FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR BASHKINË PËRMET, EDMOND KOMINO
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi sot kandidatin e koalicionit “ Bashkë Fitojmë” për Përmetin. Berisha vlerësoi kandidatin e opozitës, duke shprehur besimin për fitoren e tij me 14 maj.
Berisha ka paralajmëruar Ramën se do të mbahet përgjegjës për aferën me McGonigal, duke deklaruar se e pret burgu në SHBA, dhe më pas edhe në Shqipëri. Lideri i opozitës denoncoi aferat korruptive të regjimit duke kujtuar se paratë që janë shpenzuar për pllaka në sheshin Skëndërbej janë më të mëdha se shpenzimet 1 vjeçare në zonat rurale në të gjithë Shqipërinë. Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, thjeshtra e Ramës po shkatërron të gjitha firmat, sepse fiton çdo tender. Berisha u bëri thirrje banorëve të Përmetit që të mos votojnë kurrë qeveritarë që përdorin pushtetin për pasurimin e tyre.
Gjithashtu, Berisha e vuri theksin mbi gratë dhe nënat shqiptare, duke u shprehur se këto zgjedhje iu dedikohen atyre, pasi që ato kanë një rol të jashtëzakonshëm në familjet tona, dhe që të mos e lejojnë kurrsesi varfërinë që të bëhet shkak për largimin e bijve nga gjiri i tyre.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Përmetit, vëllezër e motra. Zonja e zotërinj!
Së pari përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të thellë, mirënjohjen e pakufijshme ndaj jush, ndaj të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që ndodhen sot.
I nderuar z.Vangjel Dule, kryetar i PDIU, aleat në koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. I nderuar z.Tritan Shehu, drejtues politik i grupit elektoral për qarkun e Gjirokastrës. I nderuar z.Kryetar i PD të Përmetit, Arson Lipe. I dashur kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë së Përmetit, z.Edmond Komino. I dashur Dasho, Niko, Ylli, të dashur miq e të pranishëm në këtë takim.
Kam nder të veçantë dhe kënaqësi që vij sot të paraqes para jush z.Edmond Komino, një nga bijtë tuaj më të shquar, inxhinierin e talentuar. Njeriun që në 30 vite ka derdhur energjinë e tij, mendjen, përkushtimin në interes të qytetarëve të Përmetit, dhe të qytetit. Përmeti, njëri nga qytetet më të bukura që mund të shohë njeriu.
Edmond Komino është një demokrat i ditëve të para të revolucionit demokratik të viteve ’90. Sot ai vjen para jush jo si kandidat i PD, as edhe kryesisë së PD. Vjen para jush si kandidat i juaji, i zgjedhur nga ju me votën tuaj të lirë, me besimin tuaj, dhe ju garantoj se ky standart është sot standarti më dinjitoz që ekziston edhe në vendet më të zhvilluara të planetit. Është standarti i vërtetë i lirisë.
Edmondi paraqiti këtu programin për Përmetin e ndryshuar, Përmetin e ardshëm për vepra konkrete, por mbi të gjitha vizionet. Vizionet e Përmetit me potenciale të jashtëzakonshme. Përmeti ka potenciale të mëdha bujqësore, blegtorale, mbi të gjita turistike. Ka disa nga trashëgimitë kulturore më të bukurat të Shqipërisë, e ndoshta të rajonit. Përmeti ka një trashëgimi të çmuar, të pavdekshme për çdo shqiptar kudo që ai ndodhet, Përmeti është djepi i burrave më të jashtëzakonshëm në fushën e letrave, në fushën e mendimit filozofik, në fushën e politikës, të kombit shqiptar. Të gjitha këto bukuri mahnitëse natyrore, pasuritë e tij e bëjnë Përmetin një bashki me potenciale shumë të mëdha, dhe unë ju garantoj ju se Edmond Komino do bëjë gjithçka që këto potenciale, nga këto pasuri të përfitojnë para së gjithash qytetarët e Përmetit, banorët e këtij rrethi.
Ju e dini mirë kulturën tuaj të mrekullueshme, qoftë në punërat, në prodhime, nuk ka të krahasuar. Ju jeni në krye në shumë aspekte, dhe në këtë kontekst ju siguroj se me promovimin, me zhvillimin Përmeti do të jetë një nga zonat më të lakmuara për turistët shqiptarë dhe nga mbarë bota, pasi kurrëkund tjetër nuk gjen specialitetet, gatimet, prodhimet që gjen në Përmet falë kulturës tradicionale të trashëguar të përmetarëve dhe përmetareve.
Edmondi, mori zotimet e tij para jush dhe ka për rival një shoqe anonime, jo ajo e ka një emër, por problemi është se për emërimin e saj nuk është pyetur asnjë socialist i Përmetit, nuk është pyetur as dega e PS e Përmetit. Këta janë kandidatë që dalin të gjithë nga bodrumi i Edi Ramës. Unë nuk merrem me personin konkret, por një gjë u them. Kudo që shkoj në Shqipëri, nuk kam gjetur një prej tyre që nuk ka dorë. Të gjithë i gjej që kanë përvetësuar fonde, kanë përvetësuar me tendera, kanë përvetësuar me të gjitha mënyrat. Kanë zhvilluar nepotizmin, kanë abuzuar dhe kanë vendosur të fundit qytetarin dhe interesat e tij.
Në qoftë se ti dyfishon taksën, në qoftë se ti rrit tarifat, në qoftë se ti i injoron të gjithë Përmetin dhe Shqipërinë rurale, ti krijon kushte që njerëzit të ikin, të largohen. Po pse do rrijë në Dishnicë fermeri, kur rrugët i ka si në mesjetë. Edhe mesjeta ka ptur rrugë, kanë qenë rrugë qerresh. Rruga e pasfaltuar është rrugë qerresh. Është identik ajo që është e pasfaltuar, ajo mund të jetë ashtu 500 vite para.
Përmeti dhe Shqipëria, veçanërisht fshati dhe zona rurale, u përballën në këto 10 vite me një injorim absolutisht total, ndërkohë që kanë potenciale shumë të mëdha. Ndërkohë, kur ato kanë potenciale shumë të mëdha. Ne kishim një filozofi tjetër, filozofia jonë ishte dhe do jetë, çdo fshat me infrastrukturë: çdo fshat me infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit. Me këtë motiv ne asfaltuam në fshatrat e vendit dhe zonat rurale 8300 kilometra, na mbetën pa afaltuar të paktën edhe 3000 ose 3500 kilometra. Këta që erdhën, në vend që të vazhdonin, se ku çon rrugën, çon shpresën, zhvillimin, tregun, ka gjithë ato aspekte. Këta u ndaluan dhe u gozhduan duke shtruar pllaka guri në qendrat e qyteteve, me qëllimin më madhor që të vjedhin.
A mund të imagjinoni ju që pllakat e sheshit ‘Skënderbej’, në të cilat, ju mund t’ju duket çudi, por ua them me sinqeritet absolut: në verë vlon xhezvja e kafes, e kanë bërë sheshin tmerr për t’u kaluar. Pllakat kanë kushtuar më shumë se investimet 1-vjeçare në gjithë Shqipërinë rurale. A mund të imagjinoni që pllakat në qendrat e qyteteve kanë kushtuar 2.3 miliardë euro? Janë vjedhur të paktën 70% e vlerës. Kjo është e vërteta.
Ndaj dhe më datën 14 maj, thirrja ime është të votoni Edmond Kominon, kandidatin tuaj. Dhe u garantoj se ai me transparencë të plotë, me përkushtim të madh do iu shërbejë ju, banorëve të këtij rrethi në të katërta anët e tij aty ku janë.
Miqtë e mi!
14 maji është një ditë vendimtare, një ditë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk është çështja vetëm zgjedhja e qeveritarëve vendorë. Është një çështje shumë më e madhe. Është një çështje që ka të bëjë me fatin e Përmetit dhe të Shqipërisë, aq sa ky fat qendron në duart, zemrat, mendjet e qytetarëve shqiptarë.
Në 10 vite u larguan nga ky dhe, 35% e shqiptarëve, më shumë se ukrainasit nga barbaria ruse, më shumë se sirianët nga lufta civile, më shumë se çdo komb tjetër. Nga këta 805 nën moshën 30 vjeç. Ku do shkojnë shqiptarët që u mëkuan nga vargjet se: aty ku duket balta më e ëmbël se mjalta, tani ikin. Çfarë ndodhi me ta? Pse kjo? Pse ata po shndërrohen në një kohë mysafirë. Mysafirë në dhera të huaj, mysafirë në tokën e tyre? Ka një shkak: varfëria. Ka një të vërtetë: janë më të vjedhurit. Po pse janë të varfër në një kohë kur jetojnë të rrethuar në pasuri përrallore. Sepse vidhen në mënyrë të pamëshirshme. Kjo është e vërteta. Këtu nuk jemi të ndarë. Këtu jemi njëlloj në këtë fat demokratë, socialistë, të paparti. Sepse kjo vjedhje po nxin jetën e secilit qytetar.
Ne kemi qenë një komb i varfër, por ne ia dolëm mrekullisht në vitin 2008, të ngjitemi nga kombi i tretë më i varfër në planet në vitin 1992, me 204 dollarë për frymë në vit, në 2008-ën ne kaluam në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Ky është hovi më i fuqishëm që ne kemi shënuar në histori.
Ia dolëm të kemi rrogat më të larta në rajon, por njëkohësisht të ndërtojmë edhe 11 mijë kilometra rrugë kombëtare dhe rurale, mijëra shkoll, kopështe, etj. Mos të hyjmë që t’i analizoj këtu tani. Po pse këto? Para, më shumë se sa ka sot. Se ne nuk mirrnim borxh. Ky ka marrë 5 miliard euro borxh, kurse ne e rritëm borxhin nga 58.2% në 62.6%. E rritëm borxhin me 4.4%. E ka rritur borxhin me 43%. Nga 66.6% në 107%. Ku shkuan këto? I dyfishoi taksat. Këto u vodhën. U vodhën se çdo punë publike bëhet duke vjedhur 80-90% të çmimit. Sepse, në qoftë se në Europë rruga ndërtohet me 2-3 milionë euro në fushë, në Shqipëri në fushë rruga ndërtohet me 24 milionë euro. Në qoftë se në Tiranë një shkollë e ndërtuar nga PNUD, me donacione, ndërtohet me 700 mijë euro, një shkollë e ndërtuar nga taksat e qytetarëve të Tiranës, ndërtohet nga Lal Betoni, ndërtohet me 6 milionë euro.
Një shkollë për t’u rindërtuar në Kamëz, nga betoni tjetër i Kamzës, ndërtohet me 7.2 milionë euro. Ka një vjedhje të papërmbajtur. Pse? Se vjedh kryeministri.
A e keni vënë re ju çfarë po bën në këtë fushatë? Në këtë fushatë del me lopatë, që nuk e ka kapur kurrë me dorë, e ka për herë të parë, hap ndonjë gropë, dhe dy tri gjëra bën. Shan opozitën nga fillimi në fund, se atë kulturë ka, përdor fjalor banal dhe të turpshëm që kurrë një njeri i civilizuar nuk ia lejon vetes.
Unë isha në Kavajë. Kavajsit janë shumë të revoltuar me gjuhën e tij, gjuhë që vetëm alabakët mund t’ia lejojnë vetes ta përdorin. Nuk bën asnjë bilanc, nuk tregon se çfarë ka bërë, se çfarë do bëjë. Paraqet një grup njerëzish që kanë vjedhur si ai.
Isha në Patos, aty gjej një kandidat të tij. Çfarë ishte kandidati i tij? Një Fatjon Duro. Fatjon Duro e kishte bashkëshorten ish-drejtuese të hipotekës në Sarandë, kishte vjedhur e vjedhur, ishte lëshuar urdhër arresti. E shoqja në Londër tret pasuritë, Edi Rama merr ryshfetin dhe i emëron të shoqin kryetar në Patos. Po mund të ndodhë kjo? Po ka vend në botë që ndodh në këtë mënyrë.
Isha në Kukës, kishte marrë Beqirin, nga nëna e baba i kishin vënë emrin Beqir, dhe e kishin paraqitur Beqirin në Krumë: ky është Haliti. Sepse si Beqir i kishte 4-5 arrestime ai. Pse, ky ishte njeriu që ishte arrestuar në Greqi, Itali, Gjermani, mos gabohem edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri. Po pse, ky ishte njeriu që duhej të kandidojë në Has? Po ishte, se ky ishte se i kishte çuar valixhen Edi Ramës. Asnjë socialist nuk do që të ketë një kandidat të tillë.
Këta janë kandidatë të valixhes me para. Mund të numëroj sa të doni të tillë. Çfarë bëjnë tjetër? Mashtrojnë! Mashtrojnë, sepse ky beson se i ka ecur mashtrimi.
Isha në Maliq. Topçiu që kishte 23 vjet, pa asnjë bilanc pothuaj, tani u thotë: unë do ju ndërtoj trenin elektrik Maliq- Pylli Fazanit. Prsini kur të thojë kjo zonja, se unë do ndërtoj trenin elektrik Përmet-Bredhi Hotovës. Po këta i konsiderojnë qytetarët qenie të dorës së dytë, njerëz të prapambetur, njerëz që mund t’iu thonë çdo gjë. Nuk kanë turp. U ka humbur cipa. Dhe këtë ai e thotë, sepse ka thënë Erion Veliaj që treni që do hyjë në Tiranë, do vijë deri në Kashar me naftë, kurse në Tiranë do hyjë me elektrik. Absolutisht, po.
Prandj edhe ky thoshte: do shkojmë te Pylli i Fazanit me tren elektrik. Këta vjedhin, vetëm vjedhin. Vjedhin taksat, pasuritë. Çfarë ndodh me ne? Çfarë ndodh me qytetarin? Varfërim. Dhe përfunduam nga njerëzit me rrogat më të larta në rajon, në njerëzit me rrogat më të ulëta në rajon. Dhe tani me një cinizëm ekstrem del e thotë: do ta rris rrogën 900 euro. Ky është një premtim i një njeriu që është i fshirë nga konceptet.
Të rrisësh rrogën brenda një viti në 900 euro, do të thotë të falimentosh të gjithë sistemin bankar shqiptar, do të thotë të krijosh inflacion në Shqipëri, të paktën treshifror. Do të thotë të zhysësh shoqërinë shqiptare jo në mirëqëne, por në një nga mjerimet më të mëdha, sepse për njeriun inflacioni është armiku më i egër. Inflacioni sjell çdo orë, çdo ditë vetëm varfëri.
Kështu që, unë nuk besoj se do të ketë njeri që do ta besojë atë njeri. Megjithatë, ne duhet të bëjmë çdo gjë, me çdo qytetar, me çdo banor, pavarësisht nga bindjet partiake të votojnë ndryshimin.
Me datën 14 maj, vota për Edmond Kominon është votë për ndryshimin.
Ju e shihni çfarë beteje të egër bën në sy para të gjithë botës kundër opozitës. E ka kapur tmerr, frikë e madhe shumë, sepse ka kryer vepra për të cilat ai duhet të tmerrohet. Normalisht, një njeri që është i lirë nuk ka frikë. Po ai nuk është i lirë. Ai ka firmosur absolutisht në mënyrë flagrante në kundërshti me ligjin për xhepin e tij dhe të Erion Veliajt aferën e djegësave 430 milionë euro. Ai po përvetëson 820 mijë m2 truall në ballë të Durrësit për t’u bërë miliarder si Alabari.
Ai ka tmerr nga këto, ndaj edhe sheh te opozita tmerrin e vërtetë. Sheh te Sali Berisha tmerrin e vërtetë. I pashprese je, i them këtu para jush. Shpresë nuk ke!
McGonigal po të pret atje. Je i pashpresë atje, por je edhe këtu Pasi të mbarosh dënimin atje, do vish këtu se dënime të tjera të presin. Se ligji për heqjen e parashkrimit për qeveritarët do jetë ligji i parë që do miratohet në parlamentin e ardhshëm. Nuk ka parashkrim! Në qoftë se ti vjedh dhe mjeron qytetarët me vjedhjen tënde, ty ajo vjedhje dhe ai mjerim do të të ndjekë deri në ditën e fundit të jetës tënde. Do përballesh me drejtësinë.
Ndaj ka tmerr nga opozita. Ka tmerr nga opozita se familja e tij çdo ditë në tendera. Se baxhanaku i tij është një peshkaqen që tende pas tenderi mund të ketë marrë 100 tendera deri më sot, të fshehtë dhe të hapur, të cilin ligji e ndalon. Këta nuk pyesin për ligjin.
Thjeshtra e tij po shkatërron të gjitha firmat e arkitektëve, projektuesve. E lidhur me një kompani të huaj, pastaj si nënkontraktore fiton çdo tender se është thjeshtra e kryeministrit. Po ligji e ndalon këtë.
Të dashur qytetare e qytetarë!
Mos votoni kurrë qeveritarë që përdorin pushtetin për pasurimin e tyre. Rruga më antiligjore është angazhimi i familjarëve për të fituar tendera. I them Edi Ramës, hajde të dalim këtu bashkë, përpara këtyre qytetarëve. Nxirr pak sa tendera kanë fituar familjarët e Sali Berishës. Zero! Mashtrove me McGonigal. Zero! Të numëroj unë qindra tendera të thjeshtrës së Olsit dhe të atij baxhanakut. A ecet kështu?
Do ishte pafalshme të votosh këtë njeri, do të thotë të votosh varfërinë tënde, dëshpërimin tënd, që pasuritë e vendit tënd të shndërrohen në një mallkim për ty dhe jo bekim, siç i ka dhënë Zoti.
Ndaj edhe më 14 maj, të gjithë së bashku të trokasim në çdo derë. Thirrja ime më e veçantë është për vajzat, nënat, motrat tona në Përmet, por edhe në Shqipëri. Kurrë ndonjëherë, koha nuk iu ka thirrë më shumë se në këto zgjedhje. Sepse ju e përjetoni në jetën tuaj, shpirtin tuaj brengën e varfërisë dhe mjerimit. Brengën që ka një nënë që nuk plotëson dot dëshirat e fëmijës së tij, ndonjëherë edhe ato më elementaret. Brengën që ka një nënë që i nis fëmijët e vet në botë, sepse që nuk ia del, vetëm e vetëm se vidhet pasuria e Shqipërisë. Brengën që ka ajo kur sheh familjen që i boshatiset.
Është vendimtar roli juaj në këtë fushatë, sepse energjia juaj pozitive, ndjenjat tuaja për Përmeti ndhe Shqipërinë, janë absolutisht leva e Arkimedit për të firmosur ndryshimin më 14 maj për t’i dhënë Shqipërisë ndryshimin, shpresën, të ardhmen që meriton.
Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë fitojmë!
Rroftë Përmeti, rroftë Shqipëria! Faleminderit shumë!