Berisha thërret protestë në datën 16 në ora 17:00: Opinioni botëror do sensibilizohet për krimet elektorale të Edi Ramës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN PËR SHTYP ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr Sali Berisha në një konferencë mëe gazetarët këtë të martë, ka reaguar ashpër, duke i cilësuar si zgjedhjet më të grabitura në historinë pluraliste të Shqipërisë. Berisha akuzon qeverinë Rama dhe strukturat kriminale të lidhura me të se kanë diktuar procesin elektoral në mënyrë të organizuar dhe sistematike.

Sipas Berishës, bandat kriminale kanë qenë aktive në 10 qarqe dhe 20 bashki të vendit, ku kanë ndikuar drejtpërdrejt në zgjedhjen e 30 deputetëve të mazhorancës. Berisha solli si shembull rastin e Vorës, ku pretendon se banda e Blendi Xhabaftit ka ndikuar me dhunë rezultatin, duke i dhënë këtij të fundit një epërsi të jashtëzakonshme në krahasim me kandidatin e dytë. Lideri Opozitar u shpreh se raste të ngjashme ka pasur edhe në Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera, ku skenat e dhunës, shantazhit dhe manipulimit të votës janë bërë normë.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka përdorur një sërë metodash për të blerë vota, përfshirë shpërndarjen e zarfeve me nga 100 euro gjatë fushatës, një amnisti fiskale prej 200 milionë eurosh për periudhën 2015–2025, si dhe licencimin e dhjetëra mijëra hektarëve me kanabis, i cili sipas tij është përdorur për të financuar blerjen e votës. Gjithashtu, Berisha tha se punësimi në administratë është përdorur në mënyrë masive si mjet për të siguruar vota.

Kryetari i PD, Sali Berisha, tha ndër të tjera se sistemi i patronazhistëve është shndërruar në një polici terrori mbi zgjedhësit dhe për më tepër, drejtues të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar kanë shkelur ligjin duke përfshirë rrjetin e vjetër të Sigurimit të Shtetit për interesat politike të mazhorancës. Ai theksoi se opozita po mbledh me përgjegjësi prova për krimin elektoral që ka deformuar vullnetin e qytetarëve.

Lideri  demokrat, Sali Berisha thirri një protestë më 16 maj, ora 17:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të denoncuar manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, që ai i cilëson si më të rëndat në historinë e Shqipërisë. Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se protesta e 16 majit, që përkon me samitin e BE-së në Tiranë, është një thirrje për liri dhe demokraci, në emër të një populli që i është mohuar e drejta për të votuar lirshëm.

Berisha akuzoi qeverinë për manipulim masiv të votave të diasporës, duke përmendur rastin e Beratit ku PS mori 99.6% të votave dhe rritjen e dyshimtë të zarfeve nga Greqia pas vizitës së Taulant Ballës. Berisha deklaroi se zgjedhjet janë diktuar nga bandat kriminale dhe patronazhistët, ndërsa komisionerëve të opozitës u bën thirrje të dokumentojnë çdo parregullsi. Qëllimi i protestës është sensibilizimi i opinionit publik dhe ndërkombëtar mbi atë që ai e quan “krim elektoral” i Edi Ramës, u shpreh ndër të tjera kryetari i PD, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Mirëdita!

Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi.

Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.

Skenat që ju patë në Vorë, ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës, në të cilat zgjedhje, kryebanditi Blendi Xhabafti, mori vota dhjetë herë më shumë se kandidati i dytë në lista.

Kuptoni vetë se si janë zhvilluar zgjedhjet.

Por, skena si Vora ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjerë, Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera.

Pra, në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste.

Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në parlamentin shqiptar sa në këtë parlament.

Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

Mund t’u them ju se në rrethin e Durrësit, bandat punonin për deputetë të veçantë.

Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi, tjetër ky, tjetër ai.

Dhe jo më pak në Elbasan kjo skemë. Po kështu në Fier, Mallakastër.

Pra, këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, seria killera, trafikantë, dhunues, përdhunues.

Zgjedhjet e 11 Majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.

Zarfi me 100 euro, i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 200 milionë euro gjoba dhe kamata nga viti 2015 deri në vitin 2025, është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit.

Dhjetëra mijëra hektarë kanabis që u dhanë licencat për t’u mbjellë. Çdo bimë kanabis me prodhim fitimi 1 mijë euro, është përllogaritur për blerje votash në mënyrën më të pamëshirë.

Punësimi, punë për votë, u aplikua masivisht në këto zgjedhje.

Sistemi kriminal i patronazhistëve, i futur në strofulla ose rreth qendrës së votimit, ishte një polici terroriste, ndaj zgjedhësve shqiptarë.

Dy drejtuesit më të lartë të Shërbimit Informativ Kombëtar, zëvendës të drejtores, u morën javët e para me të gjithë regjistrat e rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit dhe e aktivizuan atë për karrigen e Edi Ramës duke shkelur ligj dhe çdo gjë.

Ne po evidentojmë me shumë përgjegjësi krimin elektoral.

Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë.

Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 përqind.

Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut.

Kjo është e vërteta.

Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara.

Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit.

Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën.

Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi.

Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.

Protesta do të jetë paqësore.

Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.

Isa Myzyraj, Ora News: Në protestëstën e datës 16, cila është thirrja kryesore e protestës: është përsëritja e zgjedhjeve, qeveri teknike? Cila është thirrja kryesore?

Berisha: Tani, siç e shihni dhe po e ndiqni dhe unë përgëzoj mediat për raportet që kanë bërë, disa prej tyre shumë të çmuara dhe të guximshme, ne nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje. Jo, të harrojë kush.

Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me ligjin, për sa na takon ne si opozitë, që Shqipëria të ketë zgjedhje. Tani opozita ka detyrat që do t’i përmbushë me shumë dinjitet, me shumë vendosmëri.

Protesta e datës 16 është një protestë në emër të një populli që votën ja dikton revolja pas koke, siç ka ndodhur në Peshkopi.

Që votën ja dikton Poja, Suel Çela, Blendi Xhabafti, ja diktojnë bandat në të 4-anët e vendit.

Miqtë që vijnë duhet të dëgjojnë zërin e një populli që kërkon të votojë i lirë dhe që një tiran, një narkodiktator, nuk i lejon ata, por i përdor të gjitha mjetet e dhunshme për tu rrëmbyer votën.

Ka krijuar shtetin monstër elektoral, para jush, para gjithë botës, për të shtypur e vullnetin e qytetarëve. Ky është fillimi i një beteje e cila nuk ndalet më.

Edhe njëherë, dora dorës do të formulohet e gjithë strategjia, por zgjedhje të cilat blihen në mënyrë të tillë, nuk ka parë toka. Të çosh zarfin me 100 euro, të flasësh 2 ditë para zgjedhjeve 200 milionë euro gjoba, të japësh licenca për mbjelljen e miliona rrënjëve kanabis për votë, të aktivizosh bandat, siç është evidentuar në qytetet, që bën thirrje për konflikt dhe destabilizim, por lufta jonë është për votë. Ne nuk mund të na imponojnë kush, kurrë në këtë mënyrë.

Jemi forcë politike sovrane. A ka gjë më të turpshme, shikoni kutitë si në Korenë e Veriut, 99.6% vota për PS-në nga diaspora. A mundet të pranohen këto. Për të mos u thënë se ne po dokumentojnë gjithçka.

E mbyll duke shprehur mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata që kanë votuar, dhe ftoj që t’i dalim zot votës së lirë.

Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, ky proces kundërshtimi i procesit zgjedhor, do të jetë paralelisht me një proces të brendshëm të PD, për të respektuar statutin që vet e keni propozuar dhe miratuar, apo do të merreni më vonë me proceset e brendshme?

Berisha: Tani i nderuar, PD ka statutin dhe do i përmbahet asaj, por ka disa parime eprore dhe këto parime është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti vazhdon betejën për votën e lirë të shqiptarëve.

Ju jeni dëshmitarë se si në mes të fushatës, 1 javë para zgjedhjeve, në Valencia Edi Rama u damkos si që blen vota me lek, me zarfa, me prokurorime, me kanabis, me punësime. Të gjitha format e blerjes së votës. Ai, ju garantoj unë ju, se nuk ka akt dhe gjë në botë që nuk do ndërmarrë për të mbajtur karrigen sepse është zhytur në krime të tmerrshme. Ka luajtur vetë me votën, me rendin me të gjitha.

Jolldiz Shuaipi, Tv Klan: Të gjitha konstatimet që ju thatë për mjedis të procesit elektoral të 11 majit, në fakt janë mbështetur edhe në raportine  OSBE0ODIHR, kur bëhet fjalë për blerje votash, përdorimin e administratës, bandat. Por unë kam një pyetje më konkrete.

Berisha: Prit, prit! A nuk i përshkruajnë të gjitha këto që them unë raportet? Po.

– Pyetja ime ka të bëjë me faktin: si ka mundësi që në Krujë, kur ne e dimë aktivitetin e bandave kriminale, PD ia doli të ëfitojë edhe përballë bandave. Mos ka vallë ndonjë problem të brendshëm në strukturat e PD?

Berisha: Ti do marrësh përjashtimin për të rrëzuar rregullin?

Po, fare e thjeshtë. Nuk them se 100 përqind janë aktivizuar dhe unë nuk jam Policia e Shtetit.

Unë kam sulmuar dhe do sulmoj dhe do shpall terroriste ato banda të cilat merren me rrëmbimin e votës.

Nuk kam pasur asnjë të dhënë, se nuk kursej unë asnjë prej tyre.

Por ama, për të sulmuar pa bazë, nuk sulmoj njeri.

Dhe në qoftë se ndodh nga mosinformimi, unë të nesërmen kërkoj ndjesë.

Unë nuk kam asnjë të dhënë, kam bërë fushatë atje dhe nuk kam pasur asnjë të dhënë se ata kanë shkuar me satër për t’u thënë që do u pres kokën nëse nuk bën këtë apo atë.

Ka edhe të tjera banda në Shqipëri që nuk kanë pasur aktivitet elektoral.

A e morët vesh ju sa votuan në burgje?

Ministri i Brendshëm të gjitha votat me Ermonela Felajn në burg.

A ka vend në botë që votohet ministri i brendshëm përveçse në Shqipëri?

Se është bandit si ata se nuk ka mundësi.

Kjo duhet të jetë temë në të gjitha studiot.

Ministri i brendshëm votohet në burg si ylli i burgut. 99 përqind e të burgosurve votojnë për PS-në.

Rroftë partia që na burgosi.

A e kuptoni ju se çfarë zgjedhjesh janë këto?

Kjo është Koreja e Veriut.

Prisni se do dëgjoni, por ama beteja për votën e shqiptarëve është betejë absolute.

Do jetë betejë fitimtare.

Edhe njëherë, thirrje popullit opozitar në protestë kundër këtyre zgjedhjeve të grabitura më shumë se kurrë ndonjëherë.

Këto zgjedhje dëshmojnë se sa më shumë vjedhin Edi Rama me grupin e tij, aq më i fortë bëhet rezultati sepse krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.

Osman Stafa, News 24: Këtë betejë që ju thoni për votën e lirë të shqiptarëve, do ta udhëheqë Sali Berisha si kryetar i PD, apo një lidership i ri i kësaj force politike?

Berisha: Këtë betejë gjer në fitore, ai që e nisi do ta bitisi. E morët vesh.

Osman Stafa, News 24: Vet z.Berisha, jeni pyetur edhe pas zgjedhjeve të vitit 2023 që, shkruat një libër të zi, sikundër e deklaruat edhe sot që do shkruani një tjeër libër të zi që, cilido do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 2025, Sali Berisha do të respektonte statutin e forcës së tij politike që nisi me Rithemelimin.

Berisha: Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme, të palidhura me njëra me tjetrën. Beteja për votën e lirë, është betejë që prevalon mbi të gjitha. Asgjë, nuk mund të ndalë PD-në në këtë betejë.

E patë vetë, kutitë 100%. Koreja e Veriut, Blendi Gonxhja në Vorë, 5500 vota. I dyti mbas tij, 500 vota. Dhjetë fish më shumë.

Këta kanë rikthyer kohërat më të zeza elektorale për shqiptarët.

Shqiptarët do ju përgjigjen këtyre. Faleminderiit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale