Berisha: Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA TUBIMI QYETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalimit të tij në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ përshëndeti dhe falënderoi guximtarët që u përballën me atë që ai e quajti “terrori policor” i qeverisë së Edi Ramës, duke përmendur veçanërisht ata që morën pjesë në protestat e 7 tetorit. Ai shprehu solidaritetin me z.Emiri, i cili ishte sulmuar nga një polic që kishte tentuar ta digjte të gjallë.

Berisha bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, duke e përshkruar qeverinë aktuale si një diktaturë kriminale dhe korruptive që po shkatërronte Shqipërinë.

Kryedemokrati, Sali Berisha bëri thirrje për protestë kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke u kërkuar qytetarëve të mblidheshin nesër në orën 11:00 pranë bashkisë për të marrë masa kundër tij. Ai e përshkroi qeverinë si një regjim kriminal që kishte zëvendësuar çdo ligj dhe normë me interesat dhe ambiciet e krerëve të saj. Sipas Berishës, ky regjim nuk do të ndalej pa veprimet e opozitës dhe qytetarëve, të cilët duhej të protestonin çdo ditë për përmbysjen e tij dhe për të arritur një qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Lideri demokrat, Sali Berisha i drejtoi një paralajmërim të fortë Edi Ramës që, nëse do të guxonte të dëmtonte Gazment Bardhin apo ndonjë deputet tjetër të opozitës, nuk do të gjente vend mbi tokë. Ai përmendi se as tunelet dhe as shpellat nuk do ta shpëtonin Ramën nga gjykimi përpara shqiptarëve. Berisha e akuzoi Ramën dhe vëllain e tij, Olsi, për përfshirje në krime dhe trafiqe, duke theksuar se opozita nuk do të heshtte kurrë. Ai gjithashtu kritikoi ata që mbronin Ramën, duke i quajtur mjeranë që po turpëroheshin duke mbrojtur një kryeministër kriminal.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu drejtua Komunitetit Mysliman Shqiptar duke i bërë thirrje që të refuzonin përpjekjet e Edi Ramës për t’i përçarë. Berisha përmendi inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe riktheu në kujtesë se Edi Rama e kishte penguar për 11 vite dorëzimin e pronës komunitetit mysliman gjatë kohës që ishte kryetar bashkie. Berisha kritikoi mungesën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në ceremoni, duke e quajtur një ofendim për besimtarët dhe akuzoi Ramën për përdorimin e xhamisë për qëllime përçarjeje. Ai gjithashtu përmendi se Rama kishte shpallur krijimin e një “shteti bektashi” në OKB. Berisha e dënoi këtë akt në emër të PD-së, duke garantuar respektin e plotë për liritë dhe tolerancën fetare.

Lideri demokrat, Sali Berisha tha se, Edi Rama dhe presidenti i Shqipërisë përqendrohen vetëm në interesa vetjake dhe luks personal. Berisha përmendi një incident ku, një zyrtar i lartë, të cilin e quajti “Harapi i Presidencës,” kishte kërkuar nga presidenti turk ndërtimin e zyrave për veten e tij, duke e cilësuar këtë si një akt të turpshëm.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar se, nuk u kërkua ndihmë për pensionistët ose për sigurimet shëndetësore, por vetëm për qëllime personale. Berisha e krahasoi këtë sjellje me Edi Ramën, duke e akuzuar për ndërtimin e kullave në tokë publike për përfitime vetjake. Berisha bëri thirrje për bashkim në mosbindje civile dhe për një luftë të pandalshme deri në fitore kundër qeverisë, duke përmendur se ky është momenti i tyre për të ndryshuar Shqipërinë.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet të përzemerta.

Mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Guximtareve dhe guximtarëve që qëndrojnë të vendosur, të palëkundur si pararendës të betejës sonë për qeveri teknike, zgjedhje të lira, fitoren e opozitës.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj platforme të fjalës së lirë që përcjellin, përhapin në të katër anët e dheut të vërtetat e sotme të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një përshëndetje ju bëj guximtarëve të 7 tetorit që përballen me terrorin policor me urdhër të Edi Ramës, por qëndrojnë si heronj të vërtetë të papërkulur për idealet që mbrojnë.

Shërim të shpejtë zotit Emiri, të cilit një narkokomisar donte, nga urrejtja e hajdutit, e kriminelit, e trafikantit, ta digjte të gjallë.

Të dashur miq, sot koha na fton më shumë se kurrë të 10-fishojmë përpjekjet tona për të transformuar Shqipërinë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në vendin e mosbindjes civile.

Në vendin e njerëzve guximtarë, të përgjegjshëm për misionin e tyre, të cilët me guxim, në revoltë, përmbysin në një hark kohor 32-vjeçar diktaturën e dytë në Shqipëri.

Diktaturën e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Ky regjim është sot regjimi më i shëmtuar në Europë.

Një nga regjimet më kriminale në botë.

Ky është regjimi i organizatave kriminale në qeveri, të udhëhequra nga Edi Rama.

E organizatave kriminale në institucione, të udhëhequra nga Edi Rama.

Ky është regjimi që çdo ligj, çdo normë dhe standard të një shteti normal, e ka zëvendësuar me vullnetin, me dufet, me epshet politike të kreut të narkoshtetit dhe banditëve të tij.

Miq, beteja me mafien e regjimit është një betejë jo e lehtë, por është një betejë plotësisht e fitueshme dhe ajo ka vetëm një kusht, të vazhdojmë, të vazhdojmë, të vazhdojmë.

Është radha jonë, është radha jonë!

Ky regjim nuk ndalet kurrë po nuk e ndalëm ne.

Ky regjim nuk ka mëshirë, nuk ka ndjenja, e urren shqiptarin dhe shqiptarët.

Duhet përmbysur një minutë e më parë.

Ky regjim përmbyset vetëm atëherë kur ne të protestojmë çdo ditë, të protestojmë në mbarë Shqipërinë.

T’ia dridhim tokën nën këmbë kësaj fare hajdutërish, që po zbrazin Shqipërinë, po dëbojnë shqiptarët nga trojet e tyre.

Ndaj dhe nesër në ora 11:00, qytetare dhe qytetarë tek bashkia, për të kapur për zverku Erion Veliajn.

Beteja jonë nuk ndalet kurrë!

Beteja jonë ka vetëm një objektiv: qeverinë teknike, zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, fitoren e opozitës.

Të dashur miq, Edi Rama ka lëshuar dje një kërcënim me jetë ose me burg me gojën e zëdhënësit të tij, Sokol Balla, për kryetarin e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Në emër tuaj do i deklaroj këtu, se guxon dhe i prek një qime floku të Gazment Bardhit ose të çdo deputeti, vend mbi tokë nuk do kesh.

Nuk të mbrojnë dot as tunelet e Dajtit, as shpellat e Malit me Gropa, kudo që të jesh do gjendesh dhe do të të bëhet gjyqi para shqiptarëve.

Prandaj mos mendo ti se për krimet e Olsit dhe tuat, për trafiqet e tua dhe të Olsit, për vjedhjet tua familjare dhe të Olsit, do mund t’i mbyllësh gojën opozitës.

Jo, kurrë, harroje!

Harroje dhe njëherë.

U them atyre mjeranëve të cilët nuk meritojnë as të quhen njerëz, mos u bëni zëdhënës të një kryekrimineli, të një kryehajduti që mbron krimet e tij, vëllait të tij, organizatës së tij kriminale qeveri, sepse do njësoheni me ta.

Dhe ky është një turp i madh.

Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë.

U inaugurua Xhamia e Namazgjasë.

U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD.

Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman.

Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013.

U deshën 11 vite të përfundonte.

E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj.

Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj.

Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj.

Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman.

Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.

Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet.

Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi.

Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti.

Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja.

Do respektojmë me admirim të madh tolerancën fetare dhe bashkëveprimin ndërfetar si vlerat më të arrira të shpirtit shqiptar.

U bëj thirrje sonte të gjithë besimtarëve pa dallim feje, të bashkohemi kundër atyre që si puna e Edi Ramës kërkojnë të nxisin ndasi fetare për qëllime politike.

U bëj thirrje të rinjve shqiptarë, të rinjve, studentëve, nxënësve, të bashkohemi, të vazhdojmë mosbindjen civile gjer në fitoren tonë.

Iu bëj thirrje të gjithë pensionistëve të bashkohemi në këtë betejë ndaj kësaj klike hajdutërish të pashpirt që ditë e natë mendon për luksin e vet, për pasuritë e tyre.

Të dashur pensionistë, a e dëgjuat sot Harapin e Presidencës tek kërkonte zyra për vete mikut të ardhur se nuk i mjaftonin 500 metër katrorë.

Por ka gjë më të turpshme?

Këta vetëm për veten e tyre mendojnë.

Ai i kërkon presidentit turk, t’ia ndërtojë presidencën, dhe nuk kërkon mbështetje për fondin e pensioneve, nuk kërkon mbështetje financiare për fondin e sigurimeve shëndetësore.

Ai ndjek rrugën, se e kam emrin Bajram, por ai duhet ta ketë Haram, ai ndjek rrugën e Edi Ramës, i cili 10 ditë më parë shpalli ndërtimin në tokë publike të 4 kullave me pretekstin se do ketë disa kate edhe për ministritë. Do ketë ca kate për xhepat e tij ky i pangopur që ka vetëm veten shok.

Asgjë nuk prisni nga kjo hordhi hajdutërish përveçse varfëri, varfëri dhe vetëm varfëri.

Ndaj dhe u bëj thirrje të mos bashkohemi në mosbindje civile, në betejë të pandalshme gjer në fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Është radha jonë, është radha jonë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale