht nëse vendos tiraninë e varfërisë, tiraninë e skamjes ata nuk kanë alternativë tjetër vetëm të nisen ku të munden për një jetë më të mirë. Ndaj edhe në tetë vite, si kurrë në historinë e këtij kombi, u larguan nga vendi më shumë se një e treta e shqiptarëve. Më thoni ju, a votohet ky njeri?

Ndryshimi është jetik! Shqipëria është në rrezik ekzistencial. Nëse vazhdohet me këto ritme, çfarë do mbetet në Shqipëri pas 16 vitesh? Por cili është qëndrimi i tij ndaj këtij fenomeni shkatërrimtar. Do sjellim indianë, bangladeshas, kjo do të thotë të ikin të rinjtë tanë, kjo do të thotë Shqipëria të falimentojë. 

Është koha pra, që secili t’i thërrasë vetëdijes së tij si shqiptar. Pavarësisht nga bindjet partiake, të ndahemi me këtë njeri.

Udhëtimi me Edi Ramën është një udhëtim drejt varfërisë, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt skamjes, udhëtimime Edi Ramën është udhëtim drejt boshatisjes së Shqipërisë, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt pasigurisë dhe krimit, udhëtimi me Edi Ramën është udhëtim drejt vjedhjes së buxhetit dhe pasurisë së qytetarëve. Është udhëtim drejt të keqes. 

14 maji duhet të jetë fundi i tij.

U garantoj se pas rivendosjes së pluralizmit me votimin e Besnik Dushës në Tropojë, në një afat shumë të shkurtër, Edi Rama do ti thotë mirupafshim pushtetit.

Dhe jo vetëm kaq. 

Ose do shkoje te McGonigali në Uashington atje ku e pret, ose do të shkojë aty ku e kanë vendin kriminelët elektoralë, aty ku e kanë vendin ata që kanë vjedhur qindra milionë euroshqiptarëve, aty ku e kanë vendin, ata që kanë kryer gjenocid mbi shqiptarët duke i larguar nga vendi i tyre.

Ndaj dhe këtë javë që ka mbetur ju bëj thirrje që të takoni çdo banor të këtij rrethi, të ftoni çdo banor të këtij rrethi të dalë në zgjedhje. Nuk është koha më për ngurrime, nuk është koha për zhgënjime.

Është koha të votojmë, të votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart e gjithsecilit. Ne do fitojmë!

Asnjë votë për Rexh Biberajn. 

Miqtë e mi! 

Po iu drejtohem socialistëve: më thoni pak, cili prej jush ka votuar për emërimin e tij, për përzgjedhjen e tij për kandidat për kryetar bashkie? Cili prej jush është pyetur? Kurrë mos votoni për ata që për hir të xhepit, ndërrojnë çdo pushtet.

Rexh Biberi pasi qëndroi për vite të tëra, pushtetar i PD-së ndërroi çdo parti që i ofroi pushtetin. Çdo socialist i Tropojës është 10 herë me më shumë integritet se Rexh Biberi.

U garantoj se kësaj radhe, askush nga Biberajt nuk do e votojë.Jo.

Miqtë e mi!

14 maji është ditë ndryshimi i madh, hapet rruga për përmbysjen e këtij regjimi monist. U garantoj se të gjitha institucionet do rikthehen siç kanë qenë në rrethin e Tropojës. U garantoj se nga Çeremi gjer në Skatinë, i gjithë rrjeti elektrik i fshatrave të Tropojës do rindërtohet.

U siguroj se Autostrada e Alpeve do jetë autostrada më panoramike e Ballkanit dhe Europës.

Ju bëj thirrje malësorëve të Malësisë së Gjakovës kudo që janë, në Tiranë, në Shqipëri, në Kosovë, në Europë dhe kudo që ndodhen.

Më 14 maj të vijnë dhe të votojnë.

Tropoja ka nevojë jetike për votën e tyre, e cila kësaj radhe është votë misionare.

Të vijnë dhe të firmosin ndryshimin, të firmosin fitoren!

Rroftë Malësia e Gjakovës, rrofshin malësorët e saj. 

Nderimet më të mëdha ja për ju. Mirënjohjen më të pakufishme. 

Fitore, fitore, fitore. 

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale