Berisha: Teatri Kombëtar në mënyrë të padiskutueshme do rindërtohet siç ishte dhe aty ku ishte!

FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT TË QEVERISJES 2025-2029 PËR KULTURËN

EKSTRAKT

Gjatë fjalës përmbyllëse të tij mbi shpalosjen e programit të qeverisjes për vitet 2025-2029, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha theksoi nevojën për lidhje të ngushtë mes kulturës, artit dhe arsimit për edukimin e duhur të brezave. Berisha tha se në periudhën e fundit, arti dhe kultura janë goditur rëndë nga politikat e gabuara. Sipas tij, sistemi arsimor shqiptar është deficitar dhe duhet të integrohet më shumë komponenti artistik.

Lideri historik i PD, Sali Berisha tha se Teatri Kombëtar do të rindërtohet ashtu siç ishte dhe aty ku ishte. Berisha kritikoi mënyrën se si po trajtohet kultura dhe arti, duke përmendur shkeljet e ligjeve dhe veprimet e pandershme të shtetit. Ai garantoi që statusi i artistëve do të përmirësohet, dhe një ligj për mbrojtjen e tyre do të miratohet. Berisha foli edhe mbi situatën e librit, duke theksuar nevojën për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjen e veprave të artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë. Ai theksoi rëndësinë e dyfishimit të buxhetit për kulturën dhe nxitjen e financimit privat për artin.

FJALA E PLOTË

Së pari, edhe njëherë u falenderoj shumë si panelistët edhe diskutantët që pasuruan shumë këtë program dhe ftoj të gjithë personalitetet e artit dhe të kulturës të paraqesin propozimet e tyre, sugjerimet e tyre për një qëndrim dhe politikë transformuese që do ndërmarrë PD në raport me këtë fushë, e cila lidhet më shumë se me çdo gjë tjetër me identitetin tonë kombëtar, me formimin e brezave, edukimin e tyre, të ardhmen e Shqipërisë Madhështore.

U garantoj se sugjerimet, propozimet tuaja dhe parashtrimet që u bënë në këtë takim nga panelistët do shndërrohen në ligje, vendime dhe do bëhet gjithçka që kësaj gjendje, të cilën Bujar Kapexhiu me dhimbje e cilësoi si gjendja më e keqe në të cilën janë gjetur ndonjëherë arti dhe kultura jonë, sot kur kanë kaluar 12 vite të një sistemi, në të cilin arti dhe kultura pësuan agresionin më të pamëshirë, jo ideologjik, por mafioz, të mafies, betonit dhe qëndrimeve antishqiptare, urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe kulturës së tyre.

Nuk ka pësuar ndonjëherë goditje të tilla shokuese arti dhe kultura jonë si këto 12 vite.

Nuk janë paralizuar kurrë institucionet e artit dhe kulturës sonë si në këto 12 vite.

As në diktaturë. Në diktaturë kishte ndonjë pjesë në teatër që ishte realizimi socialist, por kishte edhe të tjera.

Me një fjalë, ky qëndrim asgjësues ndaj institucioneve ishte një prerje e gjuhës që ato të mos mund të flasin publikisht sa duhet dhe si duhet.

Projekti ynë i Shqipërisë Madhështore është një projekt që frymëzohet para së gjithash nga kultura dhe arti.

E vërteta është se sot në kulturën dhe artin tonë, në trashëgiminë tonë, në të gjitha fushat e tyre, ne kemi një madhështi, kemi kulme madhështore si trashëgimi.

Pastaj kemi edhe hone të tmerrshme që duhet t’i kalojmë.

Me shumë të drejtë shtruat këtu problemin e një lidhje organike midis kulturës dhe arsimit.

Sistemi ynë arsimor është jashtëzakonisht deficitar në edukimin e fëmijëve tanë mbi të gjitha sepse i mungon komponenti artistik.

Nuk ka marrë akoma orientimin që ka sistemi arsimor perëndimor drejt arteve.

U ndodha njëherë në shtëpinë e një miku tim. Djali i tij 6-vjeçar ndiqte një shkollë jopublike dhe e dëgjoj të flasë me nënën e tij për Monenë, Renuarin, Sislin.

E marr dhe e pyes, ku i mësove këto emra. Mësuesja në shkollë, më tha.

Pra, ai ishte në klasë të parë ose të dytë të asaj shkolle. Dhe ai është një sistem shkollash shumë i kuotuar në rangun ndërkombëtar të shkollave.

Por ai sistem shkollash është imitim i suksesshëm i arsimit publik se i tillë është arsimi publik në vendet perëndimore.

Orientimin art-kulturë e kanë një orientim themelor.

Vijmë këtu tek një tregues tjetër për të mos thënë fatal, por pothuajse fatal.

Testi i cilësisë së PISA-s gjeti se fëmijët tanë ishin të fundit në botë për mendimin kreativ sepse artin në edukimin e tyre është i përjashtuar. Nuk ka shpjegim tjetër kjo.

Ndaj dhe një lidhje organike midis kulturës, artit dhe arsimit është vendimtare për edukimin ndryshe, edukimin e duhur të brezave të shkolluar në këtë vend.

Një dimension tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është dimensioni dixhital.

Sot, bota dixhitale është bërë po kaq e fuqishme sa bota reale.

Çdo injorim i saj, ti humbet një dimension dhe potencial shumë të madh.

Ndaj dhe në këtë drejtim ne do bëjmë gjithçka për shfrytëzimin e kapaciteteve të botës dixhitale në fushën e artit dhe të kulturës.

Ju ngritët me shumë të drejtë këtu rindërtimin e teatrit siç ishte.

Pa diskutim që kjo do të ndodhë. Nuk ka rast më klasik, më të shëmtuar të veprimit mafioz, të shtetit mafioz.

Miq, ne vuajmë shumë nga një problem.

Vuajmë nga fakti se nuk realizojmë dot atë që thotë Samuel Hantington se më e keqja e diktaturave është diktatura e narkosit, e drogës se nuk respekton asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë rregull.

Kurse këtu shkel çdo ligj me transferimin e pronësisë.

Shkelmon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vazhdon si bandit ndërtimin me bekimin e padrinos, e një njeriu që tregon çdo ditë se nuk kryeson çdo gjë tjetër veçse një organizatë kriminale.

Pra, teatri në mënyrë të padiskutueshme do rindërtohet siç ishte dhe aty ku është.

Dhe unë i jap një paralajmërim atij që e ka marrë përsipër. Po ndërton në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Elementë delinkuentë si Erion Veliaj që është atje ku është dhe i garantoj se aty do shkojë Edi Rama, nuk mund të shërbejnë ty si justifikim për të pushtuar truallin dhe për të ndërtuar.

Duhet të kesh një sens në veprimtarinë tënde.

Ju garantoj se statusi i artistit dhe me përcaktime të qarta, do të jetë një nga ligjet më të rëndësishme dhe të parat që do miratohet.

Kujtimi përmendi një vendim qeverie që u dha një trajtim të diferencuar artistëve, por për fat të keq ai vendim ishte gjysmak se ai vendim duhej të shtrihej tek të gjithë artistët, për t’i mbrojtur më shumë.

Nuk ishte problem buxheti për shtetin, por më shumë ishte problem respektimi.

Teatrot janë aty, por artistët nuk u mbrojtën në rrethe. Por ai gabim do korrigjohet.

Një blozë kohe e pamëshirë po bie mbi krijimet gjeniale të artistëve, shkrimtarëve shqiptarë.

Veprat e tyre nuk ribotohen më.

Kolonat e tyre u ndërprenë. Nuk duhet të ekzistojnë.

Asnjë promovim nuk bëhet për leximin e librit. Dramatik ishte një studim ndërkombëtar. Në Shqipëri u gjetën 1 milion shqiptarë që nuk kishin lexuar asnjë libër. Ku shkojmë kështu?

Ndaj dhe një kthesë rrënjësore do ndërmerret për librin, promovimin e tij.

Promovimin e trashëgimisë kulturore në fushën e letrave, në fushën e artit dhe një mbrojtje për trashëgiminë kulturore në fushën e arkeologjisë.

Duhet të përgëzoj Inën dhe profesor Apollon Baçen për guximin që treguan në një përballje të paimagjinueshme për Butrintin, ku lobe ndër më të fuqishmet shtrinë tentakulat e tyre.

Butrinti për 30 vite ishte menaxhuar nga qeveria në bashkëpunim me fondacionin Rothschild dhe tani duhej të merrej nga një fondacion në mënyrën më të papërgjegjshme, ku qeveria të dilte pakicë dhe të dorëzohej ajo pasuri.

T’u them një moment këtu. Isha mirënjohës shumë Lordit Rothschild sepse vëzhgonte me një përkujdesje të jashtëzakonshme të gjithë territorin e parkut kombëtar.

Dhe se kush shkoi dikush e ndërtoi një diskotekë atje, letre pas letre i ndjeri pse ai ndërtim aty. Dhe kur e zgjeruam rrugën Sarandë-Butrint, letër pas letre, u cenua parku kombëtar, gjersa ua shpjeguam.

Erdhi ky, ua dha ministrave, e copëtoi parkun kombëtar. Fondacioni luajti një rol shumë negativ, e kam thënë publikisht, sepse u përzie në një aferë jashtëzakonisht të papërshtatshme. Por këtë fat amfiteatri i Durrësit dhe shumë trashëgimi të tjera.

Ne i rikthehemi mbrojtjes së plotë dhe zhvillimit të mëtejshëm të trashëgimisë sonë kulturore me ligje dhe financime të përshtatshme.

Është i domosdoshëm dyfishimi i buxhetit për kulturën.

Është i domosdoshëm financimi privat, sponsorizimi nga sektori privat i artit.

Është i domosdoshëm nxitja e ngritjes së institucioneve artistike private, duke forcuar gjithnjë institucionet publike, por jo duke i zëvendësuar institucionet publike me private.

Është e domosdoshme të dashur miq, që artistin, piktorin, këngëtarin, shkrimtarin, poetin, t’i vendosim në piedestalin që meritojnë në qoftë se ne duam një Shqipëri Madhështore.

Ne jemi të përkushtuar me gjithë forcën tonë për një Shqipëri Madhështore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale