FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të frymëzohen nga guximi i Azem Hajdarit, heroit që udhëhoqi lëvizjen studentore kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Ai e përkujton Hajdarin si një figurë legjendare dhe simbol të lirisë, duke theksuar se fitorja është e sigurt nëse ndiqet shembulli i tij.
Gjatë fjalës së tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Kryetari i PD Berisha ka akuzuar me tone të ashpra kryeministrin Rama për përfshirje në trafikimin e 20 mijë ton mbetjesh toksike, duke thënë se Rama e mohoi situatën dhe fajësoi Berishën. Sipas Berishës, Rama dhe ministrat e tij janë përgjegjës për shkeljen e rregullave të sigurisë dhe për këtë trafik të rrezikshëm.
Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në tubimin qytetar poshtë banesës së tij, ka akuzuar Edi Ramën për kërcënime drejtuar kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, pasi ky i fundit rihapi në parlament çështjen e përfshirjes së Olsi Ramës në trafik.
Berisha përmend disa raste ku, sipas tij, Edi Rama ka përdorur lidhjet e tij me drejtësinë për të mbyllur çështje të rënda kriminale që përfshijnë edhe anëtarë të tjerë të qeverisë dhe familjes së tij. Ai kritikon ashpër sistemin e drejtësisë, duke e quajtur atë një organizatë kriminale të kontrolluar nga Rama për të mbrojtur veten dhe të afërmit e tij nga ndjekjet ligjore.
Kryedemokrati Sali Berisha, i është drejtuar Ramës dhe prokurorin Altin Dumani duke i akuzuar për ndjekjen penale të dy biznesmenëve të njohur, Xhim Begeja dhe Fatmir Bektashi, duke i cilësuar këta të fundit si viktima të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Berishës, Bektashi është akuzuar për korrupsion thjesht sepse sponsorizoi udhëtimin e këngëtares Elhaida Dani dhe mentorit të saj, Rikardo Koçante, për një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës në vitin 2013. Berisha e përshkruan këtë si një akuzë të pabazë dhe një përpjekje për të sulmuar personalitete të respektuara të biznesit shqiptar.
Berisha ka shprehur falënderimet e tij ndaj Fatmir Bektashit për sponsorizimin që ka bërë, për të cilin Berisha është shprehur se nuk ka patur dijeni, dhe ka kritikuar ashpër hetimet ndaj tij.
Ai ka theksuar se Bektashi, Xhim Begeja dhe Jamarbër Malltezi, të cilët janë të akuzuar për shkak të lidhjeve me Berishën, kontribuan në ndërtimin e një kopshti modern në Tiranë dhe ndihmuan familjet e strehuara në zonën e klubit Partizani. Berisha e konsideron hetimin si të motivuar politikisht dhe të padrejtë, duke e cilësuar si një akt hakmarrës nga Edi Rama dhe prokuroria.
Berisha ka akuzuar drejtësinë shqiptare dhe politikanët e lidhur me të, duke i quajtur “avokatë të krimit” dhe “mercenarë” që mbrojnë padrejtësitë me pretekstin se janë krijuar nga Amerika. Ai përmend emra të veçantë, si Arben Kraja dhe Altin Dumani, duke i krahasuar me ish-xhelatët e policisë sekrete të Enver Hoxhës. Berisha ka theksuar se ndjekjet penale kundër personave që kanë ndërtuar në pronat e tyre janë të motivuara politikisht për shkak të lidhjeve familjare me të.
Sipas liderit demokrat, kjo është drejtësia e kontrolluar nga Xhorxh Soros dhe Edi Rama, ndaj ai ka drejtuar thirrje për protesta dhe ndryshim pushteti me zgjedhje të lira dhe një qeveri teknike.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme për qëndresën, guximin, vendosmërinë, misionin tuaj në mbrojtje të kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Mirënjohje oratorëve të fjalës së lirë në këtë platforme.
Mirënjohje shqiptarëve që protestojnë dhe ngrihen për dinjitetin e tyre.
Të dashur miq, si sonte 26 vite më parë, terroristë të partisë së krimit, të Partisë Socialiste, ekzekutuan para selisë së PD-së tribunin legjendar të rinisë shqiptare, heroin, prijësin e lëvizjes studentore që përmbysi diktaturën më të egër komuniste, themeluesin e PD-së dhe pluralizmit politik, Azem Hajdarin.
Azem, ti je gjallë!
Të dashur miq, dhe në mënyrë të veçantë ju të rinj dhe të reja, nderimi më i madh që mund t’i bëni prijësit të pavdekshëm të rinisë shqiptare, tribunit të lirisë, njeriut që bëri më shumë se kushdo tjetër për lirinë e këtij vendi, çlirimin nga diktatura komuniste, është të frymëzoheni nga guximi i tij.
Të frymëzoheni nga trimëria e tij dhe ju garantoj se fitorja është në duart tona, është e sigurt dhe do jemi fitimtarë.
Azem, ti je gjallë!
Të dashur miq, sot Edi Rama me një gjuhë të denjë vetëm për atë që nuk ka normat më minimale të edukatës dhe moralit njerëzor në parlament, duke shfryrë si ordiner, nuk po përdor epitetet që meriton, mori përsipër me fjalën e tij mashtrimin e madh, mashtrimin me lëndët toksike, mbetjet e rrezikshme, trafikun dhe tregtimin e tyre.
Ai, pa u zverdhur, pas u skuqur, fajësoi për trafikun ‘fajin e ka Saliu’ dhe mashtroi shqiptarët se ai nuk ka ndodhur kurrë.
Se ato mbetje nuk janë të rrezikshme dhe se kjo, sipas tij, ishte një shpikje e Sali Berishës.
Me këto deklarata në parlament, Edi Rama faktoi se prapa atij trafiku të rrezikshëm qëndron ai personalisht dhe ministrat e tij.
Dhe nuk bëhet fjalë, të dashur miq, nuk bëhet fjalë as për 100 as për 800, por të dhënat e fundit janë se bëhet fjalë për 20 mijë ton mbetjesh toksike, të cilat askush nuk e di se nga dalin, se nga vijnë dhe si vijnë, se ku prodhohen, si prodhohen.
Absolutisht Kurumi prodhon mbetje toksike, metalurgjitë, furrnaltat prodhojnë, por prodhimi i tyre në Shqipëri dhe kudo në botë ka kodin e transportit, kodet e përpunimit, kodet e bërjes të parrezikshme.
Kurse në Shqipëri, këto kode shkelen dhe tani sipas tij, qenka Sali Berisha ai që ka urdhëruar Mbretërinë e Tajlandës të kthejë mbrapsht anijet që transportojnë mbetjet toksike.
Sipas tij, nuk është Ministria e Mjedisit, që ka nisur helmet me etiketa jo-helm, por ata kanë bërë detyrën.
Me deklaratat e sotme, Edi Rama faktoi para mbarë shqiptarëve se në këtë trafik është edhe dora e zezë e Edi Ramës.
Të dashur miq, sot Edi Rama në parlament kërcënoi personalisht Gazment Bardhin se do merrej personalisht me të sepse Gazment Bardhi riktheu edhe njëherë në debat, në organet e drejtësisë, dosjen e trafikantit Olsi Rama.
Këtu para jush kam lexuar në mënyrë të përsëritur datat e përdorimit të Range Roverit të grupit trafikant nga Olsi Rama, kalimet e kufirit, procesverbalet e ‘të paidentifikuarit’.
Por përsëri me Skapin e tij, me këta mercenarë që nuk njhin ligj as moral, me këtë organizatë kriminale ndër më të rrezikshmet në Europë që amniston vrasësit serialë, që amniston pengmarrësit, që amniston hajdutët e miliardave si Edi Rama, Erion Veliaj, Ilir Beqaj, Belinda Balluku, Gjiknuri, etj, etj, beson se do mbyllë edhe aferën e Olsi Ramës.
Beson se do të mbyllë edhe aferën e McGonigalit.
Beson se do të mbyllë edhe dosjen e Linda Ramës.
Beson se do të mbyllë dosjen e tunelit të Llogarasë.
Beson se do të gëzojë 224 mijë metër katrorë tokë të grabitura pas asnjë dokument kadastral apo regjistrimi nga ndonjë qeveri.
Beson se ai kontrollon çdo qelizë të atij institucioni.
Dhe njëherë them, grupi të strukturuar kriminal, organizate të strukturuar kriminale.
Të dashur miq, sot me urdhër të Edi Ramës, grupi i strukturuar kriminal me në krye Altin Zamanin, morën të pandehur dy biznesmenë, dy pasardhës të familjeve themeluese të Tiranës, Xhim Begeja dhe Fatmir Bektashi.
Shqiptarët duhet ta dinë se këta anëtarë të organizatës kriminale të Skapit kanë akuzuar për korrupsion me Sali Berishën, Fatmir Bektashin sepse ky biznesmen i nderuar, që ka ndërtuar në të gjithë Tiranën gjithë jetën e tij, dhe që tani ka ndërtuar në tokën e tij, paska sponsorizuar në vitin 2013 një udhëtim të Elhaida Danit dhe Rikardo Koçantes, kur ajo fitoi Voice Of Italy.
Ministria e Kulturës ftoi këngëtaren tonë, e cila korri një sukses të jashtëzakonshëm në Itali, dhe mentorin e saj që ishte arkitekt i atij suksesi, Rikardo Koçante në Shqipëri, për të nderuar me një medalje nga Presidenti i Republikës, këngëtarin e njohur italian.
Fatmir Bektashi paska sponsorizuar me 4500 euro udhëtimin dhe qëndrimin e tyre dy net në Tiranë.
Pra, ky është korrupsioni i Sali Berishës, sepse një biznesmen ka sponsorizuar jo për kryeministrinë, për Ministrinë e Kulturës, në përputhje me të gjitha rregullat, me deklarime dhe çdo gjë, ardhjen e njërit prej personaliteteve më të njohura të këngës dhe muzikës italiane.
Fatmir Bektashi, Xhim Begeja, Jamarbër Malltezi, i kanë dhuruar kryeqytetit në tokën e tyre, me paratë e tyre, kopshtin më modern të të gjithë Tiranës për fëmijët e komunitetit.
Këta të tre, që janë sot të pandehur vetëm për shkak të Sali Berishës, strehuan 42 familje ose u dhanë atë që kërkuan, të cilët ishin të strehuara në zonën nën lokalet e klubit Partizani.
Nuk nxorën asnjë në rrugë.
Nuk kërkuan kurrë mbështetjen e policisë për t’i përzënë si pushtues.
Përkundrazi ndanë me ta një pjesë të ndërtimeve të tyre për të mos i lënë të pastrehë dhe të tjerëve u dhanë një shpërblim për largimin nga toka e tyre.
Pra, Xhim Begeja me ekipin e tij pak vite më parë, valëviti flamurin e kombit në majën e Everestit.
Sot, soji i hajdutit, soji pa soj, se nuk po e lëshoj gojën, i Edi Ramës, i vë ata nën akuza false vetëm e vetëm për urrejtje ndaj Sali Berishës.
Akuzon Fatmir Bektashin, të cilin unë sot e falënderoj për atë sponsorizim që ka bërë, por mësova nga akuza e Edi Ramës.
Pse u ndala këtu?
Në asnjë rrethanë, as në diktaturë, kjo nuk ndodhte kurrë.
Një veprim i kryer për llogari të një institucioni, pa asnjë lidhje, pa asnjë ndërhyrje nga Sali Berisha, por i kryer në përputhje të plotë me ligjin, të dënohet tjetri për të, për diçka që nuk ka asnjë lidhje.
Kjo është fytyra e vërtetë e Skapistëve pa fytyrë.
Avoketërve të krimit, u them se ju që mbroni Skapin me pretekstin se e krijoi Amerika, ju jeni të aftë të përdorni Amerikën për të mbuluar çdo krim, çdo vjedhje, ço hajni, çdo poshtërsi.
U them se ju nuk keni ndërgjegje njerëzore, nuk keni moral. Keni moralin e hienave, keni moralin e çakenjve që lëpini kockat që u hedhin.
Jeni ju njerëz? A mund të akuzohet tjetri për korrupsion të lartë pse ka sponsorizuar një personalitet të madh të muzikës italiane dhe jo për koncert, se mund të ishte për koncert, jo, jo, për një nderim presidencial?
Po çfarë dallimi ka sigurimsi Arben Kraja?
Çfarë dallimi ka mercenari Altin Dumani?
Çfarë dallimi ka motra biologjike e Taulant Ballës, ndrikulla e krimit Millonai me ish-xhelatët e policisë sekrete të Enver Hoxhës?
A ka nënshtrim, a ka poshtërim më të madh, merr të pandehur njerëz që kanë ndërtuar në trojet e veta, që kanë paguar çdo qindarkë, që i kanë dhënë komunitetit kopshtin, i kanë lënë 1500 metra për gjimnaz?
Dhe janë fajtorë sepse janë kushërinjtë apo ortakë me dhëndrin e Sali Berishës.
Qytetarë dhe qytetare, kjo është fytyra e Edi Ramës.
Kjo është fytyra e xhelatit, e bastardit të xhelatëve, Kristaq Rama dhe Spiro Koleka.
Kjo është fytyra e drejtësisë së Xhorxh Sorosit, ndaj dhe sot më shumë se kurrë të gjithë në këmbë, në protestë, qeveri teknike, zgjedhje të lira, ndryshim pushteti.
Fitore, fitore, fitore!