FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha akuzoi drejtëpërdrejtë Taulant Ballën, ish-ministrin e Brendshëm të Edi Ramës, se është takuar me njerëz të botës së krimit në Dubai.
Berisha tha se, Taulant Balla takoi çunat e Dubait. Përgjimet tregojnë se janë paguar miliona për emërimet në polici.
Lideri demokrat, Sali Berisha e ka cilësuar një avokat të shpifur në shërbim të krimit, kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Berisha tha se, Altin Dumani nuk kishte guximin më të vogël të pyeste Ymer Lalën, pas një denoncimi të bërë për vrasje ndaj këtij të fundit.
Gjatë tubimit qytetar në mbështetje të tij në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha tha se, asnjëherë Lala nuk u pyet nga Dumani për vrasje.
Kryedemokrati Sali Berisha shtoi se nga 35 dosje gjithsej për hetim elektoral në SPAK, vetëm katër prej tyre po hetohen, ndërsa në to ka emra prokurorësh e gjyqtarësh si të përfshirë.
Berisha u ndal te denoncimet e rënda të bëra prej tij gjatë gjithë qeverisjes së Edi Ramës dhe rëndësinë e krijimit të komisionit të së vërtetës.
Berisha tha se, krijimi i komisionit të së vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike.
Kryetari i PD, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë ndaj kryeministrit Rama dhe bandave kriminale, që operojnë për llogari të tij dhe PS.
Gjatë tubimit qytetar, Berisha tha se Rama kërkon me çdo kusht lirimin e vrasësit të 4 policëve, Dritan Dajti me qëllim, që të eleminojë një politikan të afërt me të.
Sipas Berishës, në dosje ka telefonata që faktojnë për këtë krim, ndërsa heshtin dhe nuk kanë guximin të bëjnë asnjë akuzë, sepse bandat që do e eliminonin janë ato të partisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri një tjetër denoncim të fortë në lidhje me aktivitetin kriminal të bandave dhe transferimin nga Dubai të 3 miliardë eurove dhe pastrimin e tyre.
Berisha tha se, vetëm një nga çunat e Dubait ka transferuar 3 miliardë euro.
Protesta, rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufijshme ndaj jush qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionare dhe misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve fjalëzjarrtë që nga kjo platformë shpërndajnë të vërtetat në të katër anët e vendit. Nga kjo platformë çjerrin vellon e zezë të censurës që regjimi i drogës, krimit dhe vjedhjeve ka vendosur mbi shqiptarët.
Të dashur miq, këto 10 ditë kanë qenë ditë vrasjesh, eksplozivesh, varjesh, vdekjesh në burg. Kanë qenë ditë tragjike, por gjithçka ndodh sepse krimi, vrasësit serialë janë vendimmarrësit më të fuqishëm. Kjo ndodh sepse vrasësit serialë dhe bandat kanë për ushtarë ministrat e qeverisë.
Kanë për ushtarë Taulant Ballërat me shokë. Kanë lidhje të ngushta me Edi Ramën, me zyrat e tij. Kanë mbrojtje të plotë nga mercenar Dumani dhe shpura e tij.
Të dashur miq, edhe njëherë theksoj se Shqipëria, shoqëria shqiptare sot për fatin e saj është e ngërthyer nga krimi sa kurrë ndonjëherë në ekzistencën e vet.
Dhe kjo për asnjë arsye tjetër, por se shteti që duhet të luftojë, është një me krimin.
Deri dje ministri i Brendshëm, Taulant Balla Bego Yaris, ndërhyn dhe liron me urdhër të vrasësve, vrasësit që i vunë tritolin tjetrit.
Dy prej tyre dhe nuk i ndodh asgjë sepse ai ka mbrojtjen e bandave, ka mbrojtjen e atyre që e porositën të ndërmarrë aktin kriminal me Vath Stakën për të liruar ata që i vendosën tritolin tjetrit në mes të Shkodrës.
Taulant Balla ishte për vizitë në Dubai. Atje takoi edhe çunat e tij, por regjistrimet tregojnë se janë paguar miliona për emërimet në Tiranë, për emërimet në drejtorinë qendrore të policisë.
Dhe megjithatë ai është ministër shteti sepse më i zhytur në krim është Edi Rama, është Olsi Rama.
Janë parti e krimit!
Altin Dumani, ky avokat i shpifur i krimit, ishte ngarkuar të merrte në pyetje Ymer Lalën, i cili ishte denoncuar për vrasje nga një i penduar.
Nga 19 pyetje që i drejtoi mercenari, asnjëra prej tyre nuk ishte për vrasjet. Ky është hetimi i krimit elektoral që bën njeriu i cili kryeson organizatën kriminale të Skapit të partisë. Në dosjet, dhe ato janë gjithsej të hapura nga 35, vetëm 4 prej tyre, në këto dosje dalin prokurorë, dalin gjykatës.
Dhe Altin Dumani na thotë se policët, po ai vetë është i tillë. Ai është vetë para kriminelit përkulet, nuk guxon ta pyesë për denoncimin që i është bërë. Dhe i gjithë Skapi e din këtë, ndaj i varin teneqenë këtij shërbëtori të Edi Ramës.
Të dashur miq, një muaj më parë u vendos në qytetin e Durrësit një pllakatë memoriale për katër dëshmorë të kombit, oficerë të shkëlqyer policie që i ekzekutoi miku i Edi Ramës, vrasësi serial Dritan Dajti.
A mund të imagjinoni ju se ajo pllakë përkujtimore që u inaugurua zyrtarisht me praninë e narkopolicëve, u hoq me urdhrin e Dritan Dajtit.
Sepse Edi Rama po bën gjithçka që vrasësin e katër oficerëve të policisë ta nxjerrë nga burgu, ta lirojë për detyrimet që ka ndaj tij.
Të dashur miq, këto janë vetëm maja e ajsbergut e krimeve të këtyre qeveritarëve.
Në dosje ka telefonata që faktojnë se përgatitën vrasjen e një politikani të afërt me Edi Ramën dhe heshtin dhe nuk bëjnë asnjë akuzë, nuk guxojnë, sepse bandat që do e eliminonin janë superbandat e partisë.
Pra, aq sa është e shëmtuar vrasja në klub, në rrugë dhe kudo, më të shëmtuara dhe kriminale janë planet që bëhen nga njerëzit e pushtetit, nga bandat e pushtetit.
Dhe që të gjitha bëhen me dijeninë e Edi Ramës.
Ja pse Taulant Balla megjithëse akuzohet, faktohet se ndërhyri për të liruar vrasësit, terroristët që vunë dinamitin, ndërhyri dhe mori nga stacioni i policisë Rrajën, që kishte torturuar një vajzë, kalon nga një portofol në tjetër, sepse kreu i krimit në Shqipëri është Edi Rama që koordinon bandat.
Sepse është Edi Rama që udhëton sipas dosjeve në Aruba.
Se është Edi Rama që stoliset me orë 500 mijë eurosh.
Miqtë e mi, i bëra këto denoncime se unë siç e dini kam kërkuar komisionin e të vërtetës.
Krijimi i komisionit të të vërtetës për dosjet e krimit është kushti i të gjitha kushteve për të pastruar jetën politike të Shqipërisë.
Për të rikthyer në Shqipëri ligjin dhe shtetin ligjor. Pa komisionin e të vërtetës, shoqëria shqiptare do të notojë mbi falangat e krimit më monstruoz.
E krimit shtetëror!
Komisioni i të vërtetës është rruga e vetme për të zbardhur krimin e madh elektoral.
Për të zbardhur të vërtetën e farsës elektorale në Shqipëri. Për të zbardhur terrorizmin e bandave të Edi Ramës ndaj zgjedhësve shqiptarë. Për të zbardhur miliona e miliona të përdorura prej tyre për të blerë vota me 300 euro, me 500 euro, për të blerë komisionerë me 10 mijë euro, me 15 mijë euro.
Të dashur miq, shtatori është muaji i opozitës.
Nuk mund të pranojmë kurrë më që këta kriminelë, këta bashkëpunëtorë të bandave më të rrezikshme të Europës, vetëm njëri prej tyre ka transferuar nga Dubai në Europë, tre miliardë euro, Çopja.
Imagjinoni ju se çfarë fuqie kanë ata, kur vetëm njëri prej tyre disponon gjysmën e prodhimit të përgjithshëm të Shqipërisë në vlerë.
Miqtë e mi, Edi Rama duhet të largohet sa më parë.
Protesta jonë për qeveri teknike, për zgjedhje të lira, është rruga e vetme e shpëtimit të Shqipërisë.
Është rruga e vetme për ndryshimin e pushtetit.
Rruga e vetme për ardhjen e opozitës në pushtet.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!