Berisha: Tuneli i Murrizit, kompania u vodhi 3 vite shqiptarëve në atë tunel, shpoi aty ku nuk duhet të shponte

FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR TRANSPORTIN  

EKSTRAKT

Në prezantimin e programit të Partisë Demokratike për infrastrukturën dhe transportin për qeverisjen 2025-2029, kryetari Sali Berisha u shpreh se, ‘Infrastruktura, është përcaktuese për zhvillimet dhe ritmet e tij. Investimi në infrastrukturë bazuar në studime serioze kur është fizibël rikthen investimin, ndofta më shpejt se të gjithë sektorët e tjerë, investimin mbi bazën e fizibilitetit me një rrugë rikthen 1 dollarë në 4, rikthen 4 për 1 dollar investim shumë shpejt’.

Duke komentuar edhe për inaugurimin e tunelit të Murrizit, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, nuk duhej shpuar në atë zonë. ‘Duhet të dini një gjë. Tuneli i Murrizit, kompania që i vodhi 3 vite shqiptarëve në atë tunel shpoi aty ku nuk duhet të shponte. Një kompani daneze serioze na kishte dëshmuar se nuk mund të shpohet në atë nivel, sepse shpimi në atë nivel nuk e lejonte struktura gjeologjike’, theksoi ndër të tjera kreu i PD.

FJALA E PLOTE:

Shkurtimisht, ju falënderoj edhe njëherë për punën e shkëlqyer që keni bërë në sektorë që janë jetikë dhe vendimtarë për zhvillimin e një vendi.

Infrastruktura, është përcaktuese për zhvillimet dhe ritmet e tij. Investimi në infrastrukturë bazuar në studime serioze kur është fizibël rikthen investimin, ndofta më shpejt se të gjithë sektorët e tjerë, investimin mbi bazën e fizibilitetit me një rrugë rikthen 1 dollarë në 4, rikthen 4 për 1 dollar investim shumë shpejt.

Në këtë kontekst, gjatë viteve që pati transformimin më të madh infrastruktura, agjencitë, ministria bënë mbi 220 projekte studime, të cilat shërbejnë edhe sot, janë edhe sot të gatshme për t’u aplikuar.

Gjatë 12 viteve studimet e fizibilitetit dhe projektet janë sporadike dhe faktikisht jo serioze. U them unë ju.

Sot, u njoftua se pas 3 vite me radhë shtytjesh u inaugurua tuneli i Murrizit.

Duhet të dini një gjë. Tuneli i Murrizit, kompania që i vodhi 3 vite shqiptarëve në atë tunel shpoi aty ku nuk duhet të shponte.

Një kompani daneze serioze na kishte dëshmuar se nuk mund të shpohet në atë nivel, sepse shpimi në atë nivel nuk e lejonte struktura gjeologjike.

Edi Rama pranoi atë shpim dhe uroj shumë, se është zonë me ujëra shumë, dhe uroj shumë që ai tunel të qëndrojë. Këta, jo që nuk bëjnë studime, por këta shkelmojnë mbi studimet ekzistuese. Ndaj dhe, çdo hap do bëhet mbi bazën e studimeve, rivlerësimeve.

Ne do bëjmë gjithçka që, Shqiëpria të ketë infrastrukturën më moderne, por kjo infrastrukturë duhet të ofrohet shqiptarëve kudo që janë. Sot unë prita emailin që më erdhi me projektine Unazës verilindore-juglindore të vendit. Ai projekt, kur ne punonim në të, i interesonte 300 komunave të vogla, por u jepte atyre mundësinë që të dilnin në aksin automobilistik më të afërt.

Dalja në aksin automobilistik më të afërt është tregu, dalja në treg. Dhe dalja në treg është përcaktuese për gjendjen ekonomike dhe shumë faktorë të tjerë.

Pra, ne në këtë përpjekje të dytë të madhe për infrastrukturën do bazohemi tërësisht mbi studime serioze fizibiliteti. Projektet i kemi prap. Projektet, qoftë për Unazën, qoftë për rrugë të tjera që do bëhen të reja, janë ekzistuese, do rishqyrtohen.

Senada shtoi me të drejtë se, Shkodra ka një fushë aviacioni të dikurshme. Edhe njëherë Senada, gjithçka do përcaktojë fizibilitet, sa fizibël do të jetë. Në kuptimin që, cili do jetë fati i Gjadrit, i aerodromit të Gjadrit.

Edhe ky është një faktor, sepse edhe ka patur tendenca që ta kërkojnë për destinacion turistik, por natyrisht zhvillimi i transportit ajror dhe aeroporteve është padiskutim i domosdoshëm dhe i dobishëm.

Po ta shohësh Shkodrën, nuk ka qytet në botë me gjeografinë e saj, me ekosistemin e saj. Nga deti në Alpe në një kohë të shkurtër. Liqeni, Buna, janë pra me të vërtetë, po ta supozonim një shtet të vogël e meritonte plotësisht aeroportin për potencialin që ka.

Ndaj dhe, do shqyrtohet gjithçka në lidhje me fizibilitetin. Unë dua t’ju falënderoj shumë dhe ju ftoj që t’i dërgoni departamentit çdo propozim, çdo ide me të cilën ju mund të plotësoni këtë program që u paraqit sot para jush. Program i një rëndësie jetike për zhvillimin e vendit.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale