Berisha: U bëj thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve të lënë çdo gjë dhe të bashkohen me studentët në këto momente historike. I kërkoj Edi Ramës dorëheqjen urgjente si rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë ku e ka zhytur vendin

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të bashkohen me protestën studentore, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës si rrugën e vetme për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Gjatë deklaratës së sotme për mediat, ai dënoi dhunën policore ndaj protestuesve, ndërsa deklaroi se greva e përgjithshme në fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe lëvizjet në universitetet e Elbasanit, Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Korçës janë përgjigjja e studentëve ndaj asaj që ai e cilësoi si barbarinë e regjimit. ‘U bëj thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve të lënë çdo gjë dhe të bashkohen në këto momente historike për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre’, deklaroi Berisha.

Kryetari i PD-së Sali Berisha përshëndeti bojkotin e përgjithshëm në fakultetet e Universitetit të Tiranës dhe lëvizjet studentore në qytete të tjera, përfshirë Elbasanin, Vlorën, Shkodrën, Durrësin dhe Korçën. Ai tha se protestës po i bashkohen edhe gjimnazistët, ndërsa akuzoi Edi Ramën dhe Ervin Demon si njerëzit që i kanë dhënë urdhër policisë të ushtrojë dhunë rëndë ndaj demonstruesve. ‘Janë në spitale disa demonstrues që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale’, u shpreh lideri i opozitës Sali Berisha, duke treguar edhe rastin e një protestuesi të cilit, policia i kishte thyer këmbën.

Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u ka bërë thirrje pedagogëve, mësuesve dhe prindërve të rreshtohen në mbështetje të të rinjve, ndërsa kërkoi që edhe bizneset e vogla të ndërpresin aktivitetin në shenjë proteste. ‘Studentët kanë bërë zgjedhjen e tyre. Kanë treguar rrugën që duhet të zgjedhin të tjerët’, theksoi kryetari i PD-së Sali Berisha, i cili e cilëson qeverinë e Edi Ramës si një ‘narko-regjim shkatërrimtar’. Ai iu drejtua gjithashtu punonjësve të policisë, duke u kërkuar të rebelohen kundër urdhrave që, sipas tij, cenojnë qytetarët.

Gjatë deklaratës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira. ‘I kërkoj Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen si rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë dhe më pak të dhimbshme të krizës së thellë në të cilën e ka zhytur vendin. Largimi i tij i menjëhershëm, krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza.

FJALA E PLOTE:

Dhunës së egër barbare të urdhëruar nga Edi Rama dhe vasali i tij Demo, universiteti i Tiranës iu përgjigj në mënyrën më dinjitoze, më të vendosur me grevën e përgjithshme të fakulteteve të këtij universiteti, iu përgjigjën universitetet e vendit me greva si fakulteti i biznesit në Elbasan, lëvizje të tjera në universitetet e Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës.

Iu përgjigjën kësaj barbarie gjimnazistët e gjimnazit ‘Partizani’.

Narkoregjimi mbylli me hekura dyert e gjimnazit ‘Ismail Qemali’, por në Shkodër e Tiranë, në shkolla të tjera nxënësit braktisën bankat dhe janë nisur drejtë protestës.

Sot dhjetëra mijëra studentë dhe qytetarë në mbështetje të tyre e avancuan nga ora 2 në ora 10 të mëngjesit, kanë mbushur Rrugën e Durrësit dhe po qëndrojnë me një vendosmëri epike.

Janë në spitale disa demonstrues që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Njëlloj sikur të ishin kafshë të egra, i thyen këmbën protestuesit të rrëzuar përdhe, thyerje e cila, mënyra se si e transportuan si kafshë, mund t’i kushtonte jetën se në rast se arteria e asaj zone do çahej nga kockat, ata asnjë lloj ndihme nuk mund t’i jepnin.

Edi Rama, në vend të dorëheqjes së tij, kërkon t’u servirë studentëve shkarkimin e Hitës apo ndonjë tjetri në një kohë kur ai qëndron vetë direkt prapa urdhrit.

PD ka mbështetur me të gjithë potencialin e saj, dhe do mbështesë me të gjithë potencialin e saj protestën studentore.

Ndaj dhe jam këtu për t’u bërë thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve të lënë çdo gjë dhe të bashkohen në këto momente historike për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre.

U bëj thirrje të gjithë pedagogëve, pedagogeve, mësuesve, mësueseve, të rreshtohen së bashku me nxënësit e tyre në anën e drejtë të historisë kundër këtij regjimi të urryer, narko-regjim shkatërrimtar për qenien shqiptare.

Sikundër paralajmëroj se në mënyrë absolute do mbahen qëndrimet më të rrepta ndaj mercenarëve që kërkojnë të trysnojnë nxënësit apo studentët duke zbatuar urdhrat e regjimit.

Para studentëve dhe nxënësve është historia.

Klasat tashmë nuk i nxënë më ata.

Ata i ka thirrur historia në një lëvizje vendimtare për përmbysjen e këtij regjimi.

Uragani i revoltës studentore kundër Padrinos Edi Rama dhe larove të tij, lakejve të tij, ka tashmë në krye rininë studentore të Shqipërisë, e cila me guxim epik dëshmoi dje se është e aftë dhe e gatshme t’i thotë ndal dhunës së regjimit amoral, vjedhjeve, poshtërimeve, abuzimeve, shitjes së vendit nga Edi Rrama për të pasuruar dhe mbajtur në pushtet nomenklaturën e urryer ekonomike dhe politike të narko-shtetit.

Jo vetëm demokratët, por sot çdo prind që ka një fëmijë në gjimnaz apo në universitet, duhet t’u bashkohet atyre në shesh.

Çdo biznesmen i vogël duhet të ulë qepenat dhe të hidhet në grevë së bashku me rininë studentore kundër regjimit që në fakt ka zhytur në agoni bizneset e tyre.

Edhe njëherë, këto ditë ndahet historia, ana na të cilën duhet të qëndrojnë qytetarët shqiptarë.

Studentët kanë bërë zgjedhjen e tyre.

Kanë treguar rrugën që duhet të zgjedhin të tjerët.

Jam këtu para jush për t’i bërë thirrje narko-policisë, ju që thyet kocka të rinjsh, por edhe burrash të moshuar, ju që me egërsi shtazore godisnit qytetarët e rrëzuar përdhe nga ju, u siguroj se rreptësia e ligjit do bjerë mbi ju kudo që do shkoni.

Përndryshe u bëj thirrje të gjithë atyre policëve, të cilët shohin se piramida e krimit dhe e drogës qëndron mbi ta si Shpata e Demokleut, të rebelohen, të bashkohen me studentët.

Ky shtet është shtet i krimit.

Ky shtet është shtet i bandave.

Shteti i vrasësve.

Shtet i trafikantëve.

Kundër një populli, kundër një rinie, kundër të ardhmes së tyre.

Së fundmi, i kërkoj Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen si rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë dhe më pak të dhimbshme të krizës së thellë në të cilën e ka zhytur vendin.

Largimi i tij i menjëhershëm, krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza.

Përshëndes dhe njëherë studentët, lëvizjen e tyre dhe i garantoj se PD mbetet e vendosur të mbështesë ata, të mbrojë kauzën e tyre me të gjithë potencialet e saj.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale