Berisha: Turizmin e ka shkatërruar narkoeuro dhe qëndrimi i Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, jo protesta. Rama do japë llogari për atë që i ka bërë Thethit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se po përpiqet të fajësojë protestën qytetare për krizën në turizëm, ndërsa sipas tij, shkaktarët e vërtetë janë zhvlerësimi i euros nga ‘narkoeuro’, rritja e kostove për turistët dhe politika armiqësore ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi protestën si ‘lëvizjen rinore qytetare më të fuqishme që nga vitet ’90’, duke akuzuar qeverinë për një fushatë të organizuar kundër protestuesve. Sipas tij, administrata shtetërore, policia dhe profile të rreme në rrjetet sociale janë përdorur për të denigruar protestën dhe për të ulur ndikimin e saj publik.

Duke folur për sezonin turistik, kreu demokrat deklaroi se plazhet shqiptare janë ‘shumë më tepër se gjysmë bosh. Turisti që paguante një dhomë 100 euro, sot duhet të paguajë 130 euro. Shqipëria është bërë më e shtrenjtë dhe kjo po largon turistët’, u shpreh Berisha. Ai shtoi se ndikim negativ ka pasur edhe qëndrimi i Ramës ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, duke pretenduar se trajtimi i deputetëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve nga Kosova ka sjellë rënie të prenotimeve drejt bregdetit shqiptar.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal edhe te situata në Theth, ku akuzoi kryeministrin për shkatërrimin e ndërtimeve në zonë. ‘Ajo që i ka bërë Thethit nuk ia ka bërë asnjë pushtues. Për këtë do të japë llogari deri në minutën e fundit të jetës së tij politike’, deklaroi ai.

Gjatë fjalës së tjj lideri i opozitës Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve të mbështesin protestën qytetare, duke e cilësuar atë si një betejë kundër ‘narkoshtetit’, ndërsa paralajmëroi se PD do të kundërshtojë edhe ndërprerjen e procesit për reformën territoriale, të cilën e konsideroi një tjetër akt arbitrar të qeverisë.

FJALA E PLOTE:

Qëndrimi ndaj protestuesve dhe protestës rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90 gjer sot.

Qëndrimi i Edi Ramës dhe puthadorëve të tij në media, por edhe qindra e mijëra patronazhistëve terroristë politikë ndaj protestuesve paqësore është një nga aktet më të rënda, më kriminale në historinë e këtij vendi.

Është dëshmia më flagrante me karakterit diktatorial të regjimit.

Është dëshmia më flagrante e diktaturës autoritare të bazuar në drogë, në narkoshtetin, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale, në rrjetet sociale për të demonizuar protestën dhe protestuesit, për t’ia ulur shikueshmërinë e tyre dhe për të ndikuar në algoritmin, që sipas tij ia kontrollonte Irani algoritmin.

Edi Rama po bën gjithçka kundër kësaj proteste, e cila në fakt e zhveshi para gjithë botës moralin, fytyrën, karakterin e vërtetë të tij.

Nga mëngjesi gjer në darkë, mediat e qeverisë akuzojnë protestën për turizmin dhe për fat të keq, gjejnë edhe ndonjë operator të mashtruar që mban ison e qeverisë.

E vërteta është sot se si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart.

Dhe faktori më shkatërrimtar për turizmin, më toksik, është narkoeuro, e cila ka rënë me 32 përqind.

Imagjinoni ju turisti që e merrte dhomën me 100 euro, duhet ta paguajë dhomën me 130 euro.

Turisti që merr një dhomë me qira diku për të gatuar vetë, e gjen 30 përqind më shtrenjtë dhe i gjen ushqimet më shtrenjtë se në vendin e tij.

Tirana, siç jeni ju vetë dëshmitarë, sipas statistikave më serioze të Eurostat, është qyteti i dytë më i shtrenjtë në në Evropë në raport me të ardhurat.

Dhe duke dëshmuar pafundësisht një injorancë, para disa ditësh mburrej me narkoeuron, mburrej me forcimin e lekut.

Dhe kjo është krenari.

Sigurisht droga është krenaria e tij.

Por më lejoni pak për qytetarët të jap të dhënat e monedhave të tjera të vendeve anëtare të BE, që nuk janë në sistemin e euros.

Zlloti polak, i zhvlerësuar 13 përqind, sepse ka inflacion, normal.

Lei rumun, 11 përqind.

Bullgaria e ka me kurs fiks.

Kurse forinta hungareze, 25-27 përqind zhvlerësimi.

Pra, kjo që ndodh në Shqipëri, ndodh në Meksikë. Edhe atje, gjysma e kësaj, 17 përqind.

Pasi shkatërroi pasivisht eksportet, dhe u kujtohet u lutëm, u kujtohet kur deklaronte me cinizëm ekstrem, me papërgjegjshmëri absolute se le të ikin ato industri se janë të botës së tretë, në një kohë kur Shqipëria arriti në vendin e tetë në botë për prodhimin e këpucëve, dhe shumë prej tyre të cilësisë më të lartë.

Arriti në prodhime shumë të rëndësishme në modën e lartë dhe në prodhime të tjera.

Ato ikën, jo tha, ato nuk janë industri për ne, për ne është droga.

Dhe tani për të gjitha këto, fajëson protestën për turizmin që i ka pothuajse bosh nga Saranda në Shëngjin.

Shto këtu qëndrimin armiqësor të hapur ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Shpall non-grata deputetët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit e tyre.

I ndalon në Qafë Thanë.

Shpall qytetaren nga Prizreni non-grata pse vinte në protestë dhe fliste.

Natyrisht të gjitha këto tek shqiptarët krijojnë neveri, krijojnë urrejtje për të.

Dhe e vërteta është me sa po lexoj tani, udhëtimet, prenotimet e tyre drejt plazheve të Shqipërisë kanë një rënie dramatike këtë vit.

Pra është vetë autori i shkatërrimit të turizmit.

Protesta nuk ka asnjë lidhje, përkundrazi ka ngjallur simpati botërore, të themi të vërtetën.

Ka ngjallur një simpati që Shqipëria nuk e ka pasur ndonjëherë kaq të madhe.

Ndaj dhe në emër të PD dhe tuajin, përshëndes përzemërsisht ata dhjetëra mijëra shqiptarë të pamposhtur që vazhdojnë uraganin e lirisë dhe i ftoj demokratet dhe demokratët në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë, të mbështesin me të gjitha mundësitë e tyre këtë protestë.

Të mbështesin me gjithë fuqinë e tyre, zero ndikim nga slogani i ekstremistëve të majtë apo opozitarëve të opozitës, Berisha në burg, opozitë e shitur.

Asnjë ndikim, zero.

Asnjë pengesë sepse ata që i thonë këto, ata kërkojnë me çdo kusht të bëjnë punën e Edi Ramës për protestën.

Ndaj dhe i përshëndes se i shoh çdo natë demokratët të palodhur, të pamposhtur.

Dhe përshëndes të gjithë protestuesit, por i ftoj edhe më shumë sepse po firmosin fundin e një sundimtari më të keq që ka pasur Shqipëria pas Enver Hoxhës.

Manovrat e tij janë të destinuara të dështojnë.

Me asgjë nuk mund të përçajë opozitarizmin shqiptar.

Ndaj miq, do bëni çdo gjë për të mobilizuar të gjithë mbështetësit dhe anëtarësinë tonë për ta mbështetur këtë protestë në mënyrën më të fuqishme.

E ka vendosur regjimin në agoni.

Nuk duhet në asnjë mënyrë, as në të mijtën e sekondës të harrojmë se çfarë kauze të drejtë mbron kjo protestë.

Dhe ne jemi forca politike e kauzave të drejta.

Në qoftë se sheh ADN-në e kësaj partie, në ADN-në e saj është e shkruar në gjenet e saj parti e kauzave të drejta.

Kështu që është kushtrim, është apel protesta kundër narkoshtetit, narkodiktatorit.

Çështje jashtëzakonisht e rëndësishme është qëndrimi i Edi Ramës ndaj reformës territoriale.

Zoti Boçi dhe anëtarët tanë të komisionit kanë bërë një punë të shkëlqyer.

Kanë bërë një punë jashtëzakonisht serioze.

Kanë përgatitur projekt shumë të mirë, por në mënyrë të befasishme Ramaduro ndërpret procesin, kur e pa se mbështetja për finalizimin e reformës mbi bazën e parimeve të drejta në interes të qytetarëve po ecën, se kështu e ka ai, në krye të dy reformave ka emëruar njerëz që i ka peng me dosje, dhe tani del dhe u thotë pasi ranë dakord për të kërkuar zgjatjen, sepse akoma nuk janë bërë konsultat në qarkun e Tiranës dhe qarqet e tjera, me axhendë të miratuar, akoma nuk ka ardhur ekspertiza e pritshme nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.

Të gjithë Shqipërinë do e ngremë në këmbë.

Nuk ka. Nuk mund ta bëjë ky si çiflig personal të tij vendin.

Shkoi dje dhe u kthye si kriminel në vendin e krimit, po atë që i ka bërë Thethit, nuk ia ka bërë asnjë pushtues.

Nuk e kanë djegur dot ata, në fakt kur janë futur në ato zona, kanë lënë kockat, dhe kanë lënë kockat me mijëra.

Shkon ky dhe ua rrafshon shtëpitë e ndërtuara në trojet e veta.

Dhe u kthye dje atje për të treguar se i mposhti ata.

Nuk i mposht kurrë ata ai, nuk i ka mposhtur kush kurrë ata.

Dhe ai për atë shkatërrime që ka bërë do bëhet përgjegjës gjer minutën e fundit të jetës së tij, do japë llogari.

Nuk i prishet shtëpia tjetrit në tokën e të atit.

Turizmi, thotë ai. Çfarë turizmi, me qindra shprenotime edhe nga Thethi edhe nga të gjitha anët për shkak të tij.

Dhe pastaj akuzon protestën.

Tani, lidhur me rendin e ditës nesër, kryetari i grupit do të vazhdojë, por unë këto çështje desha të ngre para jush dhe qytetarëve shqiptarë sepse ka kaluar në një stad veprimesh ekstreme, veprimesh ekstreme, për të cilat qytetarët duhet t’i përgjigjen.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale