FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR GRAMSHTIN, HASIM ÇEKREZI
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar në Gramsh kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Hasim Çekrezin. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi faktin se, qeverisja e Edi Ramës nuk ka bërë asnjë investim në fshatrat dhe zonat rurale, duke i lënë ata si në mesjetë. Berisha theksoi në fjalën e tij, se familja ka qenë streha, votra e cila ka garantuar jetesën dhe mbijetesën tonë. Por sipas tij, këta, rilindasit duan të shembin familjen dhe gjininë.
‘Po, po. Këta po fusin në shkolla dhe kopshte, e kanë filluar në Tiranë gjerësisht, prindi 1 dhe prindi 2. Këta fillojnë dhe i pyesin fëmijët nëpër kopshte, çfarë gjinie preferon. Përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore’.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati u ka bërë thirrje nënave, vajzave dhe motrave që të marrin në dorë fushatën elektorale dhe ta shpallin atë, fushatën e tyre.
Në mënyrë të veçantë unë kam një apel nga zemra për të gjitha zonjat, për të gjitha vajzat e Gramshit dhe Shqipërisë. Nëna, motrat, vajzat, kanë padiskutim shumë herë më të zhvilluar se ne të tjerët edhe dhembshurinë, edhe dashurinë, edhe ndjeshmërinë ndaj dhe thirrja ime është; konsiderojeni, shpalleni këtë fushatë, fushatën tuaj dhe ju do ta shpëtoni Shqipërinë, me dashurinë tuaj, me përkushtimin tuaj, me ndjenjat tuaja’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha në Gramsh.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Gramshit, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, ju këtu, e të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që janë, në Gramsh, Elbasan, Shqipëri, emigracion dhe diasporë.
I nderuar zoti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë, i nderuar zoti Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, dhe drejtues politik i fushatës elektorale në qarkun e Elbasanit. I nderuar z. Haxhinasto drejtues politik në qarkun e Elbasanit për Partinë e Lirisë.
I dashur kryetar i PD-së, Kodhel Çala, i dashur kandidati ynë për kryetar të bashkisë së Gramshit, Hasim Çekrezit.
Është nder i veçantë, kënaqësi e madhe të flas para jush, të vij këtu, për të paraqitur dhe mbështetur kandidatin tonë, për kryetar të bashkisë së Gramshit, për qytetarin tuaj të parë, Hasim Çekrezin.
Hasim Çekrezi është një nga personalitetet më të shquara të Gramshit, një nga qytetarët më shembullorë, një nga bijtë që don më shumë Gramshin dhe qytetarët e tij. Një njeri që përfaqëson vlerat më të arrira tuaja dhe mbarë qytetarëve të Gramshit.
Por unë vij sot, me krenari të veçantë sepse paraqes para jush, njeriun që ju keni zgjedhur, kandidatin tuaj, kandidatin e votës tuaj të lirë, e ujdisë tuaj të brendshme, e marrëveshjes tuaja me votën, me lirinë. Pra asnjëherë nuk kam paraqitur në këtë rreth dhe askërkund ku do të shkoj, kandidat më dinjitozë se sa paraqesim kësaj radhe.
Të shtunën që kaloi, ne hapëm fushatë elektorale, por madhështia e asaj fushate, ishin përveç dhjetëra e mijëra qytetarë në atë stadium, ishin kandidatët tanë, të cilët shkëlqenin, të cilët të dukej se e kanë të shkrojtur në ballë, kandidatët e lirisë, kandidatët e dinjitetit, kandidatët e besimit të qytetarëve.
Miqtë e mi!
Ne shkojmë drejt zgjedhjeve vendore dhe padiskutim që ato kanë rëndësi shumë të madhe për jetën e qytetarëve në qytet, në njësitë të tjera vendore, në fshat dhe kudo. Në këtë kontekst, ju garantoj se Hasimi, do të bëjë gjithçka të përdorë me eficencën më të madhe fondet dhe paratë tuaja. Do të bëjë gjithçka tu japë përgjigjen më të mirë, problematikave të shumta me të cilat përballet Gramshi, dhe unë i ndjek zhvillimet në Gramsh dhe ndjej një dhimbje të madhe.
Pse ndjej unë dhimbje të madhe? Sepse nga një anë, këtu ndodhën ndryshime epokale. U bëtë me liqenj, u ndërtua kaskada, u nis një transformim i infrastrukturës tuaj, por nga ana tjetër unë u them një gjë tjetër. Kudo ne e kemi vend të bekuar, por nuk ka bekim më të madh nga Zoti dhe natyra sesa të kesh ujërat që ka Gramshi.
Uji është pasuria e të gjithë pasurive të tjera. Dhe në këtë aspekt, Gramshit nuk i afrohet asnjë rreth tjetër. Por sa përfiton Gramshi nga këto pasuri, përrallore janë në çdo aspekt.
Unë dëgjova Kodheli, Hasimin, që as fshatrat buzë liqenit nuk sigurojnë vaditjen. Çfarë pasurie është kjo atëherë? A është një bekim apo një mallkim për qytetarin. Do të vijmë tek rruga.
Pra, çfarë përfitoi Gramshi nga ndërtimi i hidrocentralit. Pas përfundimit të punimeve, asnjë qindarkë sepse e zhduku rentën. Në vend që tu linte ju, e kudo autoriteteve lokale, rentën për minierat, ujërat e të gjitha, aktin e parë, një nga aktet më pa moralë, hoqi rentën për të ngrohur xhepin vetes dhe oligarkëve të tij.
Vijmë tek rrugët, e ke shumë të drejtë.
Mungesa e rrugëve, një fshat që nuk ka rrugë miqtë e mi, po të mos kishte edhe elektricitet mund ta çosh edhe 300 vite mbrapa. Edhe 300 vite më parë, edhe 500 vite më parë, rrugë ka patur, por kanë qenë rrugë qerresh. Shkoni e shihni rrugët e Kotkës, rrugë të tjera me radhë, rrugët e fshatrave janë absolutisht rrugë të nivelit mesjetar, baltë dhe vetëm baltë.
Sa kanë asfaltuar gjatë këtyre 10 viteve, çfarë kanë bërë. Zero dhe nuk kanë as mirëmbajtur ato që janë asfaltuar më parë.
Hasimi ka për rival një ish-deputet. Tani të ju pyes unë ju, a e nigjuat të flasë këtë Ajazin të flasë për Gramshin në parlament, unë nuk e kam dëgjuar. Nuk flasin ata për ju.
E di si më bëhet nganjëherë të ua them haptas? Të ik, sepse nuk flasin asnjëherë për qytetarin. Flasin vetëm për kryetarin, sukseset dhe qytetarët për ta nuk ekzistojnë. U ngrit një deputet i tyre dhe shtroi diçka për fermerët, desh e hëngrën me lecka të gjallë. Nuk ekzistojnë qytetarët për ta.
Pa le më rrugët, shkollat, prodhimet, asgjë. Më thoni ju.
Dje po lexoja 160 lekë kilogrami i qepëve. Po pse, sepse vijnë nga Kina. E shkatërroi ky bujqësinë, i shkatërroi fermerët, se hapi Ballkanin e Hapur dhe vërshojnë nga të 4 anët.
Ju garantoj unë ju, se ka fshatra në Devoll të cilët nëse do të kishin tregun të sigurtë, prodhonin qepë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe Maqedoninë, se janë prodhues të hatashëm të qepës.
Çfarë po ndodh tani? E keni vënë re ju, ka kapur lopatën tani dhe kalojnë nga rrethi në rreth me lopatë në dorë se gjoja po mbjellin pemë. Prisni, me dheun e asaj lopate ai në radhë të parë do të ju hedhë hi syve qytetarëve, se nuk është i zoti të ballafaqohet në asnjë rast me asnjë kandidat tonë në asnjë bashki.
Sille atë, sille këtu. Të ju pyes një gjë. A duhet që të përballemi në televizor njëri me tjetrin dhe të ua themi të vërtetat njëri-tjetrit para jush. Këta se pranojnë, nuk ka kandidat të tyre. Këta janë si hije, nuk dalin në asnjë ekran televiziv. Dhe pastaj merr lopatën dhe mendon se do të ju mashtrojë me lopatën. Merr lopatën dhe do të mbjellë gjithsej, 3600 pemë.
Po ku e kanë hallin, e kanë hallin tek pylli 1 milion, që bashkë me Erion Veliajn pretendojnë se kanë mbjellë 1 mln pemë në Tiranë. Por të ju them të vërtetën. Kur bëra llogaritë dhe e shihja se ishte e turpshme, një mashtrim banal i papërgjegjshëm, ato 1 milion pemë, duan të paktën 6-9 mijë hektarë. Kurse parku i liqenit ka 32 mijë pemë.
Vetëkuptohet se në 1 milionë pemë kanë vjedhur paratë për 990 mijë fidanë. Po si kanë vjedhur, kanë vjedhur me një pishtë, 10 fishin e çmimit. Kanë blerë pishën 5600 euro. Po, me fatura. Atëherë ky meqë ka dalë gjithë ky skandal, merr lopatën dhe kujton se po mashtron.
Ndaj dhe ne duhet të ballafaqojmë gjërat, duhet të ballafaqojmë të vërtetat. Me datën 14 maj, ju sigurisht që do të votoni 1-shin, koalicionin, do të votoni 1-shin, Hasim Çekrezin. Por të jeni të sigurtë se keni votuar në një votim historik. Keni votuar për fatin e Shqipërisë, për fatin e familjes shqiptare. Keni votuar për fatin e qytetarëve të Gramshit dhe Shqipërisë.
Në shekuj e mijëvjeçarë ne na ka mbajtur familja. Pa diskutim, ajo ka qenë streha, votra e cila ka garantuar jetesën dhe mbijetesën tonë. Çfarë duan të bëjnë këta. Këta duan të shembin familjen dhe gjininë.
Po, po. Këta po fusin në shkolla dhe kopshte, e kanë filluar në Tiranë gjerësisht, prindi 1 dhe prindi 2. Këta fillojnë dhe i pyesin fëmijët nëpër kopshte, çfarë gjinie preferon. Këta ecin me një platformë të degradimit të familjes shqiptare. Të degradimit të plotë të shoqërisë shqiptare. A ka normë morale që e pranon këtë në Shqipëri.
E pranon, e pranojnë ata. Pse e bëjnë këtë ata? Ata e bëjnë këtë sepse duke deporsenalizuar, se natyrisht nëna ka shenjtërinë e saj, babai ka autoritetin e tij, natyrisht gjinia është ndarë që nga Eva dhe Adami, etj., me radhë. Por duke i fshirë këta, krijojnë njeriun e papersonalitet. Njeriun që nuk di se kush është.
A mund të vazhdojmë ne kështu, a duhet të ndalojmë ne këtë agresion të tmerrshëm që bëhet ndaj familjes dhe vlerave të saj.
Përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit dhe asgjësimit të familjes dhe gjinisë njerëzore.
Ndaj dhe në 14 maj, votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart tuaja dhe ne jemi të sigurtë se së bashku fitojmë.
Miqtë e mi!
Çfarë ndodh me ne, largim sa në asnjë pushtim. Largim nga Shqipëria sa në asnjë katastrofë. Thashë edhe njëherë, nuk ka rreth më të bekuar, vend më të bekuar se ai që ka më shumë ujëra dhe megjithatë 1/3 e këtij vendi janë larguar në 8 vite nga Gramshi. E po kështu nga Shqipëria. Pse, sepse këta qeveritarë nga mëngjesi gjer në darkë, vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin.
Është jetike për të gjithë ne së bashku, të ulemi me çdo qytetar të Gramshit dhe Shqipërisë dhe ti bëjmë të qartë se qeveria çdo qindarkë që disponon e ka të qytetarëve, e merr nga qytetarët, është paraja e qytetarëve. Çfarë bëjnë këta me paratë tona. I ndajnë njëri me tjetrin, i ndajnë me klientelën.
Të marrim pak një moment, po të hidhni një sy ju tenderave, tenderat i fitojnë vetëm familjarët, të afërmit e qeveritarëve dhe zyrtarëve. Por kush e jep shembullin? Vetë Edi Rama. Baxhaku i Edi Ramës është kampion në fitimin e tenderave.
Thjeshtra kampione në fitimin e tenderave e me radhë.
Shkojmë tek Erion Veliaj, vëllai i tij fiton tenderin për ti bërë dasmën në kalanë e Gjirokastrës. A mund të ndodhin këto? Por kjo është e vërteta. Pa le pastaj kur ecin pa tendera fare.
Por nuk vjedhin vetëm me tendera. Këta vjedhin me çmime. Vendosën borde, bordet rritën çmimet. Kanë fituar vetëm nga rritja e çmimeve 520 milionë euro.
Çdo qeveri që ka në epiqendër qytetarin, ja kthen ato qytetarit, i thotë këto janë tuat. U mblodhën nga rritja e TVSH, por janë të qytetarit.
Po jap shembullin e Kosovës, por këtë kanë bërë çdo qeveri tjetër. I dha 100 euro pensionistit, 100 euro studentit, 120 euro rrogëtarit dhe me radhë. Ato janë paratë tuaja.
Çfarë bëri ky, absolutisht 320 milionë euro ja dha klientelës së tij dhe pjesën tjetër filloi e bleu vazon 4 milionë euro për të vendosur në oborr vazo druri. Vazhdon udhëtimet me çarter, 22 milionë euro. Blen vetura 500-600 mijë euro sikurse të ishte sheik e jo kryeministër.
Këto ditë e keni marrë vesh, jemi gjobitur 110 milionë euro. Po, sepse njeri që s’kontrollon urrejtjen e tij, njeri që nuk kontrollon keqësinë e tij të brendshme. Mori përzuri investitorin italian, ja vuri çelësin dhe u mburr se i mbylli televizionin. U kthye gjykata e Bankës Botërore dhe i futi 110 milionë përveç interesave dhe përveç shpenzimeve.
Tani, a do të ju them unë ju. Jemi vetëm në këtë gjykatë edhe me 12 çështje të tjera, jemi në gjykatën e Parisit me 5 çështje të tjera, jemi në gjykatën e Zvicrës me 4 çështje të tjera. Dhe ju garantoj, se minimumi 1.6 miliardë euro do të jetë gjoba jonë. E kush do ti paguajë, të gjitha ju, të gjitha qytetarët.
Po sa janë 1.6 miliardë euro. Janë rrogat e dy viteve të të gjithë rrogëtarëve. Atëherë a vazhdohet kështu. Nëse ecim në këtë mënyrë, përpara do të thotë drejt të keqes, përpara do të thotë drejt vjedhjes së Edi Ramës, përpara me Edi Ramën do të thotë drejt varfërisë, përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shpopullimit dhe braktisjes së Shqipërisë.
A nuk kemi ne detyrim para vetes tonë, para Shqipërisë edhe para të parëve tanë që vdiqën, ranë, për ti dalë zot vendit. Po sigurisht që kemi, se edhe ata mund të kishin ikur dhe po të kishin ikur ata, ne sot nuk do të ishim këtu më. Dhe në kushte shumë të vështira kanë rezistuar. Ky do ta zhbijë këtë vend duke vjedhur.
Asnjeri. Ju duhet të uleni me çdo socialist, me çdo qytetar të Gramshit, me çdo mik kudo që e keni dhe ti paraqisni këto fakte. A janë të vërteta këto. Atëherë si mund të votojmë ne atë, si mund të na mashtrojë një njeri i cili çdo ditë vetëm mashtrime. Si mund të pranohet një kryebashkiak që nuk vjen me dalë ballë për ballë me Hasimin këtu para jush. Të vijë, ka frikë, ka frikë.
I them unë Edi Ramës, hajde përballemi në studio dhe të ja numëroj të gjitha tenderat e familjarëve të tij. Le të mi numërojë ai të miat, hajde urdhëro, futu, nxiri cilat janë, asnjë.
Ndaj dhe sigurisht që kemi detyrime, kemi detyrime para jush, para çdo qytetari të tregojmë se si i kemi përdorur paratë tuaja. Por kjo është gjithçka në dorën tuaj.
Ndaj me 14 maj, votoni ndryshimin, ndryshimi është në duart tuaja dhe kurrë ndonjëherë, në 32 vite vota jua, peshë më të madhe, vlerë më të madhe se sa ka me 14 maj nuk ka patur.
Mos harrojmë një gjë.
Çdo votë përpara me Edi Ramën, është votë për forcimin e pushtetit të tij, përqendrimin e tmerrshëm të të gjitha pushteteve në dorën e tij. Nuk ka kurrë gabim më të rëndë, se ti besosh çdo pushtet një njeriu, se të votosh për të ja forcuar të gjitha pushtet atij.
Njeri që abuzon nga mëngjesi në darkë me pushtetin që i kanë dhënë qytetarët. Njeri që ka grabitur pushtetin.
Një njeri i mençur, një njeri që beson në liri, nuk pranon kurrë që ti japë të gjithë pushtetin qoftë dhe ai njeriu më i besuar i tij, më i afërt i tij. Jo, pushtetet duhet të jenë të ndara, përndryshe kombet dhe shoqëritë pësojnë fatkeqësi të mëdha.
Të dashur miq!
Këto ditë, kjo fushatë, ka një rëndësi shumë të madhe. Fati i saj është në duart tuaja, fitorja është në duart tuaja, ndryshimi është në duart tuaja.
Por kjo kërkon një ekstra përpjekje, një përpjekje të re, kërkon të ulemi me çdo mik, të njohur, të afërm, të arsyetojmë. Socialistë, paparti, demokratë çfarë do që të jetë dhe të marrim vendimet e duhura.
Në mënyrë të veçantë unë kam një apel nga zemra për të gjitha zonjat, për të gjitha vajzat e Gramshit dhe Shqipërisë. Ky qëndrim sot ndaj Shqipërisë, në fund të fundit përcaktohet nga dhembshuria jonë ndaj këtij vendi, na dhimbset ne ky vend që po shpërbëhet, apo nuk na dhimbset. Sa na dhimbset ne ky vend, nga i cili po ikin, po ikin, po ikin, si kurrë në historinë e vet.
Në këtë aspekt nëna, motrat, vajzat, kanë padiskutim shumë herë më të zhvilluar se ne të tjerët edhe dhembshurinë, edhe dashurinë, edhe ndjeshmërinë ndaj dhe thirrja ime është; konsiderojeni, shpalleni këtë fushatë, fushatën tuaj dhe ju do ta shpëtoni Shqipërinë, me dashurinë tuaj, me përkushtimin tuaj, me ndjenjat tuaja.
Rroftë Gramshi, rroftë Shqipëria!