Berisha tregon emrat e zyrtarëve socialistë që ishin në Aruba: Është bërë më shumë se një takim. Rama ka shkelur çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe SPAK-ut, duke u shprehur se, mban të fshehtë emrat e zyrtarëve socialistë që, sipas tij, kanë zhvilluar takime me përfaqësues të botës së krimit në Aruba.

Në një prononcim për mediat nga oborri i parlamentit, Berisha deklaroi se ‘nuk ka një takim, ka më shumë se një takim në Aruba’, ndërsa akuzoi Edi Ramën se ‘ka shkelur çdo ligj kombëtar dhe ndërkombëtar’ për të mbrojtur personat e përfshirë.

Lideri demokrat, Sali Berisha gjatë prononcimit për gazetarët publikoi edhe emrat e disa zyrtarëve që, sipas tij, rezultojnë në dosjet e autoriteteve belge, duke përmendur Damian Gjiknurin, Olsi Ramën dhe Engjëll Agaçin.

‘Emrat e qeveritarëve kriminelë që kanë shkuar dhe kanë firmosur marrëveshje me trafikantët, i mban të fshehta sepse janë njerëzit e Edi Ramës’, u shpreh Berisha. kryetari i PD-së Sali Berisha theksoi se takimet e përmendura lidhen me projekte të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të dyshuara për financim me fonde të paligjshme.

FJALA E PLOTE

Parlamentit me urdhër të Edi Ramës, është shndërruar në një provokator vulgar dhe ordiner. Ka zgjedhur si rrugë të vetëm shkelmimin e rregulloreve dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve.

Por natyrisht kjo nuk pengon dot transparencën.

Ndaj dhe unë jam këtu, së pari, për të lexuar para të gjithë shqiptarëve, amendamentin e votuar dje në Parlamentin Europian nga të gjitha grupet parlamentare, amendamentin 46A.

Çfarë thotë?

‘Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dëshmojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që rezultojnë për zonat me vlerë ekologjike të njohur.

Ndjek nga afër protestat paqësore masive të vazhdueshme në këtë drejtim.

U bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet e ndërtimit, ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të ligjit të ndryshuar për zonat e mbrojtura.

Në bazë të një kërkese të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret për benchmark, me standardet e kapitullit 27, si dhe derisa të garantohet përputhja e plotë me standardet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës.

Nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimit gjithëpërfshirës të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile’.

Pra, çfarë ndodh? Ajo që kam deklaruar para jush. Në këtë procedurë, Edi Rama në mënyrë absolute ka shkelur nen për nen ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Dhe njëherë theksoj, peizazhet e mbrojtura janë zona në të cilat në rast se vendos zhvillimin, do të bësh një vlerësim gjithëpërfshirës të duhur. Dhe në qoftë se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur rezulton se nuk mund t’i prekësh, nuk mund t’i prekësh.

Në rast se vlerësimi gjithëpërfshirës i duhur lejon që të avancosh më tej, je i detyruar të bësh vlerësimin e mjedisit, vlerësimin e thelluar të mjedisit, vlerësimin e habitatit, janë katër shkallë nëpër të cilat duhet të kalosh.

Asnjë prej tyre nuk ka respektuar Edi Rama. Zero!

Tjetër. Kërkon të këshillohesh me shoqërinë civile dhe komunitetin. Ka një konventë, Konventa Aarhus e firmosur nga Shqipëria, e cila detyron çdo shtet që çdo veprim që bën, të këshillohet me komunitetin.

I patë këshillat me zvarritje. Këshilla me komunitetin ishte zvarritja sikur të mos ishin njerëz.

Pra, askush nuk është kundër investimeve të huaja, nuk ka qenë kurrë PD, kemi qenë dhe jemi në përputhje me ligjin.

Edi Rama ka shkelur çdo ligj dhe ndërkombëtar.

E ka personalizuar.

Dhe e vërteta është që përveç këtyre janë problemet e pronësisë që tashmë janë bërë të njohura se kush është i përzier, duart e zeza të Ergys Agasit, Artur Shehut, Engjëll Agaçit, pra janë duart e zeza të Edi Ramës.

Sot parlamenti duhej të anulonte ndryshimet e bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.

Por Edi Rama nuk e sjell këtë.

Po të jetë për flamengot, duhet të theksoj këtu se çdo njeri duhet t’i përmbahet të vërtetës, flamengot i ka dhe do i ekzekutojë aeroporti.

Aeroporti është shkatërrimtari numër një i kolonisë së flamengove.

Uroj që enti evropian i aviacionit të mos i japë licencë atij aeroporti.

Zoti Berisha, ju keni bërë një akuzë të fortë sot në foltore, duke thënë që kreu i SHISH-it ka futur agjentë serbë në protestë. Keni informacion ju për këtë?

Sali Berisha: Prit tani. Qytetarë dixhitalë më thonë që është bërë një kombinim i dy shërbimeve Tiranë-Beograd kundër protestuesve të rinj.

Kjo ka ndodhur.

Qytetari dixhital më tha pardje që kanë ardhur dy kontejnerë me ngarkesa të mëdha eurosh. E publikova. Dhe mediat kyç, omerta.

Dje erdhi qytetari dixhital më tha nuk kanë qenë dy, kanë qenë tre.

Nuk është detyra jonë të bëjmë lajme të qytetarit dixhital zoti Berisha…

Sali Berisha: Janë të miat ato. Po omerta prapë, tre. Tani këtë sigurisht, qytetari dixhital më thotë se po studiojnë dhe po marrin ekspertë serbë të protestave të zgjatura. Dhe ky është një akt absolutisht anti-shqiptar.

Po pse, nuk e more vesh ti, kush erdhi për dosjet e Gjykatës së Lartë? A më thua pak mua?

Këto janë të dyja gjëra të ndryshme.

Sali Berisha: Jo, jo, se po duken serbët ty mbrapa diellit… Krye-eksperti serb erdhi dhe mori dosjet. Çfarë ka… Edhe këta i paguan Vlora në qoftë se i ka marrë. Edhe këta i paguan Vlora. Po se tani Vlora është, dihet ajo, është agjente e përbashkët e Ramës dhe Vuçiçit. Kjo është e njohur. E kam thënë që në fillim unë. Që kur bëri udhëtimin e parë dhe e mohoi, gjë të cilën e denoncuan kolegët e saj.

Kam një pyetje tjetër. Çfarë komenti keni ju zoti Berisha për deputeten e Partisë Socialiste në Shkodër?

Sali Berisha: Ajo u kërcënua nga banda e Ramës. Dhe unë i dhashë paralajmërimin më të fortë Edi Ramës, dhe i jap prapë, se kjo rrugë çon në konflikte të mëdha dhe të heqë dorë nga kërcënimi. Ajo zonja, për hir të së vërtetës duhet të themi atë që është, i tha në Shkodër atë që duhet t’i thoshte. I tha zoti Rama e shndërrove Rozafën në zyrë të Partisë Socialiste.

Po zoti Rama e kishte vendosur në listë të parë atë zoti Berisha?

Sali Berisha: Listë të parë, po ja që nuk u ble. Tani shiko, njeriu në çdo kohë ka të drejtë të reflektojë. Në çdo rast reflekton. Dhe ajo ka reflektuar. Si në rastin e takimit te Rozafa, asaj shfaqjeje partiake, ashtu dhe në rastin e qëndrimit që po mban ndaj protestave.

Po a e keni ftuar ju atë që të jetë pjesë e Partisë Demokratike?

Sali Berisha: Jo, nuk e kemi ftuar sepse ajo ka deklaruar që do të jetë e pavarur. Kjo është deklarata e saj dhe ne respektojmë deklaratën e saj. Po unë u bëra thirrje dhe ministrave, të jepnin dorëheqjen që të shkojmë drejt zgjidhjes së krizës.

Tani, e dëgjuat atë Bidon ju aty?

Bido është një brejtës, është brejtësi kryesor i arkivës së shtetit, i manipulimeve në tokat e bregut.

Tani Bido të japë shpjegime…

Çështja 728219016AA. Ky është kodi me denoncimet e veprimeve juridike që ka shkelur Bido në arkiv.

Bido ka bërë kërdinë në arkiv. Ka bërë kërdinë!

Bido, tani t’u them një gjë, ka pasur një duel midis tij, shumë të fortë, midis tij dhe të ndjerit Artan Lame.

I ndjerit Artan, ju i dini deklaratat e mia për të, por ka meritën e madhe që ai kurrë nuk e firmosi Gjipenë… Duhet t’ia njoh meritën. Ai nuk e firmosi, nuk ia u firmosi Olsi Ramës dhe familjes 242 mijë metër katrorë. Bido i falsifikoi dhe i modifikoi gjërat.

Pra ky është kodi me të dhënat në arkiv. Data është 27.01.2025. Ka tetë faqe me shkelje, rreth 28 shkelje juridike.

Bido, tani imagjinoni ju sa vite kanë këto mbrapa.

Kjo tani, më falni edhe një tjetër.

Siç ua thashë pardje në parlament, në një akt çnjerëzor po e quaj, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, në akuzën ndaj Sali Berishës, botuan emrat e tre fëmijëve me autizëm. Imagjinonise çfarë goditje është për ato nëna heroina. Që rrisin, se ju po të hyni në botën e tyre, nuk ka gra më heroike se gruan, nënën që merret me riaftësimin e fëmijës me autizëm. Është një sagë heroike e jashtëzakonshme.

Dhe këta shpirtzinj, Altin Dumani publikon emrat e tre fëmijëve, të cilët, familjet, që absolutisht janë të panjohura, ia u paguanin fëmijët e mi trajtimin në qendrën rajonale. Siç bënin shumë njerëz të tjerë. Këta paguanin tre, të tjerë paguanin më radhë, është në kuadrin e bamirësisë.

Dhe këto tani, e quajtën këtë korrupsion, sepse aty drejtuese është bashkëshortja ime që prej 20 vitesh punon pa asnjë shpërblim, punon vullnetarisht për dëshirën e vet.

Ky ishte konflikti i interesit sepse në atë qendër këta paguanin fëmijë të familjeve për trajtimin në atë qendër. Imagjinoni që ato rroga përdoren për personelin, aty ka personel, ka logopedë, ka specialistë të gjitha fushave që i trajtojnë ata fëmijë. Dhe është një mrekulli e vërtetë nga ana e trajtimit.

Tani, këta fshehin qeveritarët e Arubës, të cilët i kanë me fotografi, i kanë me video.

Vetëm kaq t’u them unë ju. Të dhënat mbi takimet e kryera nga ana e tyre me përfaqësues, funksionarë të lartë shtetërorë të shtetit në Aruba, përmenden këtu: Takimet e vëzhguara në janar-shkurt- se nuk është një takim, ta dini, në Aruba është më shumë se një takim- në janar-shkurt të 2019-ës, të cituara në vendimin e gjykatës. Tjetra, dhe kur i thashë unë Damianit dil e bëj be këtu në Bibël, që s’kam qenë, u zhduk ai.

Jemi shtet laik, zoti Berisha.

Sali Berisha: Jo po, atij po t’i thuash Kushtetutë, ata Kushtetutën e kanë letër të djegur. Thashë Bibël se ai bën ca rite. Ky ka qenë në malin Atos. E kam parë që qenë në malin Atos, prandaj i thashë i kanë ngelur ato besimet e ritet…

Nga qytetari dixhital keni informacione kush janë zyrtarët që kanë qenë në Aruba?

Sali Berisha: Po, ua them unë, prisni edhe një herë tani. Më poshtë: Sipas provave të pjesëve të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri. U provua kjo, të tilla janë. Potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, u provua kjo.

Me mbështetjen e autoriteteve politike. Ja pra.

Pra, emrat e tre fëmijëve me autizëm, se janë sponsorizuar nga fëmijët e mi, bëhen publikë, që përbën një shkelje më të rëndën që mund të bëhet ndaj një fëmije.

Emrat e qeveritarëve kriminelë që kanë shkuar dhe kanë firmosur marrëveshje me trafikantët, i mban të fshehta sepse janë njerëzit e Edi Ramës.

Sepse këta emra që janë, thuhet: Damiani, që s’ia mbajti të bëjë betimin. S’ia mbajti! Po të dilte ai! Të dilte po të donte! Po tha, janë emrat e familjarëve… të dilte po të donte, ai ka nxjerrë emrat e fëmijëve autikë…

Pra Damiani, dhe është Olsi… ai Rama i gjati… Rama e kanë dhe atë djalin e Balës, po nuk janë të gjatë. Djemtë e Balës s’kanë rastisë të gjatë. Dihet… ata që i njohin.

Pra i gjati është Olsi. Ose vetë Rama, këtë s’mund ta them. Po me sa di unë është Olsi. Dhe i treti është Engjëll Agaçi.

Dhe e fundit, nuk ka një takim, ka më shumë se një takim në Aruba.

Dhe ora ora 600 mijë eurosh.

Ora 600 mijë euroështë bërë për Edi Ramën, sipas dosjeve belge. Po asnjë fjalë. Pra kjo është e tëra.

Zoti Berisha, për shkak se nuk ua pranuan të ndryshonin rendin e ditës në parlament dhe u larguat grupi parlamentar i Partisë Demokratike, a do merrni pjesë në votim edhe për amnistinë penale?

Sali Berisha: Jo, ne nuk votojmë amnistinë. Ne nuk kemi asgjë tjetër në rend dite përveç çështjen e kërkesave të protestave. Për ne, rendi i ditës është vetëm një, kërkesat e protestuesve.

Berisha: Unë u ktheva kur konstatova se qëllimi ishte të kontrollohej PD-ja

Zoti Berisha, kur flisni për çështjen e protestave, a e keni dëgjuar qartë thirrjen që Rama në burg dhe Berisha në burg?

Sali Berisha: Po, a e dëgjove qartë Taulant Ballën ti apo jo? Unë nuk e kam thënë këtë, por Taulant Balla e mori vetë përsipër këtë. Jo po e mori vetë përsipër. Kam kënaqësi që më kanë dëgjuar, tha. Nuk e dëgjove ti në parlament?

Pse e vlerësoni protestën vetëm për një pjesë, atë për mjedisin, jo për pjesën politike?

Sali Berisha: E vlerësoj në shkallën më të lartë, por e kam thënë gjithnjë që nuk mundet kurrë që gjethet të më pengojnë të shoh trurin. Nuk mundet kurrë që disa slogane apo qëndrime të veglave të qeverisë, opozita e opozitës është vegël e qeverisë,  dhe unë nuk them më shumë se kaq këtu. Dhe dy-tre sorosianë të paguar nga armiku im, Xhorxh Sorosi.

Meqë jemi tek çështja e Sorosit. Tashmë që janë hequr sanksionet nga SHBA, a po e mendoni të largoheni nga drejtimi i PD tani që vendosët dinjitetin tuaj personal dhe familjar?

Sali Berisha: Shiko, kur më bën një pyetje, mendoj se duhet t’i kemi gjërat e kthjellëta.

E kam thënë dhe e them, në mënyrë absolute nuk jam kthyer për ta përdorur si mburojë politike.

Kur unë u sanksionova, unë i kam thënë kryetarit të partisë këto fjalë, këtë betejë do ta bëj vetëm, nuk dua që partia të ndërhyjë në asnjë moment.

Dhe i kam kujtuar atij një fjalë të hotjanëve. Hotjanët, në Kongresin e Berlinit, e gjithë bota vendosi që Plava, Gucia dhe Hoti e Gruda t’i kalojnë Malit të Zi.

Ata u mblodhën, gjithë botën kundër, ndihma e Zotit, pushka e Hotit.

Më tha çfarë do të thotë kjo, ia shpjegova siç ua shpjegova ju.

Ndaj dhe unë pushkë kam pendën dhe unë do të vazhdoj betejën time dhe isha shumë komod.

Pse isha komod? E hodha në gjyq, ajo ishte rruga më e drejtë, më dinjitoze, që natyrisht e acaroi në shkallën maksimale, po unë do mbroja dinjitetin tim.

Tani ecim më tutje.

Pse u ktheva?

U ktheva sepse konstatova se qëllimi ishte të kontrollohej me çdo kusht PD. Të kthehej në një simotër të PS.

Do të jap vetëm një shembull. Edhe pasi dha dorëheqjen Lulzim Basha, i shkuan për vizitë kryetarit Alibeaj, që nuk e kishte votuar kurrë në jetën e tij një demokrat, por e njohën Rama me atë zonjën për kryetar.

Ju e keni pasur ministër?

Sali Berisha: Këto janë gjëra të ndryshme. PD-në dhe kurrë ndonjëherë opozitën e vërtetë nuk duhet ta kontrollojë kush përveç anëtarëve të vet.

Kjo është arsyeja pse Sali Berisha ndoqi procedurën ligjore dhe pse u përdorën të gjitha mjetet.

U përdorën jo kundër meje, u përdorën që të merrnin në kontroll PD.

Kjo nuk do ndodhë kurrë.

Kjo arsyeja e vërteta pse unë u riktheva.

Meqë jemi tek non-grata, kam tre pyetje. E para, a keni pasur ftesë nga ambasada amerikane për 250-vjetorin e SHBA. E dyta, a keni lobuar në SHBA për rishikimin e dizajnimit tënd. Dhe e treta, a ka bërë Sali Berisha një marrëveshje me SHBA si në rastin e Dodik. SHBA njihet që bën marrëveshje me liderë apo eksponentë politikë botërore.

Sali Berisha: E para, nuk kam zhvilluar në mënyrë kategorike asnjë negociatë me asnjë person. Ka një kod, po shkove në gjykatë, shko në gjykatë. Nuk jam ai që bëj një veprim dhe mund të bëj edhe një tjetër.

Ka edhe seanca pajtimi në gjyq?

Sali Berisha: Unë kisha ndërmend asgjë nuk pranoja. Unë shkova në gjykatë ndaj dhe çdo aludim këtu është i kotë.

A kanë lobuar për Sali Berishën? Kanë lobuar, po, pa diskutim sepse procedura është lobim.

Problemi është këtu, nuk kam lobuar me administratën Biden. Nuk kam bërë asnjë lobim me administratën e presidentit Biden. Ndërroi administrata, aty natyrisht nuk procedurë tjetër përveç lobimit, siç e di unë.

Unë, që ta dinë të gjithë, të vetmin sanksion që kam pasur, ka qenë viza.

Janë përpjekur shumë me një vullnet patologjik ta kalojnë tek thesari, se besonin gënjeshtrat e tyre. Thesari ç’është e vërteta bëri një hetim të thelluar dhe të gjithanshëm timin dhe të fëmijëve të mi dhe gjeti atë që kanë gjetur edhe këta në vetingun që kanë bërë të pasurive dhe çdo gjë.

Ligji Magnitsky pastaj është sanksione të rënda, por ai ligj ka një ndryshim nga ky që ka një kanal ankese.

Ky ka vetëm lobim dhe pastaj gjykimi i sekretarit sepse është diskrecion i tij në raport me Kongresin.

Po lobimi është paguar në emrin tuaj apo në emrin e PD?

Sali Berisha: Atë lobim, se kush e ka paguar, janë fondacion i cili ndihmon PD-në dhe ka marrë përsipër të mbrojë kauzën e PD.

Po ju thatë që e kishit betejë personale dhe nuk do e përfshinit PD-në në këtë çështje?

Sali Berisha: Jo, unë thashë u ktheva kur donin të kontrollonin PD-në. Pastaj unë nuk mund të them se nuk jam kryetar i PD.

Po nuk kisha ndërmend të kthehesha. Kisha ndërmend të vazhdoja betejën në media dhe gjykatë. Dhe aty nuk bëra pak, bëra shumë.

Për ta qartësuar, sot nuk ka asnjë mëdyshje të Sali Berishës për t’u larguar nga drejtimi i PD apo ndonjë mendim?

Sali Berisha: Po si mund të bësh një pyetje të tillë? Çfarë të thotë mendja? Këtë përpjekje të jashtëzakonshme ka bërë Edi Rama.

A i pe ti përpjekjet titanike që u bënë për ta larguar dhe demokratët e donin Sali Berishën?

Me këtë përgjigje ju thoni se vetëm ju e mbroni PD-në?

Sali Berisha: Jo, e ke gabim, unë nuk them atë, unë them që u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të larguar Sali Berishën nga PD, por demokratët nuk e pranuan.

A është e vërtetë kjo apo jo?

Ata të cilët nuk e pranuan, ata u përballën me sanksione, me privacione, me kërcënime, me shumë gjëra.

Por ata gjykuan njëlloj si Sali Berisha, që duhet të ishte forcë sovrane.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale