FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË DURRËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjesh politike që të dalin ditën e dielëme 14 maj dhe të votojnë për kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.
Gjatë fjalës së tij në takimin elektoral në Durrës, Berisha, ndryshe nga Rama, kërkoi që qytetarët të dalin në shumicë për të votuar në 14 maj.
Qytetar dhe qytetare, mos harroni se krim-ministri i Shqipërisë i tmerruar nga vota juaj, kalon nga sheshi në shesh duke u bërë thirrje që të mos votoni. Të gjithë në votime, demokratë, socialistë të paparti, me votën tuaj firmosni ndryshimin. Vota juaj është jetike, është vota e fatit të Durrësit dhe të Shqipërisë’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se segmente të krimit bashkëpunojnë me qeverinë dhe shpërndajnë para për të blerë votat.
‘Ku janë kandidatët e Edi Ramës, bodrumeve. Nuk takohen me qytetarët, takohen me punonjësit e tyre, takohen me grupet mafioze, shpërndajnë para’, theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare e qytetarë të Durrësit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.
Përshëndetjet me të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ky miting, ky entuziazëm i njerëzve të lirë, i njerëzve me ideale për Durrësin dhe Shqipërinë, dëshmon se Durrësi ka vendosur ndryshimin, se Durrësi me 14 maj do të votojë njërin nga bijtë e vet më të shquar, njërin nga qytetarët më shembullorë, njërin nga politikanët që don më shumë qytetarët e këtij qyteti, banorët e këtij rrethi, Igli Carën.
Dëgjova me kënaqësi të jashtëzakonshme, me vëmendje të madhe programin e Igli Carës. Mund të cilësohet simfonia për të sotmen dhe të ardhmen e Durrësit.
Igli Cara pas takimesh të hapura, të sinqerta, intensive me banorët e qytetit, banorët e rrethit të Durrësit, vjen para jush me një program i cili do të shërojë plagët e pamerituara që mori Durrësi në këto 23 vite nga sundimi në disa mandate i mafias më të pashpirtë të Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës.
Durrësi, qyteti i lavdisë historike, qyteti port e kombit drejt perëndimit, ka nevojë jetike ndryshimin.
Durrësi ka nevojë jetike shpëtimin nga kthetrat e një mafie e cila është e pashpirtë ndaj qytetarëve të Durrësit, e pashpirt ndaj trashëgimisë së Durrësit, e pashpirt ndaj të ardhmes së durrsakëve.
14 maji do të jetë fundi i saj.
Durrësi kjo trashëgimni madhështore e qytetërimeve, e kombit, njohu këto vite të qeverisjes mafioze, shkatërrimet më të mëdha se sa nga luftërat, se sa nga tërmetet, se sa nga cunamet. Mbi monumentet e Durrësit u vërsul me egërsi të pamëshirë mafiasRama-Dako-Sako dhe me radhë. Durrësi që me portin e vet begaton qytetin dhe vendin, po pëson pushtimin më të egër. 2700 vite asnjë pushtues nuk ja preku portin Durrësit, nuk ja preku aortën, nuk ja preku rrugën kryesore të frymëmarrjes, portën e kombit drejt perëndimit.
Tani Edi Rama për të realizuar ëndërrën e tij arabe prej miliarderi do të na e shndërrojë Durrësin në Dubai City. Unë nuk jam racist, kam respekt për kombet dhe qytetërimet, por ne kemi një testament. Ata të cilët krijuan doktrinën tonë kombëtare, shkrojtën se, për ne dielli lind jo nga lindja, por nga perëndimi. Ndaj dhe Durrësi do të mbetet gjithmonë syri i perëndimit për kombin shqiptar.
Edi Rama me një babëzi të papërmbajtur mendon të realizojë ëndërrën e tij, të bëhet miliarder si Alalabari duke plaçkitur 800 mijë metër katrorë truall, tokë të durrsakëve.
Kurrë nuk do të lejohet.
Miqtë e mi!
Me 14 maj përballen pra, dy platforma. Përballen idealistët e Durrësit dhe të Shqipërisë, që besojnë se liritë dhe të drejtat duhet të respektohen. Që besojnë se pushteti në një dorë është jo dramë, por është tragjedi kombëtare. Që besojnë se qytetari duhet të jetë në epiqendër të qeverisjes.
Çfarë ndodh këto kohë? Ku janë kandidatët e Edi Ramës, bodrumeve. Nuk takohen me qytetarët, takohen me punonjësit e tyre, takohen me grupet mafioze, shpërndajnë para. E dinë se vendin e kanë në burg për krimet që kanë kryer dhe atje do të shkojnë.
Edi Rama ka vjedhur shqiptarët më shumë se të gjithë pushtuesit e marrë së bashku. Edi Rama ka vendosur mbi shqiptarët tiraninë e varfërisë, tiraninë e mjerimit. Edi Rama nuk ka të ardhme.
Kalon nga sheshi në shesh me fjalor halabaku, duke treguar mungesën totale të respektit për qytetarin, duke treguar përçmimin e tij për vlerat qytetare, për familjet, për idealet, për çdo gjë tjetër.
Edi Rama mendon se me këtë fjalor do të mund të mbulojë vjedhjet e mëdha, do të mund të mbulojë lidhjet e tij të drogës, do të mund të mbulojë aferën e tij me McGonigal i cili po e pret me padurim në bankën e të akuzuarit në Uashington.
Edi Rama nuk ka të ardhme.
Miqtë e mi!
Kam një thirrje për çdo durrsake dhe durrsak, pavarësisht nga përkatësia partiake. Të ndalen dhe të mendojë, çfarë pësoi Durrësi në këto vite, çfarë pësuan qytetarët e Durrësit në këto vite? Durrësi pësoi betonizim, betonizim, betonizim.
Qytetarët varfërim dhe largim. Mafia zot i Durrësit. Ndaj dhe çdo qytetar që ka ndjenjat minimale të dashurisë dhe respektit për këtë qytet, kaq i rëndësishëm për fatin e kombit, me 14 maj voton Igli Carën në Durrës, voton Rezeart Tushën në Shijak.
Voton kandidatët e primareve në mbarë Shqipërinë.
Qytetar dhe qytetare, mos harroni se krim-ministri i Shqipërisë i tmerruar nga vota juaj, kalon nga sheshi në shesh duke u bërë thirrje që të mos votoni. Të gjithë në votime, demokratë, socialistë të paparti, me votën tuaj firmosni ndryshimin.
Vota juaj është jetike, është vota e fatit të Durrësit dhe të Shqipërisë.
Rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria!