Berisha thirrje diasporës: Nëse vini të votoni më 11 Maj, do i bëni një shërbim historik vendit. Qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë të na bashkohen sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e zhvilluar me gazetarët këtë të premte, u ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë shqiptarëve të diasporës. Gjatë fjalës së tij, ai i ka ftuar të marrin pjesë në votimet e 11 majit. Berisha e cilësoi këtë datë si përcaktuese për të ardhmen e kombit shqiptar dhe theksoi se pjesëmarrja e emigrantëve në votim do të ishte një shërbim historik për vendin.

Lideri i opozitës Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë të bashkohen sot në Bulevardin e Ri për të përmbyllur fushatën elektorale me një festë madhështore, të cilën e cilësoi si kurorën e një muaji mobilizimi të qytetarëve të lirë kundër narkoshtetit.

I pyetur nga gazetarët, lideri i demokratëve Sali Berisha, theksoi se pas datës 12 maj, opozita do të kthehet në mazhorancën e Shqipërisë, duke shprehur besimin e plotë se ky është momenti historik që shqiptarët dhe vetë Edi Rama e kanë ndjerë. Ai theksoi se shenjën e këtij ndryshimi të madh, e ka vënë re qartë edhe Rama, i cili, sipas Berishës, në një intervistë të fundit kishte një reagim të jashtëzakonshëm, duke përmendur ‘gijotina’ dhe ‘helme’. Berisha, e krahason këtë situatë me një nevojë të menjëhershme për mjekim, duke nënkuptuar një destabilitet të thellë që ka kapluar qeverinë.

I pyetur nga gazetarët për rolin e Chris LaCivita në fushatë, lideri i PD-së, Sali Berisha theksoi se, ai ka qenë një faktor kyç në suksesin e fushatës së Partisë Demokratike dhe në fitoren që pritet të arrihet më 11 maj. Berisha e quajti LaCivita një ‘faktor madhor’ të fitores, duke theksuar se ai ka qenë një element esencial në forcimin dhe mobilizimin e elektoratit të Partisë Demokratike.

Në fund, kryetari i Partisë Demokratike, theksoi se, janë mbledhur të gjitha provat se, si Edi Rama po blen vota nëpër gjithë Shqipërinë. ‘Organizata më e fuqishme politike e Europës, ka denoncuar Edi Ramën për këto zgjedhje për blerjen e votës me lekë, me kanabis, me punësime, me prokurime, me banda. Këto thotë rezoluta, janë pesë format me të cilat Edi Rama po blen votat’, theksoi gjatë konferencës me gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Së pari një mesazh për diasporën shqiptare, e cila ka qenë shpirti i kësaj fushate elektorale.

Thirrja ime është, cilido prej tyre, që mund të vijë të votojë me datën 11 Maj, i bën një shërbim historik vendit dhe kombit të tij.

11 Maji është dita përcaktuese e të ardhmes së kombit shqiptar.

Qindra mijëra emigrantë u regjistruan për të votuar, por një çrregullim i organizuar u konstatua në dy vende me postën, e cila ka një emër autoritar, të mirë, por që shfaqi parregullsitë më të mëdha.

Kjo, uroj dhe shpresoj, të mos dekurajojë, por përkundrazi, të nxisë çdo qytetar shqiptar jashtë vendit që mund të vijë këto dy ditë dhe të votojë në qendrat e votimit, do ishte një shërbim i jashtëzakonshëm, një rast unik që u jepet për t’i shërbyer vendit.

Së dyti, sot ne mbyllim fushatën më të bukur, më entuziaste, më optimiste, që shqiptarëve të lirë, të njerëzve të lirë në Bulevardin e Ri të kryeqytetit.

Kjo fushatë, për të cilën unë dua të falënderoj me mirënjohje çdo pjesëmarrës nga të katër anët e Shqipërisë, nga Saranda në Tropojë, kjo fushatë u karakterizua me një uragan të vërtetë që buroi nga zemra dhe shpirti i popullit shqiptar.

Dy fushata ecën paralel në territoret e vendit.

Njëra fushata me detyrim e narkoshtetit dhe tjetra fushata e qytetarëve të lirë të vendosur për të përzënë narkoshtetin.

Sonte, kësaj fushate fantastike, që u zhvillua për një muaj, duhet t’i vendosim kurorën më të bukur në ballin e saj, në ballin e Shqipërisë.

Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë të bashkohemi sot në Bulevardin e Ri në një festë madhështore të fitores të datës 11 Maj.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Andon Kello, AbcNews: Në cilin prej qarqeve PD-ja mendon se do të bëjë surprizën dhe a besoni se kjo është konferenca e fundit e juaj si kryetar i opozitës.

Sali Berisha: Unë mendoj se e keni të drejtë, shumë të drejtë, kjo do të jetë konferenca e ime e fundit si kryetar opozite, mbasi pas datës 12 maj kjo opozitë, bëhet mazhorancë e Shqipërisë.

E keni ndjerë dhe ju dhe e ka ndjerë çdo shqiptar këtë. Kjo është ndjesia më reale. Por në mënyrën më të frikshme e ka ndjerë Edi Rama.

Ju e patë si shkallmoi mbrëmë në televizion, u shkallmua. Fliste për gijotina, fliste për helme. Çfarë nuk fliste. Dmth, ai mbrëmë kishte nevojë urgjente për mjekim, me ato simptoma që pashë dhe unë jam mjek dhe kam qenë i apasionuar.

Unë jam kardiolog, por më tërhiqte dhe psikiatria, më ka tërhequr.

Ardit Hoxha, EuroNews: Në fillim të fushatës, madje kur e keni prezantuar Chris LaCivita e keni prezantuar si magjistar që e bëri njëherë magjinë në SHBA, kur u zgjodh Donald Trump president. Nga ajo që keni parë, nga dita e parë deri a e ka bërë magjinë edhe në Shqipëri?

Sali Berisha: Nga ajo që kam parë, padiskutim. Ai është faktor madhor i kësaj fushate fantastike dhe i fitores së 11 majit, nuk ka diskutim.

Osman Stafa, News24: Kandidatëve të PD-së u është kërkuar që të japin mesazhe në drejtim të qytetarëve për të mos shitur votën. E njëjta gjë ka ardhur edhe nga Ambasada e SHBA, një reagim. Ka problematikë, e keni identifikuar shitblerjen e votës?

Sali Berisha: E kemi të verifikuar, të vërtetuar absolutisht. Dhe siç e dini ju, rezoluta e Valencias, e Partisë Popullore Europiane, që është organizata më e fuqishme politike e Europës, ka denoncuar Edi Ramën për këto zgjedhje për blerjen e votës me lekë, me kanabis, me punësime, me prokurime, me banda.

Këto thotë rezoluta, janë pesë format me të cilat Edi Rama po blen votat.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale